Withers: Ëndrra e vitit 1912 nuk është përmbushur, lufta për liri nuk është fituar akoma

Intervistoi: Skënder Minxhozi, Revista JAVA

Ish- ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, në një intervistë për revistën JAVA thotë se ëndrra e vitit 1912 nuk është përmbushur akoma. Sipas tij, lufta për liri nuk është fituar akoma. Ai tha se Ismail Qemali dhe të tjerë patriotë do ishin turpëruar po të shihnin këtë qeveri moskokëçarëse se si tkurr liritë. Withers tha se ka frikë se zgjedhjet do jenë sërish të njollosura, ndërsa theksoi se zgjedhjet lokale në Tiranë ishin turpëruese. Ish- ambasadori tha se kjo qeveri përpiqet të fajësojë të tjerët për dështimet e saj politike. Withers tha se kjo qeveri nuk qeveris, por sundon. “Ajo nuk kryen funksionet elementare për të cilat është në pushtet,” u shpreh ai. Withers flet me tone të ashpra për gjyqësorin dhe për korrupsionin në vend. “Prandaj i ndoqa me shumë dhimbje veprimet e gjykatës jo vetëm në rastin e gjyqit të Gërdecit, por edhe në rastin Meta, në të cilin, sipas asaj që shihje, gjykatësit bënë përpjekje të paimagjinueshme për të hedhur poshtë evidencën e pakundërshtueshme të shkeljes së ligjit,” thotë Withers.
Ish- ambasadori e mbyll intervistën duke thënë se askush nuk e ndal dot demokracinë. “Historia po priret drejt demokracisë. Askush nuk mund ta ndalojë këtë, e padyshim as ata pak udhëheqës regresivë, të cilët, siç ka thënë Presidenti Obama “janë në anën e gabuar të historisë.” Shqipëria ka qenë gjithnjë në udhëkryqin e historisë. Dhe aty jeni sërish. Ngrini zërin për demokracinë tuaj, ngulni këmbë për të kërkuar të drejtën tuaj të lindur si një popull i lirë, dhe në fund keni për të fituar”.
Zoti Ambasador, Ju keni ngritur zërin për të mbështetur përparimin e parimeve dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Tetëmbëdhjetë muaj pasi jeni larguar nga Shqipëria si do ta përshkruanit gjendjen e demokracisë në vendin tonë sot?
Më lejoni që t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë: një shekull më parë, një grup i vogël patriotësh shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i huaj dhe ngriti flamurin e Skënderbeut në truallin shqiptar, për herë të parë pas pesëqind vjetësh. Ato ngjarje do të festohen me krenari nga shqiptarët anembanë botës, gjatë këtij viti.
Burrat dhe gratë e guximshme që ngritën atë flamur në Vlorë në 28 nëntor 1912 kishin pak armë dhe burime. Ata përballeshin me armiq në çdo anë. Por ata ishin të frymëzuar nga traditat e mëdha liridashëse të popullit tuaj dhe parimet vizionare të presidentit amerikan Woodrow Wilson, një shembull i vlerave demokratike universale. Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij shpresonin ta ndërtonin shtetin e tyre të porsalindur mbi këto vlera. Por çfarë do të mendonin vallë ata patriotë të mëdhenj shqiptarë, nëse do të shihnin se si është politika e sotme shqiptare? A nuk do të zhgënjeheshin ata nga dasitë që mbizotërojnë mes dy partive të mëdha politike – dasi kaq të thella sa e kanë bërë qeverisjen, për të mos folur për reformat që i nevojiten aq shumë vendit, të ngelet në vend? A nuk do të pezmatoheshin ata po të shihnin sesi po tkurren ato liri, për të cilat ata luftuan me aq trimëri dhe përballë vështirësish aq të mëdha, nga një qeveri moskokëçarëse? A nuk do të trishtoheshin ata po të shihnin sesi po abuzohet me idealet demokratike për të cilat ata sakrifikuan aq shumë, nga zyrtarë të etur për pushtet e që përpiqen me dëshpërim vetëm për të mbajtur pushtetin? Nëse këta patriotë do të mund të flisnin sot, nuk kam asnjë dyshim që do të na thoshin se ëndrra e 1912 ende nuk është përmbushur dhe se lufta për liri nuk është fituar akoma.
