Enkelejda Alushi, çapkënia nga Çamëria

Këngëtarja me prejardhje çame, Enkelejda Alushi-Arifi, pa dyshim është ndër këngëtaret më të adhuruara në Kosovë dhe më larg dhe konsiderohet si këngëtarja e vajit dhe e mallit, por edhe e optimizmit dhe sharmit skenik. Hiti i saj, ‘Vaj e mall për Çamërinë’ është bërë një këngë, e cila shpalos dhembjen, por edhe krenarinë çame, kësaj pjese të kombit, që ndryshe quhet edhe ‘gjaku i shprishur’.
 
Ju jeni ndër këngëtaret e para dhe të rralla që i këndoni me vaj dhe me mall Çamërisë. E bëni këtë pse jeni me prejardhje nga atje, apo e konsideroni si një obligim prej artisteje të këngës?
Janë të dyja bashkë edhe më shumë se kaq. Është fryma me të cilën jam rritur, dashuria që më kanë ushqyer gjyshërit e mi, amaneti i tyre.

Loading...

Merrni pjesë edhe në Festivalin, i cili për çdo vjet organizohet në Sarandë, ku, siç thuhet, organizohet një dasmë artistike për Çamërinë?
Është e vërtetë. Festivali i këngës dhe valles Çame i ngjan një dasme të madhe shqiptare, një sofre që mbledh rreth saj shqiptarët nga te gjitha anët e globit. Nuk ka se si mos të jem edhe unë mes tyre.

Aty ku flitet për Çamërinë jeni edhe ju. Madje, jeni sensibilizuese e çështjes së saj, prandaj i këndoni me mall dhe me vaje?
Është minimumi që unë si bijë e saj, të bëj për të. Të gjithë jemi dëshmitarë për padrejtësitë që i janë bërë popullit tonë, andaj ka ardhur koha që secili prej nesh me “armën” e tij të kryejë obligimin e tij ndaj Atdheut.

Me 4 tetor në Tiranë do të mbahet edhe një Konferencë për Çamërinë, megjithatë ju, duket se nuk jeni e politizuar, apo jeni anëtare e Partisë së z.Shpëtim Idrizi?
Gjatë ” kohëve të fundit” ka mjaft aktivitete të rëndësishme kushtuar avancimit dhe sensibilizimit të zgjidhjes së çështjes çame si kjo e 4 Tetorit dhe ato po shtohen për ditë edhe më shumë.
Unë asnjëherë nuk kam qenë e politizuar, por në rastin e Shpëtim Idrizit dhe PDIU-së, ndryshon puna. Për herë të parë në histori, komuniteti ynë përfaqësohet në nivelin më të lartë shtetëror me dy deputetë, z.Shpëtim Idrizi dhe z.Dashamir Tahiri.

Kush është në të vërtet, Enkelejda Alushi-Arifi?
Pa pikë dhe presje kjo që shihni ju çdo ditë, në punë, në skenë, në rrugë, në shoqëri kudo. Unë gjithnjë jam ajo që dukem, thjesht e vërteta.

Jeni vajze çame, por jeni bërë nuse Kosove. Si ndodhi kjo. Ka ndonjë simbolike, apo?
Po, sigurisht që ka një simbolikë, ajo është Dashuria.

Ju punoni në komunën e Gjilanit në Drejtorinë për kulturë dhe duket se në këtë punë jeni e përkushtuar?
Unë jam zyrtare e lartë për Kulturë në qytetin e Gjilanit. Të qenit e përkushtuar ndaj obligimeve që më jepen ose që unë i marr është një ndër principet e mia. Kjo më bën të suksesshme në punën time. Në të njëjtën kohë, unë ushtroj profesionin tim, kështu që përkushtimit i shtoj dhe dashurinë e pasionin që kam për profesionin dhe kjo barazohet me suksesin.

Ju këndoni me shpirt dhe me zemër. Çka është për ju kënga?
Në pyetjen tuaj, ju po ashtu keni dhënë dhe përgjigjen. Kënga është shpirti dhe zemra ime, pa të do të isha si një lule e vyshkur.

Kush ua shkruan tekstet e këngëve. Duket se shumë prej tyre i shkruani vetë?
Kam shkruar edhe vetë disa, por tani për tani jam duke bashkëpunuar me mjeshtra të mëdhenj të letrave si Jorgo Papinjgji, Pandi Laço, Agim Doçi, etj.

Ju këndoni ne duet edhe me axhën, Hysni Alushin. E keni këngën traditë, apo është rastësi, një talent i lindur dhe i shkolluar?
Ne këngën e kemi traditë familjare. Mund të them se është pjesë e pandarë trashëgimi e familjes sonë. Kjo vërehet edhe në bashkëpunimet e mia me Hysniun. Ne e kemi trashëgim nga baballarët tanë, e ne ua kemi trashëguar fëmijëve tanë. Përpos që është i lindur talenti, do shkolluar dhe përsosur, kështu po veprojmë edhe me fëmijët tanë që janë duke studiuar muzikë.

Çka mund të presim së shpejti nga ju në planin e këngës?
Jam duke punuar në disa projekte të rëndësishme dhe uroj që të priten mirë nga audienca, e cila është vlerësuesja më e saktë edhe më e rëndësishmja për mua./telegrafi

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button