Rama: Filogrekë nuk jemi ne, por ata që i falën Greqisë detin

Edi Rama

Kosovarët mund ta presin shumë mirë një politikan socialist vetëm kur e dinë se është i huaj, por një socialist shqiptar vështirë se do t’i dilnin para, të paktën jo për ta pritur mirë. Edi Rama mund të jetë kryesocialisti i parë shqiptar që është pritur ngrohtë në Kosovë, ndonëse kjo nuk është vizita e tij e parë në vendin tonë. Promovimi i librit të tij, “Kurban”, por ndoshta pak më shumë hedhja poshtë e paragjykimeve jo të pakta për të, e sollën Edi Ramën në Kosovë, në një vizitë që deri tash vonë mund të besohej se e ka të mundshme vetëm Sali Berisha apo kundërshtari i ashpër i kreut të opozitës në  Shqipëri. Ndonëse ai nuk u prit me surle e tupanë si Berisha, sidoqoftë atij të gjithë ia hapën derën, ndërsa në përballje me njerëz të rëndomtë mori edhe jo pak lëvdata. “Edi do t’ia dalë”, i thoshte një zonjë nga Prishtina Ramës në ditën e dytë të vizitës. “Greko-fili, Edvin Kristaq Rama” siç thotë shpesh shefi i qeverisë shqiptare, ka dëshirë një gjë të vetme, që shqiptarët e Kosovës ta dëgjojnë me vëmendje dhe të mos besojnë çka do që thotë për të e socialistët, Saliu. Ai flet për “Zërin” në një intervistë të gjatë me dy vazhdime, ndër të tjera duke përmendur edhe argumentet e tij se kush është më progrek në Shqipëri.

Loading...
Zëri: Faleminderit për kohën që keni ndarë me ne dhe urime për librin…
E. Rama: Faleminderit
Zëri: Të nisim bisedën për librin, pse i duhet një politikani që është ende aktiv dhe i cili është edhe ndër pretendentët për të marrë pushtetin, të shkruajë një libër për të treguar një dekadë nga puna e tij?
Rama: Praktika e shkrimit të librave nga njerëz të politikës është praktikë e njohur në botën demokratike. Nuk është praktikë shqiptare, por le të bëhet edhe një praktikë shqiptare. Nuk ka më mirë që të shtohet edhe një rrugë tjetër komunikimi përmes fjalës së shkruar, më gjatë sesa që lejon një artikull në gazetë.
Zëri: Gjatë shfletimit të librit gjithmonë të shkon mendja te pjesa e këngës së “West Side Family” – “aty ku kryetari duhet të flasë me megafon”. Kam përshtypjen sikur libri, ndër të tjera, është dhe një shfryrje e mllefit tuaj për gjithë ato gjëra që jo pak shqiptarë mendojnë se kanë shkuar si mos më keq, ndërkaq në të njëjtën kohë keni ndarë dhe idetë tuaja se si të bëhen gjërat më mirë?
Rama: Nuk do ta quaja mllef, por do ta quaja më shumë një ngarkesë emocionale, por edhe intelektuale për t’u ndarë nga të tjerët në kushtet kur, për arsye të njohura, kjo ngarkesë u bë mëse e mjaftueshme që të mos mbetej thjesht brenda meje. Është një libër i shkruar për të ardhmen, duke e parë atë në pasqyrën e së shkuarës.
Zëri: Libri ka shkaktuar kundërthënie të shumta në Shqipëri, ndërkaq ne jetojmë në një kohë kur qasja në internet është e lehtë dhe jo e kushtueshme në Shqipëri dhe Kosovë dhe nga ku njerëzit bombardohen me opinione të ndryshme rreth librit. Cili besoni se është argumenti juaj më i fuqishëm që t’iu thoni njerëzve që të harrojnë ato që thuhen e ta lexojnë librin?
Rama: Për të mos krijuar një ide të gabuar duke dëgjuar komentet e të tjerëve, por për të krijuar secili idenë e tij përmes leximit të drejtpërdrejtë. Sigurisht që librat komentohen, por nuk shkruhen për t’u komentuar, por shkruhen për t’u lexuar…
Zëri: E di që në fillim të librit e keni sqaruar arsyen pse i keni dhënë librit titullin Kurban, por do të donim që ta sqaroni vetë dhe për lexuesin e “Zërit”? Kush është Kurbani?
Rama: Kurbani është një ngjarje e ndodhur me të cilën fillon libri dhe besoj që është një moment i cili e definon një kornizë për librin dhe për këtë arsye unë kam preferuar që ta titulloj librin Kurban…pra duke marrë shkas edhe nga një ngjarje.
Zëri: Nuk jeni ju Kurbani? E dimë që librin keni vendosur ta shkruani pasi përfundimisht keni hequr dorë nga përpjekjet, siç thoni, për ta ruajtur Bashkinë e Tiranës që ua vodhi pushteti, ndërkohë tërheqja juaj është bërë pas ndërhyrjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk e ndjeni veten se jeni bërë Kurban i disa lojërave politike të fuqive të mëdha?
