“Wikileaks”, shantazhi i Athinës

Qeveria greke ka shantazhuar në mënyrë të
vazhdueshme qeverinë shqiptare gjatë bisedimeve për kufirin detar, duke i
kërkuar në mënyrë të përsëritur të “mbajnë fuqitë e largëta” jashtë
këtyre bisedimeve dhe duke kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme me
mosratifikimin e MSA-së.

Lajmi bëhet i ditur nga një raport diplomatik amerikan që u publikua nga organizata “Wikileaks”.

Loading...

Gazeta
‘Shqip’ publikon se kabllogrami bën të ditur gjithashtu që negociatorët
shqiptarë në bisedimet për kufirin detar me Greqinë ishin tërësisht të
vetëdijshëm për problemet e marrëveshjes, por nuk kishin mundësi të
kundërshtonin apo të negocionin, për shkak se Athina po përdorte
ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit (MSA) si një
kobure në kokën e palës shqiptare.
Kabllogrami me kod 08TIRANA745 i
tetorit 2008 dhe i klasifikuar si konfidencial, mban titullin: “Greqia i
bën presion Shqipërisë mbi çështjet e kufirit dhe varrezave”.

Pjesa e

parë e kabllogramit u referohet informacioneve
të furnizuara nga Ledia Hysi, zyrtare e çështjeve ligjore dhe traktateve
në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Gjatë një seance bisedimesh
së fundmi në Tiranë, zyrtari grek në krye të delegacionit i dha palës
shqiptare një ultimatum. Qeveria greke mund të tregohet e gatshme për
një kompromis mbi kufirin detar pranë Korfuzit (ndoshta për shkak të
interesit ushtarak ekzistues amerikan për ndërtimin e një baze ushtarake
të SHBA-së në Jal, Shqipëria e Jugut). Gjithsesi, zyrtari grek
paralajmëroi delegacionin shqiptar për të plotësuar kërkesën tjetër, atë
për të mbajtur ‘fuqitë e largëta’, konkretisht Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, jashtë bisedimeve”, thuhet në raportin diplomatik. “Një frazë
identike u përdor gjithashtu gjatë një takimi në Tiranë mes ambasadorit
të Greqisë dhe ministrit të Jashtëm Basha”, vijon më tej kabllogrami.

Pasi
Greqia arriti me sukses të bllokojë me veton e saj anëtarësimin e
Maqedonisë në NATO, pavarësisht nga presionet e anëtarëve të tjerë,
qeveria shqiptare filloi të besojë se kërcënimi grek me MSA-në nuk ishte
thjeshtë një blof. Greqia e la ratifikimin e MSA-së deri në momentin e
fundit, pasi vendet e tjera të BE-së e kishin ratifikuar. Ajo e mori
marrëveshjen për detin sipas kërkesave të saj, por kjo marrëveshje nuk
hyri në fuqi, për shkak se media shqiptare dhe një ushtarak në pension e
denoncuan atë dhe shkaktuan rrëzimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Manipulimi i kufijve

“Sipas
Ledia Hysit, drejtore e çështjeve ligjore dhe traktateve në Ministrinë e
Punëve të Jashtme, qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë negociuar për
shumë muaj për demarkimin e kufirit të tyre detar. Bisedimet kanë hasur
probleme të shumta, për shkak të asaj që Hysi e përshkroi si “standard
të dyfishtë” të përdorur nga Greqia, e cila synon të përdorë metoda të
ndryshme për pjesë të ndryshme të bregdetit, ndërsa Shqipëria përdor
vetëm një standard dhe një metodologji të përcaktuar nga konventat
ekzistuese ndërkombëtare.

Me fjalë të tjera, shqiptarët akuzojnë
grekët se po përdorin sipas dëshirës metoda të ndryshme demarkimi në
pjesë të ndryshme të detit për të kapur pjesët më të pëlqyera të
kufirit”, thotë kabllogrami.

Qeveria i dinte të gjitha problemet me kufirin, bënte të paditurën

Zyrtarët
e qeverisë shqiptare ishin tërësisht të vetëdijshëm për problemet që i
shkaktoheshin Shqipërisë nga marrëveshja për kufirin detar me Greqinë
dhe jopublikisht i bënë të ditura këto shqetësime. Por kur media në
mënyrë të pavarur nga qeveria i denoncoi po të njëjtat shqetësime që
lidheshin me peshkimin, zhvillimin e zonës së jugut, transportin detar
etj., zyrtarët më të lartë të qeverisë, përfshirë ministrin e Jashtëm
dhe Kryeministrin, i mohuan të gjitha, duke akuzuar median për
nacionalizëm dhe deri për lajthitje.

Kabllogrami i Ambasadës
Amerikane në Tiranë bën të ditur se si kryenegociatorja shqiptare Ledia
Hysi ua ka bërë të ditur shqetësimet diplomatëve amerikanë.

“Hysi
tha se pozicioni i Greqisë ishte një kërcënim serioz për zhvillimin
afatgjatë të zonës së bregut të jugut, për shkak se ajo do të krijojë
pengesa për turizmin, transportin, peshkimin, kërkimin për naftë apo gaz
dhe mundet të sjellë deri incidente territoriale me Greqinë”,
raportohet në raportin diplomatik 08TIRANA745.

Gazetat dhe
televizionet shqiptare ngritën të njëjtat shqetësime gjatë debatit për
kufirin detar në atë kohë, ndërsa gjatë një debati në Parlament,
deputetët e mazhorancës hodhën një pafundësi kundërargumentesh për të
mbështetur idenë se ndarja e detit ishte në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe se Shqipëria nuk po humbiste asgjë.

“Në lidhje
me çështjen e kufirit detar mes dy vendeve dhe pavarësisht faktit që
qëndrimi negociator i Greqisë është kundër konventave ndërkombëtare –
Athina ka thënë se kufiri ose do të miratohet sipas kërkesave të saj,
ose nuk do të miratohet fare”, vijon kabllogrami.

Qeveria
shqiptare gjendej vazhdimisht nën kërcënimin e Athinës për mosmiratimin e
Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit. Mënyra se si ajo synoi
ta menaxhojë këtë pozicion të vështirë ishte që shqiptarët të mos
informoheshin dhe që çdo gjë të kryhej larg vëmendjes së publikut. Sipas
një raporti tjetër diplomatik të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në
çastin e fundit duket se qeveria në mënyrë të heshtur i dha miratimin
njerëzve të saj në Gjykatën Kushtetuese për ta rrëzuar marrëveshjen.
Rrëzimi i marrëveshjes duket se e shpëtoi qeverinë e sotme nga damka e
shitjes së vendit, një gjë shumë e rëndë në psikozën shqiptare, krijuar
nga akuzat e qeverisë komuniste për qeverinë e Ahmet Zogut, i cili i dha
një sipërfaqe të vogël toke ish-Jugosllavisë dhe u akuzua gjithmonë si
tradhtar për këtë gjë.

Ndërkohë, mënyra se si qeveria e menaxhoi
këtë situatë të vështirë, të shtyn të mendosh se për të, prekja e
tërësisë territoriale të vendit nuk është një shqetësim thelbësor, por
ai bëhet shqetësim vetëm në rast se shqiptarët informohen për të.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button