Myslym Pashaj: I vetmi problem për paktin detar me Greqinë, hedhja poshtë e Kushtetutës

Nga Ben Andoni
Bisedimet Greqi- Shqipëri për kufijtë detarë – Flet specialisti i njohur i hartografisë, i cili bëri i vetëm oponencën më të frytshme profesionale kundër paktit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Si e shikon rinisjen e bisedimeve dhe çfarë pret nga këto bisedime, negociatorët e saj dhe ku mund të jenë të papriturat

Nuk është e vështirë që të flasësh me z.Myslym Pasha kur bëhet fjalë për ‘çështjen e tij’: Delimitimin e Kufijve detarë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Ai është jo vetëm i gatshëm, por edhe i hapur të sqarojë për shumë elementë, për të cilat publiku i zakonshëm ngatërrohet. Por si do të jetë e ardhmja e kufirit detar? Edhe ai vetë është ‘në udhëkryq’, pasi tashmë vullneti i tij profesional s’mjafton, duhet edhe vullneti kombëtar, që duhet thënë se hera-herës na mungon ne shqiptarëve…

Loading...

Nga burime që s’konfirmojnë, flitet për rinisje të bisedimeve për problemin e Marrëveshjes detare me Greqinë ose rinegocimin e tyre, edhe pse Gjykata jonë Kushtetuese e ka hedhur poshtë. Jeni njohur me këtë dhe si e shikoni si hap?

“Rinisja e bisedimeve për Marrëveshjen Detare është një afishe e madhe, të cilën çdo shqiptar, kudo që ndodhet, e ka parë, të ngulur në opinionin e gjerë. Kjo rinisje mesa duket do të kryhet sepse është një detyrim ligjor që e ka fillin tek Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por pse të mos themi, se është ‘një detyrim’ edhe nga pala fqinjë, e cila nuk ta ka borxh, që ‘një marrëveshje’ që e ke bërë vet, me dëshirën, bindjen e duhur… ‘vjen një çast që e hedh poshtë, e që në vend të kontribuosh në fqinjësinë e mirë, bën të kundërtën’”.

Pra, duhet të rinisin. Po si?

“Përcaktimi i kufijve detarë dhe shtratdetit kontinental vijon të mbetet një çështje e ndërlikuar dhe shumë e ndjeshme sepse ka të bëjë me kujtesën historike, trashëgiminë, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndërshtetërore, mëvetësinë kombëtare, shfrytëzimin e burimeve natyrore detare etj., e të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejtë në Sigurinë Kombëtare, diplomacinë dhe politikën rajonale. Kurse, siç e dini, këto negociata u bënë aq ‘shkurtër’, aq ‘pateklif’, çka sollën atë produkt për të cilin po flasim”.

A mund të ketë një fillim të ri, duke e shuar atë vijë që ata i sollën kësaj ndarjeje?

“Rinisja dyshoj se do të jetë formale, me një nënkuptim të ndërsjellët, nga të dy palët se ‘do të vemi nga do të vemi dhe do të arrijmë atje ku ishim në fillim…’. Përsëri nuk do ketë tejdukshmëri, sepse nuk mund të zhbirohet në këto bisedime, kur të paktën deri tash Greqia pret ratifikimin dhe nuk mund të lëvizë nga ‘vija e saj’”.

Ndërkaq, Kryeministri Shqiptar në një intervistë tek “ Opinion” shkurt la të nënkuptohet ‘se vendi i tij nuk ka humbur nga ajo marrëveshje’. Kjo nuk është e pakët, apo jo!?

