Redan BUSHATI: Reformat “memushiste” do ta shkatërrojnë arsimin shqiptar

Redan Bushati, kryetari i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) rrëfehet si asnjëherë tjetër për portalin më të madh të shqiptarëve të Maqedonisë, ExPress.mk. Në intervistën e realizuar me z. Bushati, ai flet gjatë për arsimin shqiptar dhe dështimet e njëpasnjëshme të reformave të tij 20-vjeçare. Gjithashtu, ai tregon për strukturat studentore dhe angazhimin e studentëve dhe pedagogëve në jetën akademike. Mes të tjerash, z. Bushati lëshon akuza të ashpra për ato që cënojnë dhe shtypin popullin shqiptar, dëmtojnë të ardhmen e tij dhe copëtojnë çdo ditë tokat shqiptare. Për më shumë ndiqni intervistën e plotë:

Cilat janë arritjet e Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) që kur keni marrë detyrën e kryetarit?
Me 30 prill 2010 do t’ju jepej një mundësi triumfi vlerave të demokracisë, lirisë së shprehjes e mendimit nëpërmjet votës dhe angazhimit për mbrojtjen e interesave studentore. Si përfundim, demokracia së bashku me vlerat e saj triumfuan. Fëmija lindi shëndetplotë. Mirërritja e shëndetshme e këtij fëmije ishte detyrë dhe angazhim serioz i yni. Kështu, në tërësinë e vet Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) shpreh dy qëllime kryesore: rritjen e vlerave të demokracisë përmes gjithëpërfshirjes dhe përfaqësimit sa më dinjitoz të studentëve dhe kontributit për shtimin e vlerave akademike, sociale dhe qytetare në brendësi të kornizave ushtruese të veprimtarisë së tij.
Nuk mund të gjendet njeri këtejpari, që në vazhdën e jetësimit të aktiviteteve të realizura nga Këshilli Studentor, të deklarojë se nuk kemi realizuar fundekrye veçse veprimtari me karakter akademik dhe socio-human. Nga aktivitetet sociale vlen të përmenden disa prej tyre, si: kontributi në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër 6-14 vjeç, dhurimi i gjakut për nevojat ekzistenciale të talasemikëve, ndihma për pleq e plaka në nevojë humane, ndihma financiare dhe materiale për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës, pastrimi i plazhit të Velipojës turistike dhe mahnitëse për nga vlerat e dhuntitë natyrore, pastrimi i mbeturinave përgjatë Liqenit të Shkodrës apo edhe në lagjen periferike ”Iliria” të qytetit tonë etj. Nga aktivitetet tërësisht dhe thellësisht akademike e me nivel të lartë përfaqësimi qytetar-intelektual vlen të theksohen organizimet tona në Bibliotekën Universitare Shkencore, në sallat moderne të konferencave në Grand Hotel Europa dhe Colosseo Hotel apo edhe në Hotel Tirana apo Sheraton. Ndërsa nga bashkëpunimet dhe lidhjet në partneritet reciprok veçojmë mes tyre ato me IOM, GTZ, OSBE, QSHDNJ, EUIC Shkodër etj. Nëpërmes bashkëpunimeve të ndërsjellta apo vetëfinancimit të aktiviteteve akademike, ne kemi arritur të krijojmë një profil qartësisht grup studentësh europian, që kërkojnë për vete dhe jetën e tyre akademike kushte më të pranueshme në transmetimin e dijeve, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe shembuj të meritokracisë së vjeljes së rezultatave, shumëherë të munguar përreth nesh.
Nismat e lloj-llojshme, aktivitetet, konferencat, simpoziumet, takimet e thjeshta apo projektet e realizura vetëm apo në partneritet deri më tani kanë arritur të grumbullojnë energji pozitive brenda vetes sonë dhe të tërheqin vëmendjen e studentëve dhe pedagogëve, pa ndihmën e shumë prej të cilëve nuk do të kishin marrë udhë dhe jetë e gjithë kjo veprimari e gjerë, e cila është shërbyese e vlerave akademike dhe kulturore. Gjithashtu, gadishmëria e treguar prej nesh në afrimin e studentëve për llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në shërbim të interesave të mbrotjes së votës së zgjedhësve shqiptarë në zgjedhjet e fundit të qeverisjes vendore, ishin një tregues tjetër i kontributit tonë drejt pozicionimit në krahun e vlerave të drejta demokratike. E rëndësishme të thuhet se pa një ekip pune të përbërë nga studentë, që përfaqësojnë denjësisht veten dhe studentët që i kanë zgjedhur përmes votës së tyre, nuk mundet kurrsesi të realizohej veprimtaria jonë universitare. Shtoi faktin përndihmues të punëve tona edhe nga pedagogë familjarë me dijet e zemërgjerë nga karakteri apo edhe segmentë të ndryshëm drejtues të rektoratit, të cilët gjithmonë gjetën kohën dhe durimin për të ujdisur së bashku punë të mira drejt qëllimit final: përmirësimit të jetës akademike.

