ABETARJA NUK ËSHTË FAJTORE, POR ATA QË E KANË LËNË ANAMORAVËN SHQIPTARE NËN SERBI!

*** “Shqiptar, mos rri, po duku shqiptar”! (Andon Z, Çajupi)

*** “Shqiptar, mendo, puno, vepro dhe jeto kombëtarisht”! (Adem Demaçi, hero i Kosovës)

Loading...

-Po, si të “duken shqiptarë” dhe të “veprojnë kombëtarisht”, kur qe 20 vjet, disa shqiptarëve ua ka shpërlarë trurin interesi egoist, klanor, partiak dhe lokalist, karrierizmi-lufta për pushtet, korrupcioni dhe krimi i orgnaizuar, si dhe pasurimi i tyre joligjor, në kurriz të popullit dhe të atdheut shqiptar?! 

Dhunimi i Abetares, akt i zhveshur toptanist 

-Shpëtim Çaushi (ambasador i Shqipërisë në Beograd), kërkesës së ministrit të Arsimit të Serbisë, Zharko Obradoviq, i përgjigjet kështu: ” në lidhje me letrën tuaj kemi nderin t’ju njoftojmë që organet përgjegjëse shqiptare janë dakord me sugjerimet e shprehura në letrën tuaj, që Abetarja dhe Fletorja e Punës të riprodhuara, të mënjanojnë simbolet kombëtare dhe shtetërore shqiptare…” (//http://www.lajme.org/pandeli-majko-ambasadori-ne-beograd-kodosh-legalizoi-abetaren-pa-simbole).

Sipas burimit të lartcituar, del se, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, është përgjegjës kryesor për heqjen e simboleve kombëtare shqiptare nga ABETARJA e dhuruar nga Shqipëria e tij, sepse, siç shkruan në “pusullën” e tij, drejtuar ministrit serb të arsimit, ai së bashku me institucionet përkatëse të qeverisë shqiptare, është pajtuar me “demarshin” e palës serbe, që nga “ABETARJA dhe Fletorja e Punës”, të flakën “simbolet kombëtare dhe shtetërore shqiptare”!!!

Sido që ta kenë “justifikuar” qarqet politiike dhe diplomatike të Tiranës zyrtare, një akt të tillë antishqiptar, ai nuk mund të quhet ndryshe vetëm se akt toptanizmi sui generis.

Po të ishte ndryshe, qeveria, parlamenti dhe presidenca e Republikës së Shqipërisë, do ta dënonin këtë akt të turpshëm toptanizmi të amabasadorit të tyre në Beograd. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, edhe pse në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko me të drejtë e denoncoi një akt të tillë vandal kundër ABETARES së “eksportuar” nga Shqipëria për nxënësit e Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).

Lidhur me këtë skandal toptanist të ambasadorit Shpëtim Çaushi ( i cili, siç bën të ditur “Gazeta Shqiptare”, duke u bazuar në faksin original të tij, drejtuar ministrit të Arsimit të Serbisë, kishte dhënë pëlqimin për heqjen e simboleve kombëtare dhe shtetërore shqiptare), si dhe të mbështetësve të tij në qeverinë dhe në parlamentin shqiptar, Pandeli Majko këtë pyetje ia drejtoi kryeministrit Sali Berisha, kryeparlamentares, Jozefina Topalli dhe deputetëve të tjerë (demokratë dhe socialistë), të pranishëm në seancën e parlamentit: “Si ka mundësi që të lejohet ky kodosh ambasador që të legalizojë një Abetare për shqiptarët në Serbi”? (Shih: //http://www.lajme.org/pandeli-majko-ambasadori-ne-beograd-kodosh-legalizoi-abetaren-pa-simbole).

Mirëpo, Pandeli Majko në këtë pyetje, nuk mori kurrfarë përgjigjeje as nga kryeministri Sali Berisha, as nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli?! – Çfarë turpi!!!

Secili ambasador shqiptar në Beograd, duhet mbrojtur interesin shqiptar, jo ineteresin serb!!!

-Vëlla Pandeli Majko, nuk ka faj veç “kodoshi”, por edhe ai që e ka dekretuar dhe, ai që nuk e ka revokuar me procedurë urgjente për këtë gabim politik, diplomatik dhe, mbi të gjitha për këtë turp toptanist antikombëtar!!!

Të lumtë vëlla Pandeli Majko (që në Parlamentin e Shqipërisë ngrite zërin në mbrojtje të interesit të përgjithshëm nacional-mbrojtje të ABETARES për nxënëxit shqiptarë të Anamoravës shqiptare-Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë)!

Të lumtë, ky është akt patriotizmi dhe shqiptarizmi, jo kolltukët e mëndafshtë dhe “paradat” diskredituese dhe konfrontuese PD-PS të Parlamentit të Shqipërisë! Shembulli juaj në mbrojtjen e interesit nacioanal, është provë e pakundërshtueshme se, asnjë interes partiak, personal, grupor, nuk mund të vihet mbi interesin e përbashkët nacional dhe shtetëror shqiptar.