Rama: Nuk ka lidhje kjo me fuqitë e mëdha, të them të drejtën. E vërteta është se pavarësisht nga dukja paradoksale, ajo që ndodhi me Tiranën krijoi kushtet për kursin tonë të ri politik, sepse demaskoi plotësisht një proces dhe një sistem zgjedhjesh të pandershme që sot është në fokusin e të gjithëve si një domosdoshmëri për të ndryshuar.
Në rast se kjo do të kishte ndodhur pas vitit 2009 edhe kursi ynë do të kishte qenë i tillë shumë kohë më parë, por për shkak se kjo nuk ndodhi, pra ne mbetëm për një kohë jo të shkurtër dëshmitarë të vetëm të vjedhjes së 2009-ës, ishim detyruar të silleshim ashtu siç u sollëm, sepse vetëm ashtu mund të garantonim opozitarizmin në Shqipëri dhe mund të garantonim ekuilibrin e domosdoshëm pluralist në Shqipëri. Sot jemi në kushte të tjera.
Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes tuaj, unë nuk jam Kurbani, sepse unë jam edhe këtu para jush. Mbase kam shkruar një libër dhe me gjithë energjinë dhe pasionin e nevojshëm për ta çuar përpara betejën politike.
Zëri: Z. Rama, ju keni qenë i njohur shumë edhe në Kosovë që nga koha kur për herë të parë jeni bërë kryetar i Tiranës e më pas jeni bërë edhe një nga lojtarët kryesorë të politikës në Shqipëri dhe kjo normalisht që ka dhe ndikimin e vet në Kosovë. Por për ju, sa zë vend Kosova në këtë 11-vjeçarin tuaj që e keni shkruar edhe në libër?
Rama: Si kryetar i bashkisë së Tiranës, Kosova ka zënë vend si një prani e rëndësishme vizitorësh në Tiranë, të të gjitha moshave, kryesisht të rinj. Flas për këtë edhe në libër…Ata më kanë dhënë një pjesë të çmuar të kënaqësisë së suksesit të transformimit të Tiranës. Sigurisht që të mos ndodhnin transformimet në Tiranë, edhe prania e tyre nuk do të kishte qenë ajo që u bë dhe u rrit me kalimin e viteve.
Si drejtues i Partisë Socialiste dhe opozitës, kosova ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në agjendën tonë politike dhe në përpjekjet e mia politike. Ne modestisht kemi dhënë atë që na ka takuar të japim në mbështetje të procesve historike që e kemi pasur fatin t’i jetojmë dhe të udhëheqësve politikë në Kosovë, pa dallim.
Zëri: Megjithatë dihet se ju jeni personi më i paragjykuar në Kosovë…E kemi parë edhe në disa paraqitjet tuaja publike këtu në Kosovë është dashur që të sqaroni qëndrimet tuaja edhe një herë rreth çështjeve si puna e autostradës apo edhe kur jeni përballur me atë nëse PS është parti filo-greke…Keni një qëndrim pse ndodh kjo?
Rama: Unë nuk i vë faj absolutisht opinionit këtu që është viktimë e një strategjie djallëzore e manipulumit e orkestruar nga Saliu në Tiranë me qëllimin e njollosjes të opozitës shqiptare dhe të personit tim i vënë përprara akuzës së rëndë për korrupsion me rrugën e kombit.
Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër rrugës së kombit. Unë e hedh me neveri këtu në Prishtinë këtë akuzë të ulët, ashtu sikundër e nënvizoj se nuk ka qenë absolutisht nevoja që kjo rrugë strategjike për kombin tonë të kthehej edhe në një autostradë të korrupsionit ku të devijoheshin qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë që pa dallim – socialist, demokrat, pa parti, kanë kontribuar për ndërtimin e saj.
Për më tepër ideatori i rrugës së kombit është sot në lidershipin e PS, kryeministri Pandeli Majko, i cili kur e nisi këtë përpjekje, u keqtrajtua me shpoti e me të qeshura nga pala që sot rreh gjoks me rrugën e kombit.
Besoj se qëndrimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë, por propaganda e shfrenuar dhe balta që është hedhur sistematikisht mbi ne, sikur gjoja ne qenkemi kundër rrugës apo sikur gjoja që paskam thënë unë se kjo është rruga e asgjekundit, një shpifje shumë e ulët e kanë bërë të vetën.
Zëri: Po mirë, pse nuk jeni përgjigjur me të njëjtën fushatë që të sqaroni këtë çështje?
Rama: Ne kemi përsëritur sa herë kemi folur për këtë rrugë qëndrimin tonë, por të mos harrojmë që burimet e propagandës së qeverisë janë shumë më të mëdha sesa tonat dhe për më tepër prirja natyrale për t’i besuar këtyre burimeve këtu në Kosovë është më se e kuptueshme.
Zëri: Kujtojmë para disa javësh një nga lajmet kryesore dhe më të komentuara ka qenë një deklaratë që supozohet se është bërë nga Arta Dade: ‘Shqipëria nuk duhet të prishë marrëdhëniet me Serbinë për shkak të Kosovës’. Njerëzit në Kosovë thoshin, ja edhe një argument pse socialistët nuk janë fare të interesuar për Kosovën?
