Shqiptarët e famshëm që luftuan dhe i zbardhën faqen Greqisë

“Arvanitasit dhe shqiptarët në luftën çlirimtare të popullit grek”, është një nga librat e parë në gjuhën shqipe, që i dha diçka popullit shqiptar, popullit grek dhe gjithë popujve të tjerë ballkanas e më gjerë. Për shkaqe që dihen nuk ka një studim të mirëfilltë. Nuk dihet mirë si u shpërndanë helenët, ku u vendosën dhe si u tjetërsuan. Kur lindi Greqia, arvanitasit dhe shqiptarët, pushtimi osman dhe lufta e venedikasve përbëjnë esencën e traditave në Ballkan për ndërhyrjet e mëdha evropiane, sidomos të anglo-francezëve, të austro-hungarezëve dhe të Rusisë, që luajtën një rol të rëndësishëm. Ishte dora e hekurt e Skënderbeut ajo që mbrojti qytetërimin evropian. Pas vdekjes së Skënderbeut, në prag të shekullit XVI, edhe pse turqit u shtrinë deri në Bosnjë, përsëri shqiptarët, me kryengritjet që bënë kundër pushtuesve osmanë dhe me luftërat vdekjeprurëse, i detyruan osmanët të lënë shumë të vrarë e plaçkë lufte në fushat e betejave. Për luftën heroike që bënë grekët, arvanitasit dhe shqiptarët kundër turqve, në “Studimet historike”, sidomos nga studiuesit Stavri Naçi e Selami Pulaha, janë mbrojtur disa materiale të vlefshme, por edhe këto të shpërndara, jo të lidhura me njëra-tjetrën dhe shpesh të duken sikur nuk plotësojnë të tërën. 
Shqiptarët në muzeun e Janinës
Po të shkosh sot në Muzeun historik të Janinës, gjen mjaft dokumente që vërtetojnë se Ali Pasha është nga ato anë, sepse në Janinë ai ka pas identitetin e tij në regjistrat themeltarë të gjendjes civile dhe pati krijuar administratën e parë, të tijën, paçka se në fund (në v.1820) u kthye kundër turqve. Një gjë është e vërtetë: në këtë kohë shqiptarët kufizoheshin nga Bosnja, Matophia, Epiri e deri në Prevezë, që nuk zotëronin gjuhën shqipe, prandaj rumuni V. Papakostea ka thënë: “Shqiptarët janë i vetmi popull që nuk ka asnjë kronikë për ngjarjet e vitit 1821… Madhështia e këtij populli heroik ka kaluar pa u pasqyruar nga të tjerët dhe është përvetësuar nga të tjerët” (mungonte historiografia). Për këtë arsye, që para kësaj periudhe, kur ende ne nuk zotëronim gjuhën shqipe, falë të tjerëve si Marin Barletit apo defterëve turq, që japin të dhëna ndriçuese sado pak nga Historia e Shqipërisë, por falë edhe këngëve e rapsodive, që në tregimet e hershme të pasqyrojnë apo të mbajnë vazhdën dhe rrjedhën e ngjarjeve. Ja njëra nga këto këngë: “Bien topat, gjëmon deti / Asqerë po mbledh dovleti./ Banush bej, o Banush bej / Dyzet ditë me / Pa bukë e pa xhephane”. Është koha kur Banush Sevrani luftoi në Mesollongj. Këtë na e paraqet më mirë një nga shkrimtarët e kohës, Dhimitër Fotjadhis, por, fatkeqësisht ky libër nuk është përkthyer në shqip dhe vrasja e tij në ishullin e vogël Dollma (Tollma), në afërsi të Mesollongjit, nuk del e qartë dhe ky hero shqiptar, përveç këngëve dhe gojëdhënave të atyre që kanë derdhur gjak në këtë luftë, nuk ka të dhëna të tjera. Për këta luftëtarë arvanitas e shqiptarë nuk ka të dhëna të plota. Në librin e Dhimitër Grillos shkruhet se në 50 vetë që shtroheshin në dru nga turqit, 49 ishin arvanitas shqiptarë. Kohët e fundit kanë dalë libra të rinj. Një nga këta është edhe libri i Aristidh Kolës, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Ky libër më ka lënë shumë vragë dhe më ka mësuar edhe shumë gjëra që nuk i dija midis të tjerave.
