Nga Vangjeli te Vangjeli…

, Nga Vangjeli te Vangjeli…

Renegatët grekë u lëshuan edhe njëherë mbi Himarë, si një ushtri e gatshme të shfrytëzojë gjithçka, të shkelë, të manovrojë, të tundë në ajër si flamur, edhe vdekjen e një të riu të pafajshëm. Ngjashëm me një tufë hienash që vërshojnë sa ndiejnë erën e gjakut e më pas hungërijnë mbi kufomë duke kërkuar viktimën e radhës. Një politikë e ngritur mbi viktimizimin imagjinar, mbi shtrembërimet dhe kulisat e vogla e të mëdha që shtyhen e përkëdhelen edhe nga politika vasale e servile e Tiranës zyrtare. Në Himarë, busti nuk u ngrit për Aristotel Gumën, nuk u ngrit për jetën e tij, për familjen e tij, për dashuritë, për tragjedinë, por vetëm për kredite politike të kësaj hordhie manipulatorësh ekstremë.

Të shpërndarë majtas e djathtas, poshtë e lartë, armiq e miq me Kryeministrin a liderin e opozitës, ngatërruar si një rrjet merimange me pushtetin e majtë a të djathtë qoftë, ata janë shtrirë kudo. Renegatët sfidojnë ligjin me fjalë, me vepra, përdhosin Kushtetutën, pështyjnë e kapërcejnë mbi të e megjithatë askush nuk reagon, përveç ca zërave të mënjanuar që më pas etiketohen edhe si nacionalistë ekstremë.

Ky është realiteti shqiptar, nëse mbron detin je një ish-oficer i rrjedhur, nëse kundërshton varrezat një ateist i çmendur, nëse je kundër regjistrimit, një mjeran pa identitet. Edhe pak ditë më parë askush nuk përfilli kundërshtimin e Bashkisë së Himarës, busti edhe pse pa leje u ngrit sërish. Një sfide e hapur ndaj institucioneve shqiptare, të cilat duken të pafuqishme të zbatojnë qoftë edhe njëherë të vetme parimin: ligji është i barabartë për të gjithë, qofshin këta zyrtarë a deputetë të çdo niveli apo edhe grekë nga matanë kufirit.

Në Himarë u ngrit një bust për përvjetorin e Aristotel Gumës, ndërsa në Tiranë asnjë politikan nuk u kujtua e nuk mori pjesë në aktivitetin në memorie të Gramoz Palushit. 20 vitet e tij përfunduan pasi po festonte në Greqi fitoren e kombëtares shqiptare ndaj asaj të vendit fqinj. Përfundoi i therur mbi flamurin e vendit të tij, e megjithatë në këmbim mori vetëm heshtje, heshtje dhe frikë nga politika ligavece e Tiranës, që ndot e përlyhet me gjurmët e saj. Pak ditë më parë në sallën e muzeut historik, familjarë e miq organizuan një përkujtimore, ku nuk mori pjesë asnjë politikan, i vogël a i madh, nga mazhoranca apo opozita qoftë. Zyrtarët u drodhën duke mos iu përgjigjur ftesës në përpjekje për t’u larguar me stil nga nderimi i këtij djaloshi, nga simbolika e vërtetë e gjakut të tij. Gramozi u harrua nga politika shqiptare, ndërsa Aristoteli u martirizua nga ajo greke, ose më mirë busti i tij u përdor në mënyrë jonjerëzore si piketë për Vorio Epirin. Renegatët janë thirrur në apel në funksion të këtij plani nga i cili grekët nuk heqin dorë as kur shteti po u thërrmohet nën këmbë për shkak të krizës ekonomike.

Në shtator, deputetët e fshehur cepash mes listave të PS e PD po negociojnë bashkimin në një grup parlamentar, një lëvizje kjo që kapërceu hapësirën e thashethemeve për t’u pranuar edhe nga Vangjel Dule në një konferencë shtypi pak ditë më parë. Deri këtu çdo gjë normale nëse nuk do të ishte për faktin se Dule, Ksera, Barka e Tavo nëse do të bashkoheshin do të lëviznin jo pak balancat në Kuvendin e Shqipërisë. Mazhoranca do të tkurrej në 71 vota të sigurta, të mjaftueshme matematikisht, por të pamjaftueshme për të qeverisur në mënyrë normale dhe efikase.

