Bankat greke humbasin terren ne Shqiperi

Pesha e bankave me kapital nga Greqia në ekonominë shqiptare u tkurr më tej gjatë vitit 2011, duke shënuar vitin e katërt negativ radhazi, ndërkohë që bankat shqiptare si dhe kapitali turk shënuan rritje. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Shqip”, që citon të dhënat statistikore të publikuara nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë. Deri në fund të shtatorit 2011, katër bankat me origjinë kapitali nga Greqia zinin 22 për qind të totalit të aseteve të sistemit, ndërkohë që në vitin 2010, zinin 23.1 për qind.

Në vitin 2008, bankat greke kishin 28 për qind të aseteve të sistemit bankar. Rënia më e madhe vërehet te tregu i kreditit, ndërkohë që për depozitat, këto banka mbeten përgjithësisht njësoj të preferuara nga shqiptarët. Bankat greke zotëronin 29 për qind të tregut të kreditit në vitin 2011 nga 34.5 për qind që zotëronin në vitin 2010 dhe 41 për qind që zotëronin në vitin 2008. Rënia e rolit të bankave greke në tregun e kreditit, në fakt përbën një lajm negativ për ekonominë shqiptare, pasi veprimtaria e këtyre bankave gjatë periudhës 2002-2008 e ndihmoi rritjen ekonomike të vendit.

Loading...

Kapitali austriak zë ende 27.6 për qind të aseteve të sistemit bankar shqiptar, me një rënie të lehtë në krahasim me vitin 2010. Vjen më pas kapitali grek, me 22 për qind dhe ai turk me 17.4 për qind.

Roli i bankës turke, në fakt është rritur ndjeshëm, nga 15.5 për qind të aseteve që dispononte në 2010, në 17.4 për qind vitin e kaluar. Rritje të konsiderueshme kanë pasur edhe dy bankat me kapital shqiptar, nga 8.77 për qind më 2010, në 10 për qind vitin e kaluar.

Ndryshimi në tregun e kreditit duket se e ka origjinën te mungesa e burimeve financiare të disponueshme për kreditim si dhe nga zgjedhja e vetë bankave, të cilat duket se po përqendrohen te konsolidimi i bilanceve të veta pas disa vitesh rritjeje të konsiderueshme, por defektoze.

Banka e parë private në Shqipëri u hap në vitin 1996 dhe ajo qe një bankë greke, e cila më pas u bë një gjigant i rëndësishëm rajonal.

Bankat e tjera greke mbërritën në fillim të viteve 2000, pjesërisht për të përfituar nga fakti që Shqipëria qe një vend praktikisht pa banka dhe pjesërisht si pjesë e ekspansionit të përgjithshëm ekonomik dhe politik të Athinës drejt Ballkanit.

Mbërritja e shumë kompanive greke në ekonominë shqiptare u shoqërua edhe me mbërritjen e bankave, zyrave të kontabilitetit apo atyre të lobingut që duhej t’i shërbenin këtyre bizneseve. Një ndryshim strukturor? Kriza në Greqi, që filloi në vitin 2008 dhe që ende nuk është mbyllur, duket se po sjell ndryshime të konsiderueshme strukturore në rajonin e Ballkanit. Përkundrejt rënies ekonomike të Greqisë, Turqia ka njohur gjatë këtyre viteve rritje të konsiderueshme. Biznesi grek i stresuar nga kriza në shtëpi dhe me burime financiare të shteruara, nuk është më aq aktiv në Shqipëri në shumë segmente të ekonomisë. Qendra gravitacionale po zhvendoset nga Greqia drejt vendeve të tjera edhe në tregun lukrativ të karburanteve, ndërsa pesha e përgjithshme e importeve të Shqipërisë nga Greqia po pakësohet.

Një dominim faktik i tregut të karburanteve si pasojë e dhënies me qira të depozitave të Durrësit te disa kompani greke po zëvendësohet aktualisht me portin e hidrokarbureve në Porto-Romano. Kriza në Greqi ka pakësuar gjithashtu edhe numrin e sipërmarrjeve greke në sektorin e veshjeve dhe këpucëve, që qenë hapur kryesisht në qytetet e jugut të Shqipërisë, Korçë dhe Gjirokastër.

Pjesa tjetër e fasonistëve, ajo në shërbim në modës italiane, ka vijuar të rritet gjatë këtyre viteve, duke përfituar nga revolucionet për demokraci në Afrikën e Veriut.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button