73 DEPUTETË KUNDËR 92% TË SHQIPTARËVE

Denis Dedej / Luis Tanushi
Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar dje me 73 vota dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integrimit të mbetjeve, ndërsa pro tij votuan 59 deputetët e opozitës. Rreziku për të humbur këtë ligj kishte bërë që mazhoranca të dërgonte në sallën e Kuvendit të 74 deputetët e saj. Të vetmit përfaqësues që mungonin ishin ministrat Vasili dhe Haxhinasto, të cilët nuk janë deputetë dhe për pasojë nuk kanë të drejtë vote. Në fund të votimit rezultoi se një prej deputetëve të mazhorancës nuk kishte marrë pjesë në votim. Ndërsa opozita kishte gjashtë mungesa në seancën e djeshme. 59 deputetët e saj votuan sipas qëndrimit të grupit kundër ligjit që lejon importin e plehrave në Shqipëri.
Pas shtatë orësh debatesh midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, mazhoranca nuk është zmbrapsur nga qëndrimi i saj, duke miratuar në këtë mënyrë lejimin e importit të mbetjeve. Në seancën maratonë të ditës së djeshme, në të cilën folën 54 deputetë për çështjen e plehrave, pati dhe akuza nga më të ndryshmet, por edhe përplasje midis kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi.
Në fund të diskutimeve, në sallë mbërriti dhe kreu i qeverisë, i cili në emër të shumicës ka shprehur qëndrimin mbi këtë çështje shumë të diskutuar, duke akuzuar opozitën se ka interesa klienteliste për mosmiratimin e ligjit të plehrave. Ai solli në vëmendje se vetë socialistë kanë miratuar në vitin 2003, kur ishin në pushtet, një vendim që lejon importimin e 400 lloje mbetjesh. Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës akuzoi opozitën se po mban peng Shqipërinë përmes votave. “Çdo shqiptar që po ndjek në televizion punimet e parlamentit kupton qartë dhe përfundimisht se përveç partiçkës së plehut, prapa qëndrimit të krerëve të opozitës qëndrojnë interesat mafioze. A e dëgjuat se i gjithë problemi ishte se do vendoset vendimi i qeverisë si kusht për çdo import dhe këtë nuk e kanë nga urrejtja ndaj meje, jo, e kanë nga dashuria për plehrat që importojnë pa asnjë vendim, fitimet që nxjerrin përmes tyre nga klanet”,- deklaroi Berisha.
Pas këtyre akuzave, ka ardhur reagimi i kryetarit të grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili vlerësoi se në ligjëratën e kryeministrit vetëm një e vërtetë u tha, që u pranua se shqiptarët që na ndjekin me këtë debat e kuptojnë që qëndrojnë interesa. Kreu i qeverisë ka ndërhyrë në atë moment nga vendi, duke iu drejtuar zyrtarit socialist, pa mikrofon të ndezur, me fjalët: E kape.
“Por ata kuptojnë dhe një gjë tjetër dhe të pyesin ty, janë duke të ndjekur edhe tani. Mos u ngopsh, thonë ata, por edhe nga plehrat do që të fitosh. Së dyti, po mirë punët e tjera, që aq di dhe aq bën, thonë ata, por si mjek, si ka mundësi që e kthen në një tragjedi ekologjike këtë vend, si mjek, jo si kryeministër. Së treti, kur ke pasur të drejtë. Në 2004 që ke thënë, “importi i plehrave është një bombë ekologjike”, këtu në këtë tribunë që jam unë, apo sot”, – replikoi Ruçi. Duke iu referuar deklaratave të Berishës se PS ka miratuar në 2003 ligjin për hyrjen e 400 lloje mbetjesh, kryetari i grupit të PS-së solli në vëmendje se “si rezultat i debatit që është zhvilluar, qoftë edhe për atë ligj që është miratuar, PS anuloi marrëveshjen më një kompani të shtetit italian”. “Këtë kërkesë ka shoqëria civile. Anuloje! Mirato dekretin e presidentit”,- ishte apeli i fundit i zyrtarit të lartë socialist.

Loading...

Topalli verifikon kartat
Pas replikave kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hapi procedurat e votimit, e cila u kthye në një “gjueti” të kartave të deputetëve që mungonin. Kjo pasi kryeparlamentarja u kërkoi sekretarëve që të hiqnin të gjitha kartat e votimit dhe t’i gjenin ato se ku ndodheshin që deputetët të tjerë të mos votonin në emër të atyre që s’ndodheshin. Pas kontrollit të imtësishëm, në të cilën edhe Topalli jepte ndihmën e saj duke lexuar emrat e deputetëve socialistë që nuk ndodheshin aty, seanca ka vijuar me votimin e dekretit të Presidentit, i cili u rrëzua nga mazhoranca.