Loading...

Përse duhet një nxënës që mbaron shkollën e mesme të zgjedh Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si universitet të ardhshëm për të studiuar dhe edukuar?
Si kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) u shpreh mbarë maturantëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë vazhdimësi sa më të suksesshme në jetën e tyre të përzgjedhur akademike. Zgjedhja e secilit maturant për vazhdimin ose jo të jetës së tij akademike duhet të përputhet me kapacitetin personal të gjithësecilit dhe mundësive për shtimin e pafundëm të informacionit të grumbulluar në shërbim të nevojave personale-profesionale të nxënies në degën e tyre të preferuar. Secili nga ne se është i ndryshëm është edhe unikal. I ndryshëm është edhe bagazhi ynë i dijeve. E qenësishme është të vetëkuptohet rëndësia e hapit-hedhës drejt dyerve të universitetit, për t’i mos shkallmuar ato dhe qelbur mjedisin përreth tij, por për të thelluar dijet dhe zgjeruar kulturën mbi profesionin tënd të nesërm. 
Dua të vë në dukje se nga përvoja modeste arrij të ndjej klithmën përvëluese të sistemit tonë arsimor të katandisur si mos më keq nga drejtimi dhe reformat ”memushiste”. Në asnjë vend të botës së zhvilluar perëndimore nuk gjendet një situatë si kjo e jona, ku thuajse të gjithë ato që mbarojnë sistemin e mesëm arsimor dynden ashpërsisht për të marrë veten e tyre në qafë dhe shoqërinë drejt shkallmimit të dyerve të institucioneve të larta arsimore. Kjo përbën kosto të mëdha ekonomike dhe sociale për vendin tonë. Në njërin krah kemi çdo vit studentë që diplomohen së bashku me kërkesat në shtim të tyre për vende pune, e në krahun tjetër tregu është i mbingopur, pasi nuk ka më vende të lira. Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë, ku do të shkojnë gjithë këto të diplomuar? Cili është fati i qindra e mijëra studentëve që dalin të diplomuar çdo vit nga universitetet e vendi tonë? Cili është risku i profesionit për të cilin ato kanë derdhur mund, djersë dhe investim financiar?
Gjykoj që politikat arsimore shqiptare, me ndryshimin e ngjyrave qeverisëse, duhet të mbesin të njëjta dhe të punohet për vazhdimin e rrugës së tyre reformuese, sa është ende në kohë mosplasja e këtij sistemi.
Gjimnazistët shqiptarë, në pamundësi për të ndjekur studimet e tyre të larta në një nga vendet e zhvilluara perëndimore, duhet të përzgjedhin ato universitete publike apo private në vendin tonë, që ndihmojnë mirërritjen e tyre akademike, duke u bazuar edhe në klasifikimin e universiteteve, proces i realizuar tashmë.

Cilat janë ato aktivitete që mund t’i quanit si pika kulminante të veprimtarisë së K.S.U.SH?
Gjatë ecurisë drejtuese 2-vjeçare në krye të studentëve të Universitetit ”Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ndoshta nga brymosja dhe fryma edukuese familjare, mes momenteve të cilat të japin frekuenca pozitive brenda qënies tënde rrezaton dukshëm aktiviteti që për nga emocionet përcjellëse e fryma humane, pra ndihma që dhamë dhe dita që kaluam me femijët jetimë të qytetit të Shkodrës mbetet më e realizuara, më e bukura dhe e veçanta. E kemi kujtuar më pas shpeshherë këtë ditë gjatë bisedave të ndryshme me përfaqësuesit e Këshillit Studentor.  
Për nga vlerat akademike, ”Plagët tona” dhe ”Sfida dhe horizonte në praktikën e këshillimit” mbesin simpoziumet më përfaqësuese nga niveli intelektual përfshirës dhe shtjellues. Në këtë përmendje të shkurtër të klimaksitetit të aktiviteteve tona, nuk mundet kurrsesi që të mos vëmë në dukje edhe bashkëpunimet e frytshme të herëpashershme me Qendren e Informimit të BE-së në Shkodër. 

Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?
Objektivat e Këshillit Studentor, që ditën e lindjes së tij nga ngjizja solide e vlerave të vërteta demokratike me angazhimin e studentëve largpamës, janë të bukurshkruara dhe mirësistemuara në statutin e funksionimit të këtij organizmi studentor. Për të konkretizuar dhe thjeshtëzuar objektivat e shumtë në numër, vendosim përpara vëmendjes tuaj më thelbësoren dhe ekzistencialen, atë të angazhimit serioz e të plotvullnetshëm të atyre studentëve me rezultate të mirëarrira në dhënien e kontributeve të çmuara në zhvillimin dhe konsolidimin e një sistemi meritokratik vlerash individuale arsimore, i cili aktualisht është në gjendje të mjerueshme, pavarësisht punës sonë të vazhdueshme për përmirësimin dhe mirërregulimin e tij. Gjë të cilën sa të jemi do ta bëjmë me sa fuqi të mundemi.

Emri juaj në analizat dhe opinionet shqiptare lidhet me veprimtarinë tuaj patriotike-atdhetare? Sa ju pengon të qenurit në PD të shpreheni hapur pro interesave kombëtare? 
“Për dashurinë jap edhe jetën, për atdheun jap edhe dashurinë”. Ky ka  qenë himni i lëvizjeve patriotike në Europë dhe që në ballafaqimin tim me artthënien e poetit hungarez Sándor Petőfi është lajtmotivi ndjekës i përditshmërisë dhe ideve të mia, propatriorike dhe properëndimore. 
Asnjëherë prania ime aktive në strukturat përfaqësuese të forumeve të Partisë Demokratike (PD), bashkëbisedimet me njerëz të afërm dhe besnik pranë z. Berisha apo edhe me eksponentë të tjerë të rëndësishëm dhe kyç brenda kësaj partie, nuk kanë penguar mendimin tim pro interesave madhore kombëtare të marri udhën e arsyetimit të vet, fundekrye personal. Sipas këndvështrimit tim ”nuk vlen asgjë të dashurosh, nëse vajtimi i vendit tënd nuk prek zemrën tënde”. E zemra ime është Shqipëria. Jeta ime është kontributi i ndershëm përkundrejt saj. Dhe dashuria e sinqertë valëvitetet krenare drejt aspiratës për bashkimin e trojeve shqiptare. 
Më lejoni që pyetjes suaj t’i përgjigjem edhe në një formë tjetër, prerazi, shkoqur dhe shkodrançe, se ”s’ka pas e as ka me pas asnji bir nane a klysh shake n’Partin Demokratike  e jashta saj qi t’ma pengojn rrugën e lindun t’lir t’mendimeve t’mia demokratike e pro interesave komtare”.
Në analizat dhe opinionet e mia, besoj se jeni ndeshur në mos me atë çfarë ndershmërisht zëri juaj i brendshëm mendon dhe thotë, së paku me rrahjen e një mendimi të lirë, të pavarur, të thjeshtë dhe qytetarë. Këtë gjë edhe nëse nuk do të mundem dot ta qëndis bukur artistikisht, s’do të rresht së bëri si të më vijë përdore pafundësisht deri në mbylljen e planeve me të gjallët.
“Kultura, nëse nuk e çliron njeriun nga skllavëria nuk ka asnjë lloj funksioni qytetërues”. Kështu, ne shqiptarët e përvuajtur ndërkohëra do të mbesim skllevër dhe të shtypur me përdhuni për aq kohë sa vullnetet e sëmura politike të qëndrojnë e të bëhen njësh bashkë me ato të fqinjëve uzurpues për të na përdhunuar, diskriminuar, asimiluar dhe kësisoj zhdukur nga faqja e dheut, me të gjitha mjetet e tyre të mundshme. Ndaj lus Zotin dhe thërras solemnisht individin e ndershëm shqiptarë që të luftojë paepur kundra shtypjes dhe ndarjes së pamëshirshme të shqiptarëve anekënd trojeve të tyre etnike. Rinia me zërin e saj të dëlirë duhet të groposin njëherë e mirë ato të cilët i kanë marrë asaj peng të ardhmen, padrejtësisht dhe paturpësisht në mënyrë grabitqare për të mos ia kthyer atë kurrë më.

