NJË HARTË ETNOGRAFIKE DHE CENSUSI SHQIPTAR

Pozita politike e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon duhet

konsideruar si e rrezikuar. Është ky shkaku që individë, parti e institucione joqeveritare kanë reaguar negativisht, në fillim ndaj pyetësorit të censusit, e në vijim, mënyrës së ushtrimit. Një lolo i oborrit, që mbahet si mbartës i lavdisë së kombit, tërë këto kohë është përpjekur t’u thotë shqiptarëve se gjërat në procesin e regjistrimit do shkojnë në favor të tyre, por fuqia që udhëheq gënjeshtrat qëndron te dobësia e njerëzve. Dhe ja ku ajo u shfaq në formën e saj më të ndyrë. Pothuajse në tërësi, fshati Shëngjergj, me banorë me përkatësi myslimane, deklarohen grekë?!

Loading...

Anëtarësimi ynë në NATO, e më pas, festat idiote të organizuara me këtë rast, u përpoqën të bindin shqiptarët se me këtë anëtarësim, tashmë rreziku nga fqinjët nuk ekziston më. Festa dhe propaganda nuk shërbeu për të gënjyer kërkënd, se njerëzit me mend në kokë e dinë se kjo nuk e pengon aspak synimin shekullor grek, në orvatjet e tij për helenizimin e Jugut shqiptar. Greqia dhe grekët, me politikën e pareshtur nacionaliste, agresive e të sëmurë ndaj fqinjëve, gjithnjë ka treguar dhëmbët ndaj shqiptarëve, por, sidomos kur e ka parë të dobët, si tani. Ndërsa ekonomia e financat e tyre rënkojnë sot nën kërcënimin e peshës së falimentit prej borxheve, të ndjella e sërëndërtuara nga mashtrimet e tyre, kjo nuk i ka penguar të shumëfishojnë veprimet, për shtrirjen e helenizmit në troje të banuara prej mijëra vjetësh nga një racë tjetër, nga shqiptarët. Pasi hapën shkolla greke në tërë Jugun shqiptar, ndërtuan varreza të ushtarëve të rënë, ngritën kryqe ortodokse e obeliske martirësh, dhanë “pensione” për “homogjenët” dhe uzurpuan të gjithë strukturën dhe hierarkinë e kishës së ashtuquajtur “Autoqefale” e të gjitha këto, nën kujdesin e miratimin e qeverive shqiptare, censusin e kanë menduar si momentin e tyre. Filohelenistët, duke shfrytëzuar shkollat, kishën, agjentët, tregtarët dhe plogështinë shqiptare, mediokritetin e elitës politike, janë hedhur në ofensivë.

A ka pasur ndonjëherë mëdyshje në këto dyqind vjetët e fundit apo ndonjë paqartësi mbi shtrirjen e popullatave? Asnjëherë, deri në fillim të këtij shekulli, kohë kur “i sëmuri i Bosforit”, nuk u dilte dot më në mbrojtje popujve nën pushtim. Nga kjo kohë filluan edhe pretendimet greke. U shfaq në propagandën e programet e Megalloidhesë, sikur Epiri ishte grek, ndërkohë kur si Epiri i Vjetër, ashtu dhe Epiri i Ri i mesjetës së hershme, diheshin se ishin troje të banuara nga shqiptarët dhe vetë ata, para këtij emërtimi quheshin epirotë e maqedonë. Dëshmi e kësaj janë tërë enciklopeditë europiane të periudhave para shek. XX.

Një nga mjetet më shprehëse, që shfaqin të vërtetën e pakundërshtueshme, janë hartat etnografike. Një të tillë po e sjell si provë në këtë shkrim, jo vetëm ndaj grekofonëve e grekomanëve, por dhe për vetë shqiptarët që t’u ripërtërij kujtesën ndaj së vërtetës.

Në foto shfaqet CARTE ETHNOGRAPHIQUE DE LA TURQUIE D’EUROPE – ET DES ETATS VASSAUX AUTONOMES PAR G.LEJAN. Balkans ethnic 1861.

