Kristo Frashëri: Ilirët, të dytët në Europë që krijuan bankat

Prof. Kristo Frasheri

Fillimet e Monedhes, Kreditit dhe bankës tek Iliret
 

Në Kontinentin Evropian vendi i dytë, pas Helladës që njohu monedhën, kreditin dhe bankën ishte treva e Ilirëve. Fillimet e tyre të sakta në këtë trevë nuk dihen. Mendohet se Ilirët kanë kaluar në të njëjtën rrugë që kanë përshkuar edhe popujt e tjerë të lashtësisë. Në lidhje me shkëmbimin, si kudo edhe këtu në fillim ato janë kryer me anën e trambit, (mall për mall). Zbulimet arkeologjike na japin mundësi të pohojmë se, te Ilirët shkëmbimet në trajtën e trambit me viset e huaja, konkretisht me botën egjeane, zhvilloheshin të paktën që në mesin e mijëvjeçarit II p.e.s. Dora-dorës me të nevoja i shtyu njerëzit të praktikonin edhe huanë (kreditin). Qendrat e hershme të huadhënies pa dyshim edhe këtu kanë qenë tempujt. 

Gjurmët e tyre në trevën ilire nuk mungojnë. Ndër to, tempulli më i famshëm ka qenë faltorja e Dodonës, gërmadhat e së cilës shihen edhe sot 18 km në jug të Janinës. Faltorja e Dodonës, ndodhej në trevën ku në: Antikitet banonte fisi Ilir i Dhespotëve, në kufi me fisin tjetër Ilir të Molosëve. Orakulli i Dodonës, nuk ishte tempull grek, por faltore e themeluar nga pellazgët, të cilët banonin në këto vise para se të vinin grekët në Ballkan. Origjinën e saj pellazgjike e pohojnë mjaft shkrimtarë të vjetër grekë. Homeri për shembull në poemën Iliada (Kënga XVI, vargjet 233-234), themelimin e tempullit të Dodonës e çon para luftës së Trojës. Nëpërmjet gojës së Akilit, një nga heronjtë e luftës së Trojës, ai i drejtohet Zeusit: “0 Zeus, mbret dodonas e pellazgjikë, që banon larg, që kujdesesh për Dodonën, ku dimri është me acar dhe rrotull saj banojnë selët”.
Edhe Herodoti, (Historia, libri II, 52) e lidh Dodonën me pellazgët. Nga Skymni (Përshkrimi i botës), i cili ka jetuar në shekujt III-II p.e.s., mësojmë se në kohën e tij Dodona, ndodhej në trevën e Molosëve Ilirë, të cilët duket se ia kishin shkëputur dhespotëve. Historiani i njohur grek Straboni, (VII, 324, 327, 328) shkruan se sipas Eforit, Orakullin e Dodonës e themeluan Pellazgët. Ai shkruan se, për Pellazgët flitet se kanë qenë popujt më të moçëm nga të gjithë ata që kanë sunduar në Heliadë. 

Në fillim, kur faltorja e Dodonës, kryente vetëm funksionin e orakullit, selia e saj ishte shumë e thjeshtë, pa konstruksion monumental. Faltorja ndodhej në trungun e një lisi të shenjtë. Ndërtesa monumentale e saj u ngrit për të parën herë në shek. V p.e.s. Ndoshta në këtë shekull, përveç funksionit si orakull u pajis edhe si institucion bankar. Pasuritë e saj ruheshin në një ambient të veçantë që quhej Hiera Oikia (Shtëpia e Shenjtë). Në faltore vinin dy lloj vizitorësh: Qytetarët që jepnin dhurata dhe kërkonin si shpërblim përgjigje për fatin e tyre të mëtejshëm dhe qytetarë që kërkonin hua për nevojat e tyre personale. Pelegrinët që vizitonin Dodonën i drejtonin Dodonës pyetjen ose kërkesën në një pllakë të posaçme. Në shpinë të pllakës shkruhej emri i atij që drejtonte pyetjen ose kërkesën. Është vërtetuar se kjo praktikë është përdorur gjatë shekujve VI-II p.e.s.
Monedha e Aleksandrit
Monedha e Aleksandrit

Loading...

