Ambasadori i Shqipërisë në Beogard duhet të shkarkohet

Tedi Blushi
Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” i ka kërkuar publikisht kryeministrit, Sali Berisha, të tërheqë ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi. Sipas Mustafës, Çaushi ka dhënë pëlqimin që simbolet kombëtare të shqiptarëve të hiqen nga abetarje për nxënësit e Luginës së Preshevës.
Z.Mustafa, si është pritur në Preshevë, “dhurata” që iu është bërë fëmijëve shqiptarë të klasave fillore atje, nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor? E kam fjalën për abetaren në gjuhën shqipe…
Për të qenë i sinqertë nuk është pritur aspak mirë sepse “dhurata”, sikundër ju e cilësoni, është një abetare e bastarduar, mjaft e cunguar, në raport me abetaren burimore të përgatitur nga dy autorët e nderuar shqiptarë, Mimoza Gjokutaj dhe Shezai Rrokaj. Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, me kokëfortësinë e saj duket se nuk e ka lejuar që abetarja burimore t’iu përcillet nxënësve shqiptarë të Preshevës por ka kërkuar ndryshime. Fatkeqësisht për këto ndryshime ka dhënë pëlqimin e tij edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Çaushi, i cili duket se ka pranuar kushtet apo marrëveshjen me qeverinë e Serbisë, pa i pyetur fare shqiptarët, kryetarët e komunave të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe partitë politike shqiptare. Pse them që abetarja është e bastarduar? Sepse prej saj janë hequr simbolet kombëtare të shqiptarëve. Konkretisht, ndryshe nga abetarja burimore shqiptare, tek abetarja që iu është dhënë nxënësve shqiptarë të Preshevës, tek shkronja F është hequr flamuri kombëtar i shqiptarëve. Në vend të tij është lënë një hapësirë boshe, e bardhë. Por ne shqiptarët nuk kemi një flamur të bardhë por kemi flamurin tonë kuqezi, me fushën e kuqe si ngjyrën e gjakut dhe shkabën dykrenare. Është ky flamur për të cilin ne shqiptarët e Luginës së Preshevës jetojmë, për këtë flamur ne kemi dhënë jetën, për këtë flamur jemi gati ta japim jetë, sepse vetëm këtij flamuri ne i bindemi dhe vetëm atij i falemi çdo ditë. Ndaj ne nuk mund të lejojmë që flamuri i kombit shqiptar të jetë fare i bardhë. Nëse kështu e konsideron apo e pranon Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, kjo është çështje e tij por ne nuk mund ta pranojmë këtë fyerje që na bëhet. Një shembull tjetër pse abetarja për të cilën ju më pyesni është e bastarduar lidhet me faktin se disa nga shkronjat, të cilave iu asociohen qytete, janë manipuluar. Konkretisht tek SH thuhet se “Shkodra është qytet i bukur”. Por nga abetarja me kërkesë të serbëve, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, ka pranuar të hiqet Shkodra dhe në vend të tij është vendosur Nishi. Më saktësisht “Nishi është qytet i bukur”. Për shqiptarët Nishi është një nga qytetet ku shqiptarët për dhjetra e qindra vite janë burgosur e torturuar nga serbët dhe në këtë kontekst mund të themi se Nishi është një trishtim për shqiptarët, pra kurrësesi një qytet i bukur. Kjo është bërë me paramendim sepse dhe vetë shkronja SH nuk asocion me shkronjën N. Një tjetër problem lidhet edhe me gërmën A, që ndryshe është shkruar në kopertinën e librit dhe ndryshe në brendinë e saj. Mënyra e ndryshme e të shkruarit krijon një dilemë të madhe tek nxënësi i klasës fillore lidhur me atë se cila është shkronja A e vërtetë. Prandaj ne me të drejtë kemi reaguar fuqimisht për këto bastardime që i ka bërë abetares në gjuhën shqipe, Ministri i Arsimit të Serbisë, me pëlqimin e Ambasasorit të Republikës së Shqipërisë.
