Ksenofon Krisafi: Ligji i luftës me Greqinë, as legal as zyrtarisht i shfuqizuar

Fatmira Nikolli 
Si mori jetë ligji i luftës që Greqia mban ende formalisht në fuqi ndaj Shqipërisë? Pse shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e quajnë “absurd” ligjin dhe si e përdorin atë, qarqe të caktuara greke në dëm të Shqipërisë? Prof.Dr.Ksenofon Krisafi, duke marrë shkas nga libri i prof. Arben Putos, “Lufta italo-greke, diktatorë dhe kuislingë”, na jep panoramën e ligjit, që nga vitet 1940 e deri më sot, dhe “anomalitë e tij”. Por ai nuk ndalet me kaq. Duke mos lënë jashtë vëmendjes pretendimet greke për Vorio-Epirin, apo presionet e fqinjëve për regjistrimin e popullsisë, ai flet për fryrje shifrash e helenizim të jugut. Kritika të mëdha shkojnë në emër të qeverisë fqinje, për shkak të heshtjes së saj ndaj deklaratave luftënxitëse të Ikonomus…   

Kohët e fundit doli nga shtypi libri i Prof. Arben Putos me titull “Lufta italo-greke, diktatorë dhe kuislingë”. Ai bën një analizë të marrëdhënieve shqiptaro-greke në këndvështrimin e kësaj lufte dhe akteve juridike të prodhuara si rrjedhim i saj. Cili është vlerësimi juaj për këtë çështje? Lidhur me këtë çështje, e cila në vetvete paraqet interes të veçantë, unë jam shprehur gjerësisht në librin tim “Diplomaci pas lufte, Negociatat me Italinë dhe Gjermaninë për dëmet e luftës në Shqipëri”, botuar dy vjet më parë, ku ka një kapitull me vete. Është kjo arsyeja që, në vijim, në përgjigje të pyetjeve tuaja, do t’i referohem analizës që kam bërë në librin e lartpërmendur. Por, përpara se të hyj në thelbin e përgjigjes, do të dëshiroja të  bëja një vlerësim të përgjithshëm për marrëdhëniet shqiptaro-greke, ku dallohen si dy vektorë gati paralelë, marrëdhëniet midis popujve shqiptarë dhe grekë dhe marrëdhëniet midis dy shteteve të tyre. Për sa u përket të parave, duhet thënë se shqiptarët dhe grekët janë dy ndër popujt më të vjetër të gadishullit, që kanë një të kaluar të përbashkët pa probleme serioze. Pavarësisht nga vështirësitë që u janë dashur të kapërcejnë, nga përplasjet, të cilat në të kaluarën kanë shoqëruar zhvillimet, në rajon e në Europë, në periudha të vështira historike, përgjithësisht ata kanë arritur të bashkojnë përpjekjet për progres shoqëror, politik e ekonomik dhe kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore e bashkëpunimi. 


Veçanërisht në rajonet kufitare shqiptaro-greke, konfigurimi demografik i të cilave karakterizohej nga ndërthurje dhe përzierje etnike, është vërejtur një bashkëjetesë normale e komuniteteve. Në këtë sfond, personalitete të të dyja vendeve, prej mesit të shekullit të XIX, kanë shtruar nevojën e veprimit të përbashkët sipas një platforme, e cila të kishte si filozofi udhëheqëse evokimin e pikave të takimit gjeografik, etnik, historik, politik, shoqëror, lidhjeve dhe miqësisë tradicionale si dhe interesave të përbashkëta, në rrugën për përballimin e sfidave të njëjta të së ardhmes ballkanike e europiane të tyre. 


