Besnik Rama: Në Shqipëri politika e papërgjegjshme e ka lodhur popullin

Në një intervistë ekskluzive për portalin Express.mk kancelari i Konsullit të Nderit të Rep. së Shqipërisë në Bavari dhe Buten Wurtermberg të Gjermanisë dhe kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Gjermani, Besnik Rama flet për jetën tij politike dhe organizative në diaspor. Ai në intervistë flet edhe për lidhjet e tij me kryeministrin Berisha dhe politikën shqiptare në Ballkan.
 
Destan JONUZI

Express.mk: Cila është veprimtaria e përditshme e z. Rama?

Loading...

B.Rama: Në tërësinë e saj, ajo vjen e finalizohet në qëllimin e vetëm dhe primar të të gjithë ekzistencës së saj, që nga koha ime e largimit për studime nga Shqipëria e deri tani, ku atdhedashuria dhe bashkimi i trojeve të shqiptarëve mbetet puna e përditshme. Kjo më gëzon, lumturon dhe jehon edhe në shtëpinë time, si në Tiranë ashtu edhe në Mynih. Vlerat tradicionale shqiptare i ruaj me fanatizëm në gjithë veprimtarinë time të përditshme. Flamuri shqiptar i gdhendur në zemrën time, nuk mundet kurrsesi t’ju mos serviret optikisht edhe miqve që kanë hyrë në shtëpinë time, duke filluar nga Shkodra në veri, përgjatë lagies së Shkumbinit në terësi e për të vazhduar rrugën nga Vjosa e Osumi, për t’u mos u ndalur aspak, por duke lëshuar kushtrimin në Vlorë dhe duke marrë rrugën drejt Sarandës. Pra, miq të dashur kanë vizituar shtëpinë time, për të mos harruar sesa të shumtë janë nga trevat e tjera të shqiptarëve: Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës apo Mal të Zi. Siç edhe mund ta dini, prej më shumë se 7 vitesh shërbej edhe si kancelar i Konsullit të Nderit të Rep. së Shqipërisë në Bavari dhe Buten Wurtermberg, ndërsa drejtoj prej vitesh me seriozitet dhe përkushtim degën e PD-së së Shqipërisë në Gjermani etj.

Express.mk: Sa ju pengon të qenit në krye të degës së PD Gjermani për të shfaqur të pavarur mendimet tuaja?

B.Rama: Aspak. Aspak. Aspak nuk më pengon. Unë e drejtoj PD-në, siç ju thashë prej vitesh. Në qendër, në Tiranë, anëtar të kryesisë së PD-së, ministra dhe ish-ministra, por edhe vetë z. Berisha kontaktojnë herëpashere me mua si personalisht ose me ndihmësit e ndërmjetësit e tyre. Përveç drejtimit dhe krijimit të degëve kudo në Gjermani, në të shumtën e herëve financimet derdhen nga ana ime, krejt personale, po ashtu edhe nga ndihmësit e mi, patriotë shqiptar këtu në Gjermani. Po ashtu, çdo zgjedhje kuvendore dhe lokale, ne jemi aty, përherë duke kontribuar për vlerat e PD-së, e jo antivlerat e saj. Jemi sa herë ka vështirësi, sakrifica dhe kërkohen kontribute. Kaq janë të mjaftueshme të të krijojnë mundësinë që të jesh dhe të sillesh krejtësisht i pavarur në mendimet e tua. Ndaj, e kam thënë dhe do ta them me sa kam zë se Kosova dhe Shqipëria janë NJË dhe të pandarë. Çdo tentativë 20 vjeçare dhe e sotme për të ndërtuar barriera mes tyre, pra mes nesh është produkt i fëlliqur politik. Politika në trevat shqiptare i ka kokat e ndara. Sa kohë të ndara të qëndrojnë këto koka, aq të pabashkuara do të qëndrojnë këto toka. Duhet medoemos që populli i stërlodhur shqiptar të vendosë vetë për fatin e tij, edhe me referendume po të jetë nevoja.

Express.mk: Si e shikoni klimën politike aktuale në Shqipëri?