Harta etnografike e vitit 1861, stampuar në Paris, një nga orvatjet më të hershme të hartografisë për etnitë, pasqyron shtrirjen e pozicionimin e popullsive në Ballkan, rrjedhë e tërë regjistrimeve të bëra nga administrata e Perandorisë Otomane. Në legjendë përshkruhet:
Me ngjyrë të verdhë, territore të banuara nga shqiptarët.
Me ngjyrë të kaltër, territore të banuara nga grekët.
Me ngjyrë të kuqe, territore të banuara nga turqit.
Me ngjyrë të gjelbër, territore të banuara nga bullgarët.
Me ngjyrë të blertë të çelët, territore të banuara nga serbët.
Me ngjyrë violë të errët, territore të banuara nga vllehët.

* * *

Që popullsia në troje e territore, çka Greqisë i pëlqen t’i quajë “Vorio Epir”, ka qenë në tërësi shqipfolëse, e racës shqiptare, e tregojnë mjaft qartë dokumentet që pushtuesi turk i të dy kombeve, shqiptarëve e grekëve, ka lënë, me skrupulozitetin që përshkojnë perandoritë, në shekullin XIX, kohë kur ende të dyja kombet e vjetra në gadishull vuanin robërinë. Vetëm një pjesë greke e kish fituar pavarësinë, madje banorët e Kretës, rrezikoheshin të myslimanizoheshin në shumicë. Harta e përzgjedhur i përket një kohe të ndërmjetme, kur pjesë të Greqisë e kishin fituar pavarësinë.

Ndërsa popullata shqipfolëse e emigruar në Jugun e Gadishullit Apenin dhe Sicili, është shpjeguar nga historianët me mangësitë e saj të humbura në errësirën mesjetare, me pushtimin turk në shekullin XIV, prania e popullatës shqipfolëse në Greqi, mbizotëruese në territore si Poleponezi Lindor, More, Atikë, ishullin e Eubesë, Hidra, Beoti dhe Epir, është dhënë gjithnjë qartazi si e pranishme. Ambrakia kurdoherë është dhënë shqiptare. Historianët tanë, në tërësi, gjithë kohën nën ndikimin e historiografisë herë sllave e herë greke, këto popullata shqipfolëse, mbizotëruese në territore të gjëra të Greqisë së sotme, i paraqesin si shpërthime demografike të shqiptarëve në ekspansion, diku, thonë ata, nga shekujt XII-XIV (?!). Deri më sot, askush nuk ka qenë në gjendje të japë si provë, qoftë edhe një kronikë të vetme bizantine, se kur ka ndodhur ky i ashtuquajtur “shpërthim”, ndërkohë kur një tërësi të dhënash topografike e legjendash folklorike flasin në të mirën e argumentit se ata, shqiptarët, në ato troje vijnë pareshtur si ngulmime nga lashtësia. Kronisti bizantin, Kalkondylas përshkruan sundimin e shqiptarëve në Atikë, por nuk bën fjalë gjëkundi për “shpërthimin demografik” të Arvanitasve. “Dyndjet” e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII e XIV, gjithmonë janë parë me skepticizëm, më tepër si një krijesë e historiografisë greke.