Duke iu referuar marrëdhënieve shtetërore shqiptaro-greke, dallohet qartë se në periudha të caktuara ato kanë përjetuar batica dhe zbatica. Përkeqësimet e dukshme nisën në kohën e shfaqjes violente të nacionalizmave, atëherë kur filluan ndërhyrjet e politikës në jetën e komuniteteve dhe kur politika e jashtme greke u personifikua me doktrinën shoviniste të Megali Idesë – Idesë së Madhe. Në mënyrë të veçantë, nga mesi i shekullit të XIX, synimet greke për ekspansion drejt trojeve shqiptare institucionalizohen, për t’u konkretizuar në agimet e shekullit të kaluar, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1912-1913) kur ngrehina e perandorisë otomane po shkonte me shpejtësi drejt rrënimit përfundimtar. Qeveritarët e atëhershëm të Athinës detajuan planet për aneksimin e trashëgimisë turke në Shqipëri. Kjo politikë do të mbetej komponenti shoqërues i marrëdhënieve shqiptaro-greke, si shfaqje e prirjeve të qarqeve ekstremiste. Ajo i merrte frymëzimet nga arsenali i kohëve të shkuara, nga ato periudha kur skeptri mbretëror grek, i ringjallur pas shekujsh letargjie, kërkonte hapësira për të identifikuar një krijesë anemike në lindje e sipër, me shëmbëlltyrën e vet të dikurshme. Ajo do të shfaqej në Konferencat e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920 dhe 1946, kur qarqet ekstremiste menduan se erdhi momenti për rektifikimin e kufijve. Këto dy evenimente u identifikuan si oportunitet përshtatshëm për zgjerim territorial dhe shtrirje në të ashtuquajturin “Vorio Epir”.   


Në ç’rrethana u shpall ligji i luftës me Shqipërinë, cila ishte përmbajtja dhe çfarë synohej nëpërmjet tij?
Historia e të ashtuquajturit “ligji i luftës”, e trajtuar gjerësisht edhe në librin e Prof. Putos, me pak fjalë është kjo: Më 15 tetor 1940, Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë dhe më 28 tetor 1940 e sulmoi ushtarakisht. Më 10 nëntor 1940, qeveria greke e Metaksait shpalli ligjin Nr.2636/1940 “Mbi veprimet juridike të armiqve dhe sekuestron konservative të pasurive armike”, që njihet ndryshe me emrin Ligji i luftës me Shqipërinë. Po atë ditë, u botua dekreti mbretëror “Mbi përcaktimin e Italisë dhe Shqipërisë si shtete armike dhe veprimin mbi to të dispozitave të Ligjit  2636/1940”, me fuqi prapavepruese, që nga 28 tetori 1940. Me vendimin e 30 prillit të vitit 1941, qeveria kuislinge greke e Çolakoglusë (Tsolakoglusë), e vendosur nga pushtuesit gjermanë, e abrogoi ndërsa qeveria pasardhëse e risolli në fuqi me Ligjin Nr.13/1944. Shpallja e Shqipërisë shtet armik dhe mbajtja në fuqi e ligjit të gjendjes së luftës, në vijim të kësaj kronologjie ngjarjesh, sipas arsyetimeve të qarqeve greke të asaj kohe, “bazohej” në ligjin shqiptar Nr. 319, të 4 korrikut 1940. Ai i dha fuqi juridike dekretit mbretëror Nr. 194, datë 9 qershor 1940, të Viktor Emanuelit të Tretë, mbretit të Italisë dhe të Shqipërisë dhe Perandorit të Etiopisë. Në bazë të tij Shqipëria e konsideronte veten në gjendje lufte me shtetet që ishin apo do të ishin në gjendje lufte me Italinë. Ajo bazohej gjithashtu edhe në “pjesëmarrjen” e disa ushtarakëve shqiptare në luftën italo-greke në gushtin e vitit 1940. 


“Bazat” e kësaj akuze i formuloi kryetari i delegacionit grek, Çaldaris, (Tsaldaris), i cili në seancën e 9 gushtit 1946, të Konferencës së Paqes, tha se Shqipëria, në zbatim të ligjit të 4 korrikut 1940, dërgoi kundër Greqisë 14 batalione. Çaldarisi deformon dhe hiperbolizon qëllimisht të vërtetën, sepse, siç do të shihet në vijim, ishin gjithsej 2 batalione me rreth 1000 vetë, kryesisht pjesëtarë të milicisë fashiste shqiptare ose njerëz të rekrutuar dhe të detyruar forcërisht për të shkuar në frontin e luftës italo-greke. Për rrjedhojë ajo ishte palë e mundur në luftë dhe duhej trajtuar me këtë status, duke përballuar gjithë pasojat e përgjegjësisë juridiko-ndërkombëtare. Në këtë mënyrë Athina kërkonte të zyrtarizonte detyrimin e Shqipërisë për të cënuar të ashtuquajturin “Epiri i Veriut” dhe për ta inkorporuar atë në territorin grek me qellim “që të sigurohej mbrojtja territoriale e Greqisë”. Një analizë objektive dhe e paanshme, e mbështetur në të vërtetat historike dhe në interpretimet juridike të akteve të së drejtës së brendshme të të dy shteteve dhe të së drejtës ndërkombëtare, provon se alibia e atëhershme greke rreth dilemës së gjendjes së luftës ka qenë false dhe tashmë është përgënjeshtruar përfundimisht në favor të paqes. 


