Bodrumi i Muzeut Arkeologjik si thesari i Ali Babait

Kristi Pinderi

Muzeu Arkeologjik në Tiranë ku ekspozohen mbi 2100 eksponantë të datuar nga prehistoria, deri në mesjetën e vonë, nuk është pasuruar me objekte të reja që nga viti 1985, ndonëse pas atij viti janë zhvilluar dhjetëra e dhjetëra ekspedita herë në bashkëpunim me universitete të huaja, e herë ekskluzivisht vetëm nga specialistët shqiptarë.
Specialistët e arkeologjisë tregojnë se objektet që janë zbuluar gjatë ekspeditave të 25-30 viteve të fundit duhet të jenë të arkivuara një kat më poshtë atij muzeumi! Por kur i pyet se pse nuk ekspozohen, ndihen ngushtë… Thonë se, “pyetja është me vend”, dhe shtojnë se “mungojnë politikat”, apo “mungojnë burimet njerëzore”…
Një gjë duhet thënë troç: nëse kërkoni të vërtetoni se me sa seriozitet e trajtonte shteti i dikurshëm trashëgiminë kulturore, qoftë edhe si mjet propagande ndërkombëtare, qoftë edhe si mjet edukimi për qytetarët, vizitoni atë muze arkeologjik që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Nëse kërkoni pastaj ta ballafaqoni konkretisht se në çfarë amullie institucionale ndodhet i gjithë investimi për trashëgiminë kulturore sot në Shqipëri, apo se në ç’amulli politikash të munguara, sherresh brenda zyrave ndonjëherë, apo mungesë idesh ndodhet ky investim i munguar, vizitoni sërish atë muze…
Ndodhet përbri zyrave të Rektoratit, në një ndërtesë historike të projektuar nga Gherardio Bosio, arkitekti italian i kohës së Musolinit. Ndonëse është më i ploti përsa i përket eksponantëve që ekspozon, plot 2100 të tillë nga epoka e gurit deri në mesjetë, për fat të keq, ai muze ka mbetur njësoj siç ka qenë në vitin 1985…
Vizitë në muzeun e ftohtë…
Rreth drekës, në një orar që duhet të përfaqësojë kulmin e punës për një muze, ai ishte bosh. Dritat ishin të fikur dhe brenda nuk kishte asnjë vizitor. Eda Andoni, përgjegjëse e muzeut, na shpjegoi se vizitohet shumë më tepër gjatë stinës së verës, ndërkohë që gjatë dimrit vizitat janë shumë spontane, shumë rrallë të organizuara në grupe turistësh dhe për pasojë e gjithë pasuria që ndodhet në të u shërben vetëm studentëve, meqë muzeu është një muze didaktik në funksion të Qendrës Albanologjike ku bën pjesë edhe Instituti i Arkeologjisë.
Në mënyrë që “Shekulli” të fotografonte vitrinat me objektet, punonjësit ndezën dritat, por asnjëra prej vitrinave në mbi 1000 metra katrorë muzeum nuk funksiononin. Disa neonë pulsonin sikur të ishin duke “vdekur”, por mjaftueshëm për të shfaqur pluhurin në xhamat e vjetër të prodhuar dikur në Kavajë… Këto xhama janë ndër të tjera edhe aq praktikë, saqë sa herë studentë të masterit apo të doktoraturës duan që të studiojnë nga afër një objekt, punonjësve të muzeut u duhet një ditë e tërë që ta çmontojnë apo ta hapin vitrinën pa e thyer atë!
Pavioni që përfaqëson me objekte të shumëllojshme prehistorinë, është një ndër krenaritë e atij muzeu. Eda Andoni, përgjegjësja e muzeut, e cila është duke përfunduar doktoraturën e saj pikërisht për prehistorinë, e bën guidën me më shumë pasion në atë pavion. Të bie në sy një riton i epokës së neolitit (kur guri përdorej njëkohësisht edhe me hekurin, qindra vjet para Krishtit). Ai është në fakt një objekt kulti që sipas mendimit mbizotërues mes specialistëve simbolizon pjellorinë dhe fuqinë e natyrës, fuqi e padiskutueshme për njerëzit e asaj epoke të largët. Duket qartë përmes formës së tij që duhet të jetë një objekt i tillë kulti, se sa një objekt praktik i jetës së përditshme.
“Pjesa më e madhe e objekteve”, shpjegon Andoni, “tregon për një popullsi me tipare të njëjta në të gjithë zonën e Ballkanit për atë periudhë prehistorike”. Ndryshimet, apo tiparet dalluese për një popullsi të veçantë nisin të shfaqen më vonë.