“Janë të detyruar të ribisedojnë, duke u gjendur kundruall vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, kuptohet për ‘të riargumentuar’ të vërtetat e marrëveshjes së parë dhe për ta Kryqëzuar Gjykatën Kushtetuese, në vendimin e saj.
Ky hap është i pritshëm, rezultati që do vijë do të jetë shumë i vështirë, mbasi nuk është kollaj kur të shmangësh jehonën, që ajo tashmë ka pasur. Jo vetëm në Tiranë e Athinë por edhe në arenën ndërkombëtare. Një marrëveshje e cila nuk është në përkim me Kushtetutën e Shqipërisë, e më në hollësi, aq delikate siç është: Mëvetësia territoriale e Shqipërisë ( Kujto: Vijën e mesme të kanalit të Korfuzit, Vijëfillimin dhe provën gjeometrike të mos përputhjes së vijës normale me Detin Territorial në gjirin e Ftelias, ajo e Shkëmbit Barketa e marrë si pikë fillimi ndarëse etj ), të cilat janë fakte realë të cenimit të kësaj mëvetësie… Për të vijuar më tej me gjeohapësirën e Ngushtesën e Otrantos ku është zbatuar ‘”Metoda e baraslargësisë “ kur Ligji ndërkombëtar në UNCLOS ( United Nations Convent of Low of Sea- 1982 ) e përjashton nenin përkatës mbasi është tej hapësirës së Detit Territorial ( 22, 22 km ) pra ndodhemi në Hapësirën Ekonomike Eksluzive, ku është një humbje e madhe. Kësilloj, jemi duke përmendur vetëm ato çështje gjeohapësinore detare që e kanë bërë atë të jetë Antikushtetuese”.

Ju ishit i pari që e denoncuat profesionalisht marrëveshjen. A mendoni se ka forca në Shqipëri që do të vazhdojnë edhe më tej këtë punë profesionalisht?

“Nuk është problem se kush ish i pari apo i dyti. Më thellë, mund të hamendësojmë se ç’ndodh në strehë që s’i dimë, se ç’bisedohet, ç’hartohet, kur nuk ka tejdukshmëri të domosdoshme, siç ndodhi me Paktin Famëkeq. Ajo ishte e mbaruar, e firmosur me ndriçime, të të dy qeverive të shteteve fqinjë, dhe askujt nuk do t’i binte ndërmend të kontrollonte ca koordinata. Askujt! Por mediumet, ndaj kanë kaq vlerë të madhe sepse ato zhbirojnë dhe dyshojnë, kërkojnë dhe eksplorojnë, ashtu sikundër ndodhi. Ju e vutë re, se si Qeveria ngeli ‘pafrymë’ një çast, të nesërmen e denoncimit, sa përdori sharje, etiketime, dhe s’kish ç’të bënte ndryshe, veçse ‘të mbronte veprën e saj’, më të shëmtuarën e këtij shekulli jete të shtetit shqiptar. Unë, si hartograf, përdora një ballafaqim të jetësimit të së drejtës Detare me një vijë të mesme të baraslarguar (të përdorur dhe që sipas tyre ishte shtylla kryesore!!) dhe së fundi e shpërfaqa atë, me bindje të plotë, dhe jo se kisha bërë ndonjë zbulim, por thjesht, i dola në krah interesave të shkencës dhe interesave kombëtare aq shumë të nëpërkëmbura.
Nuk mund të jap ndajshtime për specialistë të tjerë të fushës sime, dhe as cilësime, për ta ndarë veten time, veçse mund të them se studiues të tillë janë të shumtë, por ata deri sot nuk janë dukur gjëkund, as kanë folur dhe as kanë marrë pjesë në diskutim, çka na tregon se në një farë mënyrë ata shmangen prej Kompleksitetit të problemit dhe ‘autocensurës’ që e kanë prej Qeverisë në të cilën punojnë, e s’kanë se si t’i dalin kundër. Aq më tepër se ata janë në krye të Drejtorive apo dikastereve shtetërore, dhe as që mendohet se do ecin në një udhë tjetër, veçse tek ajo që dikton “ Marrëveshja e Parë” se nuk mund të kenë një guxim t’i kundërvihen, prandaj do të bëjnë ç’është e mundur të luajnë avokatin e Veprës së Qeverisë, me njohuritë profesionale të tyre në shërbim të saj duke heshtur kësilloj, për faktet që përbëjnë këtë gjeohapësirë detare, duke harruar rrethana të dukshme. Kështu ata nuk mund të sjellim dot ndonjë përfytyrim të ri në logjikën profesionale.
Kjo punë do të vijohet, por është e vështirë, sepse ka ndodhur ajo që thamë atypari, një vendim unikal edhe në përvojën ndërkombëtare, jo vetëm të fqinjëve. Prandaj unë e shoh profesionistin shqiptar që do të jetë në negociatat e ardhshme si një mbrojtës të logjikës së shtrembër të asaj që ‘u plazmua’ dhe u mat me kompas për të bindur shqiptarët. Edhe për një fakt tjetër. Greqia fqinje, nuk mund ta lëshojë veten asilloj, që të pranojë të ndryshojë vijën e saj të ‘baraslarguar’ sepse në fund të fundit ajo ka marrë firmën dhe fishekzjarret palës shqiptare. E shihni se sa të vështira mund të jenë këto negociata!”

