Monumente kulture… apo “stalla kuajsh”?!

Debatet publike e institucionale janë në kulmin e tyre, përsa i përket njërit prej monumenteve me fizionominë më përfaqësuese të identitetit tonë kombëtar, ‘kalasë mesjetare  të qytetit të Lezhës’. Bëhet fjalë për shrrënjosjen e monumenteve ekzistuese  dhe  për të ndërtuar mbi to restorante e  motele  pikërisht në atë territor, që në gjuhën e arkeologjisë quhet Akropoli i qytetit antik. Po ç’është  akropoli i qytetit antik të “Lisit”? Është pjesa më e lartë e qytetit të moçëm 2400-vjeçar, pikërisht brenda kalasë mesjetare me sipefaqe prej pesëmbëdhjetëmijë metra katrore, pika më e lartë gjeografike, një shesh prej rreth 2000 metra katrore. Aty dhe përreth tij (akropolit) gërshetohen kulturat ndërtimore të të gjitha periudhave historike. Duke filluar me rrethimin e parë të fiseve ilire të shekullit të pestë p.e.s. dhe duke vazhduar me teknikat ndërtimore helenistike, romake, bizantine, veneciane e duke përfunduar deri tek ndertimet e kohës së pushtimit otoman. Ky është vendi i nderit, ku janë vendosur ndër shekuj tempujt, faltoret, objektet e kultit, rezidenca e mbretërve, ushtarakëve, feudalëve, princërve, komandantëve, a sido që të jenë thirrur ata për gjatë 24 shekujve. Aty u thirr Kuvendi i Lezhes dhe u themelua shteti i parë shqiptar.

Por drejtori i Institutit te Monumenteve, zoti Apollon Baçe, pikërisht këto thesare të kujtesës sonë kolektive i konsideron “stallat e kuajve të xhandarmërisë turke” (!?) Kur e dëgjova këtë deklarim në një emision lajmesh m’u errësuan sytë nga turpi. Nuk iu besova veshëve dhe  e ndoqa këtë pohim në të gjitha stacionet, por sërish ishte po ajo deklaratë: “Ndërtimet do të bëhen mbi rrënojat e stallave të kuajve të xhandarmërisë turke të vitit 1905.” Pasi u sigurova se nuk isha në një ëndërr të keqe, hapa dosjen me shënime që kam mbajtur në  kohën që kam qenë drejtor i parkut arkeologjik, për të kujtuar inventarin e monumenteve, në atë territor e për të zbardhur lojën e shëmtuar që po bëhet me atë dizinformim publik. Ja, inventari i objekteve monument kulture në akropolin e qytetit në kala, dhe po e theksoj se këto monumente  janë  pajisur me pasaporta të veçanta për secilin objekt, një kopje e te cilave ndodhen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimeve të Monumenteve të Kulturës, në Tiranë.

Loading...

1. Xhamia Sulejmanie e vitit 1520. Për këtë objekt ka këto komente: a-është e ndërtuar duke shfrytëzuar një pjesë të sarajeve të Dukagjinëve, që gjendeshin aty që në shekullin e trembëdhjetë; b-është ndërtuar duke kthyer në xhami kishën, që funksiononte për banorët e kalasë.
 2. Galeria veneciane, mjedis funksonal nëntokësor në kala.
3. Sarajet e Dukagjineve, ose pallati i feudalëve që kanë zotëruar kalanë, 6 mjedise me mure deri në dy katëshe.
4. Kisha e shekullit  trembëdhjetë, rrënojë e zbuluar nga arkeologët G. Hoxha, L. Perzhita dhe F. Cavallini, e pasqyruar ne librin “Objektet e kultit-Monument Kulture në Dioqezën e Lezhës.”
5. Dy Çisterna uji, njëra e periudhës bizantine dhe tjetra e periudhës veneciane.  
6. Mjedise të tjera banimi funksionale me frengji, në funksion të sarajeve për shërbime ushtarake dhe shërbime te tjera civile.
7. Kollona prej mermeri, inventar i gjetjeve në akropol.
8- Muraturë me harqe të gurta të mbetura ende nga arkitektura e sarajeve të princërve të Mesjetes.

