Zvarritja pas patriotizmit

Nga Mero Baze
Dy udhëheqësit kryesorë politikë në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, u gjenden në Tiranë në përvjetorin e katërt të pavarësisë së shtetit të tyre të ri. Të dy kundërshtarë në Kosovë dhe qejfmbetur të mëdhenj, ulën kokën dhe erdhën të ishin në dy pjesë të ditës, të dy afër me pushtetin e Tiranës. Si dy punëtorë me mëditje, njëri paradite e tjetri mbasdite, u shfaqën krah pushtetit për të na treguar se ata vërtet janë të ndarë në Kosovë, por i bashkon dashuria për Berishën në Tiranë.

I pari, Isa Mustafa, i ftuar i Lulëzim Bashës për të përuruar emrin e rrugës së dytë “Ibrahim Rugova”, që zëvendësoi rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. As Isa Mustafa nuk ka ndonjë merak për Ibrahim Rugovën dhe as Lulëzim Basha nuk kishte as idenë më të vogël se në Tiranë ekzistonte një rrugë me emrin “Ibrahim Rugova”. Nxitimi për të gjetur një sebep për të qenë në Tiranë më 17 shkurt prodhoi atë komedi. Isa Mustafa e kishte në parti djalin e Ibrahim Rugovës dhe e zboi, ndërsa Lulëzim Basha e kishte në Tiranë rrugën “Ibrahim Rugova”, por si një njeri sipërfaqësor dhe fallto, nuk kishte si ta dinte. Basha për këtë gjeti dhe një simbolikë të dytë, hoqi emrin e rrugës “4 Shkurti” që lidhet negativisht me Xhafer Devën, me emrin e të cilit lidhet një reprezalje ndaj qytetarëve të Tiranës pas një aksioni gueril komunist në shkurt të vitit 1944. Ky fakt historik i ka kushtuar shumë antikosovarizimit të prodhuar në Shqipëri dhe përçarjes Tiranë- Prishtinë, edhe pse Xhafer Deva ka plot dritë-hije në jetën e tij. Si për ta bërë qesharak deri në fund “patriotizmin” e tij, tashmë Lulëzim Basha na bëri dy rrugë me të njëjtin emër në Tiranë.

Loading...

Hashim Thaçi u shfaq në Tiranë mbasdite për të përuruar godinën e re të ambasadës së Kosovës, një vilë e cila u është kthyer de facto pronarëve, dhe që një shtet i papërgjegjshëm e rishtetëzon pa pare, për t’ia dhuruar ambasadës së Kosovës. Edhe pse ka boll vende të tjera ku mund ta strehojë ambasadën e Kosovës, edhe se ka plot sheshe ku mund të ndërtojnë një ambasadë dinjitoze, Berisha ka zgjidhur një konflikt me pronarët e asaj ndërtese, për të larë duart me qeverinë e Kosovës dhe për ta futur mes ambasadës ruse dhe asaj serbe. I pari i vendit në këtë ceremoni ishte Sali Berisha, dhe pas tij Hashim Thaçi. Nuk ftuan në këtë ceremoni as Presidentin Bamir Topi dhe as liderin e opozitës, Edi Rama, edhe pse protokolli i shtetit e kërkon këtë. Nuk di se çfarë ka pasur në mendje Hashim Thaçi, po simbolikë më të padenjë për gjithë dyshimet ndërkombëtare për varësinë e Prishtinës nga Tirana se sa të festojë pavarësinë e Kosovës në Tiranë nuk ka. Ai nuk shkoi të marrë pjesë tek rruga “Ibrahim Rugova”, dhe Isa Musatafa nuk i shkoi në krah kur u hap ambasada e re e Kosovës. Ata janë të ndarë për punët e tyre në Kosovë dhe bashkohen tek ideja se duhet të shfaqen në krah të Sali Berishës në Tiranë. Bashkohen se u pëlqen modeli i tij në parti dhe në pushtet. U pëlqen të qëndrojnë në pushtet me çdo çmim. Të vetmin mesazh që mundën të japin ditën e pavarësisë së Kosovës është se ata ndahen për pushtetin në Kosovë dhe bashkohen rreth pushtetit në Shqipëri. Është ekzaktësisht ajo çfarë bota shikon me dyshim tek shteti i ri i Kosovës, paternalizmi nga Tirana.

Paralelisht me ta, nga Uashingtoni, Zëri i Amerikës theksoi interesin me të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit ka pritur përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi. Edhe pse të distancuar qartë nga çdo lloj nacionalizmi dhe prirje për destabilizim të Ballkanit, SHBA duket se janë të interesuar që në çmontimin përfundimtar të Sali Berishës, t’i heqin atij dhe pendët e fundit fallco që tund mbi supe, ato të patriotizmit. Duke njohur pikërisht prirjet e Sali Berishës që sa herë futet në krizë në Shqipëri, përdor kartën e Kosovës dhe lidhjet e tij me politikën e Kosovës, Uashingtoni ka bërë një hap që rrallëkush do ta bënte, ka pritur atje përfaqësues të një lëvizje politike, e cila mbështetet mbi krenarinë kombëtare dhe atë që mund të quhet traditë patriotike në Shqipëri. Sali Berisha dhe Hashim Thaçi kanë bërë një aleancë të pazakontë për të ruajtur monopolin e “patriotëve”  në Shqipëri dhe Kosovë muajin e fundit, njëri duke sulmuar nga Prishtina Aleancën Kuq e Zi, e tjetri duke sulmuar nga Tirana Vetëvendosjen. Kjo aleancë jo e shenjtë, kundër disa lëvizjeve të reja populiste që në të vërtetë kanë plasaritur qysh në start portretin gjoja patriotik të Sali Berishës në Kosovë dhe Shqipëri, duket se tentoi të përdorë edhe 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, për të na treguar të gjithëve se Kosova është e pavarur nga Serbia, por e varur nga Sali Berisha. Është një përpjekje për t’iu kundërvënë SHBA dhe Perëndimit me kartën e ndikimit në Kosovë ditën e pavarësisë së saj. Është një përpjekje për tu treguar të gjithëve se liderët kryesorë politikë në Kosovë mund të jenë të përçarë mes vete, por janë të bashkuar rreth Berishës. Por mbi të gjitha është një përpjekje e tij që në këto ditë të vështira dhe prishje pa kthim që po përjeton me Perëndimin dhe sidomos SHBA, të tregojë se kush prek pushtetin e Berishës, prek stabilitetin në rajon! Është aq sipërfaqësor dhe teatral në këtë gjest, sa iu desh të bënte dy rrugë me emrin e Ibrahim Rugovës, të cilën e luftoi sa mundi kur ishte gjallë, që të sillte Isa Mustafën në Tiranë dhe të hapte godinën problematike të ambasadës së Kosovës që të justifikonte praninë e Hashim Thaçit në Tiranë. Është duke bërë pikërisht atë për te cilën ai nuk duhet të qëndrojë më në pushtet. Është kjo arsyeja që zëvendëssekretari amerikan i shtetit vjen në rajon dhe shmang vetëm Shqipërinë. Nesër shkon në  Kosovë, minimumi për t’i treguar Berishës se ai mund të përdorë Mustafën ose Thaçin, por jo Kosovën, mund të përdorë flamurin shqiptar, por jo Shqipërinë, mund të përdorë propagandën e vet, por jo historinë tonë. Është i dënuar të mos hyjë në histori si patriot i këtij vendi, pikërisht kur nuk ma kohë të korrigjojë asgjë, as të qëndruarit si bukëshkalë në pushtet.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button