Kristo Frashëri: Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës (pj.1)

1. Cilët qenë banorët e Epirit të lashtë?
Shqiptarët dhe grekët, pasardhës të ilirëve dhe helenëve të lashtë, banojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin që nga periudha parahistorike. Gjatë shekujve kufijtë midis vendbanimeve të tyre nuk kanë qenë asnjëherë të prera nga pikëpamja e përkatësisë etnike të banorëve. Kjo ka ndodhur ngase këto vise kanë qenë më tepër se 2000 vjet nën strehën e perandorive shumëkombëshe, të tilla si Perandoria Romake, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane, të cilat lejonin lëvizjet e fiseve dhe të kombësive brenda kufijve politikë në kërkim të vendbanimeve të reja. Si kudo, edhe këtu në brezin anësor të vendbanimeve të shqiptarëve dhe të grekëve u krijuan vise me banorë të përzier nga të dyja etnitë. Një nga këto zona kufitare me popullsi të përzier shqiptare dhe greke ka qenë dhe vazhdon të jetë treva e quajtur nga helenët e lashtë Epir, nga shqiptarët e sotëm Çamëri.
Me sa dihet, bashkëjetesa për mijëra vjet e banorëve të të dy etnive në të njëjtën trevë gjeografike, nuk ka shkaktuar në të kaluarën asnjëherë konflikte etnike midis tyre. Kjo kuptohet po të kemi parasysh se të trija perandoritë e mëdha që kanë sunduar mbi ta si perandori shumëkombëshe, e trajtonin nënshtetasin si burim fisku dhe si gregar fetar, por jo si militant nacionalizmi.
Puna ndryshoi kur në shekullin XIX lindën shtetet e pavarura ballkanike. Kjo për arsye se lindja e tyre përkoi me shfaqjen e lakmive nacionaliste. Pikërisht në atë kohë lindën edhe lakmitë e qarqeve nacionaliste greke për të aneksuar Epirin dhe më tej viset e Shqipërisë së Jugut.
Qarqet qeveritare të Athinës dhe historianët helenë që qëndrojnë prapa tyre i konsiderojnë të drejta lakmitë e tyre nacionaliste ndaj viseve shqiptare. Madje, qarqet kishtare ortodokse të Greqisë nuk ngurrojnë t’i quajnë këto pretendime të drejta, të shenjta. Si rrjedhim, luftën për aneksimin e viseve shqiptare ato e kanë ngritur në nivelin e një kryqëzate fetare. Përkundrazi, kur ndonjë historian shqiptar i kundërshton pretendimet greke dhe ngul këmbë se ndër banorët e Shqipërisë së Jugut ka vetëm një minoritet të vogël banorësh grekë, në Ath-inë shpërthejnë britmat se në Tiranë po ringjallet nacionalizmi shqiptar. Për të justifikuar lakmitë e tyre nacionaliste ndaj viseve që nuk u përkasin, qeveritarët e Athinës dhe prapa tyre historianët helenë kanë botuar deri sot me qindra punime kushtuar historisë së Epirit ose aspekteve apo momenteve të ndryshme të historisë së tij. Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur që tani kemi në tryezë ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje – trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike, morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë.
Ne kemi menduar se tani që Greqia ka disa dhjetëvjeçarë që është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, do ta ketë zbutur sadopak dozën e nacionalizmit dogmatik agresiv, të paktën në fushën e historiografisë, e cila e ka karakterizuar në të kaluarën. Duke kaluar nëpër duar këtë punim me veshje tipografike dinjitoze, botuar në pragun e shekullit XXI, po shohim me keqardhje të thellë se historiografia greke e ditëve tona në vend që të bëjë hapa përpara drejt objektivizmit, racionalizmit, iluminizmit shkencor, qëndron e gozhduar pas dogmatizmit të sëmurë, nacionalizmit të mbrapshtë dhe politizimit të skajshëm të historisë. Kjo dobësi vihet re në trajtimin e të gjitha epokave, periudhave dhe temave të historisë së Epirit.
Natyrisht është e pamundur që në një shkrim të shkurtër të vihen në dukje të gjitha shkeljet që përmban ky vëllim në fushën e faktologjisë dhe të metodologjisë shkencore të historisë së Epirit. Për këtë arsye, do të ndalemi vetëm në dobësitë kryesore, për të cilat nuk mund të heshtim. Këtë radhë do të përqendrohemi te dobësitë që të vrasin sytë kur lexon kapitujt e historisë së lashtë të Epirit. Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre. Heshtja e tyre nuk ia heq të drejtën çdo qytetari të interesuar për ndriçimin e historisë së Shqipërisë, që të thotë fjalën e vet.