 Ky, pra, është inventari i objekteve të dukshme, të inventarizuara nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit, të cilat i ka në ruajtje e administrim Parku Arkeologjik i Lezhës. Siç shihet në këto inventare nuk del asgjëkundi emërtimi “stalla të kuajve” që përmend  zoti  Apollon Baçe, por  duke qenë i vetëdijshëm se mund të bëhen edhe “gabime” njerëzore në këto punë, hapa librat e autorëve antikë, të albanologëve të huaj, dhe të disa studiuesve tanë seriozë, mos ndoshta dikush prej tyre e pohon qenien e stallave të kuajve në majën e akropolit. Pasi i shfletova të gjithë ata që flasin për historinë e ketij qyteti, u ndala tek albanologu Theodor Ippen, konsulli i Austrisë në Shkodër. Në librin e tij “Shqipëria e Vjetër” ndër të tjera ai thotë: “Në mesjetë kalaja e Lezhës i përkiste familjes vendase – Dukagjini dhe se në Lezhën e vitit 1467 Skënderbeu me siguri nuk ka banuar në pazar, në lagjen e barkaxhinjëve, në breg të lumit. Ai do të ketë pasur rezidencën e tij në kala, ku do të jetë zgjedhur edhe një vend për prehjen e tij të fundit.” Dhe më tej ai thotë: “Nuk mund të pranohet që në atë kohë të ekzistonte një kështjellë pa kishë, ndaj nuk do të ishte e gabuar të mendohet, që kisha e Shënkollit e për pasojë vendvarrimi i Skënderbeut të ketë qenë në kalanë e Lezhës, sepse pushtimi turk i 1478 nuk kishte të bënte me qytetin e poshtëm, që ishte i pa fortifikuar, por me kalanë. Për këtë arsye është i sigurtë kthimi i kishës në xhami”. Ndërsa  Hecquard, konsulli Francez në Shkodër me 1860, shkruan:  “Unë vizitova kalanëMbi harqet që ende mbaheshin në këmbë nga pallati i feudalëve të vjetër, sheh tri emblema mermeri, në njerën prej të cilave mund të dallosh një grua dhe një burrë me kokë të rrethuar nga një brerore dhe me një kryq mes tyre. Në të dyten shihet një luan i ngritur mbi dy këmbet e pasme. Dhe në të tretën një shqiponjë me krahë të shpalosur që shtrëngon me kthetrat e saj një gjarpër, emblemë që siç thonë gjendej në armaturën e Kastriotëve”. Këto emblema, të vendosura në pallatin e feudalëve i konfirmojne edhe autorë të tjerë, si  Abati i Mirditës, Imzot Preng Doçi, në artikullin “Topografia e Lezhës”, botuar me 30. 09.1885 në revistën “Flamuri i Arbrit” të De Radës. Ai i shquan ende të pa rrënuara sarajet me tri pllakat e mermerta, me tri emblemat që përmendem më lart. Ndërsa në librin “Paralele kulturore”, Dr. Tonin Çobani i bën një analizë të hollsishme përmbajtjes së këtyre tri emblemave te princave shqiptarë. Ai del në konkluzionin se këto emblema i përkasin një periudhe para turke, pasi, thekson ai: “Për të vërtetuar këtë mjafton vetëm dyfigurshi i gruas me brerore dhe i burrit, që është i papranueshëm në artet figurative islamike. Më tej ai shton: “Pra, ato pllaka kanë qenë në kështjellë para pushtimit turk dhe nuk janë shkulur e dëmtuar prej atyre që e rikonsruktuan kështjellen… që u bë nga vetë turqit (1521-1522)”.
