Turizmi Shqiptar, ëndrra të mëdha në një realitet kioskash

Shqiptarët janë mësuar tashmë me legjenda për kthimin e vendit në një parajsë tropikale për turistët dhe premtimet për investime miliardere nuk kanë munguar, por deri më sot të gjitha këto kanë mbetur në nivelin e ëndrrës.

Gjatë dekadës së fundit, shumë projekte i janë paraqitur shqiptarëve nën premtimin e ndërtimit të fshatrave turistike luksoze, ndërtimit të porteve të jahteve apo hoteleve të mëdha. Një listë e paplotë e këtyre nismave publikohet më poshtë nga gazeta ‘Shqip’:

Loading...

Koncesioni Pacolli
Rreth vitit 2000, kompania ‘Mabetex’, nën pronësinë e biznesmenit politikan të Kosovës, Behgjet Pacolli, mori një koncesion në Gjirin e Lalzit, me premtimin për ndërtimin e një fshati turistik, një investim prej 30 milionë eurosh. Një dekadë ka kaluar nga ajo kohë, por asgjë nuk ka ndodhur.

Kazinoja Sazani
Një plan për të dhënë me koncesion shndërrimin e Sazanit në një qendër turistike me hotele luksoze e kazino, u prezantua rreth vitit 2004. Ajo ishte më shumë një ide për demilitarizimin e ishullit të vetëm të madh të Shqipërisë dhe shfrytëzimit të tij për turizëm. Sot ishulli mbetet sërish zonë ushtarake dhe i pabanuar.

Kanali i Vivarit
Një plan në formë thashethemi qarkulloi rreth vitit 2003. Qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano dëshironte t’u jepte një copë tokë dhuratë personaliteteve të huaja apo shqiptarëve të famshëm në një zonë kënetore 10 kilometra nga Kanali i Vivarit, në Butrint deri në kufi me Greqinë. Sot kjo pjesë mbetet sërish e pabanuar. Zona përtej Kanalit të Vivarit ka qenë subjekt thashethemesh edhe për fusha golfi, aeroport privat e të tjera.

Shkëmbi i Pëllumbasit-Ksamili
Një projekt për të dhënë me koncesion një zonë të quajtur Shkëmbi i Pëllumbasit, në Sarandë, u bë pjesë e debatit politik brenda Partisë Socialiste në vitin 2002. Se ku gjendej ky vend me saktësi nuk u mësua kurrë, por disa kioska janë ndërtuar pranë vendit të quajtur Plazhi i Manastirit, diku aty pranë. Në Ksamil, një mur i ulët guri i ndërtua për të rrethuar një sipërfaqe të stërmadhe toke rreth vitit 2004. Vendësit e quanin “Muri Kinez”. Pak vite më vonë, një faqe interneti pretendonte se mund të shiste sipërfaqe toke në këtë zonë përkundrejt çmimit 75 euro për metër katror. Zona në fjalë është aty ku ka qenë, ku disa vendës bëjnë biznese të varfra që mezi dalin për mbijetesë.

Semani
Pak ditë më parë, një kompani me emrin SIVA, në bordin e së cilës rezultoi se bënin pjesë një grup emigrantësh të rinj shqiptarë në SHBA, u prezantua nga Kryeministri Sali Berisha si një kompani që synonte të investonte 2 miliardë dollarë për ndërtimin, mes të tjerash, edhe të dy kullave me 75 kate secila, në grykëderdhjen e Semanit. Mjafton fakti që kompania premton 75-katësha në një vend ku pallati më i madh i ndërtuar është 28 kate dhe nuk ka përfunduar ende, për të vlerësuar se sa serioze mund të jetë një sipërmarrje e tillë. Megjithatë, gjithkush ka të drejtë të ëndërrojë, përfshirë edhe këta nismëtarë.

Ndërkohë, sot për sot turizmi shqiptar mbetet në nivelin e hoteleve 3-4 katëshe. Të vetmet hotele të mëdha janë ndërtuar në kohën e komunizmit e privatizuar më pas. Dy hotele të mëdha janë ndërtuar në Tiranë në dy dekadat e fundit, gjithsej dy!

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button