Andaj, pavarësisht se ku ndodhemi (dhe çfarë cilësie kemi) dhe, në çfarë kushtesh dhe rrethanash veprojmë, duhet t’i mbrojmë me çdo kusht këto vlera të shenjta dhe të shtrenjta të KOMBIT dhe të ATHDEUT tonë shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Kjo është detyra dhe ndërgjegjja jonë e përbashkët ndaj gjuhës, kombit dhe atdheut shqiptar. Ndaj, nuk duhet të lejojmë qoftë armiqtë e brendshëm, qoftë armiqtë e jashtëm, që të na “bombardojnë”, duke na mbajtur predikime dogmatike fetare dhe politike me përmbajtje fashiste, ekzistencialiste, antikombëtare dhe antishqiptare, me qëllim që ta na mbajnë të izoluar, të rezervuar, të shkyer, në distancë larg njëri-tjetrit, sikur këtu e njëqind vjet më parë. Mirëpo, me gjithë përpjekjet e nëndheshme dhe të hapura të forcave të errta mesjetare kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, nuk do të ketë fuqi në botë, që do të na ndajë, copëtojë dhe përçaj në dy taborre-Veri dhe Jug; në dy gjuhë, në dy kultura, në dy civilizime të ndryshme, ashtu siç po trumbetojnë kukuvajkat dhe korbat e zinj, që po sillen vërdallë si fantazmë ndjellakeqe për të mbjellë vllavrasje mes shqiptarëve.

Pse Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë nuk e denoncoi dhunimin e ABETARES, të kryer nga ambasadori i tyre, Shpëtim Çaushi?!

Me gjithë reagimin e arsyeshëm kundër heqjes së simbolleve kombëtare dhe shtetërore shqiptare nga ABETARJA e theksuar, as kryeministri Sali Berisha e as z, kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nuk i dhanë kurrfarë përgjigjeje Pandeli Majkos!!!

-Ja, kjo është “demokracia” dhe “patriotizmi” i sotëm në veprim dhe në qarkullim përbrenda qeverisë dhe parlamentit të Shqipërisë, që bie ndesh jo vetëm me vlerat universale demokratike të bashkësisë ndërkombëtare dhe me ineteresat vitale kombëtare dhe shtetërore, por edhe me Kushtetutën në fuqi të viitit 1998, ku në Nenin 8, Pika 1 të saj, thuhet: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.”(Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 2002, f.7).

-Dhunimi i Abetares (flakja e simboleve kombëtare dhe shtetërore shqiptare për t’ia bërë qejfin dhe plotësuar dëshirën politikës obskurantiste, kolonialiste dhe neokolonialkiste të Serbisë), qenka “mbrojtja e të drejtave kombëtare” të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës?!

-Jo, kjo nuk është kurrfarë mbrojtjeje e lirive dhe e të drejtave të shqiptarëve “jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme”, por është shkelje flagrante e tyre, që krahas Kushtetutës së theksuar shqiptare, janë në shërputhje të plotë, edhe me “Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut” të OKB-së, të miratuar më 10 dhjetor të vitit 1948 etj.

Reagimi i Pandeli Majkos, në funksion të mbrojtjes së ABETARES dhe të interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar!

Edhe pse kërkesa denoncuese e Pandeli Majkos në adresë të “ambasadorit kodosh” në Beograd, Shpëtim Çaushi, nuk mori përgjigje dhe, nuk gjeti mbështetje nga Parlamenti i Jozefina Topallit, as nga kryeministri Sali Berisha, ajo është një akt i lartë patriotik, demokratik, ligjor, kushtetues dhe civilizues në mbrojtje të drejtpërdrejtë të interesit nacioanal shqiptar, i cili si tillë, do të mbetet i pashlyerë në mendjen dhe në ndërgjegjën shqiptare. Kjo e vërtetë ka karakter jashtëpartiak dhe jashtideologjik dhe, përputhet me përmbajtjen e maksimës atdhetare shqiptare: “Partia ime është Shqipëria”! –Jo Partia, jo Beogradi e as Serbia!

Pse ambasadorët shqiptarë, ushtrojnë misionin e tyre në Beograd, në Athinë, në Podgoricë dhe në Shkup etj., kjo nuk do të thotë se, ata kanë të drejtën ekskluzive, që t’i nëpërkëmbin të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, ashtu si iu “fishkëllojnë vesh më vesh” mikpritësit e tyre serbosllavë ballkanikë.

Si Shpëtim Çaushi, ashtu edhe të gjithë ambasadorët e tjerë shqiptarë, duhet ta mbajnë parasysh ABC-në e së drejtës diplomatike se, ata, para së gjithash, janë përfaqësues, prezantues dhe mbrojtës së inetresave kombëtare dhe shtetërore të popullit dhe të vendit të vet shqiptar. Ndryshe, çdo devijim nga kryerja e punëve dhe e detyrave nga fushëveprimi i tyre si diplomatë të rangut më të lartë, si rregull, shteti dërgues shqiptar, ka të drejtë dhe për detyrë, që të bëjë shkarkimin dhe tërheqjen e tyre nga posti i ambasadorit, pavarësishit nga vendi akreditues në Ballkan, në Evropë apo në ndonjë kontinent tjetër.