Kapodistra, Kryeministri shqiptar
Kapodistra, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, i pari kryeministër, përmendet në librin e Dr. Myslim Hotovës, i cili ia dedikon këtë vepër Haxhi Mihal Dollanit. Për këtë vit, së bashku me shkrimtaren greke, Kleopatra Priftis, është nxjerrë në pah lufta e arvanitasve dhe e shqiptarëve. Këtë pemë gjigande e përmend për luftën çlirimtare të bërë në Kretë. Në dramën e saj Kleopatra i hedh një vështrim dinjitoz këtij heroi shqiptar, që ndriçon në Kretë. Shohim më poshtë përshkrimin për Haxhiun, i cili u vra në vitin 1828, që e fton Gjon Kapodistrën në luftën e Kretës, pasi, siç dihet, Kreta ra më vonë, në vitin 1829. Për shtesën që i bën librit të tij për Kapodistrën, Dr. Hotova (nga fq. 205 deri në fq. 209) ka një meritë të veçantë. Në këto faqe ne gjejmë se Gjon Kapodistra është i pari shqiptar Kryeministër i Greqisë, me prejardhje nga Korfuzi, ku përshkruhen edhe peripecitë e tij me rusët, deri sa u bë ministër, që shpjegohen edhe në faqet e librit që përmendëm më sipër. Më 2 prill 1827 Asambleja Kushtetuese greke, në Kongresin e Trezencës, me propozim të udhëheqësve të kryengritjes helene, të Kolokatromit, të Karaiskaqit e të tjerë, Gjon Kapodistria (Gjika) u zgjodh Kryeministër i shtetit të parë grek. Ai u soll me një vapor anglez dhe u vu në krye të pavarësisë së sapoformuar me qendër në ishullin Ejinos. Ky udhëheqës, Kryeministri i parë i Greqisë, me origjinë shqiptare, nuk qeverisi për shumë kohë, sepse u vra tradhtisht me thikë pas shpike më 9 tetor 1831 në Kishën e Shën Spiridhomit. Trupin e tij e varrosën në Korfuz, në Kishën e Platiteras. Për nder të tij më 1887 u ngrit edhe një përmendore. Po a është i njohur në arenën ndërkombëtare? Po, ky njihet. Ka një bagazh me referime, madje autori i librit jep nga Greqia edhe në ditët tona revista e gazeta, botime të vitit 2003. Le t‘i lexojmë në fq. 208-209 të librit dhe do të mjaftonte të shënonim: “Historia e Evropës” nga Kostë Çekrezi” (1921) në SHBA. “Greqia u vu nën qeverimin e Gjon Kapodistrës, të një shqiptari të larguar prej kohe nga Gjirokastra, për të cilin ruhet shtëpia e tij muze”. Në libër na tërheqin vëmendjen të dhënat për Haxhi Mihal Dalanin. Autori i librit, i ndihmuar nga Kleopatra Priftis, që shkruan: “Pema gjigande e Shqipërisë në Kretë”. Aktiviteti i Dr. Myslim Hotovës, i etur për të nxjerrë në pah veprën e shqiptarëve në revolucionin grek të viteve 1821-1829, ka rrokur dhe ka nxjerrë deri në fund veprën heroike të shqiptarit Haxhi Mihal Dalani. Për këtë figurë legjendare, ai me dokumente arkivore na informon saktë për trimëritë e tij, deri në dhënien e jetës në Kretë, në vitin 1828. 
