Kabllogramet rrëzuan “kompasin” e Berishës

Harta Detare, Greqis i dhurohej Deti Shqiptar

Interviste me Myslim Pashaj

Loading...

Marrëveshja detare me Greqinë që i falte fqinjëve tanë kilometra të tëra det shqiptar është kundërshtuar fuqimisht nga një njeri i vetëm, profesor Myslim Pasha. Koloneli në lirim i Forcave të Armatosura paraqiti prova e fakte që tregonin se Greqisë po i dhurohej deti shqiptar, por përfaqësuesit e qeverisë e sulmuan duke e etiketuar edhe si të çmendur. Komunikimet e Ambasadës Amerikane në Tiranë me Uashingtonin kanë nxjerrë në dritë pjesën e errët të historisë, atë që mediat e denoncuan dhe shteti e mohoi.

Sipas kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks, zyrtarët e shtetit shqiptar kishin shkuar në Ambasadën Amerikane ku ishin rrëfyer se Greqia po i bënte presion duke i kërkuar paktin detar dhe varrezat e ushtarëve në këmbim të nënshkrimit të MSA-së. Këta zyrtare kanë treguar se pala greke po përdorte dy standarde dhe se marrëveshja që do të nënshkruaj do të favorizonte qartësisht palën greke. Por edhe pse ishin tërësisht në ndërgjegjshëm për atë që do të ndodhte, shteti shqiptar vendosi nënshkrimin e marrëveshjes. Dy vjet pas rrëzimit të marrëveshjes, profesor Myslim Pashaj tregon prapaskenat diplomatike të ngjarjes.

Profesor Pashaj, ç’përshtypje iu kanë lënë ato kabllograme të Wikileaks, të cilat kanë lidhje me Paktin Detar tanimë të rrëzuar midis Shqipërisë dhe Greqisë?

Janë një panoramë prapa fasadës së ngjarjeve të cilat janë shqyrtuar në lidhje me Paktin. Ata zgjojnë tërësinë ende të paformësuar e një prej ndodhive diplomatike më unikale që na rrëfen se si një shtet si Shqipëria në një kohë shumë të shkurtër dhe me një përdëllim dhe inferioritet te pazakontë, preu një pjesë të gjeohapësirës detare jetësore të saj, duke shpërfillur interesat kombëtare. Ato që kanë dalë nga kabllogramet janë një dëshmi e qartë se si marrin trajtë ngjarje të tilla, se si rrjedhin informacionet dhe opinionet, të cilat vënë pikat që mungojnë në tekstin e atij pakti famëkeq. Vetë Ambasada Amerikane ka kontakte dhe burime informacioni prej të cilave sjell opinione dhe vlerësime. Këto vlerësime janë diplomatike, gjeostraegjike dhe historike. Ka një mister që bashkëshoqëron hartimin e atij Pakti, për të cilin në nuk jemi në gjendje të themi gjësend. Ambasada Amerikane ka konstatuar se traktati ishte një “quid pro quo” ( kompensim: shënim imi ) për mbështetjen greke për NATO-n dhe marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kompensim ka qenë lënda mbi të cilën është kryer vepra, kështu që specialistët e të dy palëve nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë zbatuar në mënyrë gjeometrike një marrëveshje më jep, të jap, e cila është e lidhur bukur e bukur me figura gjeometrike dhe shkencë matëse të baraslarguar etj. Kësilloj, grupi bisedimor diplomatik nuk është teknik, por një grup i komanduar politikisht, për një situatë pritëse të integrimit në Europë. Kaq e vështirë qenka për Shqipërinë për të hyrë në Europë sa të shqyejë gjeo-hapësirat e saj detare dhe t’i a japë fqinjit. Sa e turpshme. Kjo na vjen ndër mend kur pamë kryeministrin e Shqipërisë, i cili teksa marrëveshja ish diktuar, apo më mirë me thënë kryeministrit ia kishin kapur “kompasin matës në dorë” ai befas, në një erupsion frymëzues psikik si ato të tijat, me një buzëqeshje tinzare dhe po kështu prerëse kish marrë në dorë prapë kompasin dhe ua shpjegonte fill e për pe, se sa bukur e kishin matur detin për t’ua të dhënë fqinjëve grekë.

Çfarë komenti keni në këtë rast për kryeministrin?

Sali Berisha ka sjellë dhe po lë në politikën shqiptare përvoja nga më tragjiket. Po kjo e kompasit prerës së Shelfit Detar Arbëror do të ngelet ndoshta si një nga shëmbëllimet më groteske të kësaj figure komplekse e historisë së Shqipërisë. Kam pasur mundësinë që për dy herë radhazi të jem takuar me kryeministrin në zyrën e tij kur ka qenë rasti për të themeluar ALUIZNI-n. Jam befasuar me njohjen që ai kishte ndaj hartografisë. Mirëpo kur kam hasur në pamje vizive se si ai imitonte kompasin matës për të përcjell një argument vërtetimi që të bindte shqiptarët se Pakti ishte i drejtë, m’u shpërfaq në vete, edhe roli i tij mjeshtëror i mashtrimit. Nga kabllogramet vihet në dukje se si për të kryer veprën është bërë çmos për të shmangur SHBA nga këto negociata, ndërkaq në gjeopolitikën ballkanase, për herë të parë, jo që nga krijimi i shtetit shqiptar, por edhe në udhëtimin gjeo-historik të tij, prej Ilirëve, Romakëve dhe deri tek Perandoria Osmane nuk kish ndodhur kurrë që Greqia të afrohej në zemrën e Otrantos, e cila u takonte vetëm dy shteteve: Italisë dhe Shqipërisë.

