NË MBROJTJE TË REPUBLIKËS, PËR PRODHIME TË VENDIT – SERBIA NUK KALON!

Qeveria e Kosovës e ka bërë tashmë të qartë – realisht nuk do ta zbatojë vendimit e Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, ndërkohë që vazhdon të thotë se tashmë jemi në kushte të plota reciprociteti me të. Pra, vazhdon ta injorojë organin më të lartë vendimmarrës politik në vend, Kuvendin, dhe vazhdon ta gënjejë sovranin, popullin.

Loading...

Më 18 dhjetor 2011 Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vendosur që t’i jap afat Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari vendimin e Kuvendit në plotni duke filluar nga 1 janari i këtij viti. Ky afat tashmë ka kaluar. Sot jemi më 5 janar, dhe Qeveria e Kosovës vazhdon të zbatojë në terren marrëveshje që e zhbëjnë republikën dhe e nënshtrojnë Kosovën ndaj Serbisë.

Prandaj Lëvizja VETËVENDOSJE! më 14 janar do t’i bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dhe të Bardhë.
Ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra është në mbrojtje të Kuvendit. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron për së brendshmi Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm.

Ky bllokim është në mbrojtje të prodhimit të vendit. Ky prodhim sot është i paktë dhe me pak perspektivë për shkak të uzurpimit të tregut nga Serbia. Për ato pak ditë sa vazhdoi zbatimi i reciprocitetit tregtar me Serbinë, prodhuesit e vendit filluan të marrin frymë më lirshëm. Shitjet e tyre u rritën, rrjedhimisht u rrit prodhimi, dhe për pasojë u rrit edhe numri i personave të punësuar. Pa prodhim nuk ka zhvillim as ekonomik e as shoqëror.

Ky bllokim ia ndalon Serbisë ta kalojë kufirin me Kosovën. Aksioni ynë e shndërron kufirin nga një pikë kalimi siç po e trajton Serbia si vijë administrative, në një kufi shtetëror, dhe ia pamundëson Serbisë hyrjen në territorin tonë. Ne duhet ta bllokojmë Serbinë për shkak se ajo po na bllokon dhe po lufton kundër nesh çdo ditë. Nuk mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me një shtet që nuk është normal. Serbia nuk është shtet normal karshi nesh.

Lëvizja VETËVENDOSJE!  i bën thirrje të gjithë qytetarëve që më datën 14 janar, në ora 13:00 të dalin në mbrojtje të Republikës dhe për mbrojtje të prodhimeve të vendit, duke bllokuar Serbinë në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe Merdare. Në datën 14, SERBIA NUK KALON!

5 janar 2012
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button