Nga dëshmia e këtyre personaliteteve të kulturës shqiptare, që cituam më lart, por edhe shumë të tjerëvevëme re që  të gjithë pohojnë se akropoli ishte pjesa më e rëndësishme e qytetit historik. Ata dëshmojnë ekzistencën e kishës së vitit 1520 të kthyer në xhami, të sarajeve princërore, të emblemave (në muret e sarajeve) të princërve që kanë sunduar këtë qytet. Ata, por dhe kqyrjet, gërmimet dhe gjetjet arkeologjike, argumentojnë vazhdimësinë e ekzistencës së ndërprerë e të patjetërsuar të identitetit të ndërtimeve në këtë kështjellë. Eshtë tepër domethënës fakti, se emblemat e murosura në sarajet e feudalëve vendas, vijnë të paprekura që nga vitet e para të pushtimit turk e deri në braktisjen përfundimtare të kështjellës. As pushtuesit më të egër fanatikë, nuk e zhdukën pllakën e gruas me brerore në kokë dhe me kryq, paçka se ata ishin me besim fetar tjetër nga i vendësve. Nuk e shkulën emblemën me shqiponjë, dhe pse e dinin se ishte simbol i flamurit të princërve shqiptarë të mesjetës, armikut të madh të perandorisë. Vërehet qartë toni dashamirës i rrefimit, njohja e thellë dhe kultura historike që zotërojnë, përpjekjet e tyre për të pasqyruar e analizuar rrethanat e një realiteti historik të caktuarEshtë nje hendek aq i madh ai midis pohimit të  këtyre albanologëve, me desinformimin e shëmtuar të Apollon Baçes. Ata flasin për sarajet e familjeve të mëdha të mesjetës, për Heroin tonë  Kombëtar, rezidencën e tij në ato saraje etj. Po ashtu, kush më mirë se vetë emblemat dëshmon se aty janë kullat e Dukagjinëve? Në ato saraje u pritën prijësat shqiptarë, që u mblodhën në kuvendin e Lezhës me 2 mars 1444. Prandaj ato themele nuk mund te tjetërsohen, ato mure duhet vetëm të mbrohen, ruhen, mirëmbahen e përforcohen dhe të mbeten aty, ashtu, përjetë, në kujtim të asaj familje të madhe bujare, që percjell ndër shekuj, identitet shqiptar të pa diskutueshëm. “Kolonat” e këtij identiteti i mblodhi, pas katërqind vjetësh, Shtjefën Gjeçovi, për t’iu treguar kancelarive evropiane, se ne jemi një vend që dimë të vetëqeverisemi  e  se e meritojmë Pavarësinë dhe se nuk duhet të coptohemi ashtu si ata kishin  plan të bënin me Shqipërinë. Për të gjitha këto arsye, pikërisht, ai copë vend që ngërthen në vetvete aq shumë memorie historike e identitet kombëtar, duhet të trajtohet me dinjitet e me seriozitet të madh shkencor e shtetëror. Në vend, që përfaqësuesit më të shquar të asaj familje bujare, Princit Lekë Dukagjini t’i ngrihet një përmendore e madhe, ku të përulemi për veprën e tij, “Baçet” me vulën e shtetit thurin plane, si t’ia fshijnë nga faqja e dheut selisë së tij princërore edhe gurin e fundit të themeleve. 

