Çfarë vlerësimi ke për mjekësinë shqiptare? Mjeku i njohur në Amerikë: Ka bërë progres, por…

Kryeministri Edi Rama kishte sot të ftuar në podcast-in e tij, “Flasim”, mjekun e njohur Gentian Toshkëzi.

Pjesë nga biseda:

Edi Rama: Të lutem kam një kërkesë, mos e mendo fare se kë ke përballë përveçse dikë që po të pyet; jam i bindur që nuk të lë ajo, nuk të lë mikrobi që kur i themi ne në shqip, që kur vjen këtu, jam i bindur që hedh një sy nga spitali aty ku e shikon. Çfarë vlerësimi ke për atë që sheh sot në sistemin shëndetësor shqiptar aq sa ke parë? Me siguri ke parë në Tiranë, në Lushnjë. Çfarë vlerësimi ke në atë që sheh sot në raport me ditën kur ike dhe nga ana tjetër cilat janë gjërat që ty në syrin e parë ose edhe në syrin që nuk është syri i atij që e jeton përditë po që është syri i atij që e di shumë mirë se, çfarë duhet të ketë rreth e rrotull nëse duhet të futet në veprim, cilat janë gjërat që të bien në sy si mungesë?

Gentian Toshkëzi: Unë krahasoj, sigurisht që kam qenë prezent në mënyrë pasive do thosha..

Edi Rama: Po, po, them si spektator

Gentian Toshkëzi: Si spektator, po, dhe e ndjek me interes. Ndryshimet ..

Edi Rama: Po pra, si një spektator i informuar..

Gentian Toshkëzi: Edhe kuptoj edhe nëpërmjet pacientëve shqiptarë që vijnë për një opinion të dytë dhe për arsye të ndryshme. Mjekësia në Shqipëri ka bërë një progres shumë të madh krahasuar me periudhën kur unë kam ikur nga Shqipëria para 20 vjetësh, madje shoh një turizëm mjekësor në mjekësi; në kozmetikë, në pjesën e dentistëve, stomatologjisë. I njoh shumë prej kolegëve me të cilët kam mbaruar shkollën dhe me të cilët diskutoj dhe jam në kontakt për mënyrën se si funksionon dhe më bëhet qejfi që ka një ndryshim dhe është cilësor. Shërbimi shëndetësor në mjekësi kërkon ndoshta, do një farë ristrukturimi me siguracionet  siç i ka gjithë bota në mënyrë që të bëhet me e lehtë për pacientët dhe për mjekët.  Mënyra e komunikimit dhe mënyra e shërbimit dhe kjo besoj është pjesa që…

Edi Rama: Mos futemi këtu tani që të mos na krijosh ndonjë stres veror se do hapet fjala që ja, “e ka sjellë atë, që të thotë që do i rrisë taksat’’, sepse edhe siguracionet konsiderohen taksa , se ne paguajmë”. Në fakt, në fakt ne jemi vendi me kontributin më të ulët në siguracione shëndetësore në rajon. Nuk krahasohemi dot me Francën, por në rajon jemi vendi me kontributin më të ulët dhe përpiqemi shumë që të rrisim cilësinë e shërbimit. Unë besoj që kemi disa  zona të sistemit tonë që janë top, po top, edhe krahasuar me.., mund të ishin fare mirë edhe në Amerikë nga pikëpamja edhe se ça kanë në dispozicion. Kemi mjekë shumë të mirë, nuk diskutohet, por nuk diskutohet që na duhet ende punë në ketë drejtim. Dua të kaloj në një pikë tjetër. Natyrisht, këto përgjithësimet nuk janë asnjëherë të këshilluara, por për të të ngacmuar pak; nëse do të thoshe tani, cili është dallimi midis tipologjisë së pacientit shqiptar dhe tipologjisë së pacientit amerikan, çfarë do thoshe?

Gentian Toshkëzi: Ka qenë një “culture shop” për mua kur shkova në Amerikë dhe përballja me kulturën amerikane, e para. Atje është mënyrë tjetër e të menduarit për sëmundjen dhe e të “përtypurit” të sëmundjes. Sëmundja nuk është një lajm i mirë për askënd e sidomos në fushën ku jam unë, ka sëmundje ku diagnozat janë të vështira goxha. Ndryshimi është që gjëja e parë atje, gjëja e parë që kam parë, që njerëzit ose pacientët janë të përgatitur ose e përballojnë lajmin me shumë guxim dhe me shumë qetësi.

Edi Rama: Dhe atje lajmi thuhet copë?

Gentian Toshkëzi: Po. Është i detyruar të thuhet. I thuhet pacientit copë dhe askujt tjetër, jo familjarëve siç ka qenë këtu, nuk e di nëse ka ndryshuar dhe diskutohet me pacientin çdo mundësi, edhe mundësia më e keqe. /Top Channel/

Back to top button