Replika në tunel, greku Koutras i kërkon Berishës paratë e Kërrabës

Foto ilustruese

Përfundimi i kilometrit të parë të tunelit të Kërrabës në segmentin Elbasan është shfrytëzuar nga Kryeministri Berisha për të bërë një inspektim të punimeve. Por, gjatë fjalës dhe falenderimeve së rastit, Berishës i është dashur të përballet me një surprizë të pakëndshme. Ndërsa ka lavdëruar punën e kompanisë greke, Berisha mori si përgjigje kërkesën për bërjen e pagesës për punimet e kryera, pasi deri më tani ato ishin bërë me paratë e vetë kompanisë. “Me që jeni ju dhe bankierët këtu, ne vijuam me punimet sipas afateve që kemi ju premtuam. Por, e gjithë kjo punë tani është bërë pa u paguar dhe pa marrë asnjë lek. E bëmë sepse ju kishim premtuar”, – tha Dimitris Koutras, Presidenti i kompanisë greke “Aktor”. Menjëherë pas kësaj fjalie, ka ndërhyrë ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, i cili pa mikrofon i tha Presidentit Koutras se paratë do t’i marin gjatë javës në vijim. Ndërkaq, përballë kësaj situate, Berisha fajësoi procedurat e stërzgjatura bankare, të cilat kanë bërë që kompania të mos paguhet për punën e bërë. Kështu, Kryeministri iu drejtua përfaqësuesve të Bankës Islamike duke i kërkuar kryerjen sa më shpejtë të procedurave për disbursimin e parave. “Kënaqësia e firmës është kur shikon paratë dhe Dhimitri po prêt dhe ka bërë një punë shumë të mirë”, – tha Berisha.

Loading...

Pas kësaj situate, Berisha vijoi duke akuzuar opozitën, e cila sipas tij ka dashur të pengojë ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. “Një e katërta e punimeve në korridorin Tiranë-Elbasan përfundon në një hark kohor të shkurtër, por nuk mund të mos kujtoj këtu, një natë të gjatë në Parlamentin shqiptar, nata më e gjatë në karrierën time politike në Parlament, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata të cilët përdorën pushtetin e tyre për të bllokuar statusin e vendit bënë gjithçka, deri në orën 5 të mëngjesit, për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan”, – tha Berisha.

Është i pakuptueshëm fakti se si ka mundësi që kompania të mos ketë marrë paratë në një kohë kur marrëveshja e qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim, e cila mori përsipër financimin e projektit është nënshkruar disa muaj më parë. Kredia ishte në vlerën e 222.7 milionë dollarëve dhe parashikonte financimin e një pjesë të rrugës Tiranë-Elbasan përfshirë edhe tunelin e Kërrabës. Një shpjegim i kësaj situate është mos disbursimi i fondeve nga banka. Kjo, edhe për faktin se qeveria nuk e kishte përfshirë në treguesit e borxhit kredinë në fjalë kur miratoi ndryshimet në buxhetin e këtij viti në muajin qershor, tre muaj pas arritjes së marrëveshjes me Bankën Islamike.

 “Shekulli” paralajmëroi situatën që në janar
Pjesë nga shkrimi i botuar më 14 janar 2011 me titull: “Firma do ndërtojë rrugën me paratë e veta”
“Menjëherë pas shpalljes së fituesit të tenderit për tunelin, sipas përcaktimeve kohore të vendosura nga qeveria, pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e tij. Por, nisja e punës lidhet drejtpërdrejt me fondet e përcaktuara në buxhet për këtë vepër. Buxheti i këtij viti (2011), parashikon një fond prej vetëm pesë milionë lekësh, ndërkohë që kemi të bëjmë me një projekt prej të paktën 15.4 miliardë lekë. Në këto kushte, nëse qeveria do t’i përmbahet afatit prej 18 muajsh për fillimin dhe përfundimin e punimeve ose duhet të gjejë lekët brenda një kohë shumë të shkurtër ose do t’i kërkojë kompanisë të fillojë punimet me fondet e saj. Eksperienca e deritanishme e kompanive të ndërtimit shqiptare ka treguar se kjo praktikë ka ecur. Ato kanë kryer punimet ndërsa një pjesë të parave nuk i kanë marrë ende, por duhet parë nëse e njëjta praktikë të bëjë punë me kompaninë që do të dalë fituese nga tenderi për tunelin e Kërrabës….”

Pagesat, si futen në “kurth” kompanitë e ndërtimit
Kërkesa e Presidentit të kompanisë “Aktor” për t’u paguar për punën e bërë, ndodh rrallë ose aspak nga kompanitë shqiptare, të paktën në prezencën e Kryeministrit. Kompanitë e ndërtimit deklarojnë se qeveria iu ka ende miliona euro borxh, për punë të bëra që prej vitit të kaluar. Madje, mos pagesat e kompanive që kanë realizuar investimet publike shihet edhe si një ndër shkaqet e rritjes së kredive të këqija pasi në mungesë të fondeve biznese, si ato të ndërtimit e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve ndaj bankave. Nuk është hera e parë kur qeveria u thotë kompanive që të nisin punimet me fondet e tyre pasi më vonë do të bëjë pagesat. Në këtë kurth kanë renë një pjesë e mirë e kompanive të vendit, por duket se kjo “lojë” nuk shkoi me grekët.

