Xhufi: Busti për Gumën, një lojë e ngjashme me varret e ushtarëve grekë

Kritika ndaj kreut të Kishës Ortodokse

Loading...

Në pjesën e dytë të intervistës së historianit, diplomatit dhe politikanit të njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, për gazetën “Shqip”, ai flet për ngjarjen më të fundit të Himarës, ku u vendos busti i Aristotel Gumës, i cili u mbulua me flamurin grek dhe pasojat e saj. Xhufi, gjithashtu analizon dhe performancën e drejtuesve grekë të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe në veçanti të Kryepeshkopit Janullatos…

Cili është mendimi juaj për atë që ndodhi në Himarë kur në kishën e saj u vendos busti i të ndjerit Aristotel Guma? Çfarë përfaqëson për ju ky veprim?

Ngjarja e fundit që lidhet me vendosjen e bustit të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, ashtu si një vit më parë, ka dy aspekte të kundërta. Në radhë të parë, dramën e të ndjerit e të familjes së tij, që padyshim ishte e pranishme edhe sot, një vit pas fatkeqësisë, dhe përpjekjet e sforcuara e të liga të një grupi mercenarësh e provokatorësh, që përpiqen ta kthejnë varrin e bustin e himarjotit Aristotel Guma në një piketë të çmendurisë së tyre e të porositësve të tyre, në një piketë të “Vorio-Epirit”. Është e njëjta lojë e ndyrë që u luajt me eshtrat e ushtarëve grekë të rënë për liri në malet e Këlcyrës, veçse kësaj radhe loja është akoma më cinike dhe e papranueshme, pasi bëhej fjalë për një djalë nga Himara jonë. Ceremonia e inaugurimit të bustit të të ndjerit Guma u bë sipas folklorit të zakonshëm nacionalist, që e kemi parë edhe herë të tjera, me pjesëmarrje, akte e fjalime antikushtetuese e antiligjore. Mua më duket se ai që më shumë nga të gjithë e kuptoi se kupa ishte mbushur ishte mitropoliti i Gjirokastrës. Ndryshe nga eprori i tij, z. Janullatos, që një vit më parë nxitoi ta fusë i pari tragjedinë Guma në kornizat e një “vrasjeje për motive etnike”, varësi i tij i Gjirokastrës, grek si ai, e denoncoi përmbajtjen politike e antikanonike të kësaj ceremonie, duke shpëtuar në një farë mënyre fytyrën e kishës. E, gjithashtu, duke nxjerrë në pah pashpirtësinë, injorancën, mercenarizmin, ligësinë e radhës gjithnjë e më të mpakur të “luftëtarëve të Vorio-Epirit”, personazhe groteske prej Ferri dantesk, që ushqehen me flakët e urrejtjes e të konflikteve. Si asnjëherë tjetër ky takëm, i plotësuar nga disa “veteranë” të çështjes së “Vorio-Epirit” të ardhur nga Greqia, u braktis nga qytetarët dhe nga autoritetet e zgjedhura të Himarës.

Kanë kaluar 20 vjet qëkur Kisha shqiptare u ringrit pas periudhës së komunizmit së bashku me institucionet e kultit të besimit mysliman. Në fakt, personi më i sulmuar ka qenë Kryepeshkopi Janullatos, edhe pse klerikë të huaj ka edhe në drejtimin e besimeve të tjera. Me çfarë lidhet në të vërtetë ky përqendrim vëmendjeje në KOASH?

