Vetëvendosje nuk heq dorë, protesta e nesërme me skenar të njëjtë

Prishtinë, 21 janar – Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga protestat e 22 janarit në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se me protestat e së dielës synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor.

Loading...

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot, në një konferencë shtypi tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Me protestën tonë të nesërme, sërish ne synojmë që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë dhe t’ia japim këtë pushtet shtetit të Kosovës, të cilin duam ta forcojmë. Prandaj, kërkojmë nga Policia e Kosovës, e posaçërisht nga njësitë e saj speciale që të mos na pengojnë në pengimin e Serbisë. Neve po na zhduket Republika, përderisa nuk kemi reciprocitet me Serbinë”, tha Kurti.

Kurti i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, ku drejtoi akuza ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, duke thënë se nga zyra e tij “ka urdhëruar dhunën policore ndaj protestuesve më 14 janar”, si dhe kërkoi që përmes 10 pyetjeve të sqarojë në detaje takimet që, sipas Kurtit, kryeministri Thaçi i ka zhvilluar dy herë me presidentin serb, Boris Tadiq.

Kuvendi i Kosovës miratoi të premten me 59 vota për, mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë, i cili shfuqizon jo vetëm mocionin e iniciuar nga Vetëvendosja më datën 7 dhjetor, por edhe të gjitha vendimet e Kuvendit që kishin të bënin me reciprocitet ndaj Serbisë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca tha se mocioni i së premtes nënkupton vdekje të republikanizmit dhe parlamentarizmit.

“Me ditën e djeshme Kosova si shtet ka hyrë në nj fazë të re të autoritarizmit të pushtetit. Tash të gjithë po e kuptojmë se kemi një Qeveri tërësisht të pakufizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dje, Qeveria na ka thënë ‘unë bëj ç’të dua me shtetin, sepse i kam 59 deputetë’. Miratimi i marrëveshjeve me Serbinë me 59 deputetë tregon se Qeveria e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë”, u shpreh Konjufca.

Konjufca la të kuptohet se mund të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mocionin e djeshëm, por shprehu dyshimin se Qeveria, sipas tij, sërish do të dalë edhe mbi vendimin e Kushtetueses, po qe se gjykata thotë se mocioni është jokushtetues.

Që nga protestat e 14 janarit, në të cilat ndërhyri Policia e Kosovës, u zhvillua një debat i zjarrtë mes Vetëvendosjes dhe Qeverisë së Kosovës.

Wikileaks ka njoftuar që kryeministri Thaçi është takuar dy herë me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq, një herë kur PDK ka qenë në opozitë. Sipas Kurtit, meqë Thaçi nuk e ka demantuar asnjëherë këtë informatë, ai duhet të përgjigjet në këto pyetje:

1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiqin?

2. Ku dhe kur, saktësisht, është takuar këto dy herë me kryetarin e Serbisë, Tadiq?

3. Kush tjetër ka marrë pjesë në ato takime, për çka kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiqit dhe çfarë Tadiqi Thaçit?

4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt është zhvilluar secili prej takimeve?

5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?

6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?

7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?

8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe, nëse po, kush e ka atë?

9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?

10. A e ka ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button