Regjistrimi apo “çregjistrimi i popullsisë”?!

Nga ENXHI KASTRIOTI
Regjistrimi i popullsisë apo siç mori emrin me ato pak ndryshime që pësoi – “Censusi” – është një nga ato çështje që ka ngjallur jo pak debate në opinionin publik mbarë shqiptar. Madje mund të cilësohet si një nga më seriozet e dhjetë viteve të fundit ndoshta nga ato më shqetësueset e të gjithë historisë shqiptare.

Loading...

Një ngjarje e shoqëruar me akuza të ndërsjella, me protesta, debate, me reagime dhe këto jo vetëm brenda shtetit tonë. Me një peticion të iniciuar e nënshkruar nga figura të njohura shqiptare, e më pas nga çdo shqiptar pa dallim feje apo bindje politike, me kalime ligjesh, qoftë edhe atëherë kur një deputeti i është dashur të votojë edhe për kolegun e vetë jo të pranishëm!

Një ngjarje plot kontradikta ndonjëherë e shoqëruar edhe moskuptim, apo konfuzion e kryesisht këto, në këmbënguljen e qeverisë tonë rreth realizimit të vetëdeklarimit etniko-fetar. Kur nga të gjithë, nga intelektualë e dijetarë, njerëz publikë apo të thjeshtë, të mëdhenj e të vegjël, nga çdo shqiptar qoftë ai ortodoks, katolik, apo mysliman u bërtit me zë te lartë se do të ishte një situatë e dëmshme për Shqipërinë. Një proces i pakontrollueshëm i cili do të rrisë në mënyrë artificiale minoritet në Shqipëri, do e kthente vendin tonë në një vend multi-etnik, e do t’i shkaktonte probleme që s’i ka pasur kurrë më parë.

Megjithatë, si gjithmonë situata te tilla debati nuk përbëjnë një habi, pasi gjithë historia politike e njëzet viteve të fundit është e mbushur me të tilla histori, të cilat gjithmonë synojnë përçarje. Por ajo që përben në vetvete një problem tejet serioz, shqetësues, ajo që ndez “llambën e kuqe të alarmit” është se përsëri, përballë sulmeve të vazhdueshme periodike, deklaratave, ndërhyrjeve të përsëritura në punët e brendshme të Shqipërisë, ne jemi të destinuar t’i përballojmë të përçarë.

Kjo ndodh pasi janë ata “qeverisësit” tanë që bëjnë gjithmonë një sy qorr e një vesh shurdh duke anashkaluar çështje me shumë rëndësi për hir të interesave të tyre personale, pazareve politike apo kush e di se çfarë tjetër…

Ja ku ndodhemi tani, falë këtyre moskokëçarjeve politike, egoizmave të tejskajshëm karrieristë apo ekonomikë. Ku kemi përballë një proces regjistrimi të popullsisë pothuajse të dështuar. Një proces i cili nuk mbaron në kohën e duhur apo që gjatë gjithë vazhdimësisë së tij u shoqërua me probleme të mëdha të shumta dhe vërtet shqetësuese. Ku kemi fshatra të tërë që vetëdeklarohen grekë apo shfaqjen e minoritetit maqedonas, i cili më parë thuajse nuk ka ekzistuar.

Duke vërejtur me kujdes lëvizjet më të fundit politike rreth çështjeve kombëtare një nga shprehjet e para e cila më shkoi nëpër mend ishte ajo e ish-presidentin të Francës i cili konkretisht thoshte:

“Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”.

Dhe natyrshëm lindi pyetja: Por me ne vallë çfarë do të ndodhë? Kur këta politikanët tanë nuk kanë vendosur të tradhtojnë vetëm elektoratin, por vendin dhe gjithë kombin shqiptar?!

Ku nuk ngurojnë të “falin” tokat tona (çështja e kufirit detar me Greqinë), për të cilat, për të mbrojtur qoftë edhe një centimetër të tyre është derdhur gjak. Nuk ngurojnë të ndryshojnë historinë, me kërkesë të disa zyrtarëve të huaj duke hedhur poshtë të gjithë luftërat, luftëtarët, heronjtë shqiptarë. Nuk ngurojnë të plotësojnë çdo tekë të fqinjëve tanë në emër “të fqinjësisë së mirë”. Por mbi të gjitha hezitojnë të reagojnë ndaj kërcënime kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve. Hezitojnë të reagojnë kundër deklaratave të një konsulli për autonomi, hezitojnë të reagojnë për trillime minoritetesh e pakicash etnike inekzistente. Hezitojnë t’i kundërpërgjigjen apo qoftë t’i dënojnë sulmet e përditshme nga Maqedonia, që ka zgjedhur një metodë tepër dinake, tepër të zgjuar , atë nëpërmjet librave, enciklopedive, ku më shumë se një herë fyhen, ofendohen Shqipëria dhe vetë shqiptarët.

Hezitojnë të ngrenë zërin apo të kërkojnë të drejtat e shqiptarëve të luginës së Preshevës, të emigrantëve që kanë vite e vite të tëra qe jetojnë e punojnë në shtetet fqinjë por ama nuk zotërojnë asnjë të drejtë, apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame.

Edhe për sa kohë do të zgjasë kjo situatë, edhe për sa kohë të gjitha këto ngjarje do të cilësohen si raste të izoluara apo gabime njerëzore dhe a mund të quhen të tilla kur përsëriten më shumë se një herë?

Si përfundim, duke parë të gjitha këto ngjarje që e paraprinë, e shoqëruan dhe ndoshta do ta pasojnë, këtë proces, apo këto lëvizje politike deri diku të pakuptueshme, janë situata të cilat t’i shtojnë akoma më shumë pyetjet, dyshimet, mungesën e besimit dhe të bëjnë të vësh në pikëpyetje seriozitetin e qeverisësve tanë, atyre të cilët duhet që në radhë të parë të jenë për mbrojtjen e interesave kombëtare.

(Mendimet e shprehura nga autorja janë personale)

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button