Kjo intervistë po zhvillohet pothuajse ekzaktësisht në përvjetorin e katër të tragjedisë së Gërdecit. Katër vjet pas shpërthimeve, çfarë përfaqëson Gërdeci? Çfarë ndryshoi në Shqipëri pas asaj ngjarjeje tragjike? Çfarë na tregon mënyra sesi është trajtuar kjo çështje, për qeverinë dhe përkushtimin e saj ndaj popullit shqiptar? 
Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Teksa fragmentet e mprehta e të përvëluara të metalit ranë si shi nga qielli, njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal. Të tjerëve, që u plagosën rëndë nga ciflat, iu ndryshoi jeta përgjithnjë. Askush nuk mund t’ua kthejë më të vrarët familjeve apo t’i shërojë sërish ato trupa të dërrmuar. Por, është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh. Me sulmet e saj të egra kundër prokurorëve që hetonin këtë krim, me sulmet e saj kundër gjykatave dhe medias, me mbrojtjen e atyre, që si ish-ministri i mbrojtjes Mediu, mbajnë përgjegjësi morale, në mos ligjore, për këtë tragjedi, qeveria ka treguar qartë vendosmërinë e saj të palëkundur për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës. Pyetja që unë i bëj vetes – dhe që duhet t’i bëjnë vetes edhe shqiptarët – është përse. Çfarë ka në lidhje me Gërdecin, që qeveria nuk do që ju ta dini?
Gjatë ditëve të fundit, në kontekstin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në gjyqin e Gërdecit, janë ngritur pikëpyetje të tjera. Askush nuk e ka mbrojtur më fuqimisht sesa unë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Por edhe për ata që besojnë fort në autonominë e gjykatave, këto vendime janë të çuditshme, e madje zhgënjyese. Rast pas rasti, Gjykata dha vendime për “dhunimin e rregullave të sigurisë në punë” dhe “shkatërrimin e pronës për shkak të neglizhencës.” Por si ka mundësi që ajo iu shmang me kaq përpikmëri elementit kyç, faktit qendror të tragjedisë së Gërdecit: që 26 njerëz të pafajshëm u vranë nga ato shpërthime dhe që dikush është përgjegjës për ato jetë? Si shpjegohet hezitimi i Gjykatës për të adresuar këtë pyetje themelore? A mos vallë nuk e di se çfarë ndodhi në Gërdec në 15 mars 2008? E si mund të japë një vendim për shkatërrimin e pronës, por jo për shkatërrimin e jetëve? A mos vallë është e pashpirt? Apo ka frikë? Nëse ka frikë, nga kush ka frikë?
Zoti Ambasador, në media ka një debat të madh në lidhje me nevojën për një ndryshim madhor të elitës politike në Shqipëri. Klasa politike nuk ka ndryshuar që kur ju u larguat nga vendi. Cili është mendimi juaj?
Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet. Shqipëria është një demokraci e re. Gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar që prej rënies së komunizmit, nevoja e saj më e madhe ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe të një demokracie: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet, ashtu dhe për ata pa pushtet, një kulturë politike që është e aftë të arrijë konsensusin për çështjet e mëdha që lidhen me interesin kombëtar, një përqendrim i pareshtur për t’iu përgjigjur nevojave të popullit.
Asgjë prej këtyre nuk është arritur. Shikoni qeverinë aktuale. Vepra që ka lënë pas shkon tërësisht kundër ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë. Sikur ta kishte përdorur mandatin e saj qeverisës për të avancuar parimet demokratike, ky komb do të kishte ecur shumë përpara. Por siç vërejmë, një mundësi e madhe është humbur.
Më lejoni të jem i qartë. Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, ishin burra në moshë mjaft të madhe, por besimi tek idealet demokratike ishte thelbi i karakterit dhe qenies së tyre. Ky besim udhëhiqet çdo veprim që bënin dhe çdo vendim që merrnin. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim ju mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës – burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie – tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndrijë.
Ju keni qenë mjaft kritik ndaj mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Një nga kabllogramet e WikiLeaks, të dërguara gjatë mandatit tuaj si Ambasador, shkruan se pavarësisht njëfarë progresi “Shqipëria mbetet një vend ku janë të pranishme manipulimet, abuzimet elektorale dhe praktika të tjera negative.” Vazhdoni të jeni i të njëjtit mendim?