Athina zyrtare, duke iu referuar Luftës Italo-Greke, e akuzoi Shqipërinë si shtet agresor, që e kishte sulmuar ushtarakisht. Qeveria e atëhershme greke paraqiti në organizmat ndërkombëtare kërkesën formale për rihedhjen për diskutim të rivendikimeve territoriale, nëpërmjet avancimit të tezës së “gjendjes së luftës” me Shqipërinë dhe domosdoshmërisë së përfundimit të një traktati paqeje midis dy vendeve “ndërluftuese”. Mendohej se shtruarja e problemit shqiptar në tërësi, në forumet e pasluftës mund të jepte shanse për realizimin e planeve të dikurshme. Filloi një lojë komplekse propagandistike, politike e diplomatike, synimi i së cilës ishte ndërkombëtarizimi i “gjendjes së luftës” midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ajo u shoqërua me përpjekje intensive për krijimin e një opinioni në favor të tezës greke dhe në këtë rast ekspozimin e “provave” dhe “argumenteve”, mbi të cilat bazohej akuza greke kundër Shqipërisë mbi gjoja pjesëmarrjen e saj në luftë përkrah forcave fashiste. Lufta italo-greke dhe ligji i luftës është trajtuar gjerësisht jo vetëm në librin e fundit të Prof. Arben Putos, “Lufta italo-greke- diktatorë e kuisilingë”, por edhe në tekstin e Historisë së Shqipërisë, në punime me vlerë të Paskal Milos e Beqir Metës, në disa shkrime të Agim Tartarit dhe Abdi Baletës, në librin e “Lufta e fundit, Pronat e shqiptarëve në Greqi” të Mentor Nazarkos etj.   


