Danaj: Gjashtë letrat e mia për ministrat e jashtëm mbi bashkimin e trojeve shqiptare

“Sot i nisa 6 letra në adresë të ministrave të jashtëm evropianë, si edhe në adresë të Departamentit të Shtetit, lidhur me bashkimin përfundimtar të territoreve të Shqipërisë me Kosovën, sepse koha nuk pret më”. Kështu u shpreh dje, Koço Danaj, njëri ndër gazetarët dhe publicistët e njohur të vendit tonë, i cili njihet gjithashtu si iniciator i krijimit të listës për Shqipërinë Natyrale.

Loading...
Zoti Danaj, në cilin moment të procesit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ndodhemi aktualisht?
Unë mendoj se jemi në momentin e fundit. Koha nuk pret më. Nuk ka nevojë të kërkojmë alternativa të ndërmjetme për bashkimin natyral të trojeve tona. Jemi pikërisht, në momentin kur duhet të kërkojmë bashkimin e dy shteteve sovrane shqiptare që përbëhet nga një komb, rreth një shteti të vetëm. Me pak fjalë ka ardhur plotësisht koha që të kërkojmë bashkimin e territoreve tona etnike.
Ju mendoni se kjo gjë duhet zgjidhur me anë të një referendumi, apo të ndërmjetësimit të shteteve të mëdha evropiane?
Unë mendoj se kjo gjë duhet bërë menjëherë dhe pa asnjë lloj referendumi. Sepse rezultati i çdo lloj referendumi të tillë dihet saktësisht. Sot çdo shqiptar i ndershëm e bir shqiptari kërkon me çdo kusht bashkimin e trojeve dhe korrigjimin e gabimit historik të fuqive të mëdha në Konferencën e Londrës. Prandaj unë ju pyes për çfarë nevojitet referendumi në këtë rast kur gjymtyrët e një kombi janë prerë mizorisht dhe padrejtësisht, duke e ndarë Shqipërinë me kufij artificial gjatë vitit 1913? Në këtë moment historik, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, ne duhet të veprojmë.
Cila është detyra e dy klasave politike të Shqipërisë dhe Kosovës për bashkimin e trojeve tona?
Politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bëjnë detyrën e tyre. Për këtë i mëson vetë momenti historik që ka ardhur te pragu i derës. Vetëm mjafton që këto dy shtresa politike të shfaqin përgjegjshmëri dhe të mos jenë të shitur te Beogradi, apo te Athina. Sot momenti historik na udhëzon të gjithëve që të bëjmë çdo gjë në emër të bashkimit.
Megjithatë, cili është veprimi i parë që duhet të bëjmë në këto momente për të shkuar drejt bashkimit?
Këtu nuk ka veprim të parë apo të fundit, por veprimi i vetëm është që të bashkohemi. Askush nuk mund të na pengojë, pasi të gjithë e dinë se çfarë padrejtësie e rëndë na është bërë nga ndërkombëtarët në vitin 1913. Për këtë arsye unë pikërisht sot i kam dërguar materialin e shkruar në formë letre, gjashtë ministrave të jashtëm të vendeve të zhvilluara, si edhe një letër në adresë të Departamentit të Shtetit, ku kërkoj bashkimin e trojeve të Shqipërisë dhe zhvlerësimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Këtë kërkesë e bëj në emër të listës ekzistuese për Shqipërinë Natyrale.
Çfarë i shkruani 6 ministrave të jashtëm të vendeve evropiane dhe Departamentit të Shtetit?
Unë u paraqes atyre një material të argumentuar në lidhje me nevojën urgjente të ribashkimit të trojeve shqiptare në një vend të vetëm. Nga ana tjetër unë i konsideroj të pavlefshëm vendimet e Konferencës së Londrës.
Cilat janë argumentet tuaja?
Për të vërtetuar pavlefshmërinë e vendimeve të Konferencës së Londrës, unë paraqes tre pika kryesore të cilat janë zbuluar kohët e fundit dhe disa prej tyre janë ende të panjohura për opinionin publik.
Cilat janë këto tre pika?
Pika e parë është fakti, se Konferenca e Londrës nuk ka bërë asnjë diskutim për Shqipërinë. Pika e dytë ka të bëme faktin se Konferenca e Londrës nuk ka mbajtur procesverbal të rregullt për diskutimet dhe debatet, ndërkohë që pika e tretë sqaron faktin se copëtimi i Shqipërisë është bërë për të kënaqur orekset e fqinjëve dhe shovinistëve të ndryshëm. Por përveç kësaj ekzistojnë fakte që tregojnë se edhe fjalimi i njohur deri më sot, nën autorësinë e ministrit të jashtëm britanik Eduard Grei, është një fjalim i gënjeshtërt dhe inegzistent.
Ku e bazoni ju platformën e Shqipërisë natyrale?