Rama: Çështja do të ishte kështu nëse do të ishte e vërtetë. Edhe kjo është një shpifje e pra kështu ndodh që burimet e informimit infektohen nga makinacione të tilla, të cilat nuk i themi ne, por i thotë qeveria, i thotë Saliu, e pastaj përhapen nëpërmjet rrugëve të komunikimit për ta ndotur dhe sunduar mjedisin mediatik, ku edhe krijohet opinion.
Ju përmendet pak më parë që këtu PS shihet si parti filogreke, por ka një shembull konkret edhe për këtë që është shembulli i sjelljes të diametralisht kundërt të atyre që i bien gjoksit si shqiptarë të mëdhenj që janë në qeveri dhe që me një firmë i falën Greqisë 300 m katrorë det Shqipërie dhe tonën që e ngritëm këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuam anulimin e kësaj marrëveshjeje si një marrëveshje kundër interesave kombëtare.
Në rast së shohim historinë e këtyre 20 vjetëve pavrarësisht kohës kur unë kam qenë në krye të PS apo kur të tjerët kanë qenë në krye të partisë apo qeverisë ka një vazhdimësi qëndrimi në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe çështjes së Kosovës nga ana e PS dhe qeverive të saj.
Mos të harrojmë se kjo datë e çmuar përkon edhe me lindjen e UÇK-së, e cila u mbështet nga qeveria socialiste të Fatos Nanos e më pas edhe të Pandeli Majkos pastaj me radhë në procesin e transformim tërësor që solli lufta çlirimtare nga qeveritë socialiste dhe u godit si lëvizje marksiste, u godit si lëvizje kontrabnandistësh apo si bandë e armatosur nga shtypi i Partisë Demokratike.
Janë momente historike në të cilat është dalluar qartë qndrimi ynë koherent me qëndrimin e lëkundur herë pas here të PD në Tiranë, gjë që do të thotë se ne duhet të bëjmë më shumë për informimin më të mirë të opinionit publik këtu në Kosovë dhe nga ana tjetër opinioni këtu duhet të gjykojë në bazë të fakteve dhe jo në bazë të fjalëve që vijnë këtu të deformuara qëllimisht.
Zëri: Ndoshta një përpjekje e përafrimit mund të quhet edhe propozimi juaj për unifikimin e sistemit arsimor Kosovë – Shqipëri, megjithëse është pak e çuditshme që lidershipi politik në të dy vendet është skajshmërisht i kujdesshëm kur bën propozime të tilla, sepse gjithmonë ekziston mundësia që kjo të shihet nga jashtë si diçka nacionaliste?
Rama: Nuk ka rëndësi besoj unë çfarë diskutimesh ndizen, por çfarë rëndësie ka një problem që i ngjall këto diskutime dhe sa e drejtë është zgjidhja që mund të prodhojë pastaj edhe diskutime. Unë besoj që në shumë aspekte ne i paguajmë një çmim mungesës së traditës demokratike, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, mungesës së institucioneve demokratike për një kohë të gjatë, mungesës së një tradite të gjatë shteti e me radhë.
Por nga ana tjetër nuk ka pse brezat e rinj, fëmijët e sotëm t’i paguajnë një çmim dritëshkurtësisë së politikës aktuale shqiptare lidhur me shkollimin e tyre. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe askush nuk mund të na pengojë, sepse s’ka arsye të na pengojë të ndërtojmë një sistem arsimor të unifikuar dhe të bashkojmë territorin shpirtëror dhe territorin e të menduarit si komb, pavarësisht kufinjëve që sot ndajnë Shqipërinë me Kosovën dhe pavarësisht të gjitha atyre problemeve që na takojnë t’i trajtojmë veçmas si dy shtete të ndryshme.
S’ka asnjë arsye që ne të vonojmë shumë. Ka kaluar një dekadë dhe përfytyroni që mbas një dekade takohen ministrat dhe flasin akoma për abetaret. Sikur të merremi dhjetë vjet me çdo libër shkolle unifikimi i sistemit arsimor mund ta bëjmë pak a shumë pas 1100 vjetësh.
Ndërkohë që kjo është një punë që ne jemi angazhuar dhe të punojmë një dokument tonin që do ta ndajmë me të gjitha forcat politike, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe do të hapim një debat për këtë duke synuar që me fitoren e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie socialiste dhe progresiste, ta kthejmë në një program pune të përbashkët me qeverinë e Kosovës për të pasur një sistem arsimor të unifikuar dhe për të ndërtuar pika të përbashkëta referimi për fëmijët, të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri dhe Kosovë.
Nesër mund të lexoni qëndrimet e Edi Ramës për atë se kush lejoi futjen e biznesmenëve serbë në tregun shqiptar, marrëdhëniet e socialistëve me Ibrahim Rugovën dhe UÇK-në…etj.
Astrit Gashi & Artan M. Haraqija

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button