Shihni hartën turke të vitit 1861. Shihet qartazi se shqiptarët popullojnë në mënyrë zotëruese territoret që shtrihen deri në gjirin e Artës. 95 për qind e krahinës së Epirit të sotëm është e banuar nga shqiptarë (Libri Blu-Angli, Lord E. Fitzmaurice-1880); 96 për qind e Çamërisë është shqiptare. Ata formonin një popullsi kompakte, homogjene, me një pakicë midis tyre, deri në 5 për qind, si grekë, turq e vllehë. Këtë situatë kishte gjetur edhe Bajroni, në fillim të shekullit XIX, kur hodhi te “Çajld Haroldi” vargjet “…këtu shqiptari ecën kryelartë/ Greku dëgjohet duke pëshpëritur”. 80 vjet më vonë, nga Konica, nëpërmjet veprës “Shqipëria: kopësht shkëmbor i Europës Juglindore”, na vjen e dhëna se popullsia shqiptare në krahinën e Çamërisë ka zbritur në 80 për qind, si pasojë e ushtrimit të gjenocidit shfarosës në vitet 1913-1914, si dhe deportimit të shqiptarëve në Turqi, rrjedhë e abuzimit interpretues të Traktatit të Lozanës, për shkëmbimin e ndërsjellë mes Turqisë e Greqisë. Kishte filluar kështu shpopullimi i trojeve shqiptare që kulmoi me përdorimin e akteve më barbare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shfarosjen e përndjekjen nëpërmjet gjenocidit të popullatës shqipfolëse. E megjithatë, ende në këtë periudhë ajo, popullsia shqiptare në Epir përshkruhet nga etnografë të shquar, si “E fortë dhe solide…e banuar thuajse veçse nga shqiptarë – Antonio Baldacci, Itineraret Shqiptare-1917”. Të vrarët ishin me mijëra. Sa kohë harrojmë e nuk nderojmë të rënët për kombin, s’jemi në gjendje, s’jemi të aftë dhe s’duam të ringremë në piedestalin e rrëzuar, mes të tjerësh edhe gjeneral Telinin, i vrarë nga grekët në mbrojtje të kufijve shqiptarë, ne do ndodhemi nën mëshirën e grekëve. Një moment është tani, me censusin.

* * *

Me pushtimin e Janinës, më 1431, nga ushtria osmane, administrata turke, sapo vendosi sundimin, pasi e studioi, për vendosjen e sistemit të taksave, krahinën e klasifikoi si pjesë të Arnautistanit (Shqipërisë). Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve dhe të fshatrave dhe emrat e atyre vendeve në aktet zyrtare, dolën në formën e tyre shqipe dhe jo greke. Turqit e hershëm ishin të saktë deri në skrupulozitet, për sa i takon emërtimit të vendeve dhe parapëlqenin kurdoherë trajtat popullore origjinale. Ata përfshinë në Perandorinë e tyre Osmane, Arnautllëkun, emërtimi turk për Shqipërinë dhe arnautët ose shqiptarët. Ashtu si në viset e reja të pushtuara, edhe aty krijuan sistemin e tyre feudal dhe vendosën metodën e qeverisjes. Një numër i caktuar feudesh përbënin një sanxhak, që qeverisej nga një sanxhakbej. Sanxhakët e Janinës, të Nikopojës e të Ohrit, regjistrat administrativë të vitit 1534 i kanë të regjistruar në Arnautllëk. Vetëm në vitin kur është botuar kjo hartë, 1861, këta sanxhakë u kthyen në Vilajete.

