Kryegjyshi bektashi: Feja e shqiptarit është shqiptaria, nuk kemi probleme ndërfetare

Intervistë me Kryegjyshin Botëror të bektashinjve Baba Mondin dhënë gazetës “Illyria”. Baba Mondi flet mbi punën për bashkimin e komuniteteve të Ekrem Bardhës, çështjen e pronave, pranimin e regjistrimit dhe vullnetin për të respektuar Zotin, vlerat dhe të drejtat e njeriut

Loading...

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Baba Mondi, fillimisht u falenderoj për kohën që gjetët për të biseduar me gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan. Dua të di se çfarë mendimi keni për angazhimin e shqiptaro-amerikanëve për bektashizimin, përfshi në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara.

-Kryegjysh Mondi: “Gjithmonë shqiptarët kudo që kanë qenë kanë dhënë ndihmesë për komunitetet fetare, sidomos Kryegjyshatën Botërore, por kanë dhënë edhe për komunitetet e tjera, ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aq sa dimë ne, Baba Rexhepi dhe ata që kanë shërbyer si klerikë ortodoksë, katolikë dhe myslimanë kanë pasur unitet të jashtëzakonshëm midis njeri-tjetrit, duke e mbajtur popullin shqiptar të bashkuar dhe jo të përçarë. Diaspora ka dhënë gjithmonë ndihmesën e saj si për problemet fetare ashtu edhe për problemet kombëtare. Këtu vlen të përmendet veçantë ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe gjatë viteve të tranzicionit. Plus, që ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme për Kosovën, e cila u çlirua dhe është një shtet më vete si të gjithë shtetet e tjerë. Pavarësisht me problemet që ka, ajo do të ecë në bazë të të gjithë rregullave ndërkombëtarë dhe botërorë”.

-A jeni të kënaqur nga përkushtimi i besimtarëve, sidmos pas përurimit më 30 shtator të bustit të Baba Reshatit? A vëreni më shumë afrimitet të besimtarëve me Kryegjyshatën?

-Kryegjysh Mondi: “Megjithë ato probleme që ka kombi ynë në këto çaste, edhe bektashinjtë janë brenda këtij kombi. Por, janë probleme të ekzistencës së tyre, ekonomike dhe jo shpirtërore. Kombit tonë asnjëherë nuk i ka munguar mbështetja shpirtërore dhe e ka pasur gjithmonë në shkallë të lartë. Pikërisht për këtë mbështetje shpirtërore që i ka dhënë komuniteteve, kanë përballuar të gjitha vështirësitë dhe e kanë çarë rrugën e historisë. Dje (më 30 shtator), kuptohet që besimtarët, populli erdhi që në orët e para, kanë bërë ziarete, kanë bërë kurbane të ndryshëm, janë lutur për mirësi dhe për paqe për veten e tyre dhe pastaj për të gjithë popullin”.

-Ju jeni zgjedhur Kryegjysh dhe jeni uruar nga komunitetet fetarë. A keni gjetur ngrohtësi në këto urime dhe cila ka qenë mungesa që keni vërejtur?

-Kryegjysh Mondi: “Jo vetëm komunitetet fetarë, por edhe qeveria dhe Trupi Diplomatik direkt pas zgjedhjes në datën 11 dhe komunitetet fetarë brenda datës 15 kanë dërguar të gjithë urimet për zgjedhjen në këtë post të shenjtë dhe këtë detyrë të vështirë. Po ashtu dhe kryeministri i Shqipërisë, ministra dhe parti politike, vëllezër të tjerë dhe besimtarë nga e gjithë bota. Kanë ardhur urime dhe na kanë falenderuar nga Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Turqia, Amerika e largët, Egjipti, që kjo zgjedhje u bë në mënyrë demokratike dhe brenda rregullave kanonike që kanë bektashinjtë”.

-A keni kontakte, takime me përfaqësues të komunitetev fetarë në Shqipëri? Më saktë, a bisedoni për shqetësime që mund t’i keni të përbashkëta?

-Kryegjysh Mondi: “Këtë problem e kemi diskutuar shumë herë. Baba Reshati kur ka qenë gjallë krijoi Këshillin Ndërfetar në Shqipëri, pra kishte rolin kryesor. Këto komunitete kanë sqaruar probleme të ndryshme, kanë pasur debate të ndryshme për problemet që i kanë shqetësuar. Besoj se tani do të vazhdojë edhe me ardhjen time. Do të bëhet një mbledhje e veçantë me rizgjedhjen time, që të shikojmë edhe njëherë, të diskutojmë se ku e kanë lënë punën ata që ta vazhdojmë për të ardhmen”.