Historia e monedhës metalike në viset ilire ka njohur tri faza: në fillim (në shek. VII-V p.e.s.) si pasojë e marrëdhënieve tregtare me qytetet helene, u përdorën monedha të prera nga qytetet greke; në shek. IV p.e.s. filloi prerja e monedhave nga vetë qytetet e lulëzuara në trevën ilire; në shek. III-II p.e.s., filloi prerja e monedhave nga mbretëritë ilire, të cilat përfaqësojnë shkallën më të lartë që kjo trevë njohu nga pikëpamja monetare në kohën antike. Do të shkonte gjatë po të merreshim me përdorimin e monedhave të huaja (fenikase, helene, romake) tek ilirët. Ne këtu do to përqendrohemi vetëm në historinë e monedhave të prera në viset ilire në kohën antike, si nga bashkësitë qytetare, ashtu dhe nga mbretëritë ilire. 

Në lindjen e monedhës metalike në trevën ilire, ndikimi i monedhës helene është i pamohueshëm. Ndikimi i tyre ka ndjekur dy rrugë: tokësore dhe detare. E para nëpërmjet Korkyrës, e dyta nëpërmjet Thesalisë.
Duket se përparësinë e pati rruga tokësore. Si dëshmi mund të shërbejë fakti se, në fillim të shek. V në trevën veriore të liqenit të Ohrit siç dëshmohet nga gjurmë të zbuluara në Trebenishtë, kanë qenë në përdorim monedha prej argjendi të prera ndoshta nga fisi ilir i Tynfejve (Tyntenoi), të cilët e nxirrnin argjendin në lindje dhe veri-lindje të Ohrit. Që këtej ajo më vonë depërtoi me ritme të ngadalshme në trevën ilire të Pajonisë dhe në mënyrë të veçantë të Dardanisë, ku ajo pati zhvillimin e vet më të lartë. 


Rruga e dytë është e lidhur me ndikimin që pati monedha e Korkyrës dhe e Korinthit nëpërmjet marrëdhënieve detare që bota greke zhvilloi në fillim me dy kolonitë e brigjeve ilire të detit Adriatik – Durrësin dhe Apolloninë. 


Në historiografinë antike ka mbisunduar pikëpamja se, Durrësi dhe Apollonia kanë qenë themeluar nga kolonistët helenë: I pari në vitin 627 p.e.s., i dyti në vitin 588 p.e.s., dhe se përpara themelimit ato nuk kanë qenë vende të banuara nga ilirët. Kjo pikëpamje tashmë nuk qëndron. Arkeologu i njohur shqiptar, Hasan Ceka, ka nxjerrë përfundimin se Durrësi ka qenë themeluar nga ilirët para se këtu të nguliteshin helenë të Korkyrës. 


Dëshmitë

 MONEDHA ILIRE - Shek I - II P.E S.mbi 2000 vjet te vjetra
MONEDHA ILIRE – Shek I – II P.E S.
mbi 2000 vjet te vjetra

Dëshmitë, shkruan H. Ceka, na vijnë nga fusha e legjendës, të cilën na e përcjell historiani grek Apiani nga Aleksandria e Egjiptit, që ka jetuar në shekullin II të erës sonë. Në veprën e tij “Historia romana, Bella civila”, Libri II, 39, ai e përshkruan kështu legjendën: “Disa e quajnë këtë qytet (Durrësin – K.F) Epidamn… Mbreti i barbarëve të këtij vendi, Epidamni, ndërtoi pranë detit një qytet dhe e quajti sipas emrit të tij Epidamni”.
Dëshmia e dytë, e cila është pa dyshim dëshmi e sigurt, na vjen nga zbulimet arkeologjike që janë kryer kohët e fundit. Gjurmët e ndërtesave dhe të objekteve të zbuluara në ditët tona nga arkeologu Gjergj Frashëri në nëntokën e qendrës së qytetit tregojnë se, Durrësi ka qenë i banuar përpara se të nguliteshin helenët në këtë skelë të rëndësishme të Adriatikut jugor. Nuk ka dyshim se banorët para helenë të këtij vendbanimi kanë qenë ilirët, për arsye se banorët ilirë i ndeshim në Durrës edhe pasi aty u vendosën kolonitë helene. 


Sipas këtyre të dhënave, kolonitë helene të Korkyrës nuk themeluan, siç shkruan Tukididi në shek. V p.e.s., (Lufta e Peloponezit, I, 24) një qytet të ri, por u vendosën në një vendbanim të themeluar shumë kohë më parë nga ilirët, të cilët supozohet se qenë banorë të fisit të Taulantëve. 


Kolonitë e para helene të cilat erdhën si tregtare në Durrës në vitin 627 p.e.s., për t’u shitur banorëve të prapashpinës prodhimet e zejtarisë greke dhe për të shkëmbyer me këta banorë prodhimet e tyre blegtorale dhe bujqësore tregon se ata e njihnin shkëmbimin e trambit, por jo monedhën. 


