Pëllumb Xhufi dhe batakçiu i minoritetit

Me një portret të ngjashëm me një furçë rrobash të përdorur, me zërin e rrumbullakosur që i mëshon fjalëve për të mbuluar leksikun e varfër jo vetëm të gjuhës shqipe por edhe të asaj amtare, Vangjel Duleja i PBDNJ-së sulmoi dje Profesor Doktor Pëllumb Xhufin.

Loading...

Shkaku i sulmit ishte reagimi i shoqërisë shqiptare ndaj veprimit provokativ të OMONIA-s dhe PBDNJ-së, për vendosjen e bustit të Aristotel Gumës në Himarë, përpjekje e mendjeve të nxehta të Megali Idhesë për të krijuar heronjtë e rinj të saj, meqë ata të fundit, të 1914-ës, kanë vetëm foto duke masakruar fshatra shqiptare. Tentativa për të shndërruar një sherr banal shqiptarësh, ku njëri i thoshte vetes grek, dhe të tjerët shqiptarë, dhe që mbaroi në mënyrë tragjike për Aristotelin, në një minibetejë për nacionalizmin e sëmurë grek, është tipikja e provokacioneve që sajojnë mendjet e nxehta. Gjer këtu, gjithçka qëndron në logjikën e një partie të vockël si PBDNJ-ja, e cila duke mos pasur mundësi të fitojë vota në zonat e minoritetit grek, të cilat pretendon se përfaqëson; duke qenë se ka një lloj alergjie të popullsisë greke me shtetësi shqiptare ndaj kësaj force politike dhe OMONIA-s, dhe ndaj politikave të tyre agresive që nuk kanë lidhje me luftën e principtë politike, por me mbijetesën politike nëpërmjet provokimit, të Dules dhe Bollanos, mendojnë të krijojnë kapital politik në zona si Himara dhe Korça, nëpërmjet individëve që të paguar me pensione greke, ose duhet të hedhin vallen sipas daulles së Dules, ose iu pritet koromania pasi nuk janë grekë.
Por reagimi i fundit i Dules është një shkallëzim i sulmit ndaj vlerave shqiptare, pasi drejtohet pikërisht kundër njërit nga personalitetet më të spikatura të kulturës dhe politikës shqiptare, zotit Pëllumb Xhufi. Është e njohur taktika e segmenteve shoviniste, të të gjitha kohërave dhe matricave, që të sulmojnë vlerat e një kombi, dhe në pamundësi t’i zhbëjnë ato, përpiqen t’i zhvlerësojnë. Është gjithmonë ky hapi i parë për të goditur kolonën vertebrale të një kombi. Dhe të godasësh Pëllumb Xhufin, është pikërisht një veprim, ndaj të cilit duhet mbajtur qëndrim nga opinioni publik shqiptar.

Personalisht, kam pasur fatin dhe nderin të punoj në diplomacinë shqiptare, në kohën kur Profesor Xhufi ishte zëvendësministër i Jashtëm, dhe më vonë ambasador i Shqipërisë në Romë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë dëshmitar i qëndrimit dinjitoz dhe kalibrit të lartë të drejtimit nga ana e tij të trupës diplomatike. Nën drejtimin e ambasadorit Pëllumb Xhufi, jo vetëm shteti shqiptar përfaqësohej me një nga njerëzit më me kulturë dhe dinjitet që e kanë përfaqësuar ndonjëherë në tokën italiane, por personaliteti i tij reflektonte mbi gjithë trupën diplomatike shqiptare, e cila ndjehej e vlerësuar në takimet me vendasit dhe homologët.
Kur dha dorëheqjen, për shkak të divergjencave konceptuale me qendrën, për probleme të cilat ne që ishim akredituar në Itali i dinim, por asnjëri nuk pati stofin intelektual t’i kundërshtonte, e përjetuam me keqardhje. Por nuk do harroj fjalët e një funksionari italian, të cilit kur i transmetova lajmin, u shpreh se “do ta ndjeni mungesën e ambasador Xhufit jo vetëm ju, por edhe ne, pasi ishte shpeshherë një partner, dhe pak herë, për interesat e vendit të tij, kundërshtar i yni. Por gjithmonë dinjitoz dhe me klas”.

Për shqiptarët, Profesor Pëllumb Xhufi është një ndër studiuesit më të vlerësuar të historisë. Shpeshherë, veçanërisht historiografia e fqinjëve tanë jugorë dhe veriorë është përpjekur të hedhë poshtë autoktoninë e shqiptarëve, duke u mbështetur në mungesën e dokumentacionit të shkruar të mesjetës për këto troje. Por falë punës së Profesorit të nderuar, kërkimeve të tij në arkivat italiane dhe gjermane, sot historiografia shqiptare ka disa vepra që mbajnë firmën e tij, dhe flasin me dokumentacion të pasur arkivor për vazhdimësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve. Janë po këto vepra që kanë hedhur poshtë tezat e vona të historiografisë shoviniste greke, mbi joshqiptarinë e Voskopojës, dhe barbarinë ndaj kulturës së shqiptarëve.
Po ashtu, veprimtaria politike e tij do mbahet mend për atdhetarizmin që shfaqte nga tribuna e parlamentit shqiptar, dhe nuk mundet kush ta akuzojë për mungesë parimesh, pasi ishte njeriu që për hir të principeve të tij, nuk pranoi të ishte pjesë e LSI-së, atëherë kur kësaj force politike, me ardhjen në pushtet, shumë iu afruan.

