Veliaj flet për përgjimin: Ndjesë kush është ofenduar, por ashtu flitet në një dhomë zhveshjesh sportive!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një prononcim të dhënë për edicionin informativ të lajmeve në “News 24”, tha se Armand Duka është kundërshtari i tij e jo armiku.

Duke iu referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë ku kreut të federatës shqiptare iu vendos tritol në banesë, Veliaj tha, se policia dhe prokuroria të hetojë e autorët të vendosen përpara drejtësisë.

Kryebashikau u ndal më tej edhe te audiopërgjimi i publikuar nga FSHF, ku ai shfaqej duke biseduar me kryetarët e shoqatave të Tiranës. Veliaj tha se i kërkon ndjesë atyre që janë ndjerë të ofenduar për fjalorin e tij, por shtoi se ashtu flitet në një veshtore plot me burra. Më tej, Veliaj tha se është pro një futbolli të hapur dhe kjo arrihet sipas tij duke larguar Dukën nga drejtimi i FSHF.

“Asnjë njeri nuk është perfekt. E folura në një grup burrash kur je i zhveshur me tuta në dhomë zhveshjesh dhe kur je në fushë futbolli nuk është skandal i madh. Kush është ndjerë i ofenduar dhe s’ka idenë se si bëhet muhabet çunash kërkoj ndjesë. Të gjitha argumentet qëndrojnë. Ai është i vetmi ishull që nuk kontrollohet nga askush. Ju si media keni AMA-n. Unë kam bërë beteja të tjera plot, kam bërë edhe betejë për votën e emigrantëve. Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur dhe të drejtë. Qytetarët duhet të ndihen keq që një fushë është pjesë e një paligjshmërie totale. Fëmijët janë pjesë e një bande të vendosur në Shijak.

Ne dje kemi pasur një takim me 25 shoqata nga 40. 25 drejtuesit e fushatave që janë njerëzit që janë regjistruar në shoqatë u ndien të fyer se panë njerëz të tjerë për të votuar mandatin e gjashtë. Kjo është betejë pa afat. Edhe nëse kjo zgjat 3 vite unë do bëj detyrën time si qytetar i angazhuar. Ne kemi bërë 1 sondazh dhe 90% e qytetarëve ishte pro që FSHF po abuzon. Kush e ndjen që ka nevojë për Fair Player në futboll duhet të bëjë pjesën e vet. Ky realitet duhet ndryshuar. Fakti që në Tiranë 25 nga 40 shoqatat kanë çuar këtë problem në prokurori tregon shumë. Në finale fiton drejtësia, transparenca. Kjo bashki vjen me transparencë për punët që bën këtë duhet të bëjë deh FSHF, nëse nuk e bën duhet të largohet”, tha Veliaj.

Back to top button