B.Rama: Jo të favorshme në tërësi për zhvillimin e vendit dhe të jetës së qytetarit. Qytetarët janë të lodhur, aq sa në çdo zgjedhje që zhvillohen vihet re rënia e pjesëmarrjes së tyre. Kështu, krijohet përshtypja se pakica e popullit shqiptar krijon qeverinë, shumicën qeverisëse. Por, fajet nuk i ka populli. Lodhja e tij vjen nga një politikë e papërgjegjshme, që përveç se i ka ndarë shqiptarët mes vedi, ka krijuar edhe shumë dhimbje sociale e fizike në familjen shqiptare. Pushteti nuk duhet bërë njësh me shtetin. Institucionet e vendit duhet të jenë të pavarura dhe të vetëdijshme për detyrat dhe përgjegjësitë që kanë mbi supe. Populli ynë, po ta shikosh me vëmendje ndër mote, asnjëherë nuk ka kërkuar shumë nga jeta, ta zëmë si një gjerman, francez, amerikan etj. Ai kërkon siguri dhe mirëqënie sociale për vete, familjen dhe mbi të gjitha për fëmijët që rriten në shumë raste pabukë, pakujdesje sociale, paintegrim apo edhe analfabet. E kjo nuk është veçse minimumi i kërkuar, e kur nuk sigurohet edhe kjo, atëherë mund të themi me siguri se qeveritë socialiste dhe demokratike nuk kanë bërë sa duhet dhe siç duhet për popullin. Pra, klima politike nuk është në shërbim të nevojave të përditshme të popullit shqiptar, por në shërbim të pasurimit të vetvetes.

Express.mk: Cila është gjendja aktuale e emigrantëve shqiptarë?

B.Rama: Thuajse gjithë Europa është në kohë krize ekonomike, ku nuk janë të pakta ndërmarrjet dhe kompanitë e mbyllura, njerëzit e papunë që shtohen apo edhe vdesin si shkak i kësaj krize nga stresi dhe depresioni. Kështu, emigrantët shqiptarë në më të shumtën e herëve bëjnë punë të rënda, të cilat shumë perëndimorë nuk mund t’i realizojnë. Shumë prej emigrantëve shqiptarë kanë mbetur papunë. Ka prej atyre që në familje kanë një të punësuar etj. Pra, kriza aktuale ekonomike që ka mbërthyer Europën ka ndikuar edhe tek emigrantët shqiptarë, në Europë dhe kudo tjetër ato ndodhen. Nga ana tjetër, dërgesat e emigrantëve në vlera monetare e materiale në drejtim të vendit amë, nuk ndalen. Edhe pse ato sot janë reduktuar ndjeshëm. Mërgata shqiptare dërgon në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Pa ndihmën e mërgatës, pamëdyshje familjet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës do të vdisnin nga uria. Kontributi i emigrantëve tanë ka qenë i përhershëm. Përfshirja e tij në vendimmarrjen e shtetit amë ka qenë ku e ku më i paktë apo thuajse asfare i përshirë. Pra, nga njëra anë ato, ne, kontribuojmë për vendin tonë dhe zhvillimin ekonomik të tij dhe nga ana tjetër ne nuk kemi asnjë ndikim në projektbuxhetin apo vendimmarrjen socio-ekonomike të vendit tonë. Kudo në vendet perëndimore, kjo do të ishte shumë absurde dhe e papranueshme.

Express.mk: Çfarë mendoni për investimet e huaja në Shqipëri?

B.Rama: Së pari e quaj absurde dhe të papranueshme kategorikisht që një individë i huaj, kushdoqoftë, investon në Shqipëri 100 000 euro dhe ai ka të drejtën të pajiset menjëherë me nënshtetësi shqiptare, pra rrjedhimisht edhe me pasaportë shqiptare. Kjo sinqerisht që është e padrejtë, e turpshme dhe me kosto të papërfillshme. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë Shqipëria i mohon edhe ndihmën e stërmadhe e të gjithkohshme që SHBA-të kanë bërë për të. Nga ana tjetër, vendi ynë mund të bëhet një strehë e mirë për krimin e organizuar në Ballakn, mafian, vrasësit killer, ekremistët islamikë etj. Kush prej këtyre nuk do të investonte 100 000 euro për të marrë siguri dhe nënshtetësi në Shqipëri?! A thua një kriminel apo njëri nga këto militantët ballkanas nuk e disponon një shumë të tillë?! E padrejtë dhe fyese, e pamoralshme dhe me kosto të gjithanshme është edhe fakti që shumë projekte, tendera rrugësh etj. janë fituar dhe financohen nga investitorë serbë. Sinqerisht, ndihem vërtet keq. Dhe bashkë me mua ndihen edhe të gjithë ato shqiptarë që e duan vendin e tyre dhe e dinë rrezikun që mund të ketë qendërzimi i monopolit në disa klientë, sidomos serbë. Kështu, ne po i themi “bujrum” investitorëve kriminel dhe mafioz. Sigurisht, mbi të gjitha kjo do të ketë pasoja të rënda për vetë qytetarin shqiptarë.

