Shqiptarët jetojnë ende si në rrethim

Shirley Cloyes DioGuardi

Fjalimi i Shirley Cloyes DioGuardi me rastin e pranimit të çmimit “Shqiponjë Lirie 2011” dhënë nga Shtëpia Shqiptaro-Amerikane e Lirisë

Loading...

Sonte unë dua të përqendroj komentet e mia në rënien e komunizmit në Shqipëri, në vitin 1992 dhe ato që kanë ndodhur në njëzet vitet e fundit. Para së gjithash, ne kurrë nuk duhet të harrojmë udhëtimin historik të ish-kongresistit Joe DioGuardi dhe kongresistit Tom Lantos në Tiranë në vitin 1990, si zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri në më se pesëdhjetë vite. Mbërritja e tyre pas rënies së murit të Berlinit, dhe thirrja e tyre për pasardhësin e diktatorit Enver Hoxha, Ramiz Alia, për të demokratizuar Shqipërinë, ndihmoi në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Vitin para se DioGuardi dhe Lantos arritën në Tiranë, gjermanët kishin shënuar rënien e komunizmit, duke rrënuar murin që ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor. Një vit pas vizitës së tyre, shqiptarët do të fillojnë të shkatërrojnë simbolin e tyre kombëtar të tiranisë: qindra e mijëra bunkerë betoni që mbulonin peizazhin e Shqipërisë, për ndërtimin e të cilëve Hoxha kishte detyruar popullsinë shqiptare, për t’i bërë ballë gjoja kërcënimit të një pushtimi nga SHBA. Më e rëndësishme nga të gjitha, shqiptarët e etur për demokraci do të lirojnë mijëra të burgosur politikë që mbaheshin në kampe pune dhe burgje në të gjithë vendin.

Shumë prej jush e kujtojnë dëshminë time të parë para Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, që u dha në korrik të 1996-s, para Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, që kryesohej atëherë nga kongresisti Ben Gilman dhe bashkëkryesohej nga udhëheqësi i lartë atëhershëm minoritar Tom Lantos. Unë e mirëprita mundësinë që të flas në emër të një kombi që kishte duruar regjimin komunist më brutal e shtypës në Europë për dyzetepesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore – i vetmi në një nivel me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Bazuar në njohuritë e mia të Holokaustit nazist, unë i dija rreziqet e të qëndruarit në heshtje. Dhe kështu unë mirëprita mundësinë për të dëshmuar për trajtimin barbar që shqiptarët kishin vuajtur nën Enver Hoxhën dhe për të përshëndetur transformimin e një vendi nga një “burg pa mure”, në një demokraci në zhvillim – të gjitha në hapësirën e katër vjetëve dhe pothuajse pa gjakderdhje.

Duke vizituar Shqipërinë me Joe në vitin 1995, unë kam parë fytyrën e Shqipërisë së re, dhe doja të isha e sigurt se qeveria e SHBA-ve nuk do të nxitonte në gjykim, duke izoluar Shqipërinë për shkak të parregullsive në zgjedhjen e dytë të Presidentit Sali Berisha në maj 1996. (Ashtu siç do t’iu kujtohet atyre që morën pjesë në këtë seancë, Nicholas Gage i Federatës Panepirotic dhe anëtarët e tjerë të lobit grek ishin bashkuar me komunistët shqiptarë për të lobuar në Kongresin amerikan kundër qeverisë “Berisha” dhe për të mbajtur seancën e korrikut 1996). Në dëshminë time, kërkova të tërheq vëmendjen drejt detyrimit që Shtetet e Bashkuara dhe Europa kishin për të mbështetur Shqipërinë postkomuniste, meqë për dyzetepesë vjet Perëndimi kishte bërë shumë pak për të ndaluar totalitarizmin e regjimit të Hoxhës apo edhe për të folur kundër ideologjisë së tij të mbrapshtë.

Ky dëgjim ishte transformues, sepse unë mendoj se ne mund të pranojmë me të drejtë se Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane bindi qeverinë e SHBA-ve për të mos vendosur Shqipërinë nën sanksione ekonomike dhe që t’i bëjë trysni aleatëve të saj europianë për të mos lejuar Shqipërinë që të përjashtohet nga Këshilli i Europës.