Deputetët që mungonin
Dritan Prifti
Rudina Seseri
Tom Doshi
Ditmir Bushati
Namik Dokle
Kastriot Islami
Artan Gaçe

Argumentet pse e ktheu Presidenti ligjin
1 –I tërë ligji përshkohet nga rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij procesi menaxhimi; por, parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”.
2 – Neni 2, pika 1 e ligjit përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse, neni 49 i ligjit, bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë, vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1.
3 – Neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve”. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve.

Akuza në Kuvend: Ligji i mbetjeve mbështetet nga mafia
Deputetët kanë akuzuar dje qeverinë se pas ligjit për plehrat qëndron mafia dhe paratë e saj të pista. Duke sulmuar nenin që lejon importin e plehrave nga jashtë vetëm përmes një VKM-je, deputetët kërkuan që të ndalohet miratimi i ligjit dhe të organizohet një referendum popullor për të kuptuar nëse populli shqiptar është dakord apo jo me importin e mbetjeve.

Blendi Klosi
“Ky ligj është për importimin e plehrave në Shqipëri. Po, po, është importim i plehrave dhe mos kërkoni t’i gjeni asnjë emër tjetër. Kërkohet që Shqipëria të bëhet depo e importimit të plehrave. Neni 49 i tij flet qartë se Shqipëria do bëhet vend i importimit dhe i depozitimit të plehrave. Ligji që ne kemi përpara, është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave, por hap vetëm dritaren për t’u futur plehra në Shqipëri. I gjithë ky ligj është një ligj klientelist, i cili bëhet vetëm për importimin e plehrave në një vend pranë BE-së, por shumë larg kontrollit që BE ofron për këto procedura. Ju sot thoni që ne do ta menaxhojmë, por kush do ta menaxhojë?! Dogana shqiptare?! Administrata publike shqiptare, kontrollorët shqiptarë?! Kush e kontrollon sot firmën në Elbasan që ditën e vë filtrin e natën e heq. Kush i kontrollon sot fabrikat e çimentos në Fushë Krujë, që ditën i vënë filtrat, natën i heqin. Kush i kontrollon sot plehrat që kanë mbuluar gjithë Shqipërinë. Ky ligj nuk flet asgjë për plehrat shqiptare, madje i mënjanon ato, pasi na vijnë ca plehra më të kultivuara nga jashtë. Por jo, zotërinj deputetë, nuk është se vjen lëndë e parë, siç thoni ju, apo mbetje. Vijnë plehra. Vijnë plehra zotëri. Gjoba më e vogël është nga 10 mijë dollarë, për ata mafiozë që kërkojnë të mbushin Shqipërinë me plehra, gjoba më e madhe është 20 mijë dollarë. Mos e votoni këtë ligj në emër të fëmijëve tuaj, në emër të prindërve tuaj, në emrin tonë, në emër të brezave që do të vijnë”.
Eduard Shalsi
“Si mund të lejosh importin e plehrave kur nuk ke provuar fillimisht dhe para se gjithash se di të menaxhosh mbetjet që ti si vend prodhon? U ezauruan plehrat e Shqipërisë që po kërkojmë të sjellim të tjera nga jashtë?
Ku janë politikat e qeverisë për nxitjen dhe stimulimin e industrive ricikluese vendase për të përpunuar mbetjet që prodhohen në territorin tonë? Si është e mundur që të risillni në parlament një ligj kaq shumë të kontestuar pa reflektuar dhe pa u menduar për pasojat që ky ligj sjell për të ardhmen e Shqipërisë? Ç’është ky nxitim xhanëm?
Mediat e huaja po flasin shpesh e më shpesh për Shqipërinë si një destinacion plehrash. E fundit ishte një gazetë ruse. Kompani të mëdha, shumë të mëdha po shprehin një interes të veçantë për Shqipërinë. Vetëm gjatë shtatorit në Shqipëri kanë ardhur 2 të tilla. Praninë e njërës e mësuam nga mediat bullgare. Kompani me një xhiro të jashtëzakonshme dhe të interesuara për investime të mëdha. Përse një interes kaq i madh? A gjeneron Shqipëria sasi të tilla mbetjesh sa të përligj interesin e tyre për të investuar? Aspak jo! Absolutisht që jo! Depo ushtrie që një Zot e di përse po përgatiten të privatizohen me shpejtësi, galeri minierash që po vizitohen nga lloj – lloj pseudobisnesmenësh. Mos vallë po bëhen gati për të depozituar mbetje të importuara!
Shqipëria nuk ka të inventarizuar akoma popullsinë dhe jo më, të ketë mundësinë të monitorojë dhe të inventarizojë importet e mbetjeve”.

