Arben Puto: Regjistrimi do të rrisë artificialisht numrin e minoritetit

Profesor Arben Puto, një nga historianët dhe specialistët e shquar të së drejtës ndërkombëtare, mendon se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike do të sjellë një rritje artificiale të minoritetit grek. Në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare” ai tha se duhet bërë shumë kujdes për të mos i lënë shtigje një depërtimi të ri grek.

Loading...

Prof.Puto, ka kohë që në Shqipëri zien debati për regjistrimin e popullsisë, cili është opinioni juaj për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri ?
Së pari desha të theksoj, se kjo çështje ka një vështrim historik. Problemi kryesor që mbeti “trashëgim” nga lufta e dytë botërore dhe nga Konferenca e Paqes e vitit 1946 ishte Vorio Epiri. Në këtë konferencë, si dhe më parë, pretendimet greke ishin për Shqipërinë e Jugut, e shprehur ndryshe në Vorio Epirin, të cilat u rrëzuan, por qeveria greke në shtator 1946 pati bërë një deklaratë në Konferencën e Paqes se “ajo nuk do të njihte rrëzimin e kërkesave të saj për Vorio Epirin dhe se kjo kërkesë do të ngelej e pandryshuar, një pikë fikse në qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe do të ishte në axhendën e politikës së saj të jashtme”. Greqia nuk do të dali më haptazi me pretendime territoriale, nuk do të kërkojë aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Tashmë, në Athinë e kuptojnë se nuk del gjë nga këmbëngulja me pretendimet e vjetra, nga ana tjetër është edhe Karta e Atlantikut që nuk parashikon ndryshime territoriale pas luftës së dytë botërore në Europë. Por, aq më tepër që situata nuk është e favorshme në Ballkanin e ndarë midis lindjes dhe perëndimit. Në këto rrethana, qeveria greke nuk heq dorë, por detyrohet të ndryshojë taktikë. Shpreson të gjejë terren, të hapi shtigje në situatën e re shqiptare pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së Shqipërisë ndaj botës së jashtme. Paradoksalisht hapja krijoi një problem pikërisht me Greqinë. Menjëherë, Athina u përpoq që ta shfrytëzojë këtë hapje, duke e parë si një okazion për t’iu rikthyer Vorio Epirit, por me terma të reja. Programi i ri i punës së qeverisë greke, ka të bëjë me një memorandum që mban emrin e ish-kryeministrit Micotaqis, që iu paraqit qeverisë shqiptare në korrik të vitit 1993, në fakt ky program synonte zgjerimin e zonës së influencës greke në Jug, pse jo edhe më tej me një paketë masash depërtimi

Prof.Puto, mund të na thoni më konkretisht mbi këtë paketë masash të këtij memorandumi ?
Po, kjo paketë masash tashmë dihet, pasi është vënë në veprim. Janë disa ndërhyrje të dhimbshme si: vendosja e varreve të të rënëve grekë gjatë luftës me Italinë ( tetor 1940- prill 1941) mbi varret e vjetra të banuara nga vendas që janë hapur dhe prishur, ngritja e përmendoreve përkujtimore greke në zonat që kalojnë edhe kufijtë e territorit që okupuan trupat greke, duke ndjekur trupat italiane në tërheqje. Me kalimin e viteve shihet se se ky proces ka ardhur duke u thelluar në favor të planit grek

Po qëndrimi i palës shqiptare, cili ka qenë ndaj këtyre masave të memorandumit ?
Gjatë këtyre 20 vjetëve të hapjes, pala shqiptare është gjendur në pozita inferioriteti kundrejt politikës greke. Në fakt, asnjë qeveri shqiptare në këto 20 vjetët e fundit, cilado qoftë ngjyra e saj, nuk ka treguar as aftësinë dhe as vendosmërinë për t’i rezistuar presioneve të pareshtura greke. Tashmë, qeveria shqiptare ka vendosur që të bëjë një regjistrim të ri të popullsisë, pasi kanë kaluar shumë vite nga regjistrimi i fundit. Sigurisht, gjërat kanë ndryshuar, kanë ardhur dhe kanë ikur, breza të rinj vijnë në jetë, ka rritje dhe rënie nga një zonë në tjetrën. Në parim është krejt normale, por është e nevojshme që në kryerjen e regjistrimit të mos hapen shtigje për një depërtim të ri të interesave greke. Në opinionin publik të vendit është shprehur shqetësim, se në kryerjen e këtij regjistrimi me konotacione evidente politike, nuk do të tregohet kujdesi i duhur për të shmangur lëshime të reja, që mund të deformonin strukturën demografike reale të shoqërisë, pasi synimet greke janë gjithmonë të pranishme, tashmë ato kanë arritur disa rezultate