Prirja nacionaliste në trajtimin e historisë nuk është e re te qarqet politike dhe shoqërore greke. Dihet se nga pikëpamja politike Greqia e re lindi në vitin 1821. Në atë kohë, qarqet politike, shoqërore, intelektuale helene kur shteti grek ishte ende në shpërgej ishin ushqyer nga dy mëndesha ideologjike – nga kultura racionaliste, iluministe, demokratike e Greqisë antike dhe nga kultura dogmatike, nacionaliste, teokratike e Perandorisë Bizantine. Dihet se këto dy faktorë të fuqishëm kulturorë nuk pajtoheshin midis tyre, për arsye se njëra ishte në thelb pagane, liberale dhe demokratike, kurse tjetra ishte kristiane dogmatike dhe perandorake. Në këtë ballafaqim të dyja ideologjitë kishin të përbashkët vetëm gjuhën greqishte. Përkundrazi, nga periudha historike ato qëndronin me shekuj larg njëra-tjetrës. Vetëkuptohet se presionin më të fuqishëm në brezat që ndërmorën revolucionin grek e ushtruan për shkak të afërsisë kohore, komponentët e ideologjisë bizantine. Përkundrazi, komponentët e ideologjisë klasike ishin një kujtim i largët, pothuajse të panjohura nga brezat që ndërmorën revolucionin çlirimtar grek. Megjithatë, nga bota klasike greke kultura bizantine përvetësoi vetëm poemën e Homerit mbi luftën e Trojës. Poema homerike u bë në një farë shkalle Ungjilli i dytë pedagogjik, i cili u mësonte brezave grekë se atë që nuk mund ta fitonin me trimëri, mund ta realizonin nëpërmjet Kalit të Trojës me dredhi. Dredhinë si komponent të identitetit grek e ka përjetësuar që në shekullin I p.e.s. poeti i madh romak Virgjili në poemën e tij të pavdekshme “Eneida” (II, 49) me vargun me të cilin prifti trojan Laokont i porosiste bashkëqytetarët e tij që të mos e pranonin si dhuratë kalin grek: “Timeo danaos et dona ferentes” (Trembem nga greku, edhe kur të jep dhuratë).
Qarqeve politike të Greqisë së re u pëlqeu përkëdhelia e Katerinës së Madhe, caresha ruse e shekullit XVIII, e cila preferonte që në Bosfor të sundonte më mirë kamillafi i patrikut ortodoks sesa turbani i sulltanit islamik. Me fjalë të tjera, ajo i nxiste grekët e rinj të rimëkëmbnin Perandorinë Bizantine me kryeqytet Kostandinopojën mesjetare dhe jo me Athinën e Perikliut. Natyrisht që kjo nxitje ndikoi shumë në aspiratat që patën shtetarët e Greqisë së re.
Por ëndrra e mëkëmbjes së Bizantit mesjetar, siç dihet dështoi. Madje, historia e shtetit të ri grek është historia e dështimeve të njëpasnjëshme. Stambollin e humbi përgjithmonë. Nga Azia e Vogël hoqi dorë e turpëruar nga disfata ushtarake. Thrakën lindore nuk e përfshiu dot. Edhe Maqedoninë veriore kaq të lakmuar prej saj nuk e shtiu dot në dorë. Gjithashtu në aneksimin e Qipros dështoi. Në Epir siguroi vetëm shkëputjen e gjysmës së saj jugore. Megjithatë, lakmitë që ka Athina nuk janë shuar. Ajo ka nevojë të domosdoshme për një fitore. Për fitore ka më tepër se kurdoherë nevojë tani që është e mbytur në borxhe. E vetmja shpresë për të korrur fitore i kanë mbetur – një fitore morale me Maqedoninë për ta detyruar të ndryshojë emrin dhe një fitore territoriale me Shqipërinë për të shkëputur prej saj autonominë e “Vorio-Epirit”.