Pse grekët edhe me hedhjen poshtë nga Gjykata Kushtetuese, i lejojnë vetes të bëjnë presion mbi Shqipërinë. A tregon kjo një varësi të Qeverisë Shqiptare?

“‘Të rrimë shtrembër po, ama, të flasim drejt’. Ne nuk dimë ndonjë presion apo kusht të vëne më parë po veçse hamendësojmë se ç’mund të ketë ndodhur. Pala greke në negociata ka mbrojtur interesat e saj dhe kjo është shumë e natyrshme. Pala shqiptare mesa del nuk i ka mbrojtur këto interesa dhe është pajtuar me ndarjen që u bë. Pra, është një Marrëveshje, një ujdi dypalëshe. Ne nuk mund të gjykojmë presionet greke, por vetëm qëndrimin e palës sonë. Ajo çka ndodhi ishte në pajtim me strategjinë të Greqisë fqinjë, në synimet ditura të saj që janë të kahershme… deri tek ligji për Regjistrimin e popullsisë…së fundi. Ne kemi bërë të njohur në mediumet shqiptare se kemi në dorë harta të Palës greke në të cilat është hedhur po e njëjta vijë e marrëveshjes, pak muaj më parë se të fillonin negociatat përfundimtare. Këto janë dokumente që nuk i gjejmë tek pala shqiptare, që hamendësohet se ka një pranim të plotë, të diktimit të tyre teknik . Por kjo prapë është e pamjaftë, për të gjykuar për kushte të vëna apo trysni të tjera.
Aktualisht, sipas mendimit tim, ata kanë të drejtë të bëjnë presion, t’ia bëjnë të ditur asaj
(Qeverisë) e të thurin argumente të tyre në mbrojtje të saj e ta drejtojnë tehun tek segmente nacionaliste ( duke përfshirë këtu edhe ndikime në Gjykatën Kushtetuese ), e kësisoj supozohet se duhen gjendur të gjithë mënyrat për ta ‘thyer këtë ngrehinë antimarrëveshje’ që në fakt është Ligjore. Kjo në fakt është një beteje brendashqiptare, se sa një problem diplomatik dypalësh, ku do të gjenden rrugë që të hidhet poshtë ky vendim, duke prodhuar kushedi se çfarë instrumentesh juridikë.
Por nuk do të jetë kaq e lehtë!
Është folur shumë për varësi të Qeverisë Shqiptare edhe në shumë ndodhi të tjera, kështu edhe për këtë rast, pala jonë duhet ta ketë parasysh se nuk do të pranohet asnjë argument i sjellë prej saj, mbasi kjo do të ndikonte tek hapat e ardhme e integrimit në BE ku prania e Greqisë është realitet”.

Insistimi i Greqisë nga ana tjetër, lidhet me atë që ka treguar koha dhe burime të ndryshme, për gjetjen e burimeve nënshelfin Detar. Si e shikoni këtë frikë të shtetit shqiptar, thjesht prej detyrimeve që kemi shumë emigrantë atje, apo një varësi ‘të pakuptueshme’ të shtetit shqiptar?

“Shfrytëzimi ekonomik ekskluziv i pasurive natyrore nënshelfin detar ose mbi të është një realitet në kushte të sotme. Gjeohapësira për të cilën bëhet fjalë është vijim i formacioneve karbonatike kontinentale që siç citojnë burime greke por edhe të kompanive të huaja që janë marrë me studime të burimeve të naftës dhe të gazit, apo edhe studiues shqiptarë, përbën një shpresë të madhe për praninë e naftë-gazit në këto shtresa. Studimet gjeofizike që ka parashikuar të bëjë Greqia e konfirmojnë këtë. A duhet ta ketë mendjen edhe Shqipëria tek këto pasuri? Padyshim që: ‘po!’ Ndërkaq Marrëveshja që u bë nuk e rrëfente gjëkundi këtë synim të madh ekonomik për Shqipërinë. A bëhet ‘një sy qorr ‘ dhe “ një vesh shurdhër” siç thuhet, sepse qeveria mund të jetë e ‘kapur’ apo është thjesht një lëshim që bëhet edhe ndaj mijëra emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në Greqi, këto që të dyja, mendoj se lidhen njëra me tjetrën”.