Por kjo marrëveshje nuk u realizua..

Kjo është e vërtetë. Por edhe këtu edhe pse sharra ngeli në gozhdë, Kryeministri edhe pse e pa bukur se nuk e kish kapur të gjithë shtetin harroi se prej vetëdijes së brendshme kombëtare, kish ngelur një frymë që e bëri Kushtuesen Shqiptare të ndjehet në jetë. Mirëpo amerikanët hamendësojnë se pasi Berisha ka parë që mashtrimi i madh s’mund të fshihej dot dhe s’mund të jetësohej ajo vepër, të ketë çuar lajm “tek të tijtë” që kish në Kushtetuese “për ta rrëzuar paktin”. Në kabllograme thuhet se gjykata e ka rrëzuar paktin vetëm pasi ka marrë lejen e Berishës. Përfytyroni se në ç’duar ka rënë shteti, kur edhe nëse sheh pak dritë tek Kushtetuesja ja ku të del se Kryeministri të vret natën dhe të qan ditën. Edhe në momentin e fundit, ai s’mund ta linte që s’mund ta linte veprën e tij të pakryer dhe kur ajo s’u krye dot, ai sërish duhet të dilte i larë. E keqja djallëzore e Kryeministrit është kaq e dukshme, principi i së keqes është në brendësi të atij akti të pashembullt. Tani përvijoni më tej, se me ç’mjeshtëri Berisha luajti për ta mbyllur atë çështje, duke krijuar unitet “të pathyeshëm dhe të pandarë” midis qeverisë firmëtare dhe stafit negociator. Ata të gjithë quheshin nëpunës të lartë të shtetit që kishin mbrojtur interesat e Shqipërisë.

Ç’veçori të tjera mund të përzgjidhni?

Mund të veçoj atë që s’e ka ditur askush prej nesh, se si një përfaqësuese ligjore e kontaktuar nga Ambasada bën një lojë fjalësh dhe zbulon se “grekët kanë kërkuar dy standarde, ndërsa shqiptarët vetëm një, atë të Konventës së Detit”. Mirëpo dihet nga i gjithë opinioni se ka ndodhur e kundërta. Kjo juriste ka mbrojtur gjatë gjykimit të gjatë në Kushtetuese dhe po kështu e ka mësuar Kryeministrin që të përmendë metodën e baraslargësisë, duke mos i vajtur mendja kurrë se ka një metodë tjetër, në Shelfin Kontinental. Pra, dy standarde duhet të kish kërkuar pala shqiptare dhe jo ajo jo greke! Kabllogrami rrëfen reflektimin e saj dhe përcjell vetëm një mashtrim, më shumë se një gënjeshtër. Trazimi është i madh sepse janë kapur gafil dhe nuk dinë se si ta fshehin sepse mjeshtër në këtë fushë është vetë Kryeministri.

Pakti është mbrojtur nga ekspertë. Si është e vërteta e tyre?

“Kapiten i Rangut të Parë, Gerveni, merr një pozicion që zakonisht mbahet nga një Gjeneral brigade… Zonja Jones duke iu referuar zërave të pakonfirmuar e shpjegon ngritjen në detyrë, me faktin se e gjithë kjo, ishte veçse një shpërblim për Gervenin në negociatat e suksesshme me qeverinë greke për kufirin detar” ( cituar nga Kabllogrami përkatës). Kemi një qetësi të frikshme vetëm e vetëm për të fshehur në fakt një krim shtetëror të hasur, të vërtetuar dhe të gjykuar në një podium të lartë ligjor siç është Kushtetuesja. Këto gjëra ndodhin sot në shekullin e XXI në Shqipërinë, që për të ardhur tek Europa e saj u dashka të paguajë “haraç” ndaj fqinjëve. Asnjë qeveri në botë nuk mund ta kalonte këtë situatë aq lehtë, pa marrë asnjë gjemb në këmbë, pa dhënë llogari ndaj popullit të saj, një qëndrim ogurzi. Këto fakte flasin më shumë për shqiptarët se sa për atë vetë dhe të keqen tonë të kahershme. E keni parë Berishën që teksa ngjitej në malin e Dajtit, në shkurt të këtij viti, në atë majë, ku kishte edhe pak dëborë që ende nuk kish shkrirë, ngriti dorën dhe i rrëfeu një orietim mbesës së tij, se ku ndodhej gjurma në natyrë e Udhës së Arbërit. Duke u ngjitur në këtë majë, ky njeri, nuk përfytyron ngjitjen e kombit dhe të shtetit, por vetëm përfytyrimin ngjitës dhe hipës të tij. Duke u drejtuar nga verilindja a nuk iu ngjau se aq bukur, e kish fshehur dorën dhe kompasin e tij antikombëtar, kur para dy vjetësh mati dhe preu gjeo-hapësirën detare Arbërore. Dyzimi i tij është i frikshëm.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button