Kreshnik Spahiu: PD dhe PS nën “sqetullën” greke

Zoti Spahiu, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule është shprehur me tone të ashpra së fundi ndaj atyre që përpiqen të pengojnë regjistrimin e popullsisë, duke ju përfshirë indirekt edhe ju, si lëvizje. Ai ka thënë se “jemi në momente të tensionuara për shkak të ngërçit politik, në kohëra të turbullta që janë të favorshme për spekulantë të politikës që mendojmë se mund të peshkojnë kështu vota. Është hera e fundit që edhe komentojmë dhe hymë në debat me individë e grupime që kanë shumë veçori të përbashkëta me kategorinë e batakçinjve politikë”. Si i përgjigjeni kësaj deklarate?

Loading...

Në skakierën politike sot operojne 2 parti etnike greke PBDNJ dhe MEGA. Te dyja kanë një influence të çuditshme dhe pavarësisht se nuk kanë vota popullore aspak, kanë peshkuar shumë politikanë madje njëra ka futur nen sqetull opozitën dhe tjetra nën sqetull qeverinë. Skandali i fundit ne Himarë dhe heronjtë që shpikin Dule, Bollano, Geixh dhe deputet të tjerë grek synojnë helenizimin e pjesshëm të politikës por dhe shoqërisë. Autorët e ligjit të regjistrimit të popullsisë pasi kanë punuar intensivisht për 20 vjet të deformojnë identitetin etnik të mijëra shqiptarëve po i diktojnë kushte Shqipërisë duke e kërcënuar me procesin e integrimit. Qartazi Shqipërisë po i vihen kushte publikisht dhe ndjej keqardhje që Shqipëria dhe shteti të gjunjëzohen në mënyrë të turpshme përballë këtij shantazhi. Unë vlerësoj se mbrojtja e identitetit kombëtar duhet të jetë baza e çdo procesi integrimi. Batakçinjtë e politikës po bëjnë pazar me eshtrat e të vdekurve në Kosinë, Boboshtice dhe kudo, ashtu si me 300 Evro ata blenë identitetin e të gjallëve, ashtu po tentojnë të diktojnë një rritje artificiale të minoritetit për të kërkuar një status special si serbët në Kosovë. Ata të cilët nuk votohen nga populli sot, po tentojnë që nëpërmjet censusit inovator të qeverisë të rriten politikisht nëpërmjet kuotimit.

Presidenti Topi e dekretoi pa vërejtje ligjin për censusin. Cili është komenti juaj për këtë pozicion të kreut të shtetit?

Qëndrimi im është publik për çdo institucion shtetëror apo politik që lidhen me ligjin e censusit. Këtë ligj Partia Demokratike e hartoi dhe miratoi, PS bëri sikur e bojkotoi, PDIU e abstenoi, Presidenti e nënshkroi dhe vetëm Aleanca Kuq e Zi e kundërshtoi.

Besoj se jam i qartë tu them se beteja do vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk mund të pranojmë kurrë një ligj, i cili nuk është votuar, por manipuluar nëpërmjet votimit me dy duar nga deputetët. Kushtetuta e saktëson qartë se deputetët e kanë votën me karakter vetjak dhe se vota nuk mund të delegohet. Aleanca Kuq e Zi ka vendosur të mbrojë parimet kushtetuese dhe standardet e parlamentarizmit evropian dhe unë i përgëzoj organizatorët e Aleancës Kuq e Zi në këtë mision në Gjykatën Kushtetuese ku padyshim do kenë sukses të plotë pasi është një praktikë e zbardhur plotësisht me prova se deputetët ndodheshin jashtë dhe kolegët e tyre votuan për ta dhe për vete. Ky është një precedent, të cilin ne duhet ta ndalim dhe për këtë arsye e mbështes këtë iniciativë kushtetuese.

Cilat do të jenë hapat që do të ndërmerrni për të penguar procesin e censusit? Ju e keni kontestuar këtë nismë si në parim, ashtu edhe në mënyrën sesi ajo mori pëlqimin e Kuvendit!

Deklaroj dhe njëherë për sqarim se regjistrimi i popullsisë duhet të kryhet i plotë në të gjithë Shqipërinë, por jo mbi baza etnike dhe fetare të vetëdeklarimit pa kritere objektive. E them këtë pasi jo rrallë keqinterpretohet sikur jemi kundër regjistrimit. Procesi i regjistrimit ka me dhjetëra pyetje dhe element të tjerë dhe ato duhet të zhvillohen. Censusi inovator për grupimin etnik dhe besimin fetar nuk duhet të kryhet.

Censusi inovator mund të fillojë, por ai kurrë nuk do të përfundojë. Ka një kërkesë të tre gjykatave Sarandë, Përmet, Shkodër adresuar në Gjykatën Kushtetuese për të konsideruar antikushtetues ligjin për gjendjen civile ashtu siç ka dhe një kërkese të re, e cila do paraqitet në Gjykatë Kushtetuese për ligjin e censusit. Nëse e para është gjykuar dhe pas tre javësh pritet vendimi, e dyta do të gjykohet dhe si jurist mund tu them me bindje se ky proces administrativ i regjistrimit te popullsisë do te ndërpritet dhe nuk do të përfundojë mbi baza etnike dhe fetare. Në shtator do ketë zhvillime të reja. Me sa kam dëgjuar nga organizatorët e Aleancës Kuq e Zi, të cilët kanë siguruar mjetet ligjore për të mos e lejuar këtë projekt grek që të finalizohet sipas kërkesave të tyre.