Lidhet me një fakt tepër serioz: arkitektët e Rilindjes, të pavarësisë e të shtetit shqiptar, mes të cilëve edhe mjaft klerikë, e konsideruan me të drejtë shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kontrolli i kishës greke, si një conditio sine qua non për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Në fakt, klerikët grekë, që deri në agim të shek. XX kishin drejtuar Kishën Ortodokse Shqiptare, u sollën si armiqtë më të egër të bashkimit kombëtar, të ndërgjegjes kombëtare, të shkollës e të arsimit shqip, të pavarësisë e të shtetit të pavarur shqiptar. Për dhjetëra e qindra vjet, nën hijen e Perandorisë Osmane, Patrikana greke e Stambollit u mundua të përçajë shqiptarët, duke i klasifikuar si “grekë” besimtarët ortodoksë, dhe si “turq”, besimtarët myslimanë. Kleri grek ka qenë shkaktari i mërive e përplasjeve të mbjella artificialisht mes shqiptarësh. Pra, ekzistojnë arsye shumë të forta historike, përveç atyre ligjore e statutore, që e bënin të paimagjinueshme rikthimin e një prelati grek në krye të KOASH pas gati një shekull autoqefalie. Dhe në fakt, dyshimet që shumëkush pati për rolin e Hirësisë së tij, z. Janullatos, kur ky uzurpoi me një lloj puçi kishtar fronin e kreut të KOASH, u vërtetuan në vite. Z. Janullatos e thelloi operacionin e uzurpimit të kishës shqiptare, duke imponuar zgjedhjen e dy episkopëve të tjerë grekë në përbërje të Sinodit të kishës, që tashmë është me një shumicë të cilësuar greke, duke e ndarë gjithnjë e më shumë KOASH-in nga traditat e tij të veçanta, nga etërit krijues të tij, nga gjuha, kultura, ndjenjat e veçanta të përcjella në shekuj në altarët e kishave tona. Unë mund të them, se pas 20 vjetësh në krye të KOASH-it, prof. Janullatos nuk ka treguar asnjë ndjeshmëri ndaj popullit që, gjithsesi e mirëpriti. Njohësi i të gjitha gjuhëve të botës, është mjaftuar vetëm të belbëzojë në gjuhën shqipe dhe vetëm kur ndodhet përpara kamerave e përpara autoriteteve të vendit. Në kundërshtim me traditën e harmonisë fetare e të unitetit shpirtëror të shqiptarëve, pavarësisht besimit, z. Janullatos duket se është kujdesur më shumë për të hapur transhe artificiale midis shqiptarëve, duke krijuar një popull brenda popullit, një “popull ortodoks” i kuptuar si i ndryshëm fetarisht e kulturalisht, e madje edhe etnikisht, nga pjesa tjetër e popullit shqiptar. E keni dëgjuar ndonjëherë Hirësinë e tij të flasë për “ortodoksët shqiptarë”? Jo, ai flet thjesht për “besimtarët” ortodoksë, për “rininë” ortodokse, për “inteligjencën” ortodokse, për “gratë” ortodokse, për “deputetët” ortodoksë, duke e lënë pezull çdo lidhje të tyre me popullin e me atdheun e tyre. Ka qenë i pranishëm kudo ku ka qenë e pranishme politika, kultura, biznesi grek: nuk ka lënë politikan grek pa pritur, nuk ka lënë shkollë, ndërmarrje apo bankë greke pa bekuar, ndërkohë që nuk e kemi parë të marrë pjesë në inaugurimin e një shkolle shqiptare, të një banke apo të një ndërmarrje me kapital shqiptar. Ka ndikuar me autoritetin e imunitetin e tij për të promovuar interesa ekstra-fetare, deri edhe politike në favor të axhendave joshqiptare. U angazhua fort për ngritjen e memorialëve për ushtarët grekë, duke ushtruar edhe presion mbi autoritetet shqiptare për t’i lejuar ato. Ka organizuar “pushtimin” e Pallatit të Kulturës së Përmetit, duke përdorur një prift dallkauk e pa moral. Sjellja e tij gjatë një ngjarjeje dramatike për kombin shqiptar, siç ishte lufta e Kosovës, ka qenë aspak në përputhje me pritshmëritë e shqiptarëve e të atyre ortodoksë në veçanti. Nuk dëgjuam një fjalë keqardhjeje për popullin martir të Kosovës, asnjë deklaratë denoncuese për autorët e kasaphanës serbe në Bosnjë e në Kosovë: solidaritet i plotë me vrasësit, a thua se është kreu i Kishës Ortodokse Serbe. Në fakt, nëpërmjet vartësit të tij, mitropolitit grek të Beratit, shprehu solidaritetin e “kishës ortodokse të Shqipërisë” me serbët gjatë bombardimeve të NATO-s, duke abuzuar rëndë me statusin e tij. Siç e thashë më parë, ishte i pari që nxitoi ta fusë në shtratin e një “vrasjeje për motive etnike” aksidentin me të ndjerin Guma dhe që paralajmëroi “prishje të paqes etnike” në Shqipëri, duke befasuar edhe ithtarët më të devotshëm të tij. Nuk tregoi as më të voglën dhembshuri, kur vetëm një muaj më pas, një shofer grek, me sjellje të hapura antishqiptare, vrau një duzinë me pasagjerë shqiptarë, mes të cilëve edhe tri gra, që për një koincidencë të rastit mbanin mbiemrin Guma! E pra, nuk dua të zgjatem me veprime të tjera të Hirësisë së Tij, që jo rrallëherë bien ndesh me vetë kanonet e Kishës së Shenjtë dhe që, në fund të fundit, zhgënjejnë çdo pritshmëri e dispozim pozitiv, që dituria dhe eksperienca e tij e gjatë me popuj të tjerë mund të sugjeronin ndaj personit të tij.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close