Haxhi Mihal Dalani, heroi i Greqisë
Për veprat dhe luftën e Haxhi Mihalit, që autori i ka përqendruar në Kretë, ky i fundit përshkruan luftën në Kalanë e Frangokastelos, veprimet e këtij heroi në fushat e betejave antiosmane. Të josh tregimi i autorit kur në SHBA, Nexhmie Zaimi, studiuese dhe gazetare, thotë: Kur mori në intervistë mbretin Hysen të Libanit, në të dyja anët e hyrjes kishte roje të shumta. Duke e nderuar ai më tha: “I sheh këta? Të gjithë janë shqiptarë. I mbaj se janë trima dhe të besës”. Të tilla ngjarje i kemi hasur kudo. E gjithë bota i njeh shqiptarët për trimërinë, besnikërinë e bujarinë, por e veçanta në këtë rast është lufta e arvanitasve, e shqiptarëve për Ballkanin, për Greqinë, për çlirimin e saj nga pushtimi otoman, sepse po të çlirohej Greqia, domosdo do të vinte radha edhe për Shqipërinë. Të mos harrojmë se në atë kohë Shqipëria ishte e gjerë, e madhe, por e pabashkuar. Pushtuesit osmanë qenë shtrirë deri në Bosnjë. Kufijtë jugorë dhe lindorë në atë kohë kanë qenë Preveza dhe Epiri. Por, le të rikthehemi edhe njëherë te heroi Haxhi Mihal Dalani nga Delvina. Ka mundësi që Haxhiu në të vërtetë të jetë nga Konispoli, disa të tjerë thonë nga Lipivani i Përmetit ose nga Pogoni. Shkrimtarja Kleopatra Prifti nga Kreta thotë në shkrimet e saj se ai është nga Delvina. Ajo për të ka bërë edhe dramën. Në Kretë ka përmendore. Është një ndër heronjtë e luftës për liri të Greqisë. Haxhi Mihali është një nga kleftët e parë. Kur ishte në Liban iu përgjigj thirrjes së Bekim Emirit për të luftuar kundër sulltanëve. Me 800 vetë arriti në Bejrut. Ai luftoi me trimëri kundër forcave turke. Kjo luftë u përvetësua edhe në folklorin e atij vendi. Ajo u përcoll në të gjitha vendet arabe, deri në Vadibrallta, ku jetonin shqiptarë, gjë që konfirmohet edhe në një nga muzeumet e Londrës. Ashtu siç e përmend edhe profesor Nasho Jorgaqi, ky libër nxjerr në pah luftën e arvanitasve dhe të shqiptarëve në fitoren e revolucionit grek dhe në dobi të miqësisë ndërmjet dy popujve. Por a duhet të kërkojmë heronj të tjerë, që kanë dhënë jetën në luftën kundër osmanëve për çlirimin e Greqisë dhe të gjithë Ballkanit? Është e vërtetë se Pashai i Bushatllinjve të Shkodrës kishte fuqi më të mëdha se Ali Pashë Tepelena, por ai mbahej fort pas turqve; madje forcat e tij të paguara shkuan në luftë deri në More, pa i ngacmuar forcat e Ali Pashait. Pas goditjeve që i dhanë turqit, qysh nga Maqedonia dhe nga kufiri me Bullgarinë, ata arritën deri në Shkodër, duke e ngushtuar territorin e tij deri në kalatën e qytetit.
Luftëtari Banush Sevrani
