Armand Shkullaku: Pse iu hodh në qafë me puthje Edi Rama, kryeministres italiane

Nga Armand Shkullaku

Përqafimi dhe puthja e papritur, gati invaduese, që kryeministri shqiptar i dha homologes italiane, Meloni, përpara kamerave në samitin e Moldavisë, përveç debatit mbi etikën, ngre një pyetje thelbësore mbi shkakun e një akti të tillë.

Edi Rama është një politikan i ndërtuar mbi nevojën ekzistenciale të të qenit në qendër të vëmendjes kurdo dhe për gjithçka. Ai nuk e përballon dot faktin e kalimit pa u vënë re. Daljet e tij të pakufishme në tv, përdorimi i ERTV, protagonizmi për të qenë aktori kryesor në çdo ngjarje, nga ndeshjet e futbollit deri tek samitet e Natos, provokimet dhe batutat për të tërhequr reflektorët mediatikë, fjalimet e gjata, veshjet jokonvecionale, etj, janë pikërisht shprehje e verifikimit të ekzistencës së tij si protagonist nëpërmjet formës.

Lider i një vendi të vogël dhe me kufizime të thella në përmbajtje, kreyministri shqiptar ka gjetur provokimin si një mjet efikas që të flitet për të. Herë nëpërmjet gjuhës politikisht “jo korrekte”, herë me veshje që kontrastojnë fort me homologët, herë me dorën mbi shpatullat e presidentit amerikan apo së fundi me ndukjen e faqes së Melonit, ai e ka shndërruar në motiv të personalitetit të tij, devizën: forma gjithçka, qëllimi asgjë.

Ai u bë disa herë lajm në mediat e njohura botërore kur në samite të rëndësishme si ai i Natos në Madrid, i vendeve të Ballkanit në Londër, apo në takimin me presidentin Macron, u shfaq me kostum dhe atlete Adidas. Sigurisht lajmi nuk ishte se çfarë tha lideri shqiptar apo ndonjë progres cilësor i Shqipërisë nën drejtimin e tij, por thjesht fakti se tipi i gjatë nga Ballkani ra në sy për mënyrën se si kishte mbathur këmbët.

Po në samitin e Natos në Madrid, Rama tërhoqi përsëri vëmendjen me sorrollatjen e tij epike për t’i dalë para e mbrapa presidentit Biden, deri në atë pikë sa nervozoi dukshëm sekretarin Soltenberg që u detyrua të spostohej për t’i hapur vend dikujt që nuk pyeste për etikën vetëm për të siguruar disa pamje me liderin e SHBA.

Sjellja e Ramës sigurisht që shpjegohet me nevojën për të patur vëmendje, por ajo është edhe më komplekse. Ka shumë liderë të vendeve të vogla si Shqipëria, që sillen normalë dhe peshën e tyre përpiqen ta evidentojnë nëpërmjet angazhimeve serioze dhe alternativave që përfaqësojnë. Edi Rama vepron ndryshe, sepse veç kufizimit që ka si përfaqësues i një vendi me rëndësi relative, ai nuk ndihet i sigurtë në thellësinë e çështjeve për të cilat diskutohet dhe për të cilat kërkohet jo thjesht qëndrim por edhe angazhim. Për të është shumë e lehtë të bëjë lajm duke bërë rolin e gaztorit apo “mistrecit joshës” në oborrin e të mëdhenjëve, se sa me mendimet dhe idetë e tij.

Kjo është sjellje tipike e njerëzve që kanë pushtet, por jo aftësi mendimi e formimi për t’u ballafaquar si të barabartë me homologët e tyre. Bota njeh plot shembuj të tillë, si fjala vjen Berluskoni (me kukafshehtin e famshëm me Angela Merkel) apo Trump me sjelljet atipike në samite ndërkombëtare. Mirëpo ndërsa për ta, çartje të tilla sfumohen për shkak të peshës së vendeve që përfaqësojnë, këtij tonit i mbetet thjesht etiketa e gaztorit, që në fund entusiazmon vetëm katundin tonë perifierik që krenohet me bëmat e liderit nëpër botë. Rama bëhet lajm, Shqipëria rri në vend.

Më shumë se tërheqjen e vëmendjes së më të fuqishme të botës ndaj Shqipërisë, Rama ka zgjedhur joshjen e tyre me personalitetin e tij. E para do të kërkonte shumë punë dhe seriozitet në angazhime, e dyta pak talent dhe aspak seriozitet. Të gjithë e mbajnë mend se si kënaqej në fillim Angela Merkel me shakatë e kripura të Ramës, madje spin doktorët e kryeministrit flisnin për një dashuri të pamatë të kancelares për këtë personazh atipik. Por, kur erdhi radha për punë serioze e angazhime të rëndësishme, Merkel kuptoi me kë kishte të bënte dhe Gjermania nuk ofroi ndonjë avantazh ndaj Shqipërisë.

Qasja e Ramës ndaj liderëve botërorë, ngjan me atë të dikujt që në pamundësi të sinkronizojë mendimin me formën, në mungesë të të parit, flet me duar, prek, bën xheste por nuk ka një kumt të qartë për të përcjellë. Në pamundësi të ballafaqimit me ide, me kompleksin e të qënit i vogël dhe me ndrojën se bashkëbiseduesi do të kuptonte menjëherë paaftësinë ose paditurinë, veprimet ala bersluscon janë i vetmi shpëtim. Për t’u bërë lajm nga forma e çuditshme që mbulon përmbajtjen e zbrazët.

Këtë fenomen e ilustron më së miri takimi i Ramës me Kurtin në Berlin, tetorin e shkuar. Ndërsa kryeminstri i Kosovës priste të kishte një bisedë për tema tepër të ndjeshme në atë kohë, si tensionet me Serbinë dhe Ballkanin e Hapur, Edi Rama i shkon nga pas dhe i mbyll sytë me duar, ndërsa dikush kujdesej të filmonte skenën e liderit gaztor. Lajmi mbi lirshmërinë e kryeministrit tonë pushtoi mediat lokale, ndërsa edhe sot, raportet mes tij dhe Kurtit janë thuajse të ngrira.

Kështu edhe me kryeministren Meloni. Askush nuk u mor me nivelin e marrëdhënieve sot mes dy vendeve, por shijuam për disa ditë një puthje nga kryeministri, që duket sikur e kemi zgjedhur të prodhojë lajme showbizi dhe jo të qeverisë. Vetëm përpara.

Back to top button