Shqiptarët në Maqedoni, 20 vjet në kërkim të nënshtetësisë

Festimet për 20-vjetorin në shesh

Nga Shkupi, Arlinda Gjypi

Loading...

Në kokë mban një shami e cila në momentin kur flet, i zgjidhet, dhe ajo e lë ashtu, pa u munduar ta vërë sërish siç ishte. Lotët në sy tregojnë dhimbjen e vet, ndërsa thotë se nëse do ta kishim njohur dy vjet më parë, kohë në të cilën i vdiq i shoqi, do të kuptonim se ishte shumë ndryshe. Shaminë nuk e kishte mbajtur gjithë jetën, por e kishte vënë pas vdekjes së tij, e detyruar. Nxjerrja e aparatit sjell edhe reagimin e saj të menjëhershëm. Lidh shaminë rrotull fytyrës dhe e alarmuar shprehet: Jo foto! Nëse ata më shohin, s’do të ma japin kurrë nënshtetësinë!

Nexhmija është vetëm një nga femrat shqiptare të martuara me shtetas maqedonas së cilës nuk i jepet nënshtetësia. 54-vjeçarja, që vuajtjet e viteve të fundit e kanë plakur para kohe, thotë se vetëm para gjashtë muajsh arriti të marrë nënshtetësinë maqedonase për të bijat, pavarësisht se i shoqi ishte me nënshtetësi maqedonase. E martuar ligjërisht më 1992-shin, ajo duhet ta kishte ajo duhet ta kishte marrë automatikisht nënshtetësinë pas tre vitesh martese, por pas 19 vjetësh Nexhmija mbetet ende një e huaj për shtetin fqinj. E me këtë logjikë ajo nuk mund të rrijë më shumë se 60 ditë në 6 muaj në Maqedoni. Në rast se do ta shkelë këtë afat, ajo do të gjobitet me shuma që shkojnë 300-400 euro e që duhen paguar shumë shpesh.

Porta dhe statuja e Aleksandrit të Madh

“Jam nga Shkodra, – rrëfen Nexhmija. – U martova në vitin 1991 dhe me burrin shkuam në Kroaci, sepse ai kishte një biznes atje. Në vitin 1997 u zhvendosëm në Vrapçishtë të Gostivarit, por qëndronim aty vetëm sezonalisht, pasi ktheheshim sërish në Kroaci ku kishim edhe punë. Në këtë kohë mora edhe nënshtetësinë kroate. Atje linda edhe dy vajzat. Por dy vjet më parë më vdiq bashkëshorti dhe u detyrova të rrija në shtëpinë që kishim nisur të ndërtonim këtu në Maqedoni. Por nga shteti nuk më jepet nënshtetësia. Nxjerrin shumë probleme për të mos e dhënë. Një nga kriteret është të di gjuhën maqedonase në mënyrë të përkryer. Tani madje duhet të iki në Shqipëri, të bëj pasaportën dhe të kthehem sërish këtu. Unë nuk njihem dhe s’kam asnjë të drejtë si shtetase e këtij vendi”, thotë ajo.
Në ambasadën shqiptare në Maqedoni bëjnë të ditur se kanë dy vjet që Nexhmijen e konsiderojnë si pjesë të tyre. Ata tashmë e dinë gjithë historinë e jetës së saj dhe jo rrallë i janë ofruar për ta ndihmuar edhe financiarisht.

Nexhmija është person i jashtëligjshëm në Maqedoni. Mungesa e nënshtetësisë i shkakton shumë probleme. Një prej tyre ishte edhe me djemtë e bashkëshortit nga martesa e parë të cilët e çuan në gjyq pas vdekjes së burrit, duke pretenduar se ajo nuk ishte grua e ligjshme.