Gjithë sa më sipër, janë disa fjalë për biografinë e njeriut, për të cilin jam i bindur se nëse në këtë tokë do të mbesin shqiptarë, historia do flasë gjatë për patriotizmin dhe ndershmërinë e tij; si njeriu që ka përbuzur ofertat duke zgjedhur parimin, pavarësisht se rruga e zgjedhur, afron veçse privacione dhe vështirësi. Pasi dihet që në Shqipëri, patriotizmi nuk paguan, përkundrazi, është një barrë për atë që e mbron. Por me siguri historia do t’ia rezervojë një vend në panteonin e rrallë të personaliteteve shqiptare, në mos e ka bërë këtë që tani.

Ndoshta nuk do ia vlente, që të përzienim në një shkrim edhe disa fjalë për Vangjel Dulen. Por kjo duhet bërë, pasi ky personazh, jo vetëm që është një provokator në politikën shqiptare. Jo vetëm nxit ndjenjat më të zeza të nacionalizmit shoven, duke minuar bashkekzistencën midis shqiptarëve dhe minoritetit grek, e cila ndër të rrallat në Ballkan, mund të quhet vëllazërore. Por edhe për faktin se një hiç, guxon e merret me një nga njerëzit më përfaqësues të kombit tonë. Intelektualisht, është një zero, pasi përveç shkollës së lartë që duhet të ketë mbaruar, nuk ka të shënuar ndonjë rekord tjetër, qoftë ky edhe artikull në gazetë. Nga pikëpamja e karrierës, dihet që ka qenë sekretar i kryepeshkopit Janullatos, një biçim dhjaku i tij, që u katapultua në krye të PBDNJ-së, dhe asgjë më shumë. Ndërsa politikisht, të vetmet aksione politike që dihen, janë ato të provokimit të ndjenjave të shqiptarëve, dhe meqë minoriteti grek në Shqipëri, voton kryesisht partitë shqiptare, është përpjekur që nëpërmjet veprimeve ngacmuese, të gjejë mbështetje në qarqet shovene greke, dhe në sillogjet e Megali Idhesë, të cilat nuk munguan të merrnin pjesë edhe në ngjarjen e Himarës. Kjo natyrisht që përkthehet në përfitime, pasi nuk ka si shpjegohet që jeton në Janinë ku ka shtëpinë, dhe kujtohet për Shqipërinë, vetëm kur i duhet të trazojë ujërat. Natyrisht që sa më sipër, është shërbimi më i keq që iu bën bashkëkombësve të tij në Shqipëri. Por është edhe shërbimi më i keq që i bën vetes, pasi dihet që shkrepësja vë zjarrin, por digjet edhe vetë. E kështu Dulja e djeg karrierën e vet në politikë, nëse karrierë ka pasur ndonjëherë.

Kuptohet që Dulja ka zgjedhur të bëhet i famshëm duke goditur majat, siç është rasti i Profesor Pëllumb Xhufit, dhe jetës së vet t’i japë kuptim duke u përdorur nga të tjerët. Por mund ta bënte më me dinjitet. Dhe jo siç është rasti i regjistrimit të popullsisë, ku do bënte mirë që para se të dilte e të fliste si turtulli në mes të vapës, fjalë që as vetë nuk i merr vesh e ia kanë thënë të tjerët, mbi gjoja regjistrimin etnik jashtë standarteve europiane që po bëhet në Shqipëri, të hapte metodikën e “Eurostatit”, entit të statistikave të BE-së, që flet mbi mënyrën e regjistrimit të popullsive me prejardhje etnike të ndryshme nga ajo e popullsisë kryesore të shtetit, dhe të cilin do ta zbatojnë italianët dhe gjermanët, që do ta bëjnë censusin në këtë fund viti. Është e vërtetë që qeveria shqiptare nuk iu përshtatet këtyre standarteve, por Dulja mos ta godasë pas shpine Berishën, pasi është një regjistrim pikërisht sipas standarteve të Nikolla Gejxhit. Nuk mund të akuzohet qeveria shqiptare për mungesë luajaliteti ndaj qarqeve shoviniste greke. Përkundrazi, ajo është aleati më i madh i tyre, dhe nuk mungoi kryeministri i vendit, Berisha, kur me bubullimën e tij patriotike të para rekordit të fundit në not, u kuptua se e ka ndarë mendjen për t’i shitur interesat strategjike të vendit, dhe rrugë më të mirë se ligji ekzistues për regjistrimin nuk ka. Kjo është një rrugë që Berisha e ka ndjekur edhe kur bërtiste për kosovarët, dhe i çonte naftë Millosheviçit. Jo më kot Sartri thoshte se ekstremet bashkohen. E në këtë rast, batakçiu i Greqisë është përputhur me këta tanët.

Së fundi duhet thënë se sulmi i Vangjel Dules, duhet të dënohet nga gjithë shoqëria shqiptare. Ndërsa partitë politike, dhe në këtë rast Partia Socialiste, duhet të rishikojë aleancat me këtë individ, i cili nuk është as vlerë dhe as përfaqëson ndokënd që ia vlen në Shqipëri. Ndërsa Greqia është një shoqëri e shtresëzuar, ku ata që përkrahin ekstremistët grekë në Shqipëri, nuk janë përfaqësuesit e një Greqie që aspiron Europën, ndaj dhe miqësia e shqiptarëve me grekët nuk duhet të kalojë nga zyrat e Vangjel Dules dhe Vasil Bollanos.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button