Sa të interesuar janë studentët shqiptarë për politikë? A votojnë ata?
Vendet komuniste, historiografia europiane, i ndau në totalitare dhe autoritare. Sigurisht, popullit tonë si shpeshherë gjatë rrugëtimit të tij nëpër analet e historisë europiane dhe botërore, i takoi të vuante çnjerëzisht nga një regjim komunist totalitar me një terror të paparë ndonjëherë, ku dominoi vullneti hoxhian i izolimit. Kujtojeni kohën dhe sjelljen e studentëve të asokohshëm!… Ato ishin të etur për konsum të përditshëm politik, i cili vinte i përpunuar nga ”komandanti” dhe vihej a priori në gojën e secilit me detyrën e artikulimit të vazhdueshëm njëtrajtësisht të njëjtë kurdoherë. Puthadorët dhe lakejtë e ”xhaxhit” pasi dëgjonin broçkullat e tij të përnatshme në Shtëpinë e Partisë, të nesërmen merreshin me shpërndarjen e mendimit dhe analizës kudo, në çdo qelizë të jetës së vendit dhe vazhdimisht e vazhdimisht secili e merrte të gatshme ”recetën” dhe duhej medoemos ta shpërndante edhe ai tek të tijtë. E njëjta sjellje konformiste edhe sot e kësaj dite, me ndryshimin e vetëm të një neverie edhe më të madhe, pasi ”recetën” e gatshme e servirin si mendim apo analizë autentike të tyre. 
A nuk është futur politika në çdo auditor të universiteteve tona, duke hedhur parulla fundekrye politike?! A nuk janë të përfshirë sa e sa studentë në mekanizmin e vjedhjes apo manipulimit të votës?! A nuk janë studentët shqiptarë nga njëra anë që shprehen të pakënaqur nga sistemi arsimor në vendin e tyre dhe nga ana tjetër përkrahin fuqishëm ato që po e dëmtojnë atë?! Pra, studentëve u intereson politika për aq kohë sa shumë prej tyre kanë interesa të ulta dhe të varura në formacione të ndryshme politike. Studentët janë të interesuar për politikën, jo për hir të ndryshimeve individuale dhe shoqërore në dobi të së mirës së përbashkët zhvilluese, por nga interesat e qullta, të ulta dhe të ndyta personale. Kështu, nëse vazhdojmë me këto ritme do të shembim çdo vlerë të demokracisë, e cila ka shpëtuar ende pa u rrëzuar. Veç komunistët nuk e pranojnë kundërshtarin si njeri, ndaj studentët tanë duhet të ndjekin modele perëndimore dhe jo ato që sillen vërdallë gjithë ditën në arenën tonë politike, si zgjatim i vijës së kuqe të ndjekur nga regjimi i Tiranës komuniste. 

Sa të rëndësishëm janë të rinjtë në politikë?
Fatet e një vendi varen nga elitat drejtuese. Nëse antivlera mbyt vlerën, antiintelektualizmi triumfon mbi intelektualizmin, tirania mbi udhëheqjen demokratike, arbitrarizmi përmbi shtetin e së drejtës, atëherë sigurisht që jemi jashtë limiteve të të qenurit brenda demokracisë. Gjithashtu, jeta e vendit dhe shoqëria do të njohin regres të vazhdueshëm deri në mbytjen e filizave të fundit të saj. Ndaj, i riu shqiptar duhet të përpiqet të tregohet rebel, guximtar, optimist, flakëhedhës e shkëndijues, shpërthyes dhe protestues nëse nuk dëshiron të jetë i trysnuar dhe i shtypur nga tirania. Dhe jam i bindur që ka plot të rinj shqiptarë, të cilët janë në gjendje ta nxjerrin vendin e tyre nga radhët e fundit të Europës dhe ta sjellin atë përbri vendeve të zhvilluara perëndimore, duke instaluar një demokraci të shëndetshme. Sot vendi ynë i dashur ka nevojë për një grupim të përbashkët vlerash intelektuale dhe qytetare. Kjo është mënyra e vetme e bashkimit të popullit shqiptarë për ta dërguar vendin drejt hapave të zhvillimit, si kudo në Europën e Bashkuar.


Mesazhi juaj për të gjithë studentët e Universiteti të Shkodrës “Luigj Gurakuqi?”

Studentëve shqiptarë kudondodhen dhe veçmas atyre që ndjekin studimet në USH-në ”L. Gurakuqi” u sugjeroj të sillen me jetën e tyre dhe në raport me mjedisin sa më origjinalë dhe të drejtpërdrejtë. Studentët nuk duhen të humbasin kohën e tyre duke u endur pas çoroditjes sociale, por duhet të bëhen të zot e vetes dhe vendit ku kanë zgjedhur të jetojnë, përmes marrjes me sukses të dijeve nga shkolla e universiteti dhe duke kultivuar një edukatë të lartë qytetare. Ato duhet të bëhen pjesë e frymës së protestës kundrejt padrejtësive me të cilat përditshmëria jo rrallë herë na i sjell. Së fundi, duke falenderuar secilin prej tyre për kontributin e dhënë në shërbim të përmirësimit të jetës akademike dhe sociale, u bëj thirrje që të përfshihen sa më shumë në shoqata dhe organizata në mbrojtje të vlerave më të mira demokratike dhe kundërshtimit gjithnjë e më të ashpër ndaj antiintelektualizmit enverist.

Përgatiti/ Destan JONUZI

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button