San Giovanni Rotondo – tokë shqiptare?!

Emrin e San Giovanni Rotondo-s e të mrekullive, që bënte e bën në këtë vend të bekuar një frat me varrët e gozhdave të Krishtit në duar, shqiptarët nisën ta dëgjojnë vetëm pasi u shemb tirania. E në vendin e tiranëve, u rikthyen shenjtorët. E madje nisën të dëgjohen edhe emra të rinj, si ai i Atë Piut të Pietrelçinës, e ndokush nisi edhe të mjekohej në njërën nga mrekullitë më të mëdha të këtij frati këmbëzbathur. Në spitalin tashmë të njohur botërisht të lehtësimit të dhimbjes.Por askujt nuk i shkoi as nëpër mend se San Giovanni Rotondi ishte pronë e shqiptarëve… Në kohë të largëta, kuptohet, kohë heroike, që pak kanë të bëjnë me kohët tona… Duhet të rikthehemi 550 vjet pas e, me që kremtojmë sivjet pikërisht këtë përvjetor të vdekjes së Gjergj Kastritotit – të ecim mbi gjurmët e tij, për të kuptuar si e qysh San Giovanni Rotondo kaloi në duar shqiptare.Duhet të arrijmë në Mbretërinë e Napolit, në verën e vitit 1461, kur Skënderbeu u nis, në krye të ekspeditës shqiptare, për të ndihmuar të birin e mikut të tij, Alfonsit të Napolit, në një çast tejet të vështirë, kur po humbiste fronin. Gjergji, sapo arriti, u vërsul vrullshëm mbi kundërshtarët e princit napoletan dhe bëri kërdi mbi ta.Shpejtësia e rrufeshme e manovrimit dhe dora e sigurt në drejtimin e sulmeve, bëri që të fitonte admirimin dhe mahnitjen e të gjithë atyre, që qenë të pranishëm në betejë.“Emri dhe lajmi i ardhjes së Skënderbeut – shkruan një historian i asaj kohe – jo vetëm që i shkatërroi të gjitha planet e armiqve, por e mbushi Italinë me famën dhe ngadhënjimin e tij”. Atëherë bota e asaj kohe e njohu konkretisht! E më mirë nga të gjithë, Ferdinandi i Napolit, që e quajti atë dhe i dhuroi, si pronë të përhershme, Tranin dhe San Giovanni Rotondon, në Italinë e Jugut.Sot, kur pronat në Shqipëri janë mollë sherri, ndokush mund të pyesë, jo fare pa interes: “U mor vesht si e fituam, po për ta humbur, si e humbëm?”. E humbëm njëherësh me trojet tona, kur u pushtuan. E humbëm dhe e harruam.Po në kujtesën e historisë, që nuk harron kurrë, mbeti pronë e ca viseve, të cilat nuk kishin më prona. E atëhere mbi gjurmët e potkonjve të kalit të Skënderbeut, shkeli këmba e zbathur e një frati të thjeshtë. Pikërisht mbi ato troje që, sipas historisë, vijonin të ishin pronë e shqiptarëve.E çuditshme, kjo puna e pronës, me një mori kuptimesh – nga kuptimi material, tek ai shpirtëror – më i rëndësishmi. San Giovanni Rotondo mbetet pra, përsëri, pronë shpirtërore e shqiptarëve, të cilën nuk mund t’ua rrëmbejë asnjë sulltan….Kush dëshiron ta vërtetojë këtë pronësi, mund të shfletojë ndonjë nga “Historitë e Skënderbeut”. E do ta gjejë patjetër./ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button