Jep dorëheqje nga Nestle për arsye se nuk do produkte serbe në Kosovë

Senton Kaçaniku, shef i marketingut e tregtisë së kompanisë Nestle në Kosovë, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, kurse atë e arsyeton me faktin e Nestle ka blerë kompaninë serbe “Centroproizvod” dhe qëllimit të tyre për të promovuar dhe shitur këto produkte serbe në tregun e Kosovës (duke i prezantuar si produkte zvicerane për shkak të pronësisë së Nestle).

Loading...

”Synimi im është që të njoftohet publiku se prodhimet e Centroproizvodit janë prodhime serbe dhe të mbrohet konsumatori nga çdo lloj tentative për ta mashtruar atë”, shkruan Sentoni në një e-mail dërguar portalit Koha.

Ai tregon se dorëheqjen verbale tek drejtori i regjionit Nestle Adriatic, Marco Travaglia, dhe atë me shkrim tek distributori ekskluziv i Nestles për Kosovë, “Auloni” sh.p.k., e ka dorëzuar më 1 dhjetor gjatë vizitës së Travaglias në Prishtinë.

Kompania globale me qendër në Vevey të Zvicrës, Nestle, në qershor të këtij viti bëri të ditur se ka vendosur të blejë kompaninë serbe “Centroproizvod”, të njohur për mëlmesën ushqimore “Zaçin C” dhe çokollatat “Cipiripi”. Pas blerjes së fabrikës së akullores të “Delta Ice Cream” në Stara Pazovë të Serbisë, më 2005, Nestle edhe një herë dëshmoi interesimin si kompani për të investuar në Serbi çdo herë e më shumë. Aktualisht kjo kompani punëson rreth 700 punëtorë në Serbi, ndërsa vetëm 2 në Kosovë.

“Njësoj siç kompania bazë kishte vendosur, pas konsultimeve me kolegët kroatë, se nuk do ishte e arsyeshme të eksportohen produkte të “Centroproizvod” në Kroaci, gjatë shumë mbledhjeve e takimeve në Zagreb, Shkup dhe Sarajevë edhe unë kam kërkuar që e njëjta gjë të bëhet për Kosovën”, pohon Kaçaniku.

“Kam shpjeguar se shitja e mallrave serbe nga ana e Nestle në Kosovë është e dëmshme në çdo aspekt. Për më tepër, kam ofruar alternativa konkrete për investime që Nestle do të mund të bënte në Kosovë për të shtuar përfitimet, rritur punësimin dhe për të mbrojtur Kosovën nga importi i mallrave serbe”.

Rrjedhimisht, dorëheqja ime nga kompania Nestle është krejtësisht objektive dhe parimore meqenëse unë asnjëherë nuk mund të mbështes e fuqizoj dominimin ekonomik, social e politik të Serbisë mbi Kosovën. Vërshimi që Nestle synon t’ia bëjë tregut kosovar me prodhimet e “Centroproizvod” është thellësisht i dëmshëm për Kosovën dhe unë nuk do të mund të isha pjesë e një kompanie që promovon një gjë të tillë”, arsyeton dorëheqjen e tij Kaçaniku.

Në fund të kësaj letre ai shkruan se aktivitetet e tij do të mund të ndikojnë në vetëdijesimin e Nestle dhe të gjitha kompanive tjera, të huaja e vendore, që të mos mbështesin agresionin serb ndaj Kosovës me anë të tregtisë dhe jo vetëm tregtisë.

“Kjo tregti nuk mund të jetë e lirë përderisa është burim i vetë robërisë së një çerekut të territorit të Kosovës, dhe nuk mund të jetë legjitime përderisa është burim i financimit për strukturat e Serbisë, të cilat edhe sot luftojnë kundër ekzistencës tonë”, përfundon Kaçaniku.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button