Sajmir Tahiri
Zoti kryeministër, bën mirë që erdhe se dëgjon edhe disa lajme që kanë të bëjnë me këtë projektligj. 18 tetor 2010 në portin e barit sekuestrohet një anije me mbetje speciale e drejtuar për në Shqipëri. Në Peskara sekuestrohen 800 ton mbetje speciale të drejtuara për në Shqipëri me anijen “Emili”. Prokurori i antimafias Antonio Laudati, thotë: “Kemi kaluar në trafikun nëpërmjet falsifikimit të dokumentacionit me fatura false dhe fatura shoqëruese të falsifikuara mbetjet speciale apo toksike në listën e gjelbër. Sot shumica e trafikut të mbetjeve shkon drejt Shqipërisë nëpërmjet porteve të Barit dhe Brindizit. Bëhet fjalë për një biznes që kap vlerën e 19.3 mld euro. Një gazetë italiane del me titullin “Mbetjet nga Napoli në Shqipëri nëpërmjet Sakra Corona Unita”. Sipas këtij lajmi, citojmë: Aktualisht në Shqipëri industria e përpunimit është një risi e viteve të fundit, por disa shoqëri kanë marrë lejet për të ndërtuar impiante të riciklimit me pjesëmarrjen e ortakëve dhe të familjarëve të ish-ministrit të METE, Genc Ruli si aksionerëve të një shoqërie italiane që duhet të ndërtojë një impiant përpunimi të mbetjeve. Zoti ministër mund të më hedhë në gjyq, jo mua por gazetën italiane dhe ta paguajë me disa ton plehra. Kjo është qeveria më e paaftë më kriminale në lidhje me mjedisin, ju mbani rekord. Krimi dhe mafia imponojnë interesat e qeverisë suaj. Sot e kësaj dite kalojnë mbetje në Shqipëri, drogë e çfarëdolloj gjëje. Anija Korabi me mbetje toksike ka ardhur në Shqipëri. Pse i thoni shqiptarëve: hapni dyert të marrim plehrat e Evropës? Ju doni të fitoni nga importi i plehrave. Shkoni pyetini shqiptarët. Bëni një referendum”.

Tre ministra: Pse jemi pro ligjit të mbetjeve
Mazhoranca ka mbrojtur dje ligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve” duke pretenduar se është një kërkesë e BE-së dhe se ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme. Tre prej ministrave pohuan se importi do të jetë i kontrolluar dhe se qeveria nuk do të lejojë hyrjen e mbetjeve të rrezikshme.

Fatmir Mediu
“Po të më pyesni mua nëse jam apo jo kundër importit të plehrave, me plotë gojën do të thosha po, duke pasur të njëjtin shqetësim me qytetarët për mënyrën se si i shikojnë ata, plehrat dhe si i trajtojmë ne ato sot. Por a lejon ky ligj importin e plehrave, do të thosha absolutisht jo, sepse lejon vetëm listën e gjelbër që konsiderohet si lënde e dyte e parrezikshme për jetën dhe mjedisin. Legjislacioni i ri në fushën e mbetjeve është shumë më konservator sesa ai i mëparshmi. Në ndryshim nga kuadri ligjor pararendës, ligji i ri hyn në sqarimin e një pjese të procedurave të importit duke i forcuar ato në raport me të shkuarën. Vendosja në ligj e procedurave provon se importi është më i kontrolluar se më parë”.

Ritvan Bode
“Shqipëria gjatë periudhës 1999-2000 ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe Stabilizim-Asociimit dhe pjesë e tij është edhe tregtimi i plehrave. Ligji lejon importin për përpunim jo për depozitim të vetëm 50 artikujve, të cilët nuk janë të dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe që mund të riciklohen nga industria jonë”.

Genc Ruli
“Minoranca do të bëhet mazhorancë. Ligji plotëson standardet. Në asnjë pikë ju nuk u sollët prova konkrete, ndonjë merak konkret të konstestimit për të sjellë plehra. Ligji juaj për mbetjet ka qenë shumë më i rrezikshëm qoftë për mënyrën qoftë për autoritetin e licencës. Ju keni gjetur armën e Ramës për të bllokuar integrimin”.