Të kthehemi edhe një herë: ka ndaj vendimeve të tilla, penalizime nga Kodi Penal kur flitet për dhënie territoresh? A mendoni se duhet të kishte penalizime edhe ndaj grupit negociator?

”Lidhur me penalizimet e Kodit Penal, është folur shumë në mediumet shqiptare dhe qartazi janë pasur parasysh negociatorët, postet që ata mbajnë, karriera e tyre herë e lëvizur në poste më të epërme, apo dhe në vendet ku janë. Ky është një tregues i rëndësishëm, që na ilustron se Qeveria Shqiptare, nuk sheh në këtë bashkësi negociatorësh ndonjë përgjegjësi, por e kalon këtë fare natyrshëm, pa ndonjë ‘cen në biografinë profesionale apo morale të tyre’ sepse po ta bënte atë, duhej të penalizohej vet, pasi Qeveria dhe vetëm Qeveria mban përgjegjësinë në rastet e shpërfilljes së kësillojtë të interesave kombëtare, dhe penalizimet nëse do të bëheshin do të nxirrnin “të palarat”. Asnjëherë nuk kam folur për penalizime gjatë debateve që janë bërë. Kam folur në aspektin profesional”.

Mendoni se ky problem mund të shkojë në një Arbitrazh Ndërkombëtar? Ka dy organizma: një nga Gjykata e Hamburgut dhe tjetra nga ajo e Hagës, për këtë qëllim ? Dhe pse vallë duhet ta çojë Shqipëria këtë problem që e ka hedhur poshtë institucionalisht?

”Ҫ’hapa do të ndiqen? Mendoj se në Arbitrazh shkohet kur palët që ndajnë detet e tyre nuk bien dakord. Atëherë duhet një gjykim i epërm. Kështu rekomandohet dhe ka aq shumë raste që u jepet Zgjidhje pastaj nga Gjykatat Ndërkombëtare në Hamburg apo në Hagë. Kurse në rastin, kur ka përkim dypalësh zgjidhjet jepen në mënyrë tërësore në Marrëveshjen përkatëse. Ne nuk dimë se a mund të arrijmë që kemi mospërputhje të palëve që do bisedojnë në negociata!! Mendoj se i vetmi problem që do të rrihet do jetë hedhja poshtë e argumenteve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Mobilizimi do të jetë i të dy palëve, duke ndërmarrë, për të gjetur mënyrën që pala shqiptare të dalë ‘me duar të lara’ dhe pala greke s’ka pse të bëjë hartime të tjera vijash ndarëse (sepse i ka bërë një herë). Një erë ka filluar të fryjë, ajo është era e një unifikimi të plotë të atyre se çka thotë Qeveria dhe Gjymtyrëve të tjera të Shtetit për t’u bërë në unison me frymën dhe veprat e kësaj Qeverie. Kjo vijon të jetë shumë e rrezikshme. Shfaqje të tjera do të shohim, argumente të tjera mund të stisen që nderi të vihet në vend! Kush do t’i paguajë harxhet?”

Sërish për njerëzit që do të negociojnë: nuk tremben nga pasojat që mund të kenë në të ardhmen vendime të tyre të gabuara, për shkak të interesit të momentit…?

“Njerëzit që do të negociojnë, gjykoj, se kanë pasur kohë që përgatiten me fushën ligjore dhe atë teknike. Përgatitja e tyre, besoj se ka një pamje tjetër: atë të ndërgjegjes profesionale dhe intelektuale që edhe pse ‘gërryen’ prej së vërtetës, u ka krijuar një instrument të ri, i cili s’i shërben gjetjes së hullive për të kapur mbrapshtitë e asaj marrëveshjeje, por për të rikonceptuar një avokati të re për të rrëzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Nuk shpresoj se ndonjëri prej tyre të dalë kundër një opinioni të epërm që shpreh Qeveria në komentet e fundit të saj, dy vjet më parë. Ata nuk kanë pse t’i tremben pasojave, sepse deri tash nuk ka pasur të tilla pasoja, mbasi ata mbrohen nga vet Qeveria dhe bëjnë detyrat që ajo u jep. Asqë e mendoj ndonjërin prej tyre të ngrihet e të thotë kundërshti jashtë suazës së të njëjtës logjikë që përshkoi Marrëveshjen që ‘s’ekziston’ por që e rënë në koma, do të ringjallet”.