Unë nuk mund të komentoj mbi elementë specifikë të raporteve të WikiLeaks. Në lidhje me pyetjen më të gjerë, mbi shkeljet elektorale në Shqipëri, historiku i trishtë i zgjedhjeve të fundit shqiptare flet vetë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 thjesht nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës vitin që shkoi ishin një farsë dhe, për ta thënë troç, turpëruese për vendin.
Më lejoni të flas shkoqur: Nuk më intereson se cili kandidat fiton apo humbet. Por procesi duhet të jetë i ndershëm. Por kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e tregon veten se nuk është asgjë më tepër, se një vegël e partisë në pushtet, ndërsa Kolegji Zgjedhor tkurret përballë përmbushjes së detyrave themelore që parashikon mandati i tij, procesi është qartazi i pandershëm – dhe në mënyrë transparente jo demokratik. Unë e di që pas përfundimit të polemikave mbi zgjedhjet e vitit të shkuar, ka pasur thirrje për një reformë të mëtejshme elektorale. Për fat të keq, jam skeptik. Gjëra të tilla janë provuar edhe më parë. Nuk kanë funksionuar. Dhe as që nuk kanë për të funksionuar, derisa udhëheqësit shqiptarë të fillojnë t’i shohin zgjedhjet si një shprehje të padhunueshme të vullnetit publik dhe jo si një përpjekje për mbajtjen e pushtetit, përmes anashkalimit të të drejtave demokratike elementare. Për sa kohë nuk është zhdukur ky mentalitet, kam frikë se zgjedhjet në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë të njollosura.
Një tjetër kabllogram i WikiLeaks pohonte se pas zgjedhjeve të qershorit 2009 “një ndër pyetjet madhore që shtrohet është nëse një mazhorancë e dobët do të jetë efektive në ndërmarrjen e reformave që i nevojiten vendit.” A e keni tani përgjigjen e asaj pyetje?
Sërish, nuk do të komentoj përmbajtjen e kabllogrameve të WikiLeaks. Por përsa i përket çështjes së qeverisjes, në një kuptim më të gjerë, provat janë shqetësuese në qartësinë e tyre: kjo qeveri sundon, por nuk qeveris; luan politikash, por nuk ndërmerr reformat e nevojshme; ajo përpiqet të fajësojë të tjerët për dështimet e saj politike dhe, iu shmanget përgjegjësive, por nuk kryen funksionet elementare për të cilat është në pushtet.
Më sëmboi në zemër kur lexova Progres Raportin e fundit të BE, i cili arrinte në përfundimin se Shqipëria nuk kishte bërë përparim në asnjë nga fushat ku duhet të përparojë për kandidaturën e saj në BE. Është e dhimbshme kur Transparency International dhe agjenci të tjera të respektuara ndërkombëtare raportojnë se institucionet e pavarura, liritë e medias dhe të drejtat themelore demokratike gjenden nën sulmin e vetë qeverisë, dhe se demokracia shqiptare ka bërë hapa prapa dhe është më e dobët se më parë. Por si mund të ndodhë kjo në një vend, njerëzit e të cilit janë kaq të talentuar, aspiratat e të cilëve për të ardhmen janë kaq largpamëse, dhe të cilët kanë punuar kaq shumë e me kaq mundim për të përmirësuar jetët e tyre dhe të fëmijëve të tyre? Unë kam besimin e palëkundur se publiku shqiptar është më i mençur se udhëheqja e tij dhe se një ditë kjo urtësi ka për të fituar.
Cili është mendimi juaj mbi debatin e madh që lidhet me çështjen e korrupsionit në vendin tonë?
Pak kohë më parë një gazetare e njohur ruse ka thënë – dhe po i perifrazoj komentet e saj – se në Rusi korrupsioni nuk është më një tumor në trupin e politikës, që mund të hiqet relativisht lehtë. Por, korrupsioni është si një helm që ka hyrë në gjakun e politikës ruse dhe për ta eliminuar atë tani do të nevojiten masa të dhimbshme dhe afatgjata. Unë shpresoj sinqerisht që kjo të mos jetë e vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë ndër njerëzit më të ndershëm që njoh. Integriteti juaj është me emër: kur dikush jep besën, ajo kthehet në një lidhje solemne që nuk duhet shkelur.