-Në Shqipëri filloi regjistrimi i popullatës me të quajturin “census” ku përfshihet vetëdeklarimi fetar dhe etnik. Besoni se ky proces regjistrimi mund të jetë problematik në evidentimin e komuniteteve, anëtarëve, besimtarëve? Aq më shumë që kjo mund të jetë e drejtë e vetë komuniteteve për të shpallur besimtarët e tyre.

-Kryegjysh Mondi: “Me thënë të vërtetën, ne si komunitete fetarë jetojmë në një shtet dhe zbatojmë ligjet e shtetit. Shteti, sipas besimit bektashian është vullneti i Zotit në tokë. Zoti nuk vret, Zoti bën vetëm gjëra të mira. Por, njerëzit bëjnë të këqia. Atëherë, Zoti ka vendosur shtetin që mban dhe është rregullator mes komuniteteve fetarë dhe etnive të ndryshme. kështu që kjo nuk ka ndonjë problem. Edhe po pati ndonjë gjë që nuk është e vërtetë, do të dalë, sepse e vërteta nuk mund të fshihet asnjëherë. Kështu që besoj se me ndihmën e Zotit edhe qeveria nuk ka interes që të ketë përplasje mes komuniteteve në Shqipëri. Falenderoj shtetin që e mori këtë iniciativë që të dalë e vërteta në shesh. Se, kështu nuk merret vesh se çfarë është e çfarë s’është, kush mburret dhe kush shan, pra nuk është e mirë. Kështu që, njëherë e mirë të vendoset edhe regjistrimi i popullsisë dhe regjistrimi i komuniteteve fetare, që gjithsecili ta di se sa përqind zë në këtë shtet demokratik”.

-Pra, besoni se regjistrimi do të zërë një vend të rëndësishëm në evidentimin e besimtarëve, anëtarëve apo personave që mund të jenë besimtarë, por që nuk e praktikojnë shpesh besimin?

-Kryegjysh Mondi: “Është e drejtë e njeriut. Njeriu është i lirë përpara Zotit dhe përpara ligjit. Çdo njeri do të veprojë sipas ligjit. Dhe, Zoti na ka lënë të lirë. Edhe ne do të shprehim atë që ndjejmë. Do të ketë probleme të vogla, do të ketë, sepse çdo gjë “nuk shkon vaj” asnjëherë, në asnjë vend të botës. Do të ketë përplasje, do të ketë mosmarrëveshje, do të ketë keqkuptime, por këto avash-avash do të sqarohen. Besoj se do të realizohet një ëndërr e shqiptarëve siç ka qenë përpara”.

-Unë rrjedh nga një familje me baba ortodoks dhe nënë bektashije. Shumë familje në Shqipëri kanë ndërtim të tillë. Nëse këto do të jenë me elementë më të theksuar të besimit, si mund të zgjidhet, përfshi edhe çështjen e regjistrimit?

-Kryegjysh Mondi: “Regjistrimi do të bëhet se s’bën njëherë! Po edhe këto, tani njerëzit janë të detyruar ta deklarojnë besimin e tyre. Komunitetet fetarë në Shqipëri nuk kanë pasur acarime të tilla, a je ortodoks, a je bektashi. Secili ka shprehur vullnetin e tij të lirë. Kemi krijuar martesa, siç e thatë edhe ju vetë, edhe ortodoksë, edhe katolikë, edhe bektashi, edhe myslimanë. Kjo nuk do të prishë punë fare për mendimin tim, sepse toleranca e popullit shqiptar ka qenë e mrekullueshme dhe “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

-Çështja e pronave mbetet shumë serioze në marrëdhëniet mes komuniteteve fetarë dhe shtetit dhe në tërësi në Shqipëri. Kryegjyshata a ka probleme pronësore që mund t’i pengojnë ose ndikojnë sadopak punën e saj?

-Kryegjysh Mondi: “Prona me thënë të vërtetën është një problem që duhet të ishte zgjidhur me kohë. Megjithatë, probleme të tilla që të kalosh nga një sistem komunist në një sistem demokratik e të kalosh pa prpobleme, nuk mund të besohej dhe do të ketë pasur dhe do të ketë (probleme të tilla). Megjithatë, ne i kemi evidentuar të gjitha pronat ku janë në Shqipëri dhe këtë ia kemi bërë të qartë vetë shtetit shqiptar, i cili me mënyrat që ka zgjedhur vetë ligji ose kthim ose kompensim në parà, ose kompensim në pronë, ose me aksione nesër, pasnesër kur të bëhet privatizimi meqë ka dalë edhe ligji i kompensimit, privatizimit, mund të kompensohen dhe të plotësohen disa dëshira që kanë komunitetet. Në të vërtetë, nëse shteti do të kishte qenë më dashamirës ndaj komuniteteve fetarë dhe t’ua kishte dhënë pronën, edhe Shqipëria do të ishte më ndryshe. Megjithatë falenderojmë Zotin që të kemi shëndetin dhe të gjitha rregullohen”.