Por Nexhmija nuk është e vetmja. Mësojmë se ka raste të ngjashme ku gra me mbi 15 vjet martesë e me fëmijë vijojnë të paguajnë për rinovimet e lejeve të qëndrimit çdo gjashtë muaj për shkak se shteti maqedonas nuk iu siguron nënshtetësinë. Çdo person që takon mund të të tregojë të tilla histori jete.

Përkujtimorja e Nënë Terezës

Mërgimi është një tjetër rast. 22 vjeç, me prindër shqiptarë, i ati i lindur në Shkup, asnjë prej familjes së tij nuk e ka nënshtetësinë maqedonase. Çfarë mund të konsiderohet absurde është se gjyshërit dhe xhaxhallarët e tij e kanë këtë nënshtetësi, ndërsa ata jo. “Kemi marrë pasaportë kosovare”, thotë Mërgimi. “Dhe pastaj na kanë dhënë një mjet identifikimi që duhet ta rinovoj një herë në vit. Madje në një rast ma dhanë lejen e qëndrimit vetëm dyjavore dhe humba edhe kursin e patentës sepse më skadoi leja”. Çdo rinovim i lejes së familjes me pesë anëtarë nënkupton pagesën prej 500 eurosh. I pyetur se pse nuk ia japin nënshtetësinëm, ai tregon se të atit i kishin kërkuar të deklarohej me kombësi serbe nëse donte që të regjistronte të bijtë dhe pasi nuk kishte pranuar, ia kishin mohuar.

Ndërkohë sipas ligjit, në krye të tre viteve martesë me një shtetas maqedonas, një person fiton automatikisht nënshtetësinë. Dhe pas pesë vjetësh qëndrim në Maqedoni një i huaj fiton nënshtetësinë. Por në rastin e atyre me kombësi shqiptare, kjo është e vështirë të pranohet. Në ambasadën shqiptare në Shkup jepet një shifër prej rreth 20 000 personash të cilët janë pa nënshtetësi maqedonase dhe janë të gjithë me kombësi shqiptare.

E për aq sa mund të konsiderohet si diçka kalimtare një gjë e tillë, kjo nënkupton që një shqiptar në Maqedoni nuk mund të marrë një certifikatë, nuk mund të regjistrohet në shkollë fillore, të mesme apo të lartë, nuk mund të futet në një punë, nuk mund të jetojë gjatë në këtë vend ku ka lindur dhe që jo rrallë i duhet të zgjedhë të largohet duke u konsideruar i huaj. Një mënyrë shumë e mirë për të pasur sa më pak shqiptarë në këtë vend. Lidhur me pyetjen se ç’bëjnë shqiptarët që janë pjesë e qeverisë për të ndryshuar këtë gjendje, shkupjanët përgjigjen shumë thjesht: “Janë shumë të zënë për të shpenzuar paratë e tyre”.

