Ekskluzive nga Marin Mema/Pasaporta e panjohur e Bajram Currit (Foto)

Në morinë e dokumenteve që lidhen me Bajram Currin dhe aktivitetin e tij kombëtar gjendet edhe një i tillë disi më personal. Pasaporta e Bajram Currit bie në sy mes mjaft të dhënave të tjera që disponon Arkiva e Shtetit në dosjen e tij.
Në moshën 54 vjeçare, Bajram Curri do të pajisej me një pasaportë të lëshuar në Shkodër, që do t’i lejonte të udhëtonte në Romë dhe Vjenë.
Të paktën kjo është ajo çfarë kuptojmë nga të dhënat që disponohen në një dokument, në krye të të cilit duket qartazi e shkruar, “Pasaportë për vende të huaja e vlefshme për nji mot”, duke përcaktuar kështu se kohëzgjatja e vlefshmërisë së këtij dokumenti është pikërisht një vit.

Në ndarjen e mbiquajtur “shënime” jepeshin të dhëna kryesisht që lidhen me pamjen e jashtme të personit, në këtë rast Bajram Currit dhe që kryesisht janë të fokusuara në detaje të tipareve të fytyrës.
Ndërkohë gjysma tjetër e faqes së këtij dokumenti jep të dhëna që janë aktuale edhe sot, sikurse kombësia dhe vendlindja.
Gjithashtu, nga dokumenti kuptohet qartë se në emër të shtetit shqiptar, prefekti ka qenë autoriteti i cili ka të drejtën e lëshimit të këtij dokumenti, i cili ndër të tjera është disa herë i vulosur me vulën e Prefekturës së Shkodrës dhe mban të ngjitura edhe pullat përkatëse.
Sigurisht ky dokument është nënshkruar edhe nga vetë Bajram Curri si zotërues i saj, që sikurse vihet re, në terminologjinë e kohës njihej me termin “mbajtësi”.