Si pasojë, njëzet vjet më vonë, unë pikëllohem kur mendoj për realitetin se Shqipëria është një demokraci vetëm në emër. Pa dyshim, ajo kurrë nuk është kthyer në realitetin tmerrues të epokës së Hoxhës, në të cilat mijëra civilë të pafajshëm u konsideruan armiq të shtetit dhe u ekzekutuan ose u burgosën në kampe pune dhe burgje. Megjithatë, që nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka qenë e ngujuar në një luftë për pushtet midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste – luftë që ka lënë qytetarët të mundur. Pa dyshim, Perëndimi mund të kritikohet për shikimin në anën tjetër për sa kohë që Shqipëria bënte në Ballkan atë që kërkohej prej saj. Por, në fund, është elita politike shqiptare që është përgjegjëse për dështimin e saj për ta demokratizuar me të vërtetë Shqipërinë – që është përgjegjëse për korrupsionin masiv, mungesën e sundimit të ligjit, mungesën e shtypit të lirë dhe të varfërimit ekonomik të shumicës.

Partia Demokratike ka deklaruar gjithmonë etiketën antikomuniste dhe diaspora e ka ndihmuar për ta mbështetur atë imazh. Për një kohë, PDSH ishte fytyra e vërtetë e antikomunizmit në Shqipëri. Por, veçanërisht në vitet e fundit, është bërë e qartë se ka pak ndryshim midis partive Demokratike dhe Socialiste, të cilat të dyja kanë pasuruar veten e tyre në kurriz të popullit. Në janar 2011, zemërimi publik arriti në kulm, kur një demonstratë në Tiranë u bë e dhunshme, duke lënë 4 të vdekur dhe 39 të plagosur. Edhe pse kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë forcë lëvizëse kryesore pas demonstratës, turma e më shumë se 20.000 erdhën nga të gjitha partitë politike dhe sferat e jetës për të protestuar kundër korrupsionit të pandëshkuar në mesin e elitës politike dhe një ekonomi që po përkeqësohet gjithnjë. Berisha dhe Rama janë në një rrugë pa krye, zgjedhjet lokale të këtij viti ishin me plot parregullsi, pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka ngecur dhe qytetarët shqiptarë janë duke shfaqur një mentalitet rrethimi dhe nuk mund të shohin rrugën përpara.

Kur kam botuar një artikull në lidhje me këtë gjendje të mjerueshme në “Ballkan Insight” më 3 shkurt të këtij viti, me titull “Shqiptarët qëndrojnë në një udhëkryq të rrezikshëm”, unë thashë se “Shqipëria ende drejtohet nga zyrtarë ish-komunistë” (dhe kjo përfshin zyrtarë të PD-së), dhe “se patronazhi dhe kontrolli i sektorëve të biznesit dhe medias nga të dyja palët e bën shumë të vështirë për të sapoardhurit të hyjnë në politikë”. Unë shtova që të dyja palët ndjekin “modelin e politikës konfrontuese, të pa parimeve dhe të pa vlerave, e cila ka prishur përparimin dhe unitetin kombëtar, që kur diktatura komuniste ra në vitin 1992”. Dhe unë argumentova se ishte “e domosdoshme që politikanët e korruptuar të sotit të zëvendësohen nga një bllok i ri politik të mbledhur rreth vlerave demokratike dhe të përgatitur për të udhëhequr Shqipërinë në një të ardhme të frytshme me pjesën tjetër të Europës”. Unë theksova se një brez i ri që dëshiron të bëjë ndryshime është duke u penguar për të shprehur pikëpamjet e tyre për të ardhmen e tyre.

Së fundi, unë e këshillova Perëndimin që të ndalet së përpjekuri për të ruajtur stabilitetin me çdo çmim, por në vend të kësaj “të mbështesë etjen e popullatës shqiptare për demokraci të vërtetë dhe qëndrueshmëri ekonomike”.

Unë jam e pikëlluar për të raportuar se, përderisa shumë shqiptarë këtu dhe jashtë vendit vlerësuan lart artikullin tim, ishte hera e parë që kam marrë “e-mail-e urrejtjeje” në numër të madh dhe ato erdhën kryesisht nga përkrahësit e Partisë Demokratike në diasporë, edhe pse unë duhet të ngutem të shtoj, jo nga shqiptaro-amerikanët të cilët kishin duruar burgjet e Hoxhës.

