Abetarja përjashton shqiptarët e Maqedonisë

Shqipëria dhe Kosova kanë nisur përgatitjet për hartimin e Abetares mbarëkombëtare. Dhe, përderisa në nëntor do të publikohet konkursi përkatës, zëvendësministri i Arsimit i Maqedonisë, Safet Neziri, pret “ftesën zyrtare”. Kanë reaguar profesorë dhe LASH-i. “Shqiptarët nuk do të mbesin jashtë këtij procesi, pasi do të kërkojmë nga prindërit që fëmijët e tyre të përdorin Abetaren, e cila do të botohet për shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan sot “Koha” e Shkupit.

Loading...

Projekti mbarëkombëtar për një Abetare të përbashkët po lë jashtë rrethit shqiptarët e Maqedonisë, shkruan kjo gazetë. Ky libër, i cili sinjifikon dëshirën e të gjithë shqiptarëve për bashkim shpirtëror dhe gjuhësor, për ne, si duket do të vazhdojë të mbetet ëndrra edhe e disa viteve të ardhshme, pasi nuk është ndërmarrë as një hap konkret për materializimin e kësaj ideje në rrugë institucionale, respektivisht përmes institucioneve shtetërore. Përderisa Shqipëria dhe Kosova kanë marrë tanimë angazhimet që të nisin punën për hartimin e Abetares së përbashkët, Maqedonia është ende në pritje të “ftesës zyrtare”.

Zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Republikën e Shqipërisë, kanë dhënë lajmin se prej shtatorit të vitit të ardhshëm, të gjithë filloristët e Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë në duar Abetaren mbarëkombëtare. Për këtë po përgatitet konkursi, i cili pritet të publikohet në muajin nëntor. Dy shtete shqiptare – Shqipëria dhe Kosova do ta shënojnë 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë me një projekt kombëtar arsimor, me vendosjen në përdorim të Abetares mbarëkombëtare, ndërsa nuk do të mund ta bëjnë këtë shqiptarët e Maqedonisë. Jo që nuk kanë dëshirë, por sepse institucionet dhe qeveria ku ato participojnë, nuk kanë bashkërenduar ende veprimet përkatëse.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Safet Neziri, thotë se nuk është krejt pa informacion për çështjen e Abetares mbarëkombëtare. “Kemi një informacion të këtillë, mirëpo nuk kemi ende asgjë konkrete sa i takon ndonjë oferte zyrtare drejtuar ministrisë sonë”, deklaron ai. Neziri e quan fisnike dhe të mirëpritur idenë për një Abetare mbarëkombëtare, ndërsa konsideron se duhet të jenë institucionet relevante të Shqipërisë ose Kosovës ato që duhet t’u drejtohen institucioneve të Maqedonisë me ofertën për përfshirjen në projektin e Abetares mbarëkombëtare.

“Kur të na mbërrijë iniciativa, do ta shqyrtojmë – pse jo. Nuk është iniciativë për tu hedhur poshtë, por që duhet shqyrtuar shumë pozitivisht”, shprehet zëvendësministri i Arsimit të Maqedonisë. Në muajin nëntor, sikurse ka bërë të ditur Jovan Kristaqi, këshilltari i ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Myqerem Tafaj, do të hapet Konkursi për botimin e Abetares së përbashkët për shtëpitë botuese nga Shqipëria dhe Kosova.

“Do të jenë shtëpi botuese me marrëveshje të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, po kështu dhe autorët do të jenë të përbashkët. Ky do të jetë libri i parë në marrëveshjen që do të pasohet me libra të tjerë. Këtë libër patjetër që do ta fusim në muajin shtator të vitit 2012, aq më tepër që kombinon dhe me 100 vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar në të dy vendet”, është shprehur këshilltari i ministrit Tafaj.

Duke sqaruar kriteret në përzgjedhjen e shtëpive botuese, të cilat do të merren me botimin e librit të Abetares, Kristaqi ka nënvizuar se do të ketë vetëm një kriter – ai i të qenit subjekt i përbashkët shqiptar-kosovar. Shihet qartë se në proceset e integrimeve brenda shqiptare, shqiptarët e Maqedonisë kanë mbetur jashtë procesit, i cili i integron ato në një Abetare të përbashkët. Kjo e lë pa koment Nezirin, zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë. “Jo vetëm jashtë proceseve të integrimeve brenda shqiptare, por edhe rajonale. Nuk kam koment. Me të vërtetë nuk di se çfarë të them në këtë drejtim. Nuk ka arritur kërkesë as në Ministri dhe as në kabinetin tim, si zëvendësministër“, shprehet ai.

Në Maqedoni, sikurse dihet, 35 për qind e nxënësve të shkollave të fillore janë shqiptarë. Në klasë të parë, për vitin shkollor 2011/2012 u regjistruan rreth 9 mijë shqiptarë nga 27 mijë nxënës që u regjistruan përgjithësisht në klasë të para. Zëvendësministri Neziri shpreson se institucionet relevante të Shqipërisë dhe Kosovës do ta bartin projektin e Abetares mbarëkombëtare edhe në Maqedoni përmes instancave tjera – Qeverisë apo Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button