Fantapolitike ose jo, llogaritë pragmatiste japin edhe një mundësi të tillë. Deputetët përfaqësues të minoritetit grek do të kishin mundësinë t’i impononin ritmin e tyre qeverisë. E që nga ai moment çdo gjë do të merrte ngjyrat e tyre, duke nisur nga regjistrimi i popullsisë te rinegocimi për kufirin detar me Greqinë, apo edhe më tej për ngritjen e një tjetër varreze ushtarësh grekë në Ersekë apo diku gjetkë. Për Dulen, kapërcimet në krahët e pushtetit janë një imazh i përsëritur, ashtu si për ish-armiqtë e tij Kosta Barka e Spiro Ksera. Këta dy të fundit ministrat më të paaftë që ka parë ndonjëherë historia e qeverive shqiptare. Gjatë drejtimit të tyre, Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta thuajse nuk ka ekzistuar, e udhëhequr nga politika tuafe e miopike, pa asnjë objektiv e aq më pak arritje.

Nga Vangjeli te Vangjeli, nga Dule te Tavo renegati që fluturoi si karkalec nga Partia Socialiste te LSI në përpjekje për të përfituar diçka nga pushteti. Ky i fundit është ai deputet që në shtator të 2008-s sfidonte Kryeministrin Berisha se do t’i nxirrte pasuritë e 5 ministrave në bankat e huaja, por që u vetëqep menjëherë sapo kaloi ylberin. Pas shantazheve në selinë rozë nisi edhe ato në selinë e LSI-së, nën formulën e shantazho-politikës e kthyer në modë mes zyrtarëve të lartë, sidomos të atyre që përpiqen ta shfrytëzojnë për përfitime personale. Me sa duket iluzionet e gabuara të tij bënë që shpata e mprehur për ndonjë post ministror t’i ndryshket dhe rruga e vetme ishte ta tregonte përmes “gafave mediatike”, në sulme te errësuara e thuajse patetike. Ish-kolegët e tij socialistë në Gjirokastër e akuzuan për grabitje pronash në jug të Shqipërisë mes të cilave hektarë të tërë në Lëkurës. Dyshime të tilla u artikuluan në 2006 edhe nga Ministria e Kulturës, e cila e quajti skandal mënyrën sesi firma AlB-Tavo kishte marrë në përdorim kalanë e Lëkurësit, me shifra përtej qesharakes. A janë apo jo të vërteta kjo mbetet në dorë të organeve kompetente për t’i verifikuar, por fakti se ndoqi turravrap pushtetin kjo s’mund të mohohet. E vështirë të thuhet nëse Vangjeli e Vangjeli do të strehohen sërish nën të njëjtën çati, megjithatë tentativat do të bëhen. Ashtu si për Kserën e Barkën, për të formësuar më në fund partinë e bashkuar të renegatëve grekë.

Skaneri jep zhveshur realitetin e pakundërshtueshëm se ky bashkim nëse do të ndodhë do të kishte vetëm një interes, rritjen e presionit ndaj Kryeministrit Berisha. Pikërisht në këtë moment kur faktori grek kërkon të imponohet për një sërë çështjesh, teksa në zgjedhje pësoi një shpartallim fatal duke lënë pas edhe Himarën e Bollanos. Përtej dyshimeve mbi vlerën politike të kuartetit e vështirë të mendosh se ajo përfaqëson edhe intelektualët e minoritetit grek në Shqipëri. Një minoritet që ka në gjirin e saj figura më të spikatura, disa edhe të distancuar nga PBDNJ, sesa ky grup i drobitur renegatësh, për të cilët ngrihen pikëpyetje të shumta nëse janë thjesht deputetë? Politikanë? Biznesmenë? Përfitues? Apo të gjitha bashkë?

E megjithatë, politika shqiptare duket e ndërvarur nga këta njerëz për të mos thënë e nënshtruar, në një profil të ulët të imponuar nga shteti grek përmes parimit: çdo kërkesë e jona duhet të realizohet, ndërsa tuajat nuk ekzistojnë. Kjo formulë ka udhëhequr marrëdhëniet dypalëshe të paktën në këto 20 vite duke dhënë si rezultat një Shqipëri të gjunjëzuar politikisht në çdo moment ndaj fqinjëve të saj. E rasti më i fundit është treguesi më rrënqethës. Gramoz Palushi u braktis nga politika në qendër të Tiranës, ndërsa Aristotel Guma u bë hero në qendër të Himarës. E të paktën për këtë s’na e kanë fajin grekët.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button