“Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona”! Gazetari rrëfen si ndryshoi PPSH pas rrëzimit të bustit të Enverit. Kusht i Fatos Nanos për të marrë drejtimin e saj

Publicisti i njohur i gazetës “Zëri i Popullit”, Hamdi Jupe, në librin e tij, “Shënimet e gazetarit”, tregon momentet e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si dëshmitar okular i ngjarjes në sheshin “Skënderbej” në 20 shkurt 1991.

Sipas tij, populli u provokua nga udhëheqja e Partisë së Punës, për shkak se i ngriti një kult prej faraoni Enver Hoxhës duke i ngritur monument, piramidën si muze, por dhe emërtimet e disa institucioneve të rëndësishme me emrin e udhëheqësit komunist duke rritur zemërimin e njerëzve.

Jupe tregon dhe ngjarjet e ndodhura më pas, siç ishte Kongresi i qershorit 1991, kur PPSH-ja u transformua në Parti Socialiste dhe kushtin e Fatos Nanos për të marrë drejtimin e partisë, nëse vetë partia e re do të shkëputej nga Enver Hoxha.

KONGRESI I FUNDIT

U desh të kalonin edhe tre muaj deri në Kongresin e Dhjetë të Partisë. Delegatët erdhën nga rrethet gati fshehurazi, nga frika e sulmeve prej turmave të opozitës. Situata në Kongres ishte e elektrizuar. Shkrimtari Dritërori Agolli në diskutimin e tij kritikoi ashpër regjimin e kaluar dhe vetë Enver Hoxhën. Kjo irritoi sallën dhe bëri që ajo të ndërpriste disa herë diskutimin e tij me thirrjet: “Enver Hoxha”, “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë”.

Kjo e detyroi Dritërorin të deklaronte nga tribuna e Kongresit: “Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt … Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë, po mundët. Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri”.

Ngjarjet po rrokulliseshin me shpejtësi, minutë pas minute.

Nëpër korridoret e Pallatit të Kongreseve, grupe delegatësh që kishin dalë nga salla thërrisnin të alarmuar, duke shkulur faqet me thonj: “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona, duke ngritur dorën kundër njeriut tonë, poetit Dritëro dhe e bëmë të ikte! E kush mbeti tjetër tani në këtë parti!”.

Ata që kishin sulmuar Dritëroin në sallë, ishin delegatë nga rrethet, pjesa më e pandriçuar e partisë, e bombarduar prej dyzetë vitesh vetëm nga propaganda komuniste për “udhëheqësin e pagabueshëm”.

Ata tani e shikonin veten të tradhtuar nga të gjitha anët, prandaj po përjetonin halucinacionet e zhgënjimit të madh. Në ditën e tretë të Kongresit u “zgjodh” më në fund udhëheqja e re e partisë, Komiteti i ri Qendror i saj. “U zgjodh” me thonjëza, sepse emrat e rinj dukeshin sikur ishin zgjedhur nga një dorë e kujdesshme, pavarësisht nga votimi i Kongresit, me qëllim që në listë të mos mbetej asgjë nga e kaluara.

Në atë listë bënte pjesë edhe Dritëro Agolli, që kishte deklaruar një ditë më parë “largimin” e tij. Atë nuk e kishin lënë të largohej, e kishin mbajtur “me zor” nga krahët ata që kishin ndërprerë fjalimin-funeral të tij ndaj regjimit një ditë më parë. Le të ikte “i vdekuri që vinte erë”, por jo Dritëroi. Dhe ai qëndroi atje deri në fund të jetës së tij, për të shtyrë “gërdallën histori majtas, majtas, majtas!”.

“MANIFESTI” POLITIK I NANOS

Problemi tani ishte zgjedhja e Sekretarit të Parë të saj. (Ishte akoma terminologjia e vjetër për organet drejtuese). Përfliteshin disa emra, midis të cilëve edhe Fatos Nano. Ky nuk pranonte të zgjidhej dhe prandaj mbledhja e Komitetit të ri për zgjedhjen e Njëshit të saj po zgjatej pa mbarim. “Konklava” e partisë nuk mund të mbyllej pa zgjedhur “Papën” e ri. Në diskutime u ngrit edhe një delegate e Gjirokastrës me mbiemrin Shapllo. “Ne, shoku Fatos, nuk kthehemi dot në Gjirokastër, nëse ti nuk pranon të zgjidhesh Sekretar i Parë – tha ajo gjithë patos, por edhe me një lloj trishtimi njëherësh, që nuk po zgjidhnim dot të Parin e partisë.

Nga vendi ku ishte ulur në sallë, Nano iu drejtua asaj: “Dëgjo, ti motër nga Gjirokastra: Nëse unë zgjidhem në krye të partisë, unë nuk kam më punë me Enver Hoxhën. E pranoni ju gjirokastritët këtë apo jo?”. Heshtje varri në sallë. Deklarata politike e Nanos për ndarjen përgjithmonë nga emri dhe trashëgimia e Hoxhës nuk i drejtohej vetëm “motrës” nga Gjirokastra. Ajo u drejtohej të gjithë atyre tetëdhjetë e një anëtarëve të rinj të udhëheqjes së lartë që ishin në atë sallë. Domethënë: “Dëgjoni dhe merreni vesh ju, anëtarë të rinj të udhëheqjes se si do të jetë partia e re, nëse unë zgjidhem në krye të saj”. Ky ishte “manifesti” politik i Nanos. Pas pak çastesh topitjeje, delegatja nga Gjirokastra e mblodhi veten:

– Po, shoku Fatos, do ta pranojmë!

Duartrokitje në sallë. Ai togfjalësh, “do ta pranojmë”, e kishte çliruar situatën nga ngërçi. Ajo dhe gjithë salla e kishin pranuar “manifestin” politik të kandidatit për udhëheqësin e ri.

Fatos Nano u ul në tavolinën që shërbente si presidium në sallën e vogël të katit të dytë të Pallatit të Kongreseve. Po fillonte një erë e re në politikën shqiptare, duke shënuar kështu lindjen e vështirë të një formacioni të ri politik, që po ngrihej mbi gërmadhat e së vjetrës. Nga “mitra e përgjakur” e Partisë së Punës po lindte Partia Socialiste, siç do të thoshte më vonë Dritëroi.

Kjo parti e re do të mbijetonte me sukses të paktën për tridhjetë vitet e ardhshme, duke qeverisur vendin në katër mandate politike dhe duke kërkuar tani edhe të pestin.

Back to top button