Braçe: Pse opozita është kundër importit të plehrave
TIRANË- Partia Socialiste ka kundërshtuar dje Ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve duke vënë theksin tek fakti që Shqipëria ka tonelata të tëra me plehra që nuk di ku ti çojë dhe tani kërkohet të importohen edhe plehra nga jashtë. Në emër të PS-së ka folur dje në kuvend nënkryetari i grupit, Erjon Braçe i cili ka bërë një paralelizëm mes malit më të lartë në Shqipëri, Korabit me 2751 metra dhe faktit që vendgrumbullimet e plehrave në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Lushnje, Berat, Fier, Vlorë, dhe Gjirokastër krijojnë një mal edhe më të lartë me plehra.
“Ne jemi një vend i mbuluar nga plehrat. Plehrat janë kudo. Plehrat janë kthyer në standard jetese në këtë vend. Zoti kryeministër, secili prej 1.5 milionë shqiptarëve që jetojnë këtu si prindër nuk ua ka borxh jetën mes plehrash të fëmijëve të tij”,- tha Braçe. Ai renditi si problemet kryesore me plehrat faktin që mbeturinat nuk ndahen sipas llojeve, depozitimin primitiv në sipërfaqe dhe djegien për të liruar vend në pikat e grumbullimit që janë plot prej vitesh.
“Qëllimi i këtij ligji është biznesi me plehrat e çdo cepi të Evropës duke i depozituar, duke i djegur apo duke i ricikluar këtu. Kryeministri Sali Berisha është në krye të këtij biznesi. Me leje të kryeministrit importohen plehra në këtë vend, për djegie, riciklim. Por edhe për depozitim. Mbetje jo të rrezikshme me fjalë; mbetje të rrezikshme me vepra. Ligji përcakton menaxhimin e mbetjeve, grumbullimin, transportin, ruajtjen e përkohshme deri në një vit, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve. Për shtatë vite me radhë, me leje të kryeministrit, këta do të bëjnë biznes me plehrat e gjithë botës, këtu”,- tha Braçe në emër të opozitës.
Sipas tij, importuesve të plehrave u është vënë vetëm një kusht: Kapaciteti i përpunimit. Pra sa më i madh të jetë kapaciteti i përpunimit, aq më i madh do të jetë importi i plehrave.

Berisha dhe lidhja me biznesmenët serbë
Deputeti Erjon Braçe ka paraqitur dje në Kuvend një sërë dokumentesh që tregojnë, sipas tij, lidhjen e kryeministrit Berisha me dy biznesmenë serbë të interesuar për importin e plehrave në Shqipëri. Sipas tij, Berisha i ka krijuar kushtet përmes legjislacionit shqiptar:
Në Prill 2008, dy sllavë, Branislav Pejovic e Rado Brajovic kanë themeluar një SHPK me kapital vetëm 100 mijë lekë. Objekti: grumbullimi, përpunimi, riciklimi, tranzitimi, transportimi, eksportimi i mbetjeve të ngurta…..
Në Mars 2009, marrin lejen mjedisore të firmosur nga zv.ministri i Mjedisit, për këtë biznes në një sipërfaqe prej 4100 m2 dhe kapacitet 800 ton skrap në orë.
Në Shtator 2009, paraqitet në Kuvend ky ligj që e legalizon këtë biznes dhe lejon importin për të plotësuar këtë super kapacitet të instaluar përpunimi.
Në Shtator 2009, Qeveria nxjerr këtë akt normativ, të diskutuar gjatë edhe në këtë Kuvend, që siguron “lëndën e parë” për këtë biznes.
Dy ditë më pas kryeministri Berisha pret në zyrën e tij pronarin e biznesit-jo, të SHPK-së. Dëgjoni se çfarë i thotë pronari i biznesit kryeministrit tonë: “Në Shqipëri kompania ime ka gjetur një vend me klimë shumë të përshtatshme dhe fuqi punëtore të kualifikuar…”.