Ҫfarë ndryshoi në këto muaj për z. Pasha, keni qenë në fillim i kërcënuar, po tani?

“Kanë qenë dy vjet me një përvojë të jashtëzakonshme, dinamike dhe po kaq dramatike. Kjo, jo për kërcënimet, që s’i mora vesh dot se nga më vinin, por nga një thatësirë morale e specialistëve të fushës sime, të cilët s’u bënë të gjallë që për hir të interesave kombëtare por edhe të shkencës me të cilën merren të mblidheshin dhe nëse nuk kishin gjë për të thënë për studimin tim, të thoshin me argumente teknike sa edhe miqësore të antivlerave të këtij studimi, çka do të ndihmonte dhe negociatorët e sotëm për të ndërmarrë hapat e tyre. Vetëm kështu mund të ndihmohej edhe diplomacia shqiptare dhe ky “ngërç” i luftës me trupin e Dheut e te Dëtit tënë, të mos dilte në treg në mënyrë kaq të turpshme. Ndjehem mirë me vetveten, por nuk ndjehem mirë me një pjesë të bashkësisë sime, nisur nga raportet që kanë shqiptarët me veten e tyre, çka po e tregojnë në kohët moderne”.

A do të vijoni opozitën tuaj?

“Vetëm njerëzit që zhvillohen në liri, dëshirojnë të japin ndihmesën e tyre në progresin e shoqërisë”, thotë diku John Stjuart Mil, dhe kjo është e domosdoshme, në dobi të shoqërisë. Dhe si mundet vallë të rrish duarkryq dhe të bëhesh një spektator i rëndomtë, kur vihen në provë interesa të mëdha të shoqërisë shqiptare, kur ‘sy-mbyllja’ dhe ‘vesh-taposja’ e Qeverisë, për synime të saj që nuk i shprehin, nxjerr ‘këllëçin’ ndaj studiuesve të saj, duke i etiketuar me gjithëfarësoj epitetesh, që në fakt bëhen një boomerang për vetveten e saj të përlyer. Oponenca ime është reale, e vijueshme, e qetë, teknike, pa marrë asnjë ngjyrim politik, as nacionalist, dhe as ksenofob, veçse duke renditur shkencërisht argumente që janë aq të qarta nga përvoja e Të Drejtës Detare dhe jetësimin e tyre në hartografi, për të ndriçuar aspekte të ndryshme të këtyre veçorive. Pra, s’është një opozite për opozitë, por një kundërvënie me fakte, argumente për të qartësuar edhe gjithë opinionin e bashkësisë shqiptare që është mjaft e interesuar. Unë s’kam dalë në këtë ‘shesh mejdan’ për të bërë një lojë patriotike, por si një intelektual i fushës së tij, të japë ndihmesën që i kërkon misioni i tij. Kam bërë punën time, me artikuj, të shumtë në shtypin shqiptar si dhe një botim studimor i hollësishëm ‘DETI QË NUK FALET’, që tashmë është në duar të lexuesit shqiptar. Në të ardhmen, kur askush nuk do të më kërkojë, ashtu siç nuk më ka kërkuar, nuk mund të më ndalojë që të shtjelloj studimin tim, për të mbrojtur lëndën me të cilën jam marrë, jo për t’u bërë personazh… etj por për të kryer rolin tim. Në këtë oponencë ka një paradoks, që si shumë të tillë janë të pranishëm sot në jetën shqiptare: ‘Institucionet shkencore shqiptare, heshtin, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, kur ka ndodhur një ngjarje unikale si kjo me ( … Histori, Gjeoshkencë, Detari, të Drejtë Detare Ndërkombëtare, Pasuri Kombëtare, Ekologji, Novigim, Gjeostrategji etj ) dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për shpërfillje të interesave kombëtare’. Ia vlen të jesh në oponencë të tillë…mirëpo kush të dëgjon kur Qeveria të nxjerr gjuhën dhe të përflet, kurse Institucionet nuk bëjnë shkencën e duhur, por dëgjojnë se ç’thuhet nga sipër, komandohen, kapen, dhe humbin vetveten në detin e së keqes sonë të përbashkët”.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button