A ka patur konsultime paraprake për këtë çështje, mes jush dhe Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi?
Absolutisht jo. Nuk jemi konsultuar fare me këtë ndryshim. Nuk na ka pyetur absolutisht. Të vetmet konsulta të ambasadorit Çaushi duket se kanë qenë ato me të ashtëquajturin Këshilli Nacional i Shqiptarëve që nuk përfaqëson popullin shqiptar në Luginën e Preshevës.
Çfarë është ky Këshill?
Një organ i ndërtuar nga qeveria serbe për gjoja respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, i ngritur enkas për t’i hedhur hi syve Bashkimit Europian për gjoja respektimin e të drejtave tona, pra të ne shqiptarëve që jetojmë brenda kufijve administrativë të Republikës së Serbisë. Në vetvete pra ky Këshill nuk përfaqëson kërkend dhe as ka legjitimet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë. Autoriteti për këtë iu takon vetëm kryetarëve të komunave, të cilët janë zgjedhur nga vota e popullit, në një garë shumë konkurruese. Ambasadori Çaushi është konsultuar gjithashtu edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kypreos, i cili është grek dhe që padyshim mban anën e serbëve më shumë sesa të shqiptarëve.
A jeni përpjekur të vendosni kontakte me qeverinë shqiptare për t’ja shprehur qoftë edhe zyrtarisht këto shqetësime? Nëse po, cili ka qenë reagimi i saj?
Ne nuk kemi asnjë kompetencë të kundërshtojmë lidershipin e Tiranës dhe besoj për këtë duhet të na kuptoni lidhur me arsyet se pse. Së dyti dua të theksoj se në këto kushte ne nuk kemi as kapacitete që t’i botojmë vetë tekstet shkollore në gjuhën shqipe por edhe sikur t’i kishim, qeveria e Serbisë nuk do të na lejonte. Qeveria e Tiranës duhet të na ndihmojë në këto kushte.
Çfarë kërkoni nga qeveria e Shqipërisë?
Së pari, duke shfrytëzuar këtë intervistë me ju, më lejoni t’i kërkoj publikisht kryeministrit, Sali Berisha që të mendojë për ta larguar menjëherë ambasadorin Çaushi sepse ai nuk po punon në interes të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Nuk mundem dot të kuptoj sesi qeveria e Republikës së Shqipërisë ka emëruar një ambasador të tillë, i cili pranon që flamuri i kombit shqiptar të jetë i bardhë. Së dyti nga qeveria shqiptare ne kërkojmë që të ndihmohemi dhe që ajo të mos lejojë që nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës të mësojnë një abetare ndryshe ajo që mësojnë nxënësit shqiptarë në Tiranë. Ne të gjithë jemi shqiptarë, i përkasim të njëjtit komb pavarësisht se kundër vullnetit tonë na duhet të jetojmë brenda kufijve të Serbisë. Padyshim që kjo abetare duhet të tërhiqet urgjentisht nga Lugina e Preshevës. Ne nuk lejojmë bastardimin e simboleve tona kombëtare, nuk lejojmë heqjen e tyre, ne nuk lejomë që në vend të flamurit të vërtetë, të vendoset një flamur i bardhë që të krijon përshtypjen sikur shqiptarët e Luginës së Preshevës janë dorëzuar para Serbisë. Për këtë duhet të ngulet këmbë. Deri kur Shqipëria duhet të vazhdojë të lëshojë pe para Serbisë? Ne shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të braktisemi sikur jemi një popull i lënë në mëshirë të fatit. Ne duam të ekzistojmë sepse na ka falur zoti dhe do jetojmë me krenari në këto troje të të parëve tanë. Ndaj ne duam që t’u mësojmë fëmijëve tanë simbolet tona kombëtare, t’i edukojmë që ta duan kombin e tyre shqiptar dhe të japin jetën për të nëse do të jetë nevoja ashtu siç bëjnë nga ana tjetër edhe serbët me fëmijët e tyre. Qeveria e Republikës së Shqipërisë duhet të na mbështesë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button