“Më 20 shkurt të nisim një jetë të re prej shqiptari”

Nga Dritan Broka*
 
Dita-ditës shoh që zhytemi në një terr më të madh. Gjithçka po degradon, ekonomia po fundoset, shumë qytetar ngelin pa bukën e gojës, duke i larguar nga puna. Jemi në 2012 dhe akoma na mungon elektriciteti, uji dhe elementët më jetik të njeriut, çmimet rriten pa tavan dhe gjithçka tjetër si paga, apo pensionet, rrinë njësoj. Policia ecën me “kallash” në patrullime të tëra nëpër qytet, duke kërcënuar indirekt popullin e ndershëm dhe duke mos kapur asnjëherë hajdutin e vërtetë. Vrasjet rriten, jeta bëhet e pasigurt, filialet e bankave janë të ruajtura nga policë me armatim të rëndë, sa kur sheh gjithë këto mbrojtje të shkon mendja nëse jemi në Irak, apo diku tjetër, ku ka luftë të vazhdueshme. Semaforët nuk punojnë, por dhe kur punojnë, nuk zbatohen. Politikanë që nuk dënohen kurrë për asgjë, por që gjithnjë dalin të pa lagur. Vota e qytetarit tashmë nuk respektohen, manipulim super i hapur dhe në sy të të gjithëve. Prona e qytetarit është kthyer në elementin më fitimprurës të gjithkujt qeveritari. Për të marrë një certifikatë për pronën tënde, duhet t’i paguash nëpunësve të korruptuar të Hipotekës minimalisht 10000 euro. Tatimet abuzojnë me çdo biznes që nuk është i qeveritarëve, duke i kërcënuar ditë për ditë dhe duke u vendosur sanksione dhe gjoba të vazhdueshme. Çmimi i korrentit dhe i ujit rritet, bashkia më e madhe në vend merr në drejtim të saj dy nga njerëzit më të korruptuar dhe kundër politikave evropiane dhe amerikane. Në shkolla futet si gjuhë e dytë kinezja si në Tibet apo Mongoli, sepse qeveritarët tanë dëshirojnë që të bëjnë shqiptarët të flasin kinezçe. Parlamenti miraton ligjin e plehrave, sepse do që Shqipërinë ta kthejë në koshin e plehrave të  botes mbarë. Drejtësia ka vdekur, gjithçka është manipuluar. Mjekësia kërkon haraçin dhe prapë nuk të ofron shërbimin e duhur. Shoqëria civile është e politizuar, njerëzit në nevojë nuk ndihmohen. Të rinjtë pa kujdes prindëror (jetimët) lihen në mëshirë të fatit, arsimi ka marr fund, çdo diplomë në privat shitet, ndërsa në shtet blihet. Arsimi është bërë si makthi i të rinjve. Hapat për integrimin në Bashkimin Evropian lënë për të dëshiruar. Kultura dhe arti ka vdekur, akoma në disa zona vazhdon gjakmarrja dhe dhjetëra familje janë të ngujuara, duke u bazuar nëpër kanune. Policët çdo ditë shëndoshen dhe më shumë, komuniteti rom diskriminohet dhe nxirret nga streha e përbashkët, pushteti lokal nuk ofron vendparkime dhe as WC publike, për të kryer nevojat personale. Në protesta vriten njerëz për të frikësuar të tjerët, shteti kërcënon dhe arreston për t’i mbyllur gojën gjithkujt. Politikanët na gënjejnë, na mashtrojnë, na  vjedhin, na përdhosin, tallen me ne, dhe fitojnë miliona në kurrizin tonë. Shumë politikanë të tjerë super të korruptuar pa masë, nxjerrin në pah të gjithë korrupsionet e kolegëve të tyre dhe çfarë konfirmojnë; që janë servilë, të pabesë, hajdutë dhe maskarenj, së bashku me gjithë ato që kanë akuzuar, ndërsa disa të tjerë, që u duket vetja shumë të zgjuar, tradhtojnë shokët e organizmit të përbashkët, duke thënë dhe të fundit për to. Si përfundim, dalin disa njerëz të pavlerë dhe injorantë. Tashmë vendimi ka dalë, çdo pronë e shqiptarëve është në shitje, çdo kala, çdo pasuri nëntokësore dhe mbitokësore. Shumë serbë dhe grekë janë interesuar për  t’i blere ato. Sipas këtij vendimi shumë shpejt Shqipëria dhe ne shqiptarët do ngelim të zbuluar dhe pa asgjë. Më të varfër se ç’jemi. Ndërsa në anën tjetër, politikanët tanë pasurohen deri në brezin e shtatë. Më vjen inat, shumë inat, se këta po tallen me ne! Më vjen inat kur përdorin shumë politika të paskrupullta, kur shfrytëzojnë shumë njerëz të drejtë dhe të pafajshëm, kur na hiqen si patriotë të mëdhenj. Sot, të gjithë kemi rënë në gjumë letargjik, të gjithë jemi bërë shumë pasive, të gjithë jemi frikësuar, por nga kush duhet të pyesni veten?!

Dhe më e keqja po vjen. Për disa muaj, edhe institucioni i Presidentit do bjerë në dorën e pushtetit, që do të thotë: Qeveria, Bashkia më e madhe në vend , Presidenca, Gjykatat, Prokuroria, SHISH dhe çdo institucion tjetër i këtij vendi, do jetë në dorën e një personi të vetëm. Për mendimin tim, edhe diktatori Enver Hoxha nuk kishte me shume se kaq, kjo nuk është demokraci.

Loading...

Në emër të demokracisë, në emër Shqipërisë dhe Shqiptarëve, në emër të miqve, mikeshave, vëllezërve, motrave, fëmijëve tanë, hajde të bashkohemi të gjithë në një mendje dhe realizojmë një REVOLUCION për demokraci, pa dhunë, por me ideal të vërtet dhe real. Hajde bashkohemi të gjithë nën idealin e të vërtetës. Duhet ta bëjmë në radhe të parë për veten tonë, por dhe për të gjithë brezat që do vijnë. Unë nuk jam asgjë. Jam një i ri i cili e do vendin e tij, dua vetveten, dua miqtë e mi, prindërit dhe dua një të ardhme më të mirë për të gjithë ne, dhe për të gjithë Shqiptarët e vërtetë. Unë besoj dhe mendoj, se si unë ka shumë persona të tjerë, që e duan të vërtetën, e duan lirinë, duan demokracinë e vërtetë.

Kështu, që ju kërkoj miqësisht, që në datë 20 shkurt 2012, ora 17:00, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, te sheshi “Skënderbej”, aty ku gjithçka filloi, të mblidhemi të gjithë së bashku të tregojmë sa shumë jemi për një demokraci të vërtetë dhe reale dhe të fillojmë një etapë të re në  historinë e kombit Shqiptar.

*Kryetar i Kuvendit Civil

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button