Artan Grubi

Shkupi 2014? Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur
Artan Grubi është bërë i njohur sidomos pas vitit 2006 si drejtues i lëvizjes civile qytetare shqiptare në Maqedoni “Zgjohu”. Në një bisedë për “Shekullin”, Grubi shprehet për 20 vitet e pavarësisë dhe ç’ka ndodhur me shqiptarët në këto vite dhe projektin “Shkupi 2014”.
20 vjet pavarësi të Maqedonisë. Si do t’i cilësoni për shqiptarët?
Të pabarabartë. Do ta nisja me kompromisin shqiptar me shtetin e ri maqedonas. Një kompromis që nisi me faktin se do të bashkëjetonin me këtë shtet në këmbim të të drejtave të barabarta në momentin që ai u nda nga ish-Jugosllavia.
Cilët janë drejtuesit e sotëm të qeverisë maqedonase?
Janë të njëjtët që në vitin 1997, kur ministrja e atëhershme dha urdhër që në fakultetin pedagogjik të mësonin shqip ata që do të jepnin mësim në shkolla shqipe, dolën në protesta me moton “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”. Janë pikërisht shumë prej tyre që dikur studentë, sot janë drejtues të VMRO-DPMNE-së. Është një parti e cila që kur ka ardhur në pushtet, po bën çdo gjë për të treguar se Maqedonia u përket maqedonasve, dhe jo edhe shqiptarëve, siç e ka Kushtetuta dhe që po bën çdo gjë për të ndryshuar historinë.
E si mund ta ndryshojë historinë?
Duke vepruar siç është vepruar në Ohër, në Manastir, në vendet ku ka pasur popullsi shqiptare dhe që tashmë është pothuajse në zhdukje. Për shembull, projekti për të ndërtuar një kishë ortodokse në shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës, apo ndërtimi i një tjetër kishe në kalanë ilire. Madje, brenda kësaj kalaje është ndërtuar një tjetër mur i stilit bizantin për t’i dhënë asaj një tjetër identitet duke e shndërruar nga ilire në bizantine; duke mos u dhënë shqiptarëve të këtushëm nënshtetësi (janë 20-30 mijë të tillë). Të kujtojmë se këta njerëz që janë sot në pushtet, janë po ata që ishin kundër shqiptarëve. Madje edhe gjithë projekti “Shkupi 2014” i ndihmon kësaj.
Në ç’mënyrë?
Duke shtuar elemente që s’janë të tyre dhe duke zhdukur gjithë simbolet fetare nga sheshi. Tani po përpiqen të përvetësojnë edhe Skënderbeun siç bënë me nënë Terezën. Mendoj se është kriza e identitetit që i shtyn të bëjnë të tilla marrëzira. Këtu gjithçka është çështje shifrash dhe si e tillë, me të luhet.
Lidhur me shifrat, në tetor është regjistrimi i popullsisë…
Pikërisht. Sipas regjistrimeve të tanishme ne jemi në shifrat 25% dhe duhet të kemi arritur diku 30% për shkak edhe të lindshmërisë. Por kam frikë se po përgatitet një prapaskenë. Përshtypje e imja e krijuar nga ndjekja prej vitesh e mënyrës se si veprohet. P.sh, para ca kohësh u miratua ligji mbi stimulimin e natalitetit. U pa se ligji vlente vetëm për maqedonasit. Ne e çuam në kushtetuese duke bërë që tani shuma e parave për lindje, të jepet edhe për shqiptarët. Por ndërkohë ka edhe mënyra të tjera që ushtrojnë presione, me idenë që t’i largojnë shqiptarët sa më shumë nga Shkupi dhe Kumanova, duke mos u dhënë alternativa për të jetuar e duke i dëshpëruar deri në largim.

A ka shumë dallime mes pjesës maqedonase e shqiptare?
Patjetër. Dallojnë investimet mes pjesës maqedonase dhe shqiptare, në të cilën në fakt nuk ka investime. Në 20 vjet ka diferencime në infrastrukturë, punësime, administratë e shqiptarëve, në të drejtat në arsim, të drejtën për simbolet kombëtare shqiptare. Është vështirë për një shqiptar të punësohet, për të mos thënë që s’ka mundësi.
A ju ka ndihmuar politika shqiptare në Shqipëri?
Vetëm në rast se ia kemi kërkuar. Dhe unë mendoj se politika në Shqipëri duhet të jetë më aktive. Të mos u kërkojë kombasve të vet pesë vjet qëndrim për të marrë nënshtetësinë. T’i lehtësojë procedurat, siç bëjnë edhe vetë maqedonasit me shtetasit e tyre jashtë. Dhe pastaj të ndryshojë kodin zgjedhor, të lejojë që shqiptarët jashtë Shipërisë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Normalisht këta përfaqësues do të kenë të drejta të kufizuara dhe nuk do të prekin anën buxhetore, sepse nuk janë kontribues, por do të punojnë për shqiptarët që janë jashtë dhe do të jenë një zë. Ne nuk duam të tjetërsohemi, por të jemi të fortë.