Cili është mendimi juaj, si specialist i së drejtës ndërkombëtare për bazën juridike të këtij akti?
Le ta nisim nga motivi i parë, deklarimi i luftës nga qeveria shqiptare e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, i invokuar si “argument” i karakterit të mirëfilltë juridik. Që në fillim mund të thuhet pa hezitim se është tepër e vështirë të gjendet një mbështetje e qëndrueshme juridiko-ndërkombëtare për këtë pretendim. Deklarata e qeverisë së Vërlacit nuk ka vlerë juridike, sepse pas 7 prillit 1939, Shqipëria ishte një vend i pushtuar, pa asnjë organ të legjitimuar me prerogativa vendimmarrëse. Të ashtuquajturit “qeveri” dhe “parlament” shqiptar nuk kishin as minimumin e atributeve ligjore për të marrë vendime dhe për t’u autentifikuar për përfaqësimin e Shqipërisë brenda apo jashtë vendit. Pozita e saj përcaktohej tashmë nga mungesa e sovranitetit dhe e lirisë së veprimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo nuk kishte personalitet ndërkombëtar dhe as zotësi juridiko-ndërkombëtare për të vepruar. Për rrjedhojë, nuk mund të ushtronte formalisht të drejtat e subjektit, siç ishte p.sh. shpallja e luftës, përfundimi i paqes etj. Asaj i mungonte ajo që në të drejtën ndërkombëtare quhet animus belli. Është për këtë arsye që, sikurse shprehet me të drejtë Av. Agim Tartari, asnjë nga shtetet e tjerë, të cilëve Italia u shpalli luftë, përveç Greqisë, si p.sh. Britania e Madhe dhe Franca (11 qershor 1940), Jugosllavia (6 prill 1941), Bashkimi Sovjetik  (22 qershor 1941), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (11 dhjetor 1941) etj. nuk e morën në konsideratë dekretin Nr.194, datë 9.06.1940, nuk e quajtën e nuk e trajtuan  asnjëherë Shqipërinë si shtet armik dhe nuk ndërmorën asnjë sanksion ndaj saj apo shtetasve shqiptarë. Edhe përpjekjet për të gjetur referenca apo mbështetje në ndonjë precedent, rezultojnë të pasuksesshme, madje dëshmojnë për të kundërtën. Fjala vjen Sllovakia, e pushtuar nga Gjermania naziste, nuk u konsiderua shtet armik as edhe shtet i mundur nga ish-Bashkimi Sovjetik, për faktin që më 24 qershor 1941, Presidenti i saj, Tisso, i shpalli luftë. E njëjta gjë mund të thuhet për Tailandën, që nuk u cilësua shtet armik edhe pse më 27 dhjetor 1941, kur gjendej e pushtuar nga Japonia, ministri Panamanda, deklaroi se vendi i tij ishte në gjendje lufte me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Nuk qëndron gjithashtu edhe pretendimi tjetër mbi pjesëmarrjen e dy batalioneve shqiptare në luftën italo-greke. Rekrutimi me forcë i shtetasve të vendeve të pushtuar nga ushtritë okupuese, për t’i përdorur në operacione luftarake nëpër vende të tjerë, rezulton përherë si një praktikë e rëndomtë. Në bazë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare ata janë konsideruar dhe janë trajtuar si ushtarë të rregullt të ushtrive në radhët e të cilëve luftonin e jo si ushtarë të vendit nga ishin. Le t’i referohemi Luftës së Dytë Botërore. Gjermania mblodhi për ushtrinë e saj shtetas francezë, polakë, çekë etj., të cilët, pasi i inkuadroi në njësitë e veta pushtuese, i shtrëngoi të luftonin në vende të ndryshme. Por, nuk provohet që ndonjëri prej tyre të ketë akuzuar Francën, Poloninë  apo Çekosllovakinë si shtete agresore dhe nuk e ka konsideruar veten në gjendje lufte me to.
Pretendimet e qeveritarëve të atëhershëm grekë mbeten problematike edhe nëse shihen nga aspekti i rolit që luajtën shqiptarët që u përdorën forcërisht në frontin e luftës italo-greke. Shumica nga shqiptarët e rekrutuar në batalionet “Tomorri” e “Taraboshi”, që u çuan në frontin grek, dezertuan ose luajtën rol sabotues dhe si të tillë u çarmatosën dhe u internuan. Ka një numër faktesh, disa prej të cilëve edhe pse jo të panjohur, e vlen t’i përmendim kalimthi. Në kujtimet e tij mareshalli Pietro Badolio shkruan se bandat dhe trupat shqiptare që bënin pjesë në divizionet tona ose na tradhtuan duke bërë sabotazh ose u hodhën me grekët. Kurse Musolini, në një letër që i dërgonte Hitlerit, më 22 dhjetor të vitit 1940, theksonte se një nga shkaqet e disfatave të ushtrive italiane në frontin grek ishte “tradhtia pothuajse e përgjithshme e forcave shqiptare, të cilat ngritën krye kundër trupave tona”. Më 4 dhjetor 1940 agjencia “Anatoli” lajmëronte nga Athina se një gjeneral italian, i kapur rob prej grekëve, ka deklaruar se ushtria italiane po pëson humbje të rënda nga shkaku i tradhtisë së shqiptarëve. Më 26.10.1940 Radio-Londra transmetonte: “Mësohet nga Shqipëria se çetat shqiptare në veprim të prapavijave italiane presin dhe sabotojnë vijat e komunikacionit duke u futur tmerrin reparteve italiane të izoluara “.  Më 4.1.1941 BBC njoftonte se: “Në rrethet ushtarake vihet re se shqiptarët u sjellin ndihmë të madhe grekëve kundër italianëve”. Këto të vërteta mbi qëndrimin e Shqipërisë në luftën italo-greke tregojnë se populli shqiptar nuk pranoi të luftonte kundër fqinjit të vet, madje mund të thuhet se kontribuoi në luftën çlirimtare të popullit grek dhe përballoi privacione të rënda. Lufta italo-greke, që filloi më 28 tetor  të vitit 1940, e shndërroi Shqipërinë në shesh beteje dhe iu shtoi shqiptarëve vuajtjet e shkatërrimet, humbjet në njerëz dhe dëmet materiale. 


Përfundimisht, në çdo pikëpamje që të shihet e të trajtohet çështja, rezulton se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishte motiv për të pasur “gjendje lufte”. E ashtuquajtura “gjendje lufte”, të cilës i janë referuar vazhdimisht qarqe politike greke, studiues e publicistë, ishte thjesht dhe vetëm një fiksion pa asnjë vlerë reale juridike, ishte thjesht dhe vetëm një pretekst për të mbajtur përherë një gjendje tensioni në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilën qarqe shoviniste shpresonin ta përdornin si motiv për rikthim tek e kaluara revanshiste pa kthim. Në këtë vështrim, pavarësisht nga ç’ka është deklaruar apo publikuar në Greqi gjatë shumë vjetëve, nuk do të ishte e nevojshme ndërmarrja e ndonjë formaliteti juridik për heqjen e të ashtuquajturës “gjendje lufte” me Shqipërinë, sepse realisht ajo nuk ka ekzistuar. 