Së dyti, në Shqipëri dhe Kosovë unë kam dërguar shumë investitorë të huaj, të cilët kanë realizuar vepra me rëndësi edhe strategjike për të dyja vendet. Në Shqipëri, nga viti 2005 e deri më tani, edhe z. Berisha si kryeministër i vendit është njohur drejpërsëdrejti me këto investitorë, të cilët kanë investuar shuma të konsiderueshme në vendin tonë, veçmas në infrastrukturë.

Së treti, investimet e huaja në Shqipëri janë të rëndësisë së lartë, por duhet të ketë edhe një klimë më pozitive dhe afruese për to. Konkurrenca duhet të jetë e lirë dhe e ndershme. Po ashtu duhen bërë hapa serioz që tenderat të bëhen në mënyrë të hapur elektronikisht.

Express.mk: Sa afër dhe larg është bashkimi mes shqiptarëve?

B.Rama: Bashkimi i shqiptarëve duhet të bëhet dhe kështu ka gjasma të ndodhë, hap pas hapi, fazë pas faze. Së pari, duhet synuar dhe krijuar të gjitha mundësitë për arritjen e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe më pas duhet menduar për shtrirjen graduale drejt bashkimit me shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Lufta e UÇK-së ka qenë sa e drejtë aq edhe e ndikueshme në përshpejtimin e hapave drejt bashkimit të trojeve shqiptare. Por nga ana tjetër ka ndeshur me kundërshtinë dhe frenimin nga politikat e vendeve respektive. Aktualisht, akoma ruaj lidhje me ish-luftëtarë të UÇK-së, që nga koha kur prej së largu financonim shuma të konsiderueshme për ushtrinë, dhe ato me vullnet të plotë e mendim të pavarur deklarojnë se ëndrra dhe lufta e drejtë e tyre është nëpërkëmbur dhe shtypur nga politikat aspak të mira dhe herëpashere frenuese dhe kundërshtuese për bashkimin e shqiptarëve. Ndaj, vullneti i popullit shqiptarë si në Shqipëri dhe Kosovë është që bashkimi të bëhet sa më shpejt. Klasa politike është frenuese. Atëherë nevojitet një zgjidhje e drejtë dhe e pranueshme. Pra, ndoshta ka ardhur koha që klasat politike të ndryshohen për arritjen e këtij qëllimi final, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mëmë.

Express.mk: Si mund të shkohet drejt bashkimit?

B.Rama: Infrastrukura… Rrugët e reja që lidhin më shpejt, me cilësi dhe bashkëkohore, dy shtetet e tanishme, Shqipërinë dhe Kosovën, do të mund të afrojë bashkimin më shpejtë se ç’mund ta mendojmë.
Tregtia… Tregtimi i mallrave mes dy vendeve, eksport-import, do të rrisin prodhimet e dy vendeve, por edhe do të ndikojnë në rritjen e tyre ekonomike.

TEC-HEC… Ndërtimi i TEC-eve në Kosovë dhe HEC-eve në Shqipëri do të mund të krijojnë sasi të konsiderueshme energjie elektrike. Në rast mungesash energjie, në kohë të ndryshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën krejtësisht falas, në mënyrë humane. Ndërkohë, nëse ka sasi të konsiderueshme energjie elektrike, patjetër duhet eksportuar me çmim të njëjtë në vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës.

Diplomacia… Përfaqësimi diplomatik i të dyjave vendeve duhet realizuar së bashku. Pra, një ambasadë për të dyja vendet. Kjo do të shkurtonte dhe kostot e panevojshme financiare. Gjithashtu, diplomacia e të dyja vendeve në raport me vendet e tjera duhet të jetë e njëjtë dhe e përbashkët.

Ekzekutivi… Qeveritë drejtuese të të dyja vendeve duhet krijuar një dialog të brendshëm shumëherë më konstruktiv se aktual. Duhet biseduar për projektet e përbashkëta dhe për ndërtimin me seriozitet të veprave të qenësishme për të dyja vendet.

Sporti… Duhet të ketë një ligë, ku ekipet shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës të ndeshen së bashku. Ekipi kombëtar duhet të jetë NJË për të dyja vendet.

Këto janë disa komponentë të rëndësishëm, të cilët po u zhvilluan shpejt në kohë dhe pozitivisht si frymë, bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të realizohet sa hap e mbyll sytë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button