Policia shpërndan protestuesit: Po vjen kryeministri Berisha
Kryeministri Berisha nuk pati kurajën të përballej me qytetarët të cilët protestuan dje kundër ligjit për importimin e plehrave. I ndihmuar nga policia, ai arriti që të shpërndante turmën e protestuesve me pretendimin se u kishte mbaruar “orari” dhe vetëm kur kjo gjë ndodhi, makina e Kryeministrit hyri me shpejtësi të lartë në Parlament, duke shmangur kështu të gjitha përplasjet e mundshme. Ishin rreth 500 protestues që u mblodhën mesditën e djeshme para Parlamentit duke u shprehur kundër futjes së plehrave të Evropës në Shqipëri. Në zonën ku po zhvillohej protesta, u instalua një podium i cili shërbente për fjalimet e ndryshme të qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Por vetëm pak pas fillimit të protestës, energjia elektrike që furnizonte podiumin u ndërpre. Një gjë e tillë, që nga policia u justifikua si “normale”, çoi edhe në largimin e një pjese të njerëzve, ndërkohë që nga blutë, që në numër shkonin rreth 100, u pretendua se ishte koha që protestuesit të largoheshin, pasi kishte mbaruar orari i lejes së tyre për protestë. Madje, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, policia filloi edhe të shtynte turmën mbrapa për të rihapur rrugën për makinat, si dhe për të larguar qytetarët. Largimi i turmës me shpejtësi dhe me ndërhyrjen e policisë do të mundësonte edhe ardhjen e kryeministrit Berisha në Parlament. “Makina e Kryeministrit u fut në parlament me 80 km në orë”, tha njëri prej protestuesve, teksa duke qeshur vijoi: “Polici u fut në kthesë me frena dore”. Në protestën e djeshme morën pjesë mbi 500 qytetarë. Ajo që ra në sy ishte numri i lartë i forcave të policisë, ku mund të llogarisje afro 100 policë. Ata ishin të ndarë në disa grupe ku në hyrje të Parlamentit qëndronte një gardh policësh, e një pjesë tjetër qëndronin pranë protestuesve. Kishte edhe një grup të tretë të shpërndarë nëpër gjithë hapësirën ku zhvillohej protesta. Të pranishëm në protestë ishin edhe figura të njohura, si: Mustafa Nano, Ardian Klosi, Kozara Kati etj. Kjo protestë vjen pas dorëzimit dy ditë më parë të peticionit me mbi tre mijë firma tek kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Protestuesit vepruan në tre grupe, ku disa kishin zgjedhur dialogun me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, një grup priste para Parlamentit, ndërsa grupi i tretë ishin përfaqësuesit e Kuvendit Civil dhe forumit Rinia Aktive të cilët e filluan marshimin dhe protestën e tyre përballë Ministrisë së Mjedisit për t’u bashkuar më pas me protestuesit e tjerë para Parlamentit. Aktivistë të Kuvendit Civil dhe forumit Rinia Aktive qëndruan deri në 2 të drekës për të pritur një vendim të parlamentit lidhur me miratimin ose jo të ligjit. Dritan Broka, kryetari i Kuvendit Civil, u shpreh për “Shekulli”-n: “Ne do të vazhdojmë protestat tona nëse ky ligj miratohet sot, si dhe do të marrim nismën për të filluar një tjetër peticion ku do të kërkojmë referendum në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi në asgjë derisa të arrijmë qëllimin tonë për të ndaluar këtë ligj”.

Ruçi: Referendum popullor për çështjen e plehrave
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka kërkuar dje një referendum për çështjen e importit të plehrave. Duke shpjeguar qëndrimin kundër të opozitës, ai pohoi se në rast se ligji hyn në fuqi, do të jetë ligji i parë që do të shfuqizohet kur PS të jetë në pushtet.
“Ligji nuk zgjidh problemin shqiptar për menaxhimin e plehrave shqiptare. Ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Ja ku po ta themi, ligji i parë, në seancën e parë, në qoftë se ti arrin e miraton sot dhe kundërshton Dekretin e Presidentit është ligji i plehrave, që bashkë me qeverisjen tënde të zhduken edhe plehrat nga Shqipëria. Hiqe këtë nen dhe pastaj hajde të ulemi të diskutojmë. Ti pyesim qytetarët, të organizojmë një Referendum popullor. Pse s’pranon?! Ç’është ky ngut, ç’është kjo urgjencë?!”,- tha dje Ruçi. Ai përmendi faktin se edhe vendet e BE-së që lejojnë importin e plehrave, nuk e lejojnë këtë gjë nga vendet e lindjes. Ruçi pohoi se nëse nis importi i plehrave, të gjithë do të jenë të rrezikuar nga sëmundjet kancerogjene. “Ne nuk do reshtim, edhe nëse ju e miratoni sot, për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, gjitha marrëdhëniet me publikun dhe me shoqërinë civile, me të gjithë, dhe në qoftë se s’do t’ia arrijmë prej kapjes së shtetit nga pushteti juaj ne sigurisht shumë shpejt do të jemi maxhorancë e këtij vendi”,- tha Ruçi.