-Gjatë qëndrimeve tuaja në Shtetet e Bashkuara keni pasur veprimtari të ndryshme. Cilat janë mbresat që keni?

-Kryegjysh Mondi: “Për herë të parë në SHBA kam shkuar si i ftuar i Departamentit amerikan të Shtetit, për 21 ditë, për të bërë disa takime dhe vizita në shtete të ndryshme amerikane, për diversitetin e mendimit fetar, në vitin 2004. Unë si zëvendës i Dede Reshat Bardhit (pasi i mora leje atij dhe ma dha këtë të drejtë, pavarësisht se ata e kishin caktuar personin), shkuam në Memfis, Uashington, Nju Jork, Ohajo dhe Santa Fe. Pashë që shteti amerikan ishte shtet demokratik, ku çdo njeri është i lirë dhe plotëson dëshirat e tij pa shkelur ligjet e shtetit. Demokracia ka ligje kudo. Plus, shqiptarët, pjesa më e madhe ishin forcuar, ishin mëkëmbur dhe shteti amerikan ua kishte dhënë të drejtat. Unë isha në ditën e Festës së Hashures dhe ata atje ishin shumë të kënaqur që punonin me djersën e tyre, edukonin fëmijët e tyre dhe brezin e ardhshëm”.

-Në një kohë ju keni shërbyer për shqiptarët në shtetin maqedonas. Keni pasur probleme me objektet e kultit, me shërbesat. Po sulmet ndaj teqeve dhe si janë punët tani?

-Kryegjysh Mondi: “Bektashizmi në Maqedoni, pas ardhjes së demokracisë ka filluar. Ka pasur edhe më parë, por ajo ka qenë në mënyrë sekrete nëpër familje dhe jo nëpër teqe. Pas vitit 90 u bë e mundur që të rihapet teqja e parë bektashiane në Maqedoni, ajo e Arabatit Baba. Edhe atje është hapur me grevë, jo me dëshirën e shtetit maqedonas, por u mbështet nga partitë politike deri sa u bë regjistrimi i komunitetit në Maqedoni në vitin 2000. Pas vitit 2000 ndodhi lufta në Maqedoni. Pas luftës kishte një vakuum dhe komuniteti sunit pushtoi teqen e Arabatit të Babës, duke ditur që ajo ka prona të mëdha.

Atje veprojnë edhe grupet vehabiste, grupet ekstreme, siç e dini edhe ju.

Kjo nuk është luftë që bëhet ndërmjet komuniteteve, por është luftë që bëhet për të marrë pronën e teqesë dhe shteti maqedonas gjithnjë ka qenë sehirxhi, gjoja sikur janë probleme të brendshme të shqiptarëve.

Ne që jemi të dëmtuar, nuk kemi marrë sulme për të luftuar atje, por kemi pritur gjithmonë me durim me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komunitetit Europian, si dhe ambasadave që si faktor ndërkombëtar aty kanë qenë pro të drejtave të bektashinjve, të drejtave të pakicave, të drejtave të njeriut. Pra, disa të drejta i janë shkelur këtij komuniteti.

Në vitin 2010 ata erdhën ta merrnin teqenë gjoja për mbledhje dhe për ta rrëmbyer. Atë nuk e realizuan dot. Zoti na nderoi dhe nuk ndodhi kjo. Ne e menaxhuam shumë mirë bashkë me besimtarët që duan dhe na respektojnë në Maqedoni. Plus u dogj teqja, në 12 dhjetor, ditën që ne lexonim hadikanë, suedavë, vuajtjen që kanë kaluar profetët dhe shenjtorët e bektashijve dhe atë ditë ishte helmimi i Imam Hysenit. Ata e hodhën në vendin ku rrija unë, afër dritares, duke menduar se atje ishin dokumentat, për t’i zhdukur dokumentat. Por, ne i kishim hequr dokumentat pasi kishim marrë sinjale nga faktori ndërkombëtar në Maqedoni, sidomos nga ambasadorja e Holandës, e cila dy javë përpara, pasi ndodhi ai incidenti i parë që u thashë, na tha që duhet të zhduknim çdo gjë dhe ne i zhdukëm. Zoti me Madhërinë e vet dhe besimtarët që ishin në atë moment, e fikëm dhe dolëm me sukses. Edhe sot e kësaj dite shteti maqedonas nuk ka vënë dorë mbi këtë komunitet dhe as mbi këtë objekti kulti 500 vjeçar dhe tregon historinë e popullit tonë, por edhe historinë e Maqedonisë vetë. Kur u dogj një manastir, Bigorski që i thonë ata, qeveria e Maqedonisë u shpërngul e gjitha dhe dha miliona euro, kurse këtu asnjë 5 lekësh. Dhe, unë sot po punoj me besimtarët për ta riparuar me besimtarët dhe për ta mirëmbajtur atë që është djegur dhe atë që është kalbur. Teqeja është djegur dy herë, një herë në 1993 është djegur tyrbja, kurse në 2010 është djegur teqeja. Kështu që, megjithë besimtarët, pavarësisht se janë të persekutuar, për arsye se po të kesh biznes, ata nuk marrin asgjë te ty. Shteti nuk vë dorë, nuk e di se çfarë interesash ka. Plus, që veprojnë siç e dini edhe grupet vehabiste dhe grupet ekstreme.