Edhe sikur të abstragojmë për një çast nga faktet, analiza dhe arsyetimet me karakter historik e juridik, të parashtruara më sipër, ekzistojnë një numër dokumentesh dhe janë vërtetuar ndodhi e situata me karakter të mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar, që e shndërrojnë në nul e të pabazë atë konstelacion aktesh të legjislacionit grek për të ashtuquajturën gjendje lufte me Shqipërinë. 


Së pari, në aktet e pasluftës së Dytë Botërore Shqipëria nuk është parë dhe as trajtuar si shtet armik. Përkundrazi, me aderimin në Traktatin e Paqes me Italinë, në zbatim të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr.480, datë 9 tetor 1947, ajo u cilësua “fuqi shoqe” për zbatimin e atij Traktati. Palë e tij është edhe Greqia, e cila me Dekretligjin Nr.432, datë 22 tetor 1947 e ratifikoi Traktatin e Paqes me Italinë. Sipas Traktatit, Italia angazhohej që të respektonte pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar dhe të deklaronte të pavlefshme të gjithë aktet e shpallura prej saj për Shqipërinë, ku përfshiheshin edhe ato të përfunduara nga autoritetet e vendosura në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943, me shëmbëlltyrat e tyre shqiptare të instaluara prej saj. Nga interpretimi i përmbajtjes tërësore të Traktatit del qartë konkluzioni se aderimi i Greqisë në Traktat, në raportet e saj me Shqipërinë, veçanërisht pas aderimit të kësaj të fundit, në tetor të vitit 1947, ishte i barazvlefshëm me heqjen e ligjit të luftës me efekte ex tunc edhe pse ai, siç u tha, ishte i pamotivuar juridikisht. 


Së dyti, neni 27 i Traktatit të Paqes me Italinë, parashikon se “Italia njeh dhe angazhohet të respektojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit të Shqipërisë”. Së bashku me nenin 28, i cili parashikon angazhimin e Italisë të njohë faktin se “ishulli i Sazanit bën pjesë në territorin shqiptar dhe heq dorë nga çdo lloj pretendimi kundrejt tij”, dëshmojnë se pas 7 prillit 1939, pushtimit italian të vendit, Shqipëria nuk ishte një shtet sovran. Përndryshe nuk do të kishin kuptim dhe as arsye pse duhet të fiksoheshin në Traktat dispozitat e mësipërme. Edhe vetë Greqia e kishte pranuar në kohën e vet se Shqipëria pas 7 prillit të vitit 1939, ishte një shtet i pushtuar. Ajo iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Italisë për të tërhequr legatën e vet nga Shqipëria pas pushtimit italian.   


Së treti, Shqipërisë iu akorduan dhe përfitoi reparacione lufte nga dy prej fuqive kryesore të Boshtit fashist, Gjermanisë dhe Italisë, çka përforcon tezën se praktikisht dhe juridikisht, u trajtua me statusin e shtetit aleat në Luftën e Dytë Botërore. 