Festimet, Gruevski përuron “Luftëtarin me kalë”

Dallimi mes pjesës shqiptare dhe asaj maqedonase në Shkup nuk është i vështirë. E para gjë që të bie në sy është pikërisht pastërtia dhe infrastruktura. Pjesa shqiptare është ende e ashtuquajtura “Çarshia e vjetër”, ndërsa atë maqedonase mund ta quash pa frikë “Shkupi 2014”. Veç pastërtisë, gjallërisë, investimet duket se kanë marrë jetë dhe është në tentativë për t’u kthyer tërësisht në një pasqyrë të jetës evropiane. Statuja të ndryshme janë ngritur në të gjithë sheshin (në një vështrim të parë të dytë e të tretë duket se janë pa kuptim). Gjigant në të qëndron “Luftëtari me kale” (për aq sa ironik mund të duket një term i tillë, është pikërisht ky emri zyrtar që i është vënë statujës së Aleksandrit të Madh e që zyrtarisht nuk përmendet si i tillë, por që sigurisht shteti maqedonas nuk do të kishte investuar kurrë miliona euro mbi një luftëtar pa emër). Rrotull tij janë të tjera statuja, ku më madhështorë duken të tjerë “kalorës” si dhe dy perëndi në fron.

Ndërkohë që përgatitjet për festën vijonin, në shesh e në të gjithë qytetin (sigurisht në pjesën maqedonase) vijonin edhe punimet për të përfunduar sa më shumë të ishte e mundur deri në datën 8. Dy netët paraprirëse ishin të mbushura plot me përgatitje, ndërsa muzika e provave nga sheshi vazhdoi deri në orët e vona të natës. Për datën 8 numri i gazetarëve maqedonas të udhëzuar se si do të veprohej shkonte mbi 40, ndërkohë që u përllogarit që çdo media do të kishte tre grupe në pikat kryesore ku do të zhvilloheshin ceremonitë me diferencë një orë njëra nga tjetra. Fjalimi i Gruevskit, në orën 21:00 të mbrëmjes para statujës të “Luftëtarit me kalë” zgjati rreth 40 minuta, ndërsa deri pas mesnate qeveria qëndroi para skenës së koncertit (të zhveshur nga xhaketat), por ku mungonin opozita dhe shqiptarët, duke e kthyer atë në një festë të VMRO-DPMNE-së.

“Nuk kemi ftuar personalitete të huaja, por të gjithë janë të mirëpritur të vijnë në këtë festë”, u shpreh për gazetën “Shekulli” zëdhënësi i kryeministrit, Martin Martineski pas takimit të mbajtur me gazetarët për festimet. E pikërisht kjo ftesë e munguar duket se është edhe një mënyrë për të shmangur përplasjet ndërkombëtare për atë që të gjithë maqedonasit e quajnë “Aleksandri i Madh”.

Zhduken simbolet shqiptare

Projekti “Shkupi 2014” ka zhdukur simbolet shqiptare nga sheshi i Shkupit. Dikur kryeqendra e Dardanisë, tashmë në qendër të këtij qyteti, pas “Luftëtarit me kale” (apo Burrit me Kalë do të thonin në Tiranë për ironi) qëndron vetëm një pllakatë e cila tregon se aty ka qenë shtëpia e lindjes e Nënë Terezës. Por edhe kjo nuk dëshmon asgjë. Pllakata është e shkruar në maqedonisht duke mos lënë asnjë shenjë shqip. Pretendimi se në mbi 100 statujat e ndërtuara nëpër Shkup janë edhe tre statuja shqiptare, në fakt duket më shumë si një tallje sesa si një fitore mbi projektin që po e maqedonizon Shkupin. Ato statuja nuk do të jenë në shesh por diku larg, më pak të rëndësishme se vazhda e statujave të “vajzave trendi” të vendosura në sheshin e qytetit. Ndërkohë, në të gjitha objektet e ndërtuara gjuha e përdorur në pllakata është maqedonisht dhe anglisht, teksa shqipja nuk figuron gjëkundi.