Shpesh jeni pyetur për shndërrimin e lëvizjes tuaj në një projekt politik. A ka ardhur koha t’jua bëjmë sërish këtë pyetje?

Ndoshta kjo pyetje duhet tu bëhet organizatorëve të Aleancës Kuq e Zi pasi jam munduar të mos ndërhyj në vendimet e rëndësishme dhe politikat e brendshme që kanë. Kam preferuar të përfshihem në disa aktivitete të Aleancës Kuq e Zi në fundjavë, pra ditëve të shtuna apo të diela, pasi mendoj se modeli i ri i zyrtarëve dhe funksionarëve të shtetit duhet të jetë kontributi social jashtë zyrës, në të mirë të komunitetit. Ky është mesazhi që duhet mbështetur dhe në të kundërt kritikat e turpshme nuk duhen adresuar ndaj pushtetarit që punon 24 orë, por ndaj pushtetarëve dhe politikanëve që brenda dhe jashtë orarit zyrtarë konsumojnë alkool pa fund dhe rrinë nëpër kazinotë e Shqipërisë apo rajonit. Duhet të marrë fund kryqëzimi i njerëzve që punojnë dhe inkurajimi i njerëzve që abuzojnë.

E ardhmja e Aleancës Kuq e Zi është shumë e parëndësishme në këtë debat. Në shumë analiza apo shkrime gazetarët në vend të përqendrohen tek debati, argumentet dhe kauza e Aleancës Kuq e Zi, merren me qëllimin, arsyet, motivet, të ardhmen dhe broçkulla të këtij lloji. Ne duhet të inkurajojmë ata që hapin debat për ruajtjen e identitetit apo simboleve kombëtare pasi nga debati nuk na vjen asnjë e keqe. A mund ta imagjinoni se çfarë do kish ndodhur nëse në janar nuk do kishim hapur këtë debat? Çfarë e keqe i vjen publikut nëse propozohet një grup studimor, shkencor dhe historianësh për të kërkuar dhe studiuar toponimet dhe më pas të diskutohet dhe debatohet mbi to se si një përqindje e lartë e qyteteve mbajnë emra sllavë etj, dhe publiku nuk ka dijeni për to? A u mësohet në shkolla fëmijëve për Pogradecin, Velipojën, Libohovën, Tropojën, Zadrimën, Novoselën, Çorovodën, Shirokën e shumë qytete të tjera dhe u fshihet origjina apo e vërteta e kuptimit të këtyre emrave? E si mundet të bëhemi aq qesharak kur gjithë qyteti nuk di ç’kuptim ka emri i qytetit ku kanë lindur dhe janë rritur? Si mund të heshtim dhe mos u tregojmë arsyet që miliona shqiptarë nuk sigurojnë dot pasaportë shqiptare dhe ndërkohë arabët, kinezet apo të tjerë kanë mundur ta marrin në Shqipëri tjetër? Pse serbët, grekët, kroatët, bullgarët, amerikanët ndjekin një regjim juridik tjetër nga ky i yni? E pra heshtja është e patolerueshme dhe dikush duhet të ndez këtë debat. Nëse dikujt i vjen keq nga këto temë dhe nuk ndjehet mirë, le ta mbyllë gojën, por nuk kanë të drejtë të transformojnë çështjen në formën dhe fasadën e autorëve nëse ata duan të përfitojnë apo jo apo ku e kanë qëllimin në të ardhmen. Kjo është një kauzë në embrion dhe natyrisht sapo ka plotësuar një vakum, i cili kishte shumë e shumë vite që i mungonte. Thjesht është një zë shqip, troç dhe kuq e zi, i cili nuk duhet lejuar të marrë asnjë nuancë tjetër. Shpresoj që organizatorët të dinë ta mbrojnë atë.


Muajt e fundit jeni ndodhur jo rrallë në një “korsi” të ngjashme me partinë çame. Si e shihni këtë ngjashmëri të pjesshme kauzash dhe faktin që kjo forcë politike ndodhet në qeverisje, ndërsa ju kërkoni t’i arrini synimet tuaja jashtë sistemit të partive?

Jo, jo, kam optikë krejt tjetër për “korsinë” që ju përmendni. Pas votimit të ligjit të censusit në Kuvend dhe prezencës së dy deputetëve të kësaj partie në votim, besoj që qëndrimet janë të ndryshme dhe si në realitet edhe në perceptim këto dy lëvizje nuk kanë më gjëra të përbashkëta. Unë nuk kam ndonjë koment, kritikë, rekomandim, këshillë, kompliment, vërejtje apo analizë për partinë çame… Si person që i shoh disi ftohtë dhe nga jashtë Aleancën Kuq e Zi dhe Partinë Çame mendoj se nuk kanë në thelb të përbashkëta…..

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button