Përfitimi që patën nga kjo veprimtari tregtare ndikoi në rritjen e Durrësit si qytet – jo vetëm si stacion tregtar, por edhe si qendër zejtare. Në suazën e këtyre kontakteve filloi edhe përhapja e monedhës në tregun e Durrësit, pastaj në prapashpinën e qytetit. Monedhat e para kanë qenë pa dyshim stateret e Korkyrës, pastaj tridrahmet e Korinthit, por ndikimin më të madh e patën tridrahmet e Korinthit. Në Korinth, Herakliu konsiderohej si mbrojtësi i qytetit. Me emrin e tij ishte lidhur dhe tempulli i këtij qyteti të lulëzuar antik grek, i cili shërbente edhe si institucion huadhënës. Ndikimin e tyre të fuqishëm në Durrës e dëshmon edhe legjenda tepër e përhapur e Herakliut me emrin e të cilit është e lidhur edhe legjenda e mbrojtësit të këtij qyteti bregdetar ilir.
Burime të tërthorta tregojnë se së bashku me monedhat metalike të prera në botën greke, kolonitë prunë edhe institucionin e tempullit me funksionet e huadhënies. Praninë e tempullit në Durres e gjejmë të pikturuar në vazot e prodhuara në punishtet e vetë qytetit. Në njërën prej këtyre vazove paraqitet Herakliu, përpara një altari me topuz në dorën e djathtë. Në një amforë tjetër është pikturuar vetë tempulli. Pranë saj një grua që ka mundësi të jetë priftëresha e tempullit. 


Në vija të përgjithshme, i njëjti proces ndodhi dhe në Apolloni. Ashtu si Durrahu, edhe Apollonia kishte dy emra. Në fillim quhej Gylakeia. Edhe këtu u ndërtua tempulli, me ndryshim se iu kushtua si në Delf hyut Apollon. Ndikimi i tempullit ishte aq i fuqishëm sa emri fillestar i qytetit u harrua dhe vetë qyteti u quajt Apolloni (sot: Pojan). Përkundrazi, në Durrës ndonëse kolonitë helenë e quajtën Epidamn dhe ndonëse tempulli i kushtohej Herakliut, banorët e quajtën vazhdimisht Dyrrah, fakt ky që tregon ndikimin e fortë që herët të popullsisë ilire në jetën e qytetit. 


Me zhvillimin e pandërprerë të ekonomisë së Dyrrahut dhe të Apollonisë, dhe të marrëdhënieve tregtare me prapashpinën e tyre ilire, të dy qytetet bregdetare e ndien nevojën të prisnin monedhat e veta. Prerja e tyre tregonte autonominë si të njërit, ashtu dhe të tjetrit qytet. Megjithatë, në modelet, peshën dhe simbolet e monedhave të para që preu Durrësi ndikuan ato të staterës (lopë duke e pirë viçi dhe katërkëndëshi me ornamente të stilizuara), pra simbole që kishte qyteti i Korkyrës në shekujt VI-V p.e.s., më saktë në vitet 500-450 p.e.s., me të cilin Durrësi kishte marrëdhënie më të shpeshta se me viset e tjera. Stateret autonome prej argjendi të Durrësit, në fillim mbanin vetëm me shkronjën e parë të emrit Dyrrah të qytetit, kurse më vonë, shkruan H. Ceka, “aty nga fillimi i shek. IV, kur me lulëzimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare, me një pjesë të mirë të botës së lashtë monedhat e tij arrijnë të fitojnë një emër të mirë në tregun antik, shpinën e monedhës e zë legjenda e shkurtuar. Legjendën e shoqëron zakonisht edhe një topurre, arma kryesore e Herakliut, bashkëthemeluesit e qytetit dhe stërgjyshërit e kolonive. Legjenda, që mbajnë monedhat e prera në Durrës që në shek. V p.e.s., tregon se banorët vazhdonin ta quanin qytetin jo Epidamn, me të cilin e pagëzuan kolonitë helene, por Dyrrah, siç e quanin vendasit Ilirë”. Në të njëjtën kohë, H. Ceka sqaron se, nën shembullin e Korkyrës, edhe statera e Durrësit (me peshë 10.40-11.40g) ndoqi sistemin monetar të Eginës, të punishtes monetare më të hershme të Heliadës antike. 