Gushtin e fundit, Dimitar Bechev, shefi i zyrës së Sofjes, Bullgari, të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë, shkroi një artikull të mprehtë me titull “Vdekja e stërzgjatur e Shqipërisë demokratike”. Në të, ai tha se Berisha dhe Rama “së bashku, kanë bërë më shumë që të shkatërrojnë përparimin e vendit të tyre se çdo udhëheqës të tjetër postkomunist në Evropë”; se Kryeministri Berisha “duhet të marrë pjesën më të madhe të fajit me koncentrimin e fuqisë në rritje të tij në veten e tij dhe partinë e tij”, dhe që njerëzit e Shqipërisë, kanë “duruar vështirësitë si asnjë tjetër në bllokun komunist”, por posedojnë” një energji sipërmarrëse që është shpesh më amerikane sesa evropiane” në të vërtetë “meritojnë më mirë se sa kanë ofruar udhëheqësit e tyre që manipulojnë votat”. Bechev i bëri thirrje Evropës “për të marrë një qëndrim më të pakompromis me Tiranën se sa ka bërë deri tani”.

Ndërkohë, unë mendoj se ne në diasporë duhet të marrim një qëndrim më kritik dhe me nuanca ndaj mjedisit politik në Shqipëri, dhe ia kemi borxh për të bërë këtë të gjithë atyre që vuajtën dhe vdiqën nën komunizëm në Shqipëri. Unë kam ardhur në përfundim, në muajt e fundit, se gabimi më i madh në Shqipërinë postkomuniste ishte se kriminelët e kohës së Hoxhës nuk u sollën në gjyq dhe se vendi nuk krijoi një komision të së vërtetës dhe pajtimit. Shumë u pëlqen të harrojnë se Sali Berisha ishte mjek i Enver Hoxhës, dhe nuk ka dyshim se ai donte të shmangte çdo shqyrtim publik të jetës së tij nën regjimin. Deri në këtë ditë, Kryeministri Berisha nuk ka hapur të gjitha arkivat komuniste për shqyrtim kombëtar. Unë mendoj se kjo duhet të ndryshojë.

Varrosja e së kaluarës komuniste shqiptare nuk ka sjellë as drejtësi e as shërim tek ata që pësuan. Nëse ndonjë gjë, ajo ka vazhduar vuajtjet e tyre. Kjo më kujton të mbijetuarit hebrenj të Holokaustit, të cilët u detyruan të vuajnë në heshtje për vite me radhë, deri sa Izraeli kërkoi të zbulojë plotësisht trashëgiminë traumatike të nazizmit dhe të shokojë ndërgjegjen e botës, duke filluar me kapjen dhe gjykimin në vitin 1961 të Adolf Eichmann, një nga arkitektët kryesorë të planit të Hitlerit për të shfarosur çifutët europianë. Në Shqipëri, unë besoj se ne kemi nevojë për të filluar procesin e shërimit të dhimbjes të së kaluarës (një të kaluare që është shumë e gjallë sot) me marrjen nga qeveria shqiptare të raporteve sa më të plota që të jetë e mundur të kohës së Hoxhës. Emrat e të përndjekurve, burgosurve dhe të ekzekutuarve nga regjimi Hoxha duhet të lirohen para opinionit publik shqiptar dhe para komunitetit ndërkombëtar.

Autori: Pjesë nga fjalimi i mbajtur me rastin e pranimit të çmimit “Shqiponjë Lirie 2011”, dhënë nga Shtëpia Shqiptaro-Amerikane e Lirisë. Titulli është i redaksisë

Një nga kënaqësitë e madhe të jetës sime ndodhi këtë vit, kur kam marrë informacion në lidhje me një nga burgjet më famëkeqe të Enver Hoxhës, burgu në Spaç. Kjo më solli përsëri aty ku unë fillova në vitin 1996, por me vetëdije të ripërtërirë se llogaridhënia ndaj një vendi të shkatërruar në fund duhet të bëhet. Në proces, unë u njoftova me Pellumb Lamaj, i cili mbijetoi torturat, punën e vështirë, dhe burgosjen në Spaç për njëmbëdhjetë vjet. Që kur zoti Lamaj erdhi në Shtetet e Bashkuara, ai është përpjekur për të sjellë këtë burg në vëmendjen e botës në të mënyra të ndryshme. Unë dua të përfundoj duke lexuar një poemë që ai shkroi gjatë javës së tij të parë të burgosjes, të titulluar “Qeli Burgu”:

Qelia

Brenda katër muresh
Rrethuar nga terri
Zvarritem pa reshtur
S’po di nga lind dielli

Brenda katër muresh
Shtangur nga vetmia
Hijet me rrethojnë
Nxinë e tere qelia

Brenda katër muresh
Kruspull nga te ftohtit
Pres te vije mesnata
T’i drejtohem Zotit

Brenda katër muresh
Dhe pse natë e thellë
Me kot pres unë Zotin
Ai është ne qiell…. 

Spaç, 1979

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button