Së katërti, në rastin e Shqipërisë dhe të Greqisë nuk është vërtetuar aplikimi i rregullave klasike të së drejtës ndërkombëtare të luftës. Sipas së drejtës ndërkombëtare një nga hapat e parë që ndërmerret fill pas shpalljes së gjendjes së luftës është ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbimi, brenda një afati dhe në një vend saktësisht të përcaktuar, i përfaqësuesve diplomatikë të të dyja palëve. Me skadimin e këtij afati ata trajtohen si shtetas të shtetit armik dhe u nënshtrohen sanksioneve, arrestohen ose internohen dhe në rastin më të mirë vihen nën statusin e robërve të luftës. Ky trajtim, madje me përmasa më të rënduara aplikohet menjëherë edhe ndaj të gjithë shtetasve të shtetit të shpallur armik. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe përfundimi i trajtimit të shtetasve të të dyja palëve si armiq, bëhet pas mbarimit të gjendjes së luftës. Në rastin e Shqipërisë dhe të Greqisë jo vetëm pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971, por edhe më përpara, shtetas të të dy vendeve kanë qarkulluar lirisht në territoret e tyre respektive dhe nuk kanë pësuar trajtimin si armiq. Sot në Greqi gjenden disa qindra mijëra shqiptare, të cilët nuk trajtohen me statusin e shtetasve të një shteti armik. Shumica kanë strehim, vend pune, disa prej tyre janë legalizuar edhe si pronarë banesash, lokalesh, biznesesh, veprimtarish tregtare etj. Kurse në Shqipëri punojnë në kushte normale me dhjetëra e qindra investitorë e biznesmenë grekë, që kanë blerë e gëzojnë lirisht prona të shumta nga shteti apo nga shtetas shqiptarë. Në marrëveshje midis dy qeverive, kanë qenë stacionuar dhe kanë vepruar reparte ushtarake greke, çka është krejtësisht e papajtueshme me gjendjen e luftës midis dy vendeve. Shqipëria dhe as Greqia nuk kanë vendosur masa kufizuese ndaj shtetasve të njëra tjetrës për të blerë, shitur, dhuruar apo tjetërsuar në çdo formë tjetër pasuri të luajtshme e të paluajtshme në territoret respektive.  


Së pesti, më 6 maj të vitit 1971, Greqia e Shqipëria ranë dakord për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e përfaqësive diplomatike respektive, në nivelin e ambasadave në kryeqytetet e të dy vendeve. Ky është një akt i barazvlefshëm me heqjen ipso jure dhe ipso facto’ të gjendjes së luftës. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike, shënoi një hap të madh drejt normalizimit, e shkallmoi ngrehinën arkaike e absurde të “ligjit të luftës”, mbi të cilën mbështetej trajtimi i Shqipërisë si shtet armik, por nuk mundi ta shkatërronte plotësisht. Formalisht në institucionet kompetente të shtetit grek vazhdonte të ekzistonte një sistem aktesh juridike që mbanin ende në këmbë si fosile të së kaluarës, ligjin e luftës me Shqipërinë.  


Së gjashti, përveç sa u parashtrua më lart, do të dukej absurde deri në ekstrem pretendimi i ekzistencës së gjendjes së luftës po të kemi parasysh faktin tjetër se Greqia e ka abroguar gjendjen e luftës me Italinë, derivat i veprimeve të së cilës, ishte “hyrja” formale në luftë e Shqipërisë kundër Greqisë. 


Së shtati, pas Luftës së Dytë Botërore, e sidomos pas viteve ’70 të shekullit të kaluar, në opinionin përparimtar grek si dhe në qarqe të caktuara politike diskutohej dhe kërkohej eliminimi i kësaj situate paradoksale, duke u ndërmarrë edhe hapat e nevojshëm për formulimin e zgjidhjeve zyrtare. Në këtë atmosferë, më 23 prill 1986, kryeministri i atëhershëm grek Andreas Papandreu, deklaroi në Parlamentin grek se “heqja e gjendjes anormale të luftës me Shqipërinë është vendosur përfundimisht nga qeveria.” Kurse më 28 gusht 1987, sekretari i përgjithshëm i shtypit dhe informacionit të Presidencës qeveritare greke, Sotiris Kostopullos, njoftoi komunikatën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të asaj dite, në të cilën thuhej ndër të tjera se Qeveria deklaron se karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari. Pala shqiptare kërkoi zyrtarisht me insistim një dokument autoritar i cili të sanksiononte abrogimin juridik të Dekretit mbretëror të 10 nëntorit 1940, që e shpallte Shqipërinë vend armik. 

Abrogimi i tij do të çonte në anulimin e Ligjit 2636, i cili do të shndërrohej në këtë mënyrë në një akt të pazbatueshëm për sa i përkiste Shqipërisë. Ligji nr.1138, i vitit 1948 ka ndryshuar pikën 2 të nenit 21, të ligjit 2636/1940, duke vendosur që “marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryetarit të qeverisë, si dhe ministrave të Jashtëm, të Financave dhe të Drejtësisë”. Pra, dekreti në fjalë mund të abrogohej vetëm nëpërmjet një vendimi të nënshkruar nga kryeministri, si dhe nga ministrat grekë të punëve të jashtme, të financave dhe të drejtësisë, i cili për të qenë juridikisht i vlefshëm, duhet të botohej në Gazetën Zyrtare të Greqisë. Kjo nuk u provua të kishte ndodhur. Megjithatë, pasoi një periudhë entuziazmi, por edhe konfuzioni në të dyja palët. Shqipëria mori një farë sadisfaksioni, por priste me të drejtë konfirmimin dhe kopjen e dokumentit zyrtar. Greqia edhe pse pohonte se ligji i luftës ishte hequr, nuk mundej të identifikonte një dokument formal për autentifikim dhe nuk po kryente procedurat e nevojshme zbatuese. 

