“U shkelmua Kushtetuta”/ Berisha sulmon presidentin e ardhshëm por dhe Metën: Një shkelje flagrante…

Pas largimit nga salla e Kuvendit ku po votohet për kandidatin për Presidentin e ri, kreu i PD Sali Berisha në një prononcim para gazetarëve ka sulmuar presidentin e ardhshëm, Bajram Begajn, por edhe atë aktuall, Ilir Metën.

Berisha tha se po votohet në shkelje flagrante, duke thënë se Bajram Begaj,  nis udhën duke shkelmuar me “dy këmbët kushtetutën pasi kandidon ndërsa ende shërben si Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare. Sipas Berishës, Meta ka shkelur Kushtetutën, duke firmosur shkarkimin e Begajt teksa ndodhej  jashtë shtetit.

“Sot në parlamentin e Shqipërisë po kryhet një dhunim i shëmtuar i kushtetutës, një akt antikushtetues, votohet në shkelje flagrante të kushtetutës, për President Republike njeriu që kalon nga karrigia e shefit te Shtabit në karrigen e Kreut të Shtetit duke shkelur hapur nenin 167 të kushtetutës, sipas të cilit, ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet, dhe as zgjidhet në organe apo pushtete të tjera veç detyrave të ushtrisë. Kandidati që votohet sot, nis udhën e tij duke shkelmuar me dy këmbët kushtetutën pasi kandidon për president si shef i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë shqiptare.

Pretendimi se dha dorëheqjen ka 0 vlerë sepse për ushtaraku jo dorëheqja, por miratimi dhe largimi i tij nga detyra, është rruga e çliron nga detyra. Presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit, Kryetar Shteti është kryetari i Parlamentit. Ky është rregulli i Evropës. Nuk e imagjinonim që mund të kishte një shkelje të tillë kushtetuese. Jemi në kushtet e shkeljes flagrante të Kushtetutës. Ndaj kërkova ta bëj këtë deklaratë në Kuvend, por zonja Linda që e ka si me çelës Parlamentin, nuk ma dha fjalën. Nuk ka sallë asambleje në botë, përfshirë ajo e OKB, që kur kërkon fjalën për çështje procedure, nuk të jepet fjala, kjo ndodh vetëm në Parlamentin shqiptar, që znj. Lindita e përdor si dyqanin e vet.”- tha Berisha.

Back to top button