                           

Qeveria të ndalojë “pushtimin”e kështjellave nga motelet!…
           
Një institucioni të monumenteve të kulturës i bie barra që t’i thellojë këto dije dhe jo t’i nëpërkëmbë vlerat muzeale, arkeologjike të dokumentuara. Sikur asgjë te mos ekzistonte aty, sikur ai vend te ishte i zbrazur, pa asnje objekt, dhe vetëm deshmitë shkruara të ekzistonin, më e pakta, terrenin e bosh ta mbushnim me tabela e mbishkrime, që të tregonin se ku mund të kishin ekzistuar këto objekte historike. Për fatin e mirë, ato dëshmi monumentale ende ekzistojnë në këmbë, por një njeri ekstremist, i pa mëshirshëm e i pa përgjegjshëm, vetë drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, kërkon që këto monumente të dorës së parë të rrafshohen e mbi to të ngrihet monumenti i korrupsionit e i turpit. Motele, restorante e rezidenca private. Këtë “revolucion kulturor” e kemi përjetuar vetëm në fundin e vitet 1960 kur sistemi komunist i mbylli kishat dhe xhamitë. Por për hir të së vërtetës, ato ndërtesa, ato objekte kulti që kishin vlera historike edhe ai sistem i shpalli “monument kulture” dhe i ruajti e i mirembajti me shumë fanatizëm, dhe duhet ta pranojmë me pikëllim, se një pjesë e mirë e asaj që u  trashëgua  e ruajtur  nga ajo kohë, sot nuk ekzistone më. Rrënimi total, zhdukja, shfarosja, kthimi në gjendje të pavizitueshme të shumë  monumenteve të kulturës, i është faturuar tranzicionit. Por, të ç’montohen me gjakftohtesinë më të madhe, monumentet që lidhen thelbësisht me identitetin kombëtar, me ngjarjet më pikante të historise së këtij kombi, me vatrën ende të pafikur të kujtesës historike, me shtratin ku u ngjiz ndërgjegja jonë kombëtare,  pikërisht nga krerët e institucioneve që paguhen për t’i ruajtur ato,  ky është veçse një krim i paramenduar mirë, me një strategji të stërholluar, demek në emër të turizmit. Nuk ka se si një qytet kaq i dendur  me monumente e objekte historike të shpërfytyrohet në mënyrë kaq të shpejtë e të pariparueshme, duke e kthyer të tërin në shesh ndërtimi, pa kriter, pa plan, pa leje. Prej kohesh, po pyesim njeri-tjetrin, ç’po ndodh keshtu? Në legjislacionin tonë ka ligje, që për një rrënjë kanabis të gjetur në skajin më të fshehtë të një pylli, një kryeplak, apo një kryetar komune, penalizohet deri me burg, ndërsa  një pushtetar, zhbin thesare të tera të identitetit tonë kombëtar dhe me të ardhurat që fiton na vjen sërish në pushtet, me të njëjtën forcë politike, apo me një tjetër. Nga i gjithë ky përçudnim i monumenteve të këtij qyteti, vetëm kalaja në atë majë kodre ka mbetur deri tash e pastër, e virgjër e pa demtuar nga ndërtimet përdhunuese, por tashmë edhe kjo është në shënjestër të grabitqarëve me pushtet. Vërshimi i kësaj urdie “pushtuesish” të kështjellave, po afrohet deri në Lezhë. Pala pushtuese pret që vetë Ministri ta nenshkruajë kapitullimin pa një pushkë të shtime, siç thotë populli. Ndërsa qytetarët e Lezhes që e kanë votebesuar  këtë Ministër dhe e ngjiten atje në pushtet, nuk do t’ia falin dhurimin e kalasë askujt. Subjekte që kërkojnën ta privatizojnë, prej më shumë se pesë vjetësh, presin e percjellin në kalanë e Lezhes “mbeturina” pushtetarësh të rrezuar, duke filluar nga ish-deputetë, ish-ministra, ish-zv. kryeministra, për të lobuar, për t’i bërë palë, e për ta shtenë në dorë kalanë. Eshtë në detyrimin ligjor të tij si Minister që ta ndalojë këtë lojë të rëndë me trashegimisë tonë kombëtare, në emër të “jetësimit” të monumenteve të kulturës. Së fundi, duke mos parë mundësi zgjidhje tjetërkund, i drejtohemi Zotit Kryeministër, me bindjen se bëhet fjalë për intersa publike dhe kulturore. Ne dy mandatet e fundit të qeverisjes suaj, Ju keni dhënë kobntribute të çmueshme në infrastrukturën e Lezhës, së fundi dhe vetë ndërtimi i rrugës së kalasë është shenjë e kujdesit tuaj për t’i kthyer objektet me rëndësi historike ne vende peligrinazhi etj. Për këtë qytetarët lezhianë ju kane votuar në mazhorancë të plotë si asnjëherë tjetër. Ne besojmë në ndershmërinë dhe qëllimet tuaj. Por, një detyrim për shqiptarët, për historinë e shkuar dhe të re e keni më shumë se kurrë, në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ju vetë duhet të tregoni me vepra se nuk jeni të manipuluar nga kjo lukuni e re  uzurpatoresh të monumenteve. Ju duhet tu thoni NDAL atyre. Vetem ju mund t’i bëni të pavlerë  synimet e tyre të mbrapshta. Ne vazhdojmë të besojmë se ju jeni në anën tonë. Në anën e njerëzve të lirë që i duan dhe i respektojnë vlerat e kulturës së tyre kombëtare, në anën e qytetarëve të Lezhës.
  
Autori ka qenë drejtor i parkut arkeologjik, Lezhë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button