E megjithatë shqiptarët përbëjnë mbi 25% të popullsisë të një vendi që nuk po resht së ndërtuari. “Krizë identiteti” e cilësojnë të gjithë shqiptarët projektin e realizuar nga qeveria e Gruevskit, një projekt që duket se e ka rritur edhe më tej krenarinë e maqedonasve si pasardhës të Aleksandrit (për të cilën edhe ata vetë nuk janë të sigurt) dhe që po çon në përpjekje të tejskajshme për zhdukjen e simboleve shqiptare. Dhe deri më tani ia kanë arritur, ndërsa duket se shqiptarët janë “strukur” në pjesën e tyre të lënë me një mungesë arsimimi për shkak të mungesës së nënshtetësisë, me mungesë punësimi pasi askush nuk i punëson (edhe partia në pushtet përflitet se kërkon 5 000 euro për të punësuar një prej tyre), ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në qeveri duket se po bëjnë vetëm kompromise për të mbajtur pushtetin.

Dhe ndërsa mendon se është pikërisht faji i shqiptarëve që kanë lejuar “sprapsjen” e vet deri në këtë pikë, një statistikë tjetër më alarmante të jepet: janë mbi 2 000 shqiptarë që rezultojnë të regjistruar nëpër ministri si punonjës dhe që nuk shkojnë kurrë në punë. Madje as që guxojnë t’u afrohen atyre ministrive, pasi nuk lejohen. Shkupjanët të tregojnë se kanë njerëz që punojnë edhe në Kryeministri, por kur i pyet ç’punë bëjnë, shprehen se “për momentin nuk shkojnë”. Kështu, asnjëri prej tyre s’mund t’i bëjë dëm një shteti të ri që gjithnjë e më shumë po mundohet të zhdukë çdo gjurmë ilire.

“Sali Berisha gjobit me 1 000 euro maqedonasit”



Një javë më parë mediat maqedonase i kanë mëshuar shumë faktit se qeveria shqiptare ka përgatitur një ligj në të cilin do të gjobisë të gjithë shtetasit shqiptarë me kombësi maqedonase që e deklarojnë një gjë të tillë. Në një keqinterpretim të ligjit shqiptar për regjistrimin e popullsisë për gjobitjen e deklaruesve të rremë, në Maqedoni kjo është përdorur për të hapur panik. “Po ata që deklarohen grekë a do të gjobiten”, pyet një nga personat me të cilët flas. Shpjegimi se ligji shqiptar parashikon një gjobë për këdo që bën deklarim të rremë duket se është i pamjaftueshëm. Tashmë hapja e një prej gazetave më të mëdha se maqedonasit në Shqipëri diskriminohen me gjoba e ka bërë efektin e vet. Por mësojmë se të tilla shkrime nuk janë të rralla. Në Shkup është mbrojtur mendimi se minoriteti maqedonas në Shqipëri është i diskriminuar në maksimum, duke i dhënë vetes kështu të drejtë për të abuzuar me shqiptarët etnikë.

Femrat shqiptare

Në zonën e Çarshisë së Vjetër shumica zotëruese janë shqiptarë, ndërsa lokalet janë të shumta për shkak edhe të universitetit që ndodhet pranë. E megjithatë nëse ulesh në kafe, duhet të flasësh në anglisht. Kamerieret janë të gjitha maqedonase të cilat nuk flasin shqip (maqedonasit nuk kanë dëshirë ta mësojnë këtë gjuhë megjithëse ndeshen me shqiptarët përditë. Ndjenjë superioriteti, thonë vendasit). Dëshira për të pasur femra kameriere është, por fakti që shqiptaret nuk punojnë si të tilla (feja bën punën e vet) bën që edhe në këtë zonë të mbizotërojnë pikërisht maqedonaset.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button