***
Si argument për të shkëputur autonominë e “Vorio-Epirit”, ajo përpiqet të argumentojë pa prova bindëse se Epiri historik, ku, sipas saj, bëjnë pjesë qarqet e sotme të Gjirokastrës dhe të Korçës, ka qenë që në agimin e historisë dhe vazhdon të jetë edhe sot tokë greke. Për këtë qëllim, ajo ka venë dhe vazhdon të verë në lëvizje armatën e historianëve të saj. Artileria më e fundit që ajo ka vënë në veprim në këtë mes është monografia e përmendur e Akademisë së Athinës, botuar më 1997.
Monografia e përmendur e Akademisë së Athinës ka përsa i përket historisë antike të Epirit, një veçori të cilën nuk e kemi ndeshur më parë. Historianët grekë, kurdoherë krenarë për të kaluarën e tyre të lashtë, kanë preferuar që historinë e tyre “zyrtare” ta shkruajnë ata vetë. Kjo sepse, sipas tyre, historianët jo grekë nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe ta realizojnë këndvështrimin se historia e helenizmit është thelbi i historisë së Greqisë. Këtë radhë puna ka ndryshuar. Historinë e helenizmit parahistorik, protohistorik dhe klasik në monografinë e përmendur akademike e ka shkruar një historian anglez – Nicholas G.L.Hammond, në atë kohë profesor në Universitetin e Bristolit, Angli dhe njëkohësisht profesor honorar në Universitetin e Janinës, Greqi. Vetëm pasi i lexon kapitujt të cilët trajtojnë qytetërimin helenik në Epir, mëson arsyen përse kolektivi i historianëve grekë ka preferuar t’ia besojë profesorit britanik pjesën e parë të vëllimit. Nga mënyra se si ai e ka trajtuar historinë e lashtë të Epirit, N.G.L. Hammond ua ka tejkaluar grekëve në vlerësimin apollogjetik të helenizmit në Epir.
Ne e kemi njohur nga afër Hammondin, gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri më 1972. Nuk e patëm të vështirë të bindeshim se ai nuk e fshihte mospërfilljen ndaj historisë shqiptare të së kaluarës dhe të së tashmes. Ai kërkonte me ngulm të gjente me çdo kusht çdo thërrmijë të kulturës greke në Shqipëri dhe nuk pranonte të merrte në konsideratë asnjë gjurmë kulturore ilire, edhe kur këto objekte qenë me shumicë. Kur ne i sugjeronim të shihte objektet ilire të ekspozuara në muzetë tona, ai përgjigjej: “Nuk më interesojnë objektet ilire, më interesojnë vetëm gjurmët helene”. Edhe pyetjes sonë se si mund të vlerësohet një gjurmë e veçuar greke në morinë e objekteve ilire, të zbuluara në të njëjtin vend, ai përsëri përgjigjej: “Unë nuk merrem me objektet ilire, unë merrem vetëm me kulturën greke”. Kjo mospërfillje ndaj kulturës ilire bie në sy gjatë gjithë paragrafëve që kanë dalë nga pena e tij.
Le ta trajtojmë më nga afër historinë e Epirit të lashtë.
*
Gjurmët më të hershme arkeologjike të jetës njerëzore në truallin e sotëm të Greqisë dhe Shqipërisë të ndriçuara deri tani na çojnë në fundin e Paleolitit të mesëm, më saktë në fundin e të ashtuquajturës periudhë musteriane. Në historiografinë botërore mbisundon pikëpamja se për mijëra vjet me radhë banorët e kësaj periudhe qenë fise baritore shtegtare, të cilat lëviznin në kërkim të kullotave për tufat e tyre. Edhe gjatë Paleolitit të vonë në këto treva vazhduan të banonin fise baritore shtegtare. Përderisa ishin fise shtegtare, për përkatësinë e tyre etnike as që mund të bëhet fjalë.
Puna ndryshoi në periudhën e Neolitit, kur fiset shtegtare në sajë të bujqësisë u shndërruan në popullata sedentare pavarësisht se krahas tyre vazhduan të ekzistonin fise shtegtare stinore. Në fund të periudhës së Neolitit kur shoqëria njerëzore arriti pjekurinë e saj, fillon afërsisht 6000 vjet më parë edhe historia e qytetërimit në trevën e Epirit. Se cilët qenë këta banorë të hershëm të Epirit, çfarë gjuhe flisnin dhe cila ishte përkatësia e tyre etnike nuk mund të thuhet me siguri. Ata duket se bënin pjesë në grupin e madh të popullatave të cilat në mijëvjeçarin e fundit të Neolitit banonin në brigjet veriore të detit Mesdhe.
(Vijon)

Loading...

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button