Monedhat e para të Durrësit u prenë kur qeverisja e qytetit kishte karakter aristokratik. Me fjalë të tjera, kur në krye të qytetit ishte një arhont dhe disa fylarhë (këshilltarë). Por, nga fillimi i shek. IV p.e.s., kur në Durrës u vendos një sistem më demokratik, vendin e fylarhëve e zuri buleja (kuvendi qytetar), i cili zgjidhte çdo vit në krye të qytet-shtetit një prytan me një pushtet më të kufizuar. Midis organeve të ndryshme Durrësi kishte edhe një magjistrat për çështjet financiare, i cili kishte për detyrë të kujdesej dhe të mbikëqyrte prerjen e monedhave. Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.s., punishtja e Durrësit vuri në qarkullim një sasi të madhe tridrahmesh prej argjendi, shpeshherë me figura të ndryshme simbolike. Aty nga mesi i shek. IV, stateret e Durrësit filluan të mbajnë në shpinën e tyre monograme, prapa, të cilave mendohet se, duhet të shohim emrin e magjistratit që merrej me prerjen e monedhave. 


Monedhat që u prenë më vonë në Durrës, ishin të tipit korinthik shenjë kjo që tregon prishjen e marrëdhënieve të qytetit me Korkyrën. Ato paraqesin në njërën anë Pegasin në fluturim – në anën tjetër kokën e Athinas me përkrenare korinthike. Para kokës paraqiste një mezdrag, simbol i Herakliut. Pesha 8.30 gr. Një nga drahmet prej bronzi të Durrësit paraqiste në njërën anë kokën e Herakliut – në anën tjetër Pegasin në fluturim. Kjo monedhë përmban edhe legjendën e shkurtuar të qytetit në trajtën DYP (Dyrrachion, Dyrrah). Pesha 2.20 gr. Edhe një staterë tjetër prej argjendi e Durrësit i shëmbëllente staterës së Korinthit. Paraqiste në njërën anë lopën duke ushqyer me gji viçin – në anën tjetër një katror të ndarë më dysh, zbukuruar me ornamente në trajtë) kokrrizash dhe bishtash. Në brinjët e katrorit legjenda e shkurtuar DYP dhe si simbol mezdragin. Pesha 10.40 gr. Statera e prerë në Apolloni ishte e ngjashme me atë të Durrësit. Edhe ajo paraqiste në njërën anë lopën duke i dhënë gji viçit – në anën tjetër një katror të ndarë më dysh, zbukuruar me kokrriza dhe bishta. Në brinjët e katrorit legjenda e qytetit Apolloni dhe simbole të hyjnive lokale. Pesha 10.20 gr. 


Parimisht, prerja e monedhave dhe qarkullimi i tyre është i lidhur edhe me praninë e institucioneve bankare, të paktën në trajtat e tyre fillestare. Institucionet bankare, nga ana e tyre, nënkuptojnë edhe veprimtarinë e kreditit, veprimtari kjo që është e lidhur ngushtë dhe me kamatën. Për fat të keq, nuk kemi të dhëna burimore për të ndriçuar veprimtarinë e kreditit bankar, rrjedhimisht edhe për kamatën që aplikohej në kohën antike në viset ilire. Ashtu si për modelet monetare, mund të thuhet se nga Heliada erdhi edhe praktika e kreditit bankar. 