Prandaj është kaq e trishtueshme kur sheh se në ç’shkallë është përhapur korrupsioni në Shqipëri, sidomos tek elitat tuaja. Lufta kundër këtyre niveleve të korrupsionit kërkon më shumë sesa atë retorikën boshe që del nga qeveria në mënyrë periodike. Gjëja esenciale që ju nevojitet është një sistem gjyqësor i fortë dhe i besueshëm. Prandaj i ndoqa me shumë dhimbje veprimet e gjykatës jo vetëm në rastin e gjyqit të Gërdecit, por edhe në rastin Meta, në të cilin, sipas asaj që shihje, gjykatësit bënë përpjekje të paimagjinueshme për të hedhur poshtë evidencën e pakundërshtueshme të shkeljes së ligjit, që u ishte vënë përpara. Por çfarë mesazhi jep një vendim i tillë i paprinciptë? Që gjykatat mbrojnë ata që kanë ndikim dhe para? Që të pasurit dhe të pushtetshmit janë të përjashtuar nga zbatimi i ligjit? Që në gjykimin e gjykatës, sundimi i ligjit vlen vetëm për ata që nuk kanë pushtet politik? Nëse është kështu, a nuk janë në thelb gjykatat, bashkëfajtore në vetë aktet e korrupsionit që ato lejojnë që të mos dënohen? Dhe nëse gjykatat nuk e shkulin tumorin e korrupsionit, a nuk ka për të hyrë ai shpejt në rrjedhën e gjakut?
Nëse mendoni sot për kohën që shërbyet në vendin tonë, a ka diçka që do ta kishit bërë ndryshe?
Po, ka disa gjëra. Së pari, do të isha përpjekur më shumë të mësoja gjuhën shqipe. Është një gjuhë kaq melodike dhe shprehëse dhe do doja që të kisha pasur mundësinë të flisja drejtpërdrejtë me miqtë e mi shqiptarë. Sot, kur dëgjoj shqiptarët në Amerikë që flasin me njëri- tjetrin, më duket si muzikë e dëgjuar në një ëndërr. Më zgjon shumë kujtime të bukura.
Së dyti, gjatë kohës time në Shqipëri, unë u përpoqa shumë të takoj sa më shumë shqiptarë të zakonshëm. Do të doja të kisha pasur më shumë kohë për ta bërë këtë, për t’u prezantuar me më shumë njerëz, për të dëgjuar historitë e tyre, për të mësuar mbi ta si individë. Këto ishin momentet më të bukura për mua në Shqipëri: pirja e një kafeje me miqtë, shakatë, të dëgjoja shqetësimet e tyre, të përthithja gjërat e mençura që më mësuan. Më kujtohet një herë, jo larg prej fshatit Frashër, kur miqtë që më kishin ftuar në një drekë, papritur ia morën këngës. Një person udhëhiqte, të tjerët i mbanin ison, dhe të gjitha shkriheshin në një harmoni të mahnitshme. Atje, mes maleve dhe pyjeve, ku jetuan të tre vëllezërit e famshëm Frashëri, pasardhësit e tyre kishin ringjallur muzikën e një kohe që i përket historisë. Qe një moment magjik. Kam pasur shumë momente magjike kur isha mes shqiptarëve. Do doja të kisha pasur më shumë kohë.
Zoti Ambasador, sot ju keni shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë shqiptare, por cili është parashikimi juaj për të ardhmen?
Pavarësisht vështirësive për të cilat folëm, unë mbetem shumë optimist për Shqipërinë. Historia është në anën tuaj. Sot që flasim, teksa përballen me mundësinë e vazhdimit të sundimit me dorë të fortë, njerëzit anembanë botës janë duke kërkuar demokraci. Jo shumë kohë më parë, kjo ndodhi në Europën Lindore. Sot është radha e Lindjes së Mesme. Një ditë demokracia do të përhapet kudo. Sepse nëse historia na mëson një gjë, ky është mësimi më themelor, se nuk mund të tallesh me vullnetin e popullit. Në fund, fuqia e votës së tyre ka për të fituar.
Historia po priret drejt demokracisë. Askush nuk mund ta ndalojë këtë, e padyshim as ata pak udhëheqës regresivë, të cilët, siç ka thënë Presidenti Obama “janë në anën e gabuar të historisë.” Shqipëria ka qenë gjithnjë në udhëkryqin e historisë. Dhe aty jeni sërish. Ngrini zërin për demokracinë tuaj, ngulni këmbë për të kërkuar të drejtën tuaj të lindur si një popull i lirë, dhe në fund keni për të fituar.

Loading...
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button