Çfarë mund të bëhet që t’i dilet përpara këtij problemi?
Është shprehur mendimi se në regjistrimin e ri nuk ka përse të përfshihet përkatësia etnike. Le t’i referohemi Kushtetutës, e cila nuk i ndan shtetasit sipas kombësisë. Janë të gjithë të barabartë para ligjit, pa dallim kombësie, feje, krahine, gjinie dhe ideje. Sillen si shembull edhe vendet europiane perëndimore si: Anglia, Gjermania, Franca, Belgjika, madje dhe vetë Greqia, të cilat nuk i njohin grupet minoritare dhe janë shprehur me popullsi homogjene, kompakte. Por, Shqipëria në regjistrimin e popullsisë nuk mund t’u shmanget njohjes së grupeve minoritare, ndër ta minoritetit grek që vjen në krye. Shqipëria është e lidhur me një deklaratë, që ka bërë pas Luftës së Parë Botërore pranë Lidhjes së Kombeve. Në Konferencën e Paqes të vitit 1919 u tha se dështuan përpjekjet e delegacionit grek për të marrë Vorio Epirin “Shqipëria e Jugut nuk u cungua, por Shqipëria garantonte njohjen e minoritetit grek në territorin e saj dhe angazhohej që ta trajtonte, sipas një statusi të veçantë si një grup që e dallon nga shumica. Në të vërtetë, të gjitha regjistrimet e popullsisë që janë bërë në të kaluarën e kanë përfshirë përkatësinë etnike. Minoritarët e kanë shprehur përkatësinë etnike greke. Sipas të dhënave të një botimi të ri të vitit 2003 (Atlasi Gjeografik i Shqipërisë ), numri i tyre ishte 66000

Profesor Puto, atëherë a është e drejtë sipas jush që të njihet përkatësia etnike në regjistrimin e popullsisë ?
Problemi në këtë rast nuk është njohja e së drejtës së individit për të shprehur përkatësinë etnike, por formulimi dhe ushtrimi i kësaj të drejte. Nuk mund të vendoset përkatësia etnike thjesht me një deklaratë individuale, pa kurrfarë kriteri. Kjo çështje ka të bëjë me nocionin e minoritetit, që të trajtohet nga e drejta ndërkombëtare si një kategori më vete. Është fakt, se në të drejtat ndërkombëtare nuk ka një përcaktim të nocionit të minoritetit që të trajtohet nga e drejta ndërkombëtare. Ka pasur dhe ka mendime kontradiktore. Pengesë për këtë, janë bërë në radhë të parë vendet e përmendura të Europës, të cilat nuk njohin minoritete. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë e mundur të arrihet në një formulë kompromisi, sipas së cilit nocioni i minoritetit lidhet me dy kritere, kriteri subjektiv dhe kriteri objektiv .
Për pasojë shprehja e vullnetit të individit nuk është e mjaftueshme. Në kushte të caktuara individi nuk është i lirë të shprehë përkatësinë etnike reale, ai është i kondicionuar nga rrethanat, përpiqet që t’i shpëtojë varfërisë, të gjejë një punë që nuk e gjen në vendin e tij të hapi një aktivitet, të ndërtojë një banesë t’u sigurojë shkollën dhe të ardhmen fëmijëve. Janë mijëra e mijëra që vendi i tyre nuk i mban dot dhe ata shkojnë në Greqi. Pikërisht, këtu qëndron e keqja që individi detyrohet që të deklarojë një përkatësi etnike, që realisht nuk e ka. Kjo është një mënyrë që mund të sjellë një rritje artificiale të numrit të minoritetit. Një gjë nuk duhet të harrohet se Athina ka pretenduar gjithmonë një numër shumë më të madh të popullsisë minoritare. Delegacioni grek në Konferencën e Paqes në vitin 1946 e çonte numrin në 300 deri në 400 mijë .
Edhe kaq mjafton për të kuptuar se kjo nuk është një histori nacionaliste, është një shqetësim i ligjshëm, që vetë pala shqiptare me regjistrimin e ri, të mos bëjë asnjë lëshim t’i rezistojë çdo presioni për të shmangur deformimet e strukturës demografike të shoqërisë.

Natyrshëm lind pyetja: a ka zgjidhje?
Po zgjidhja është koordinimi i kriterit subjektiv me atë objektiv sipas kompromisit të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata subjektive është elementi i parë i përcaktimit të etnisë. Por, kjo deklaratë do të ballafaqohet me të dhënat konkrete mbi personin, jetën e tij, prejardhjen, lidhjet me vendin dhe me shoqërinë, gjuhën e folur shkurt me kriterin objektiv.

Është folur për vënien para përgjegjësisë për shtrembërimin e përkatësisë etnike.
Duket e tepërt, mjafton që në regjistrim të shënohet ajo përkatësi që rezulton efektivisht, që nga shprehja e vullnetit deri tek të dhënat objektive.Kujdes pra me regjistrimin, e kuptuar drejt nuk është “histori nacionaliste” .

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button