Marrëveshjet u arritën deri në atë shkallë sa Mustafa Pashë Bushatlliu u ftua të pushonte në Stamboll, por kjo ndodhi më vonë. Njihet lufta dhe puna e shqiptarit Mehmet Aliu në Egjipt. Për fitoret e tij është i njohur dhe fermani i Sulltanit, për ta emëruar në Selanik. Refuzimi i tij u përkrah nga të gjithë. Shtatëdhjetë oficerë shqiptarë protestuan dhe urdhri u zbatua. Në këtë kohë Ibrahim Pasha, më i rrezikshëm se i ati, kishte fituar në një nga betejat më të mëdha të kohës. Në shkrimet që kemi bërë për Banush Sevranin, një nga trimat e disa betejave, kemi nxjerrë në dukje se tabori i tij vepronte së bashku me Qytahiun Mehmet Rushid Pasha. Në Mesallongji ishte shumë e vështirë të hyje e megjithatë luftëtarët e tij, të gjithë bashkëfshatarë e fqinjë nga fshatrat përreth Sevranit, luftuan me heroizëm. Edhe sot këndohet kënga: “Moj nisia rrehjet në ujë / Me luftë s‘je marrë kurrë / Të mori Banushi me vulë / Mërqinjat i bëri urë / Dale, dale moj nisi / Më thonë Banush Sevrani”. Në këtë luftë u vranë shumë trima. Midis tyre u vra Ali Shahu dhe u plagos Banushi. Bisedimet midis mbrojtësve dhe turqve ishin në plan të parë. U dërgua nga Qytahiu një delegacion, ku përveç të tjerëve ishin: Banush Sevrani, Veliko Jaçe, Foto Xhavella, Haxhi Aga. Delegacioni, i përbërë vetëm nga shqiptarë, u prit shumë mirë nga mbrojtësit dhe suliotët. Po japim një pjesë të nxjerrë nga fq. 248 e librit “Rënia e dytë e Mesollongjeut”. Delegacioni, në vend që të kërkojë dorëzimin e tyre, tha të kundërtën: “Hallall u qoftë, Zoti mos u turpëroftë! Fitoret tuaja janë edhe tonat. Këta, sa të mbarojnë me ju, do të kthehen kundër nesh. Kush ngre pushkën kundër jush, Zoti ia ktheftë atij”. Duke parë sjelljet e mira, ata u dhuruan atyre një kamë floriri. Qytahiu e kundërshtoi dhe donte t‘ia merrte Haxhi Agës. Acarimi arriti deri në atë shkallë, sa tabori i Bushatllinjve u largua. Largimi i forcave shqiptare nga radhët e ushtrisë turke u bë kancer, sidomos gjatë vitit 1822. Qytahiut, nga 40000 luftëtarë që kishte, i mbetën 7000-8000 vetë. Për largimet e shqiptarëve në dobi të revolucionit grek ka shumë shembuj, por këtu do të shkruhet për heroin Banush Sevrani. Studiuesi Stavri Naçi, në fq. 113 të revistës “Studime historike” (nr.3. viti 1971), thotë tekstualisht: “Me urdhër të Sulltanit i kërkon Pashait ose Mesollongjinë ose kokën. Reshit Pashës nuk i mbeti tjetër mundësi, veç të organizonte një sulm të përgjithshëm në muajin shtator. Shumica e shqiptarëve nuk pranuan të merrnin pjesë. As Veziri i Shkodrës, i cili njoftoi se për shkak të stinës së vjeshtës nuk mund të merrte pjesë në këtë betejë. Të tjerët nuk pranuan për shkak se nuk po u paguheshin rrogat. Reparte të tëra gegësh e toskësh u larguan për në vendlindje. Edhe Sulejman Pasha i Vlorës u largua me 3-4 mijë vetë. Kështu u larguan nga Arkanania rreth 6000 ushtarë; po kështu edhe nga Patrasi. Më së fundi edhe Banush Sevrani, që ishte plagosur në betejën e 21 shtatorit, kërkoi pagën e 1000 ushtarëve të vet se do të largohej. Serasqeri turk, i dëshpëruar nga kjo gjendje dhe nga ndalimi i furnizimeve nga Patrasi e nga Lepanti, iu drejtua Banush Sevranit me britma dhe akuza për tradhti. Ishte fjala për delegacionin, ku bënte pjesë Banush Sevrani, që u tha suljotëve të qëndronin, sepse kjo ishte në interes të Shqipërisë (lexo: “Studime historike”, nr.3, 1971). Kjo ishte një ndër arsyet që Banushi, i cili mbante lidhje të ngushta me suljotët, u largua nga pashai turk me gjithë ushtrinë e tij.