Kështu, do të duhej të veprohej edhe në rastin konkret të ambasadorit të gabuar në Beograd, Shpëtim Çaushi, i cili “dha pëlqimin për heqjen e simboleve kombëtare dhe shtetërore shqiptare” nga Abetarja e nxënësve të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).

Këtë akt shëmtues antikombëtar të ambasadorit të Shqipërisë, Shpëtim Çaushi, veç Pandeli Majkos, i cili me të drejtë e quajti “ambasadori kodosh”, e denoncuan edhe protestuesit shqiptarë nëpër rrugët, sheshet dhe shkollat e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, duke e apostrofuar : “-Shpëtim – Mos ma prek Abetaren”!!!

Mirëpo, qeveria, parlamenti dhe presidenca shqiptare në Tiranë, nuk ndërmorën asnjë hap konkret ligjor dhe kushtetues për ta revokuar ambasadorin e akredituar të tyre në Beograd, Shpëtim Çaushi, i cili kishte dhënë pëlqimin për spastrimin e “Abetares dhe të Fletores së Punës” nga simbolet kombëtare dhe shtetërore shqiptare.

Në këtë rast, nuk është fajtore Abetarja, por ata që i kanë lënë shqiptarët e Anamoravës nën Serbi-Jugosllavi-Serbi, pa abetare, pa liri dhe pa pavarësi, këtu e njëqind vjet më parë. Kjo është kuentisenca e problemit, edhe për Shqipërinë e sotme, e cila nuk ka bërë asgjë për çlirimin dhe për shkolonizimin e Anamoravës së Shqipërisë Etnike.

Përsëritja e recidivit të historisë tragjike 

Përvoja e hidhur, e derisotme ka provuar se shqiptari i mirë dhe patriot si brenda, ashtu edhe jashtë atdheut, pavarësisht nga hallet, vuajtjet personale dhe nga rrethanat e rënda politike, dhe ekonomike të kohës, që e kanë shoqëruar gjatë jetës së tij, Ai përherë ka dëshmuar vlerat e tij njerëzore, kombëtare dhe patriotike. Ndërkaq, shqiptari i keq, shpifës, egoist, kojtaxhi, tradhtar dhe i shitur, përherë ka dëshmuar antivlerat, primitivizmin, të keqën dhe antikombëtarizmin si në shtëpi, ashtu edhe në gurbet.

Shikuar në retrospektivën e largët historike (1878-2011), edhe shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, që edhe sot ndodhën nën sundimin e egër kolonial të Serbisë, janë pjellë e politikave të gabuara dhe të dështuara shqiptare të Tiranës dhe të Prishtinës, jo vetëm të Fuqive të Mëdha të Evropës të periudhës së Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1912), si dhe të Konferencës së Paqes së Parisit (1919).

Prandaj, ky është shkaku pse shqiptarët e Anamoravës, edhe sot, në dekadën e parë të shekullit XXI (viti 2011), kanë ngelur pa ABETAREN E NJËSUAR të Shqipërisë Etnike, pa liri dhe pa pavarësi, ashtu sikurse vëllezërit dhe motrat e tyre në Iliridë, në Malësinë e Madhe dhe në Çamëri.

-Jo, vetëm për ambasadorin Shpëtim Çaushi, por për cilidindo shqiptar, heqja e simboleve kombëtare shqiptare nga ABETARJA, është akt tradhtie dhe akt antikombëtar shqiptar. Këtë tradhti dhe këtë turp, asnjë shqiptar normal, nuk mund ta jusitifikojë qoftë në pushtet, qoftë jashtë pushteti.

ABETARJA mund të digjet, të ndalohet dhe të konifskohet vetëm nga armiqtë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, siç ishin dikur sundimtarët shekullorë osmanllinj, serbomëdhenjtë, shovnistët dhe fashistët serbë, grekë, bullgarë, malazezë etj., por jo edhe nga vetë shqiptarët, pavarësisht nga shkalla e arsimimit, apo e injorancës së tyre qoftë brenda, apo jashtë kufijve të Shqipërisë Etnike.

Fundja, nuk është me rëndësi adresa e vendqëndrimit të një shqiptari se ku punon dhe vepron ai (qoftë edhe ambasador etj.), por çfarë punon ai, mirë apo keq për kombin dhe për atdheun e vet. Kjo është kryesorja, jo ku punon dhe jeton ai, brenda Shqipërisë Etnike, apo jashtë saj.

Para së gjithash dhe, mbi të gjitha, e rëndësishmja është që të jesh shqiptar bir shqiptari, siç thoshte patrioti, demokrati dhe diplomati ynë më i shquar shqiptar, Ismail Qemali, jo ambasador, politikan, diplomat etj., të punosh për interesa të huaja për ta tradhtuar dhe dëmtuar kombin dhe atdheun tend të shtrenjtë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button