Shqyrtimi i statistikave, deri-diku aty nga praglufta e Dytë Botërore, edhe po të merren të mirëqena ashtu si i kanë përpiluar ato fqinjët tanë, përsëri tregojnë zotërimin e madh natyror të elementit shqiptar. Po tani, a ka ndonjë statistikë greke që të pohojë diku me shifra se ka aq e kaq alvanë apo arvanitas (shqiptarë) në Greqi!? A kanë bërë grekët ndonjë regjistrim, ku t’u jepet mundësia edhe shqiptarëve të flasin, të pohojnë në Pargë e Paramithi, në Prevezë, Kostur e Follorinë, në Filat e Paramithi, qofshin dhe pleq të trembur, ashtu siç u ka qëlluar të ndodhen disa herë nën kamerat e “Top Channel”-it (bëhet fjalë jo për emigrantë por për shqiptarë autoktonë)? Nuk jam i sigurt, por duke u nisur nga fakti se Kushtetuta greke nuk njeh kombësi e fe të tjera, them se nuk ka gjasa që ketë në statistikat e tyre të regjistruar me kombësi shqiptare. Në këto rrethana, kur i vetmi shtet në Europë, ku ende kisha është e pandarë nga shteti, si guxojnë helenistët e rinj dhe diplomatët me xhup të kërkojnë që censusi i tashëm në Shqipëri, domosdo të evidentojë sasinë e ortodoksëve shqiptarë? Qëllimi duket haptazi. Më pas ata do t’i shfaqë në statistika si popullsi greke, në vazhdë të parimit fanariot, i cili, kur braktisi besimin te Zoti dhe fundosi veten, duke marrë mbi vete përgjegjësinë si mbrojtëse e idealit nacionalist grek, njësoi kombësinë me besimin; nxiti fanariotët që të vinin helenizmin dhe bashkimin me Greqinë mbi pavarësinë e shqiptarëve ortodoksë nga Turqia. Nga ajo kohë, kjo skotë fanatike, nacionaliste dhe e sëmurë, asgjë nuk ka ndërruar në sjellje. Përveç klerit grek, i cili ka qenë gjithnjë një prej kundërshtarëve të përbetuar të shqiptarëve dhe të ideve të tyre kombëtare, ata, në këto vite të vështira për shqiptarët, shfrytëzuan e shfrytëzojnë pozitën e tyre ekonomike, plogështinë e shqiptarëve, qenien në përgjithësi të tyre pa ndërgjegje fetare e kombëtare të spikatur.

Shqiptarët ortodoksë, kohë më parë, do shfaqnin habi kur të dëgjonin parimin e fanatikëve tanë jugorë, se “çdo besnik i Kishës së Lindjes, pa marrë parasysh kombësinë e tij, është grek”, por jo tani, kur ky parim mbështetet e shoqërohet me shpërblime e “pensione”.

* * *

Gadishulli, i njohur në zanafillën e tij civile si “Hemus”, i quajtur në periudhën e pushtimit romak “Ilirik” dhe pas pushtimit turk, “Ballkan”, ka humbur në natën e epokave prehistorike arsyen se pse turqit u ndodhën në këto toka europiane. “Grekët që, sipas tyre, ndodheshin të kërcënuar nga shqiptarët – thotë Mid’hat Frashëri – thirrën në ndihmë turqit”. Dhe ata qëndruan 500 vjet. Hartën etnografike turke të vitit 1861, nuk bëjmë keq ta ilustrojmë me dëshmitë statistikore të bashkëkohësit të saj, konsullit helenik në Shkodër (1876-1881), Epaminondas Mavromatis, i cili ka publikuar studimin e tij në gazetën “Akropolis” të Athinës (Mitteilungen, 1884, vol. 30). Ka qenë një grekofil i thekur, por para të vërtetave, i është dashur të pohojë:

“Shqipëria përfshin pesë krahina: 1. Shqipëria e Jugut që shtrihet deri në Pargë…”.

Në shekullin XIX kanë dalë e qarkulluar një mori hartash etnografike. Pa asnjë përjashtim, ato shfaqin dukshëm zotërimin e elementit shqiptar, deri në gjirin e Artës. Kush është i dhënë pas hartografisë, është i lirë dhe i lutur të kërkojë, të gjejë e të shohë të vërtetën se si u shfaros popullata shqiptare nga Jugu i saj, i quajtur Epir. Sa herë Turqia humbte ndonjë luftë me Rusinë, në tavolinat e bisedimeve hidheshin kërkesat greke e serbe, për tokat shqiptare. Dhe i morën. Nga 93 mijë km² ngelën vetëm 28 mijë. Shumë nga këto harta janë bërë nga filogrekë e filobullgarë e asnjë filoshqiptarë. Ja! Vëreni hartën e Costantin Noe, rumun, në veprën “Les Koutzovalaques-1913”, ku duket qartë se shqiptarët shtrihen deri në gjirin e Artës. Më tej, shikoni hartën etnografike të Carl Sax, konsull austro—hungarez, “Buletin i Shoqërisë Perandorake-Wien 1877”, ku duket qartazi se Janina, Manastiri dhe bregu jonian, deri në Artë, banohen në shumicë nga shqiptarë; gjeni dhe shikoni hartën etnografike të vitit 1876 të hartografit gjerman, H. Kiepert, i cili, megjithëse filogrek, nuk guxon të mos japë bregdetin jonian tërësisht shqiptar, deri në Artë; shikoni hartën etnografike të Mirkoviçit, e botuar në Moskë, më 1867-n. Autori rus, pansllavist i deklaruar, detyrohet t’i shënojë shqiptarët në hartën e tij dhe në lindje të Kosturit.