Në të djathtë dallon helmetën e parë ilire, e konsideruar e tillë nga shumica dërrmuese e specialistëve shqiptarë (disa shekuj para Krishtit). Më tej, nisin vitrinat që pasqyrojnë jetën e qyteteve të para të epokës helenistike, shekujt e 3 dhe të 2 para Krishtit. Ndërkohë objektet e zbuluara kryesisht në juglindje të vendit, apo dhe ato në qytetet byline (rreth Bylisit antik), janë objektet më të bukura në atë kënd të muzeut.
Një statuetë prej terrakote që paraqet figurën e Apollonisë është ndoshta ndër objektet më të çmuara atje dhe më të sofistikuara në atë muze. Ajo i takon shekullit të 2 para Krishtit dhe mendohet të jetë një objekt i importuar jo i prodhuar në territorin tonë. Pas një sërë ndërhyrjesh restauruese u zbulua se ajo ishte ndërtuar edhe me material ari në mënyrë që të shkëlqente nën dritën e diellit. E zbuluar në Amantia ajo është gjithashtu edhe një tregues për vendin e rëndësishëm që zinte kulti i Apollonisë në territorin antik të vendit tonë.
Një statuetë tjetër, që paraqet Erosin, me krahë ëngjëlli që mban mbi supe një delfin, është gjithashtu një prej objekteve që mahnit vizitorët.
Pranë tij, ndodhet vitrina që ekspozon objekte të rralla të zbuluara në një varr të Belshit, nga arkeologu Neritan Ceka. Janë objekte jashtëzakonisht të këndshme dhe të rafinuara për syrin e njeriut që i përkasin edhe një femre edhe një mashkulli: janë objekte zbukurimi për një femër dhe pjesë të armaturës ushtarake të një mashkulli, fakt ky që të bën të mendosh se në atë varr ishin varrosur burrë e grua, ndonëse eshtrat e tyre nuk ishin ruajtur… “Eshtë një fenomen i zakonshëm që jo të gjitha eshtrat të ruhen, as edhe dhëmbët ndonjëherë, për shkak të përbërjes së veçantë të tokës në disa pjesë të vendit tonë”, saktëson një arkeologe pranë atij muzeu.
Pse objektet e shtuara “groposen” një kat më poshtë?
Pak objekte që u zbuluan vonë, e që i përkisnin kryesisht periudhës antike u shtuan diku nga fundi i vitit 1993 në atë muze, por ato ishin shumë pak, në një numër të papërfillshëm. Një tjetër statujë, sipas gjasave e epriudhës romake, e zbuluar dy vjet më parë në Apolloni është objekti i fundit që i është shtuar fondit të ekspozuar të këtij muzeu.
Pyetja të cilës sot nuk i përgjigjet askush qartësisht është: çfarë ndodh me objektet e zbuluara në tre dekadat e fundit të ekspeditave arkeologjike? “Studiohen dhe duhen restauruar”, përgjigjet thatë drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Prof. Shpresa Gjongecaj. Pastaj, një ide duket se i vjen përnjëherë ndër mend: në fakt, ky vend ka më shumë nevojë për fonde për restaurimin… Si nuk po del, shton më tej, një dashamirës në gjendje ekonomike që të dhurojë në formë donacioni jo të holla apo para, por të paktën ndonjë mjet të sofistikuar me të cilin ne të restaurojmë objektet prej metali, që në fakt, kërkojnë një teknikë më të kujdesshme…?!
Më tej, pyetjes se pse muzeumet tona nuk janë pasuruar me objekte të ekspeditave të fundit, Prof. Lorenc Bejko, ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe autor i disa ekspeditave shumë të rëndësishme të dekadës së fundit, sidomos ajo në tumën prehistorike të Kamenicës, i përgjigjet: “Pyetje interesante dhe e vështirë… Kam përshtypjen se kërkimet e dy dekadave të fundit do na detyrojnë të rikonceptojmë shumë aspekte me të cilat ne kemi shpjeguar deri më sot historinë tonë…”. Dhe shton se, kjo në aspektin muzeologjik, këto objekte të reja do të mund të ndryshonin krejt vizionin tematik por edhe kronologjik mbi të cilin muze si ai arkeologjik janë ngritur e janë promovuar…
“Për këtë duhet vizion, duhet vullnet, duhen burime njerëzore, duhet mbi të gjitha pasion”, thotë Bejko, i cili të paktën për diçka shumë të rëndësishme do të mbahet mend: edhe sikur asgjë tjetër mos bëjë më në jetë: sitin arkeologjik të Kamenicës që e studioi vetë për vite me rradhë, e transformoi në fund, në një muze, e në një qendër të vizitueshme. Po te tjeret…?!

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Loading...
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button