Platforma e Shqipërisë Natyrale bazohet në të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Por po bëj një parashtrim më të plotë për të gjitha shtresat e lexuesve të gazetës suaj.
Ka një arsye që është e para dhe e fundit njëkohësisht: Përgjatë afër një shekulli, shqiptarët festojnë si Ditë të Pavarësisë së tyre, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ndërkaq, kufijtë administrativë u përcaktuan më vonë në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, e cila me vendimet e saj, e la përgjysmë misionin themelor të shqiptarëve. Brenda ndërgjegjes apo nënndërgjegjes, si një mjet ngushëllimi apo si një mjet mosharrimi, si një manovër e mençur politike apo thjesht si një instikt nacional, nuk ka rëndësi se kush është në krye. Ajo që ka rëndësi, është se brezit të sotëm të elitës intelektuale dhe politike shqiptare i ofrohet jo vetëm mospajtimi me ata që nuk lejuan mbarimin e kryengritjes shqiptare, por edhe bazamenti politik dhe historik për ta përfunduar atë. Pavarësisht se bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu 28 nëntorin 1912 dhe kufijtë e Shqipërisë i caktoi më 29 korrik 1913, shqiptarët kanë festuar dhe vazhdojnë të festojnë vetëm 1912. Është një mospranim në heshtje, por gjithsesi është i tillë.
Konferenca e Bujanit e fundvitit 1943 dhe fillimvitit 1944, artikuloi të drejtën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, pra të drejtën e tyre për ta përfunduar Kryengritjen. Kjo Konferencë dhe Platforma e saj Nacionale, nuk u hodh poshtë nga shqiptarët, ajo u hodh poshtë nga ata që nuk donin të përfundonte Kryengritja e tyre. Ky dokument madhor i rrugës se si përfundon Kryengritja, përsëri është në duart e elitës politike dhe intelektuale të kombit shqiptar si një ndihmesë e rëndësishme drejt përfundimit të Kryengritjes. Projekti Politik “Adem Jashari”, i cili përmbante nëpërmjet betimit ushtarak, idenë e përfundimit të Kryengritjes shqiptare, është i freskët, i njohur për të gjithë, qytetarë dhe politikanë. Shprehja “Bacë, u kry”, më shumë se sa realitet, është një mbulesë e dobët e pafuqisë për të përfunduar Kryengritjen. Thelbi i Projektit Politik “Adem Jashari” është bashkimi i trojeve shqiptare. Pavarësisht ngjyrimeve politike apo nivelit intelektual, pavarësisht dukurive frenuese, elita politike dhe intelektuale shqiptare e ka pasur brerjen më të madhe të ndërgjegjes, mospërfundimin e Kryengritjes shqiptare. Ajo që në fjalorin sociologjik konsiderohet Ndërgjegjja e Vrarë, në momente të caktuara të jetës së një kombi, mund të lindë edhe gurë rubini. Kështu ka ndodhur edhe me elitën politike dhe intelektuale shqiptare të periudhës së pas viteve 90 të shekullit të shkuar. Në kulmin e garës për internacionalizëm, globalizëm apo integrim, ajo formulon Kushtetutën e re të Shqipërisë Pluraliste. Dhe në këtë Kushtetutë, të miratuar me Referendum në vitin 1998, formulohet fraza rilindase si më poshtë: “Ne, Populli i Shqipërisë…me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar… Është produkti 100-vjeçar i Ndërgjegjes së Vrarë. Është një rikthim në Kuvendin e Vlorës, të Lezhës, të Bujanit, të Prizrenit, është një talisman vizionar që pret vetëm misionarë për tu realizuar. Sanksionimi në Kushtetutën e Shqipërisë i së drejtës për bashkim kombëtar, miratimi i kësaj të drejte me Referendum Popullor, pranimi i saj edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecies, përbën themelin mbi të cilin mund dhe ka nevojë të ndërtohet arkitektura e Shqipërisë Natyrale. Kuvendi Lezhës më 1444, Kuvendi i Prizrenit më 1878, Kuvendi i Vlorës më 1912 dhe Kuvendi i Bujanit më 1943-44, të cilët artikuluan ose bashkimin e trojeve shqiptare ose kërkesën për bashkim si dhe ideatorët e tyre, mbetën katër kulmet e historisë së kombit shqiptar. Ideatorët e tyre, më europeistët ndër politikanët shqiptarë të të gjitha kohërave janë Skënder Bej Kastrioti, Abdyl Bej Frashëri, Sulejman Agë Vokshi, Ismail Bej Vlora, Hajdar Beg Dushi. Pesë bejlerë europeistë!! Këto Kuvende kanë mbetur vetëm pjesë e historisë. Prandaj ato janë edhe bazamenti i Platformës se Shqipërisë Natyrale. Por sot koha nuk pret më dhe bashkimi i territoreve tona duhet të vihet në rendin e ditës.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button