Dihet se në shek. VI-V p.e.s. në qytetet-shtete të Heliadës kishin marrë pak a shumë formën përfundimtare institucionet bankare laike, së bashku me atë të kreditit dhe të kamatës. Duke parë se veprimtaria e tyre qoftë në përbërjen metalike të monedhave, qoftë në sasinë e qarkullimit të tyre ishte jashtë çdo kontrolli dhe se kjo liri e pakufizuar, vazhdonte të shkaktonte anarki dhe pasiguri – qytetet-shtetet e Heliadës morën vetë në dorë prerjen e monedhës. Si garanci për dinjitetin e këtyre monedhave ishte vendosja në njërën anë të monedhës emrin e magjistratit, shefi i administratës publike të qytetit. Shkurt, pranë bankës fetare dhe bankës private u shfaq edhe banka publike. Këtë rrugë duhet të ketë ndjekur edhe institucioni bankar i qyteteve-shtete ilire.
Në Heliadën antike përqindjet e kamatës që aplikonin bankat publike nuk kishin tavan (kufi maksimal). Përpjekja që ndërmori ligjvënësi i famshëm i Athinës, Soloni (640-558 p.e.s.) për të caktuar një tavan, nuk pati sukses. Si rrjedhim, përqindja vazhdoi të caktohej në marrëveshjen midis palëve. Kamata si rregull shlyhej në fund të çdo muaji. Madje, shqetësimi që krijonte te qytetarët skadimi e shpejtë i kamatës ishte bërë në Greqi dhe objekt satire. Atë e ironizon dhe shkrimtari i vjetër grek Aristofani (445-386 p.e.s.) Ai vë në skenë në njërën nga veprat e tij qytetarin Stepsiade, i cili meqenëse nuk kishte të holla për të paguar kamatën, ai përpiqej një ditë para fundit të muajit të mbyllte hënën në një kuti që të mos gdhinte dita e nesërme.
Ngjashmëria e monedhave të Durrësit dhe të Apollonisë, me atë të Korkyrës apo të Korinthit nuk do të thotë vartësi. Fakti që Durrësi dhe Apollonia prenë vetë monedha tregon se në shek. V dhe IV p.e.s., atë nuk qenë me koloni të Korkyrës apo të Korinthit, por ishin shndërruar në qytete-shtete të pavarura. Madje, ato fillojnë të vendosin në njërën faqe të monedhës edhe emrin e prytanit ose magjistratit të qytetit. Kjo tregon se, kemi të bëjmë me monedha të prera nga një bankë publike. Por, kjo ngjashmëri, e cila tregon prejardhjen e kolonistëve, shpjegohet më mirë, sikurse e ka vënë në dukje Prof. Hasan Ceka me nevojën për të shfrytëzuar konsideratën qe kishin staterat e Korkyrës dhe të Korinthit në kohën antike në tregun ballkanik dhe mesdhetar. 


Dora-dorës, me rritjen e marrëdhënieve ekonomike të kolonistëve me ilirët, në Durrës dhe Apolloni u rrit edhe me tepër depërtimi i vetë banorëve ilirë. Në mënyrë të veçantë, inflacioni i ilirëve në dy qytete mori përpjesëtime të mëdha që në shekullin V p.e.s., gjatë luftës se Peloponezit, kur Ilirët, Taulantët u bënë, siç shënon Tukididi, aleatë me aristokracinë helene të Durrësit. Inflacioni u rrit aq tepër sa në shek. IV p.e.s., disa banorë ilirë morën poste të rëndësishme edhe në administrimin e qytetit-shtet. Madje, jo pak prej tyre u bënë prytanë dhe magjistratë, të cilët zgjidheshin çdo vit nga kuvendi i qytetarëve të lirë. Përkatësinë e tyre ilire e njohim nga emrat e prytanëve dhe të magjistratëve që mbajnë disa drahme të Durrësit dhe të Apollonisë. Kështu, janë zbuluar drahme në Durrës, me emrin Genti, Dazios, Eorteos, Skirtanas, Trites e të tjerë; ose në Apolloni, Baton, Epikadi, e të tjerë, përkatësinë ilire të, të cilëve askush nuk e vë në dyshim. Vendosja e prytanëve ilirë në krye të Durresit apo të Apollonisë, shënon një ndryshim me peshë në rolin politik të ilirëve në jetën e dy qyteteve. Ato qenë qytete-ilire, me banorë helenë. Veç kësaj, si qytetet-shtete të pavarura, të lidhura ngushtë nga pikëpamja ekonomike dhe politike me prapashpinën ilire, ato i kishin pakësuar tashmë lidhjet me qytetet e Heliadës dhe po shkriheshin dalëngadalë në kozmosin ilir. Si rrjedhim, monedhat e tyre, pavarësisht nga respektimi i simboleve dhe i legjendave tradicionale helene, ato nga pikëpamja funksionale duhen konsideruar, mendon historiani shqiptar i numizmatikes, Prof. Hasan Ceka, monedha ilire. 


Monedhat e Durrësit dhe të Apollonisë, u përdorën gjerësisht edhe jashtë qyteteve të tyre. Kjo për arsye se ato e respektuan standardin e tyre si vlerë monetare në peshë dhe në përbërje. Të dhënat arkeologjike kanë nxjerrë në shesh se, atë janë përdorur jo vetëm në Ballkanin qendror, por edhe në pellgun Danubian. Monedha të Durrësit dhe të Apollonisë janë zbuluar edhe në nëntokën e Kosovës. Midis tyre kanë dalë në dritë dy drahme, gati identike të Durrësit dhe të Apollonise – identike, mbasi nga njëra anë paraqesin lopën me viç, nga ana tjetër ajo e Durrësit legjendën Ayp (2.6 gr), ajo e Apollonisë legjendën e vet 3.20 gr).



Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button