Së teti, më 26 mars 1996, u nënshkrua në Tiranë, Traktati i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe i sigurisë, çka gjithashtu është e paimagjinueshme në kushtet e ekzistencës së gjendjes së luftës. Traktati është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 korrik 1996 si dhe nga parlamenti grek në vitin 1998, me ligjin Nr.2568, i cili është botuar në Gazetën Zyrtare greke Nr.8/A, datë 13.01.1998. Si rrjedhojë e kësaj klime dhe e këtyre zgjidhjeve me vlerë të padyshimtë juridike, prej vitit 1971, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike dhjetëra e qindra marrëveshje, protokolle e akte të tjera dypalëshe rregulluan dhe institucionalizuan juridikisht krejt spektrin e raporteve shqiptaro-greke. Mirëpo, 12 vjet më vonë, me notën F.237/269, datë 28 qershor 1999, në përgjigje të interesimit të ambasadës shqiptare në Athinë, Ministria e Punëve të jashtme greke njoftonte zyrtarisht se “Ligjet greke Nr.263/1940 dhe 4506/1966 janë ende në fuqi.” Ajo çka ishte thënë për vite të tëra për këtë çështje u vu në pikëpyetje. Autoritetet greke e justifikuan këtë ndodhi me një ngatërresë të rastit, të karakterit burokratik. Mirëpo nuk u veprua siç e kërkonin rregullat e zakonshme diplomatike, që kjo “ngatërresë e rastit, e karakterit burokratik”, të trajtohej nëpërmjet një note tjetër, në të cilën MPJ e Greqisë të kërkonte falje dhe të pohonte atë që kishte deklaruar në vitin 1987, se ligji i luftës nuk ekzistonte dhe se “karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari”.   


Atëherë profesor, cili është mendimi juaj, është ende në fuqi ligji i luftës?   Nga gjithë sa shpjegova më lart, i ashtuquajturi ligj i luftës nuk duhet të konsiderohet si legal, nuk duhet të konsiderohet gjithashtu as edhe si akt në fuqi. Por, nëse flasim nga pikëpamja formale, duhet të themi se pala greke nuk ka ndërmarrë hapat e përshtatshëm ligjorë për abrogimin e tij në formën përkatëse zyrtare.   


A ka ndikuar dhe a ndikon ai në marrëdhëniet shqiptaro-greke?
Pretendimi i qarqeve të caktuara për ekzistencën e ligjit të luftës përbën një precedent jo vetëm të padobishëm, por edhe të pashembullt, një ndër paradokset e rrallë në historinë e marrëdhënieve midis dy shtetesh sovranë. Për dekada të tëra, duke iu referuar kësaj relikeje, që duhej flakur me kohë në koshin e historisë, Greqia sillej me Shqipërinë si me një shtet armik. Ligji i luftës ngrihej kurdoherë si barrierë e pakapërcyeshme dhe pengonte çdo tentativë që ndërmerrej për normalizimin e lidhjeve dhe rifillimin e shkëmbimeve të natyrshme me interes të ndërsjellë midis dy popujve. 


