Serbinë duhet ta ndalim!

Enis Sulstarova
Vizita e fundit e Presidentit Tadiç në Deçan të Kosovës pohoi një të vërtetë që shumëkush e dinte me kohë: Serbia është shtet armik i Kosovës dhe i kombit shqiptar. Deklaratat e tij të herëpashershme se Kosova është pjesë e Serbisë janë një kujtesë e mirë për ata qeveritarë, politikanë e gazetarë shqiptarë që kalamendin veten e shqiptarët me idetë e Serbisë europiane që po tregohet konstruktive për Kosovën dhe që po e njehka de facto edhe pse jo de jure!

Loading...

Serbia po e vazhdon agresionin e saj ndaj shqiptarëve. Kanë ndryshuar metodat e saj, por jo qëllimet. Serbia e tanishme nuk e pranon përgjegjësinë e epokës së Millosheviçit në Kosovë: dhjetëra mijë të vrarë e të plagosur, mijëra të zhdukur, përdhunime, burgosje, të rrahur e të dhunuar psikologjikisht gjatë “bisedave informative”, djegie e grabitje të pronave, aparteid, shfrytëzim të burimeve e prapambetje të gjithanshme. Serbia e tanishme “demokratike” është përgjegjëse për mbështetjen dhe udhëheqjen e kriminelëve serbë që veprojnë në komunat veriore të Kosovës. Serbia po angazhohet për spastrimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët dhe për mosfunksionimin e Kosovës si një shtet normal. Përkundër deklaratave diplomatike, asaj po i shkon për shtat Plani Ahtisari që e bën Serbinë faktor brenda Kosovës, por ajo kërkon edhe më shumë se kaq. Serbia që bashkë me Rusinë vazhdojnë fushatën diplomatike për të penguar njohjet e jashtme dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE.

Për shqiptarët, shqetësimi kryesor nuk duhet të jetë se Serbia po mbetet jashtë BE-së, por ndalja e agresionit serb në Kosovë, vendosja e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës dhe presioni që shqiptarët në Luginë të Preshevës të trajtohen sipas standardeve të BE-së për pakicat dhe sipas vetë kërkesave që Serbia ka parashtruar për pakicën serbe në Kosovë. Me një fjalë, reciprociteti i Kosovës me Serbinë.

Qeveria e tanishme të Kosovës nuk i beson as vetë pavarësisë që ka shpallur disa vite më parë, por vazhdon që ta mendojë republikën si një dominion apo protektorat. Ajo e lejon kryetarin e shtetit armik që për të disatën herë ta shpallë programin për zhbërjen e republikës m’u në mes të Kosovës dhe t’i japë frymëzim tendencave për rebelim midis serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës me mosveprimin e saj drejt vendosjes së reciprocitetit të plotë më Serbinë po i kundërvihet interesave shtetërore e kombëtare. Ajo me arrogancë po i kundërvihet edhe Kuvendit të Kosovës me moszbatimin e vendimit të këtij të fundit për reciprocitet ndaj Serbisë. Qeveria që nuk ka vullnetin dhe guximin për të mbrojtur cenimet e jashtme ndaj sovranitetit, e shpërfill së brendshmi sovranin popull që ka folur përmes institucionit të tij kryesor përfaqësues. Qeveria e Kosovës ka mbetur qeveri e vetvetes, sepse nuk po e përfaqëson më popullin.

Në këto kushte, qytetarët e braktisur nga qeveria e tyre do ta ushtrojnë vetë sovranitetin me anë të bllokimit të pikave kufitare më 14 janar. Lëvizja Vetëvendosje! ka lëshuar parullën SERBIA NUK KALON! për një veprim qytetar në mbrojtje të republikës dhe të dinjitetit të popullit të Kosovës. Bllokimi qytetar është një akt i demokracisë së drejtpërdrejtë në kohën kur demokracia parlamentare po shpërfillet nga ekzekutivi. Bllokimi i kufirit me Serbinë do të tregojë se Kosova është republikë e vërtetë dhe jo një shtet i vendasve pa vetëdije kombëtare e qytetare. Bllokimi është shenjë se nuk mund të ketë marrëdhënie normale me armikun për sa kohë që ai mbetet armik. Shumë shpejt populli do të zbresë në rrugë për mbrojtjen e republikës dhe aty do të shihet nëse qeveria e Kosovës do të refuzojë ta ndjekë, sikurse refuzon ta udhëheqë.

Tregtia e pabarabartë është arma e Serbisë kundër Kosovës. Me vërshimin e mallrave të konsumit në Kosovë dhe me anë të kontrabandës, ajo ka siguruar një bilanc pozitiv tregtar me Kosovën dhe është e interesuar që ta mbajë në këtë gjendje. Fitimet e Serbisë nga tregtia joreciproke me Kosovën financojnë strukturat paralele serbe që minojnë sovranitetin e republikës. Marrëdhënia koloniale e Serbisë me Kosovën vazhdon. Për aq pak kohë sa zgjati bllokimi i mallrave serbe në Kosovë gjatë vitit 2011, prodhuesit kosovarë përfituan dukshëm. Për ata dhe për të gjithë u bë e qartë se bllokada ndaj produkteve serbe e ndihmon ekonominë e Kosovës. Shtimi i prodhimit të mallrave të konsumit dhe shitja e tyre në Kosovë është kushti themelor për zhvillimin e vendit.

Serbia është armike e kombit shqiptar dhe të gjithë shqiptarët duhet të japin ndihmesën e tyre për ndaljen e agresionit serb në Kosovë. Qoftë edhe duke bojkotuar mallrat serbe aty ku kjo gjë është e mundur, sepse tregtia është arma e Serbisë kundër Kosovës. Republika e Shqipërisë dhe veçanërisht qeveria e Shqipërisë duhet të angazhohet jo për tregtinë rajonale me Serbinë që i varfëron shqiptarët, por për stimulimin e marrëdhënieve tregtare me Kosovën. Rruga e Kombit po u kushton shtrenjtë xhepave të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit dhe të dyja qeveritë duhet të mendojnë strategji për të shtuar vëllimin e shkëmbimeve. Gjithashtu në ato drejtime ku ekonomitë e dy vendeve janë plotësuese të njëra-tjetrës, si p.sh. gjenerimi i energjisë elektrike, infrastruktura duhet të shkrihet në një të vetme.

Mirëpo angazhimi i qeverisë së Shqipërisë duhet të jetë së pari në drejtimin e sigurisë, sepse Serbia është kërcënim serioz për shqiptarët në Ballkan. Kryeministri i Shqipërisë, i cili nxit luftën në Lindjen e Mesme, duhet të vlerësojë më parë rrezikun që paraqet Serbia dhe krahu i saj i shtrirë në komunat veriore të Kosovës. Zotit Berisha i pëlqen herë pas here të veshë mantelin e nacionalistit, sidomos kur është çështja e pushtetit të tij në Tiranë, edhe pse u bë ca kohë që manteli nuk i rri më mirë, të paktën që nga marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë. E mbajmë mend që gjatë vitit që kaloi ai personalisht dhe përmes ministrit të Jashtëm është shprehur kundër idesë së bashkimit të shqiptarëve, edhe pse kjo gjendet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe është e kotë që të kërkojmë që ai të sillet si një nacionalist shqiptar. Por si qytetarë të Shqipërisë kemi të drejtën që të kërkojmë që ta trajtojë me përgjegjësinë e një burri shteti, siç e kanë quajtur me përkëdheli disa diplomatë, rrezikun që Serbia përfaqëson për shtetin e ri të Kosovës dhe për Shqipërinë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button