Problemi është që edhe këtu bektashinjtë nuk janë të lirë të festojnë dhe të manifestojnë. Ka qenë (më 30 shtator) edhe vizita e (Rexhep Taip) Erdoanit (kryeministri i Turqisë). Para vizitës së Erdoanit janë djegur fotografitë e Dede Reshatit dhe janë grisur edhe të Imam Hysenit. Ne ja kemi treguar edhe Erdoanit, i cili ka ardhur te Bashkësia Islame për t’u falur në xhami. Ajo nuk është xhami, por është Mejdani i Elerelëve. Dervishi që ka qenë atje (sepse unë nuk munda pasi isha në përurimin e bustit të Baba Reshatit), i ka treguar historinë dhe ka bërë debat të rëndë me ata për shkelje të kushteve dhe të besimit tonë”.

-Unë po vërej se ju keni një lloj shqetësimi nga rritja e ndikimit pak më shumë po i themi në thonjëza “islamik”?

-Kryegjysh Mondi: “Bashkësia Islame ka disa komunitete. Ka komunitete sunitë, ka tarikate ka edhe shiit. Këtu komuniteti shiit përfaqësohet nga bektashinjtë. Tarikatet e tjera, halveti, rufai, kadri, taxhami, naishibendi, mevledi, bajrami mbështeten nga komuniteti sunit. Por, nuk është problemi fetar. Thashë që është problemi pronësor. Prandaj e mbrojmë me këmbëngulje dhe e kemi çuar çështjen në Strasburg dhe presim që të marrin masa ndaj shtetit maqedonas. Plus kësaj, kemi çuar të gjithë dokumentacionin për regjistrimin e komunitetit dhe ata kanë dy vjet që sorrollaten me kërkesën tonë”.

-Cilat janë marrëdhëniet me komunitetet tuaja në vendet e tjera, kryesisht me Iranin, me Sirinë, në Irak e gjetkë? A keni kontakte?

-Kryegjysh Mondi: “Jo, jo, për asrye se kur ishte Perandoria Osmane, lidhjet, marrëdhëniet ishin më të qarta dhe më të drejta, të drejtpërdrejta. Ishte Perandori. Mirëpo, pas luftërave ballkanike ato u ndanë në shumë shtete dhe ne po mundohemi të krijojmë lidhjet e tyre. Një pjesë i kemi krijuar, siç është Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Rumani, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Serbia dhe Turqia. Pra, kemi marrëdhënie jo fetare, por shkëmbejmë marrëdhënie njerëzore, për arsye se akoma në shtetet ku janë ata, komunitetet bektashianë nuk kanë të drejta, pra i kanë marrë të drejtat tona. Po kështu edhe në Iran, në Irak, Taxhikistan, Turkmenistan, Pakistan, Indi, Kinë, Japoni dhe Egjipt. Në Egjipt teqja jonë është e NASA-s, është repart ushtarak. Ne presim tani që me regjistrimin e komuniteti bektashian në Unionin Europian… Unë isha para një jave atje dhe bisedova me ta për regjistrimin e Kryegjyshatës Botërore si qendër botërore, siç janë Karitasi, Gjysëm Hëna e Kuqe, Kryqi i Kuq. Ata na pritën me dashamirësi. Plus, që të bëhet regjistrimi edhe në Kombet e Bashkuara ku kemi futur avokatë me ndihmën e zotit Ekrem Bardha, i cili po punon shumë për bashkimin e komuniteteve tona në të gjithë vendet e botës, pra ka luajtur një faktor të rëndësishëm. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë maksimimunin për të drejtat tona kudo që janë”.

-Baba Mondi, faleminderit për bisedën!

-Kryegjysh Mondi: “Ejvallah! U paça me jetë! Zoti na plotësoftë dëshirat të gjithëve”!

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button