Me keqardhje konstatohet se edhe sot, në qarqe të caktuara politike greke shfaqen shprehje të hapura apo të tërthorta jomiqësore. Rënia e komunizmit në Shqipëri u konsiderua prej tyre si një “rast i ardhur nga qielli për të zgjidhur përfundimisht dhe drejt  problemet afatgjata me fqinjët”. Skifterët e politikës shovene duke kritikuar për mefshtësi udhëheqjen e vendit të tyre, pohojnë të deziluzionuar se “për fatin e keq kjo konjukturë nuk është shfrytëzuar”. Nën pretekstin e interesimit për minoritetin grek në Shqipëri dhe për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, dallohet si një konstante e qëndrueshme, synimi i përhershëm për helenizimin e jugut të Shqipërisë. Përpjekjet e hapura për ta orientuar atë drejt Greqisë jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë kulturor, shpirtëror, fetar etj marrin ngandonjëherë trajta agresive. Ato shihen në ekspansionin e gjuhës greke, në presionet që iu bëhen shqiptarëve për të ndërruar emrat, fenë madje edhe shtetësinë duke u konvertuar në të ashtuquajturën shtetësi “Vorio-epirote” (!?), në dhënien e pensioneve ndaj shqiptarëve të vetdeklaruar “vorio-epirotë”, të cilët nuk kanë punuar asnjëherë në Greqi, në ndërrimin e strukturës fetare deri edhe të peizazhit arkitekturor me ngritjen e kishave dhe institucioneve të tjera sipas stilit helenik. Këto qarqe greke këmbëngulin në konsolidimin e një vije Himarë – Këlcyrë – Korçë, pikërisht në kufijtë e imagjinuar të “Vorio-Epirit”, ndër të tjera edhe nëpërmjet ndërtimit të varrezave apo komplekseve mortore për ushtarët greke, të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës italo-greke, në vitin 1940. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj politike është rritja mbi kritere false e numrit të pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri, nga disa dhjetëra mijëra në qindra mijëra vetë dhe pretendimi për të përfshirë në hapësirën e tij edhe territore të padiskutueshme shqiptare etj. Objektivi është lehtësisht i lexueshëm. Synohet të krijohen elemente e “prova”, që, si dikur, në Konferencat e Paqes së Parisit pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të mund të përdoren nga qarqe ekstremiste për të justifikuar pretendime territoriale eventuale ndaj Shqipërisë. Në të kaluarën jo të largët, në grupin e “argumenteve” të servirura nga politika greke në mbështetje të pretendimeve territoriale, bënin pjesë edhe numri i banorëve ortodoksë, i shkollave dhe i mësuesve, i priftërinjve, i kishave dhe i varrezave greke etj. Kjo zhurmë dhe veprimtari pa dobi për të dy popujt nuk do të ishte shqetësuese, po të kihet parasysh se spektri politik grek ka një kompozim kompleks. Një rol jo të vogël kanë aty ekstremistët tradicionalistë, të cilët janë të mbërthyer pas sindromit arkaik të aneksimit të Vorio Epirit. Por, sidoqoftë do të ishte i mirëpritur një gjest disaprovimi, një akt distancimi nga politika zyrtare greke. Në optikën e asaj çka parashtrova më lartë duket krejt i papërligjur edhe qëndrimi që u mbajt e vazhdon të mbahet nga autoritetet greke ndaj vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për hedhjen poshtë të Marrëveshjes midis dy vendeve për caktimin e kufirit detar në zonën e kanalit të Korfuzit, marrëveshje e cila u konsiderua në shkelje të Kushtetutës, të Konventës Për të drejtën e detit dhe në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta nga ana e politikanëve apo zyrtarëve grekë për regjistrimin e popullsisë shqiptare nëpërmjet vetëdeklarimit, të cilat morën hera-herës trajtat e ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran. Dhe së fundi, nuk mund të kuptohet heshtja e qeverisë greke ndaj qëndrimeve gati luftënxitëse të ish-konsullit të saj në Korçë, i cili deklaroi hapur tani fillon beteja për Vorio-Epirin.   


Duke iu rikthyer asaj që përmenda në fillim të kësaj interviste, raporteve ndërmjet popujve shqiptar e grek, duhet pohuar se përkundër mentaliteteve nacionaliste primitive të përpunuara nga individë apo qarqe, ora e të cilëve ka mbetur prapa, popujt e dy vendeve e ndjejnë veten bashkudhëtarë të natyrshëm në epokën e integrimeve rajonale e europiane. Kjo epokë ka çelur vizione moderne për restaurimin e klimës së bashkëjetesës, mbi një bazë të qëndrueshme, për asfiksimin e tendencave antihistorike, prirjeve ekstremiste e shoviniste etj., që shqiptarizmi dhe helenizmi të mos shihen si dy gjëra që përjashtojnë njëra tjetrën, por si realitete që mund e duhet të bashkëjetojnë. Qeveritë greke e shqiptare duhet ta mbajnë gjithmonë parasysh këtë aspiratë sublime dhe t’i përgjigjen me veprime që respektojnë paqen, drejtësinë, fqinjësinë dhe integritetin territorial të të dy vendeve.
* Prof.Dr. Ksenofon Krisafi është Pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare, zëvendësrektor i Universitetit Europian të Tiranës

Loading...

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button