Berisha i shmanget debatit për plehrat, merret me politikë
Kryeministri Berisha e ka shmangur dje debatin konkret për ligjin që lejon importin e mbetjeve dhe e ka kanalizuar çështjen në një sfond politik. Duke sulmuar Presidentin e Republikës dhe këdo tjetër që ka dalë kundër çështjes së plehrave, kryeministri i është shmangur argumentit konkret.
Presidenti Topi ktheu mbrapsht ligjin duke argumentuar se është në shkelje të kushtetutës. Në mënyrë të detajuar Presidenti shpjegoi se neni që lejon importin e plehrave bie ndesh me objektivat socialë të qeverisë të parashikuar në kushtetutë. Por dje në Kuvend as kryeministri e as përfaqësuesit e mazhorancës nuk u morën me këtë pikë. Duke kthyer debatin nga ligjor në politik, Berisha arriti të shmangë thelbin e çështjes: Rrezikun që vjen nga importi i mbetjeve.
“Sot, kjo ditë shënon de facto themelimin në këtë sallë të ”Partisë së Plehut”. Pasi u themelua “Aleanca e Plehut”, shpërtheu epidemia; “o burra të gjejmë vota në plehra” dhe po rrëmohet, po kërkohet, po bëhet gjithçka që në plehra të mbijnë partiçka. Ligji i cili është miratuar në këtë Parlament, është ligji i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike. Ky është ligji që i imponon qeverisë që mbetjet jotoksike të lejohen të importohen, jo siç ndodh deri tani…”,- tha dje kryeministri Berisha në fillim të fjalës së tij. Sipas tij, ligji lejon importimin e 50 llojeve të ndryshme të mbetjeve ndërsa kushtet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për të mbështetur ligjin Berisha nxori si paralelizëm faktin që Shqipëria eksportin “mbetje” drejt vendeve të BE-së dhe që është normale që të importojë mbetje prej tyre. Por në momentin që duhet të tregonte se çfarë eksporton Shqipëria, Berisha nxori një listë me minerale: “Shqipëria ka eksportuar mbetje alumini, mbetje zinku, mbetje plumbi, mbetje magneziumi, mbetje tekstili, mbetje druri etj..”.
Pas kësaj liste me minerale, për nxjerrjen e të cilave kanë humbur jetën dhjetëra minatorë, Berisha iu rikthye diskutimit politik: Një ditë (Rama) thirri Filip Çakulin dhe i tha; “ose Fix Fare parti, ose do sikterisesh”. Çakuli i thotë: zotëri, a nuk nxore mësim nga 99-shi ti që do të më bësh mua parti?”. Është ekzaktësisht kështu si ju them unë, nëse doni ju sjell dokumentin. Pastaj ai gjeti faqezinjtë (Kreshnik Spahiu) dhe u tha; ”dilni kundër regjistrimit o faqezinj, sepse përndryshe ju dolën pasuritë”. Dhe faqezinjtë rendën poshtë e përpjetë “Eureka”, për të shpëtuar pasuritë e fshehura dhe u thanë shqiptarëve mos u regjistroni se ky regjistrim është në përputhje me modelet antishqiptare e antikombëtare. Shqiptarët u treguan atyre “Partinë e Plehut”, hyni në “Partinë e Plehut”se rrugë tjetër nuk keni”.

Berisha për Ramën
“Kryetari juaj, hyn në shtrat Edi Rama dhe zgjohet Angela Merkel, zgjohet Nikola Sarkozi, zgjohet Barak Obama. Atij i duket vetja njëherë Angela Merkel, njëherë Nikola Sarkozi, njëherë Barak Obama, njëherë David Cameron, ndërkohë që fjalimet ia kopjon Ed Miliband-it , se aty i merr i kopjon dhe vjen e na i lexon.

Rama për Berishën
Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla. Të njëjtin fjalim ka mbajtur edhe kryeministri i Somalisë kur e mori në qafë vendin e vet duke e bërë kosh plehrash. Të thuash dua plehra nga jashtë është tradhtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka 1 milionë ton plehra rrugëve…

Votimi i djeshëm në Kuvend
Dekreti për Ligjin e mbetjeve
73 kundër
59 pro
0 abstenim
1 nuk mori pjese

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button