Rezistenca e dëshpëruar e shqiptarëve në Ambraki, Epir, Çamëri, u thye dhe gjaku i mijëra dëshmorëve humbi, sepse, ndërsa Serbia e Mali i Zi ishin të përkëdhelurit sllavo-ortodoksë të Rusisë, Greqia e krishterë kishte në përkrahje të saj Francën e Anglinë. Shqiptarët e islamizuar në 70 për qind të tyre, kishin armikun e madh nga pas, Turqinë, e cila na la në prag të pavarësisë me më pak se 200 kilometra rrugë kalldrëmi për karroca, me vetëm një urë druri në Bahçallëk, pa asnjë godinë administrative dhe pa miq. Austro-Hungaria dhe Italia, prej të cilave morëm dhuratën pavarësi, e bënin këtë mbështetje se nuk donin të shihnin një bregdet Jonian e Adriatik në dorë të serbëve e grekëve. Po, kishte dhe një armik tjetër, jo më të vogël, “…400 priftërinj ortodoksë – thotë në kujtimet e tij Mehdi Frashëri – agjentë vullnetarë të Jakovit në 1913-n, zukatnin si arza për të helmuar myslimanët e Shqipërisë së Mesme”. Askush deri më sot nuk ka mundur të shpjegojë në mënyrë bindëse misterin e madh që mbulon shkakun se pse shqiptarët, një nga popujt e parë me rrënjë të krishterë, u myslimanizuan thellësisht, shkak që i la ata pa miq: shndërrimi me forcë apo trysnia e lartë sociale mbi shqiptarët si hakmarrje për rezistencën skënderbejane; përçarja e brendshme fetare apo urrejtja ndaj ortodoksisë greke; paganizmi apo karakteri dekadent i krishterimit; të qenit e shqiptarëve materialistë të mëdhenj apo natyra luftarake e liridashëse në konflikt me kufizimet e krishtera? Një gjë është e vërtetë. Të qenit në shumicë myslimanë, na la të vetmuar, pa miq, na la në mëshirën e fqinjëve. Kjo e vërtetë e shoqëron ende Shqipërinë në rrugën e saj dhe zgjon ëndrrën, gënjen dhe shtyn ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutogllunë, të thërrasë kohërat e otomanëve të rinj.

Dhe rrodhën vite. Ndryshimet vazhdojnë në dëm të Shqipërisë. Pronat e gjirokastritëve, të delvinjotëve dhe përgjithësisht të Shqipërisë së Jugut të shpallura prona shtetërore nga komunizmi, jua dhanë minoritarëve grekë, atyre që nuk kanë pasur pronë dhe që kanë punuar si punëtorë me mëditje në tokat e pronarëve të ligjshëm shqiptarë, veprime që i shërbyen për greqizimin më tej të Shqipërisë së Jugut. Këtë të keqe të madhe e solli ligji antikombëtar 7501, me të cilin tokat stërgjyshore të familjeve shqiptare iu dhanë grekut. Mes tyre hyj dhe unë, që nuk kam në pronësi asnjë copë tokë stërgjyshore. Dhe Shqipëria fillon pikërisht nga kjo copë toke private, që baba e gjyshi e kanë pasur e që mua e shumë të tjerëve na mungojnë.  Nga Bajram Peçi

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button