Shqiptarët e famshëm
Në këto kushte, kryekomandanti turk e anuloi operacionin dhe priste dënimin nga sulltani. Vrasja e Marko Boçarit, okupimi i Sulit (Republikës) ishte një dëm i madh për revolucionin. Përveç këtyre duhet vënë në dukje edhe tradhtia e disa grekëve. Kur mori vesh për këtë, Marko Boçari thirri: Ah! Ah! Jorgo Vanaqotis, shtrenjtë do të ma paguash”. Ai u drejtoi një letër komandantëve kolegë të tij shqiptarë, që mban datën 31 gusht 1822, ku midis të tjerash shkruan: “Është e dyta herë që dëshpërohem dhe helmohem. Herën e parë kur Reshit Pasha vrau me pabesi Ali Pashën dhe herën e dytë kur nga tradhtia e Vanait ushtria osmane pushtoi Sulin. Forcat osmane tani do t‘i drejtohen Rumelisë, të pushtojnë Mesollongjin. Do të mundohem të bisedoj me Mustafa Bushatlliun për ta shkëputur nga Qytahiu. Vëlla Çelo! Takohu me Asllan Kuqon, Veliko Jaçen, Tafil Buzin dhe Gjolekë Kuçin dhe u thuaj se Atdheu pret akoma nga ne. Do t‘i shkruaj edhe Mustafa Qafëzezit e Zylyftar Podës”. Në vazhdim të thirrjes së bërë nga Ali Pasha, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, nga shumë drejtime pllakosën ndihma. Ndihma erdhi edhe nga Skrapari, sidomos nga Sevrani, me forca të udhëhequra nga Banush Murati. Banushi u lidh me oficerin me përvojë, Nesti Boçarin, për organizimin e mbrojtjes së Mesollongjit. Në këtë kohë vazhdonte të këndohej edhe kënga e Banushit, por këtë radhë e Banush Muratit nga lagjja Kashisht: “Imdatë, shokë, imdatë, po na vjen Banush Murati / Banushi i mulitur, në faqe goditur”. Dhe më poshtë, në vazhdë për të ndihmuar Ali Pashanë, kënga vazhdon: “Ti Veziri i Tepelenës mos i lësho shkallët e bedenës / Po vjen Bejkua me Myftarë / të kanë prurë në ndihmë Skraparë / Banushi hipur në kalë / vret e prêt nizamë me pallë / O Banush të doli nami / kokën tënde do Sulltani…” Por tani ishte vonë. Ali Pashai ia dha jetën tradhtisë. Janina, Tepelena dhe e gjithë Shqipëria nuk do ta dëgjonin më zërin e pushkën e Ali Pashës dhe të Marko Boçarit. Por, megjithatë, pushka dhe lufta e arvanitasve dhe e Shqiptarëve për lirinë e popullit grek nuk do të shteronte. Flitej se Banush Sevrani kishte një lidhje të ngushtë shoqërore me suljotët. Ai u njoh në luftë me Kolakotronin. Në literaturë gjenden shkrime për lindjen e Kolakotronit në mes të rrugës, si u lidh me Ali Farmaqin, si u bënë “vëllamë” dhe kush ishte ky Ali Farmaqi. Si arritën të lidheshin me konsullin francez dhe me Napolonin. Ideja e tyre për të krijuar një shtet greko-shqiptar me këshill të lartë (me 12 myslimanë dhe 12 të krishterë), deri tek lufta për çlirimin e Athinës, ku, pikërisht në Akropolit dhe lagjen Pllakë u derdh gjak arvaniti, gjak shqiptari. Fshati Sevran, sipas dokumenteve, ka qenë fshat i krishterë. Edhe fshati më i afërt i tij, Mërtinji, po i tillë ka qenë. Vendet e emërtuara si Qafa e Kishës, Kisha e Cakrrit, Shënkolli, Shëndëllia, Kolleshaj (mbiemër) tregojnë për pronat e Banush (Pano) Sevranit. Në takimin e tij me bimbashin turk, lexojmë: “Gjaku që po derdhet dhe fitoret pranë jush hallall u qofshin. Allahu mos ju turpëroftë. Në marrëveshje keni manifestuar pabesinë; e keni paguar me gjak. Këtë radhë kemi kërkesa të prera nga Veziri. Dorëzoni armët, stolitë, tërhiquni në paqe”. Përgjigjja e Banush Sevranit ishte e fortë dhe e prerë: “Disa nga taboret tona kanë besën tuaj. Besa jepet për Kombin dhe për Atdheun. Ne jemi sërish gati për sulm, sepse edhe ndihmat po afrohen. Ato që kërkoni ju nga ne, i kërkojmë ne nga ju. Armët dhe simbolet janë krenaria e luftëtarëve të kombit dhe nuk dorëzohen”. Pas kthimit, delegacioni shkoi në kasollen e Noti Boçarit. Aty erdhën edhe Stefo Himarjoti, Haxhi Sarva, Jorgji Shatolla etj. Përgjigjja që u dha Banush Sevrani turqve ishte e shkëlqyer.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button