Grekët e “Aktor” fituan garën ndërmjet 26 kompanive duke ofruar vlerën më të ulët. Tuneli parashikohet të ketë një kosto ndërtimi prej rreth 8.3 miliardë lekësh, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve kishte parashikuar një fond limit prej 15.4 miliardë lekësh. Oferta e bërë nga “Aktor” është përafërsisht sa gjysma e fondit limit e parashikuar nga autoritetet. Kjo ishte një ofertë surprizë, e cila rrëzoi të gjitha kompanitë e tjera.
Tuneli ka një gjatësi në të dyja tubat prej 4.3 kilometrash. Punimet kanë filluar nga të dyja drejtimet, Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Tiranë. Ekspertët që punojnë aktualisht për projektin shpjegojnë se përbërja e shkëmbit është tepër e mirë dhe kjo i mundëson kompanisë që të vijojë punimet sipas planit. Për sa i përket drejtimit Elbasan-Tiranë, mësohet se janë shpuar vetëm 200 metra linearë.

Tuneli i Kërrabës pësoi ndryshime në projekt pak javë pas fillimit të punimeve. Ndryshimi i projektit bëri që të ulej me 20 metra lartësia e ku do të bëhej shpimi. Ndikimi i parë direkt i uljes së lartësisë së shpimit ishte zgjatja e pjesës së tunelit me të paktën 200 metra të tjerë. Krahas uljes me 20 metra të lartësisë, një ndryshim tjetër i bërë kishte të bënte me rrugën, ku u miratua shmangia e dy urave ajrore në hyrje të tunelit.

 Legjenda e rrugës
Gjatësia                                 31.1 km
Gjatësia e dy tuneleve        4.3 km
Kosto                                     ~ 36 mld lekë
Kosto tunelit         ~ 8.3 mld lekë
Mbikalime            7
Nënkalime            4
Shpejtësia e projektuar      100-120 km/h
Gjerësia e një vije kalimi    3.75 metra
Kohëzgjatja e punimeve    18 muaj

Kredia, nuk janë disbursuar fondet
ondet të cilët mungojnë, janë paratë e premtuara nga Banka Islamike për Zhvillim, me të cilën qeveria shqiptare lidhi në muajin prill një marrëveshje financimi prej 222.7 milionë dollarë. Paratë mungojnë pasi fondi nuk është disbursuar ende, edhe pse marrëveshja është lidhur që në muajin prill, madje është miratuar në parlament. I gjithë transaksioni u bë duke bazuar mbi ligjin islam. Pra, përllogaritja e interesave dhe kushtet e tjera të marrëveshjes janë përpiluar sipas rregullave Islame. Sipas përllogaritjeve paraprakë të bëra nga palët gjatë përpilimit të marrëveshjes, deri në fund të saj, Shqipëria do të paguajë 132 milionë dollarë interesa. Pra, deri në këstin e fundit përllogaritet që Shqipëria të ketë derdhur në llogari të Fondit Islamik për Zhvillim rreth 354.2 milionë dollarë. Kthimi i parave do të bëhej me 34 këste për një periudhë 17 vjeçare, dy herë në vit nga momenti i fillimit të pagesës.
Në total, kredia ka një afat maturimi prej 20 vitesh, por shteti shqiptar do të fillojë së paguari, tre vjet pas nënshkrimit. Pra, për kredinë e marrë në prill, përllogaritet që vendi ynë të fillojë të paguajë në vitin 2014.
Marrëveshja për financime me vendet arabe është e veçantë dhe ndryshe nga bankat perëndimore, pasi paratë nuk jepen në formën e kredisë. Marrëveshja nuk u konceptua si kredi, por ofruesi i parave bëri një përllogaritje se sa të ardhura mund të ishin nxjerrë me atë shumë që e ve në dispozicion nëse ato do të ishin vënë në punë dhe bazuar mbi këtë, ai i vendosi një çmim shitje kësaj shume parash.
Paratë konsiderohet si një mall, të cilin ti e përdor dhe nxjerr të ardhura. Banka në këtë rast, në vend që të përllogariste interesat, mori parasysh të ardhurat që do të ishin krijuar nga përdorimi i këtyre parave. Çmimi final që duhet të paguajë marrësi i parave përbëhet nga shuma bazë plus të ardhurat që nxirren nga futja në punë e kësaj shume. Në kreditë normale, qeveria arrin marrëveshjen e kredimarrjes, bankat disbursojnë paratë dhe më pas kredia shlyhet sipas kushteve të paracaktuara nëpërmjet kësteve të cila përbëhet nga principali plus interesat, vetëm interesat për një periudhë të caktuar kohore, etj. Por sipas rregullave Islame, dhënia e parave me fajde është rreptësishtë e ndaluar. Nisur nga kjo, bankat në vendet myslimane kanë zgjedhur një rrugë tjetër financimi për kërkuesit. Ato nuk konsiderohen vetëm dhënësit e parave, por në marrëveshjen që arrijnë me marrësin e parave paraqiten si ofrues të një malli, të cilat në rastin tonë janë paratë. Në këtë rast, dhënia e parave konsiderohet një shërbim që banka i jep qeverisë shqiptare kundrejt një pagese.

Kriteret e marrëveshjes së kredisë me Bankën Islamike
 -Afat maturimi 20 vjet
-Shuma totale e interesave përllogaritet rreth 132 mln USD
-Shqipëria fillon pagesat tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes
-Pagesa do të bëhet me 34 këste për 17 vjet, nga dy herë në vit
-Mosmarrëveshjet do të zgjidhen sipas ligjeve të Islamit
-Pagesa do të bëhet në selinë e Bankës së Gjirit në Londër
-Përveç dollarit, pagesat mund të bëhen edhe në monedha të tjera
-Punimet duhet të përfundojnë tre vjet nga disbursimi i parë
-Kontrata duhet të nënshkruhet brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button