UNIONI I GAZETAREVE SHQIPTARE REAGON NE MBROJTJE TE GAZETAREVE

“…Unioni i Gazetarëve Shqiptarë paralajmëron përshkallëzim të reagimeve të mëtejshme, në mbrojtje të statusit social dhe profesional të gazetarëve profesionistë të vendit..”

TIRANE- Në një deklaratë për shtyp të hartuar dje, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për situatën më të rëndë të krijuar për shtypin e shkruar shqiptar dhe në vecanti për gjendjen tejet kritike të dhjetra gazetarëve që punojnë në disa kanale televizive që funksionojnë në mjerim ekonomik e financiar.

Loading...

“Denoncojmë shkurtimet e heshtura të stafeve redaksionale në gazeta dhe televizione, largimet arbitrare nga puna të gazetarëve profesionistë si dhe kërkojmë. Po kështu Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në vazhdën e deklarimeve për gjendjen e rënduar sociale të gazetarëve profesionistë në vend, shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e krijuar në gazetën e rëndësishme të vendit, të përditshmen “Shekulli” dhe në gazetën më të vjetër sportive “Sporti Shqiptar”, ku sipas pohimit të gazetarëve, anëtarë të UGSH, prej kohësh përjetohet vonesa e pagave mujore dhe inkorektesat financiare. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, denoncon situatën kritike të krijuar dhe të lejuar në shumë media të tjera private, gazeta dhe televizione, ku inkorektesat për pagesat mujore të punonjësve dhe gazetarëve vazhdojnë të përsëriten kohë pas kohe dhe ku ankesat e gazetarëve po shtohen vijueshëm.”, theksohet në krye të kësaj deklarate.

Në vijim, duke u shprehur për mënyrën e reagimit ndaj kësaj situate “alarmante dhe më të rëndën e dekadës së fundit”, deklarata e djeshme e cila është padyshim një ndër më të ashprat e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë bën të ditur: “Në këto kushte, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, bën me dije se ditën e hënë,datë 26 mars 2012, drejtues të tij do të zhvillojnë një konferencë shtypi për të denoncuar me fakte këtë situatë dhe për të shpallur masat reaguese prej organizatës së gazetarëve profesionistë të vendit. Në këto kushte organizata jonë kërkon nga partnerët tanë socialë, botuesit dhe administratorët e mediave të bëjnë të njohur situatën dhe të jenë transparent me publikun dhe komunitetin tonë për vështirësitë reale dhe realitetin e ekonomik financiar të enteve mediatike.”

Ndërkohë, në mbyllje të kësaj deklarate, duke iu drejtuar për të njëjtin shqetësim organeve përgjegjëse të shtetit, drejtuesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë paralajmërojnë edhe përshkallëzim të reagimeve të mëtejshme duke nënvizuar: “I kërkojmë Qeverisë dhe Parlamentit, përmes Komisionit Parlamentar të Mediave, të shqyrtojnë në një seancë të posacme parlamentare këtë gjendje, duke ofruar për skenën mediatike të vendit një politikë të re të shpërndarjes së donacioneve dhe fondeve për informimin publik. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga institucionet ligjore ndërhyrje emergjente për ndaljen e kësaj gjendjeje dramatike dhe për mundësimin e së drejtave të gazetarëve në kushtet e një tregu ku ligji garanton shprehjen e tij sindikale dhe mbrojtjen e ushtrimit të profesionit mbi bazën e shpërblimit, sipas meritokracisë profesionale. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë paralajmëron përshkallëzim të reagimeve të mëtejshme, në mbrojtje të statusit social dhe profesional të gazetarëve profesionistë të vendit.”

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë në Shqipëri dhe e njohur nga të gjithe organizatat dhe asosacionet ndërkombëtare të gazetarëve në Europë dhe në botë. Ky union gazetarësh është themeluar në tetor të vitit 2005, ka degë në të gjithë rajonet e Shqipërisë dhe ka si President gazetarin dhe analistin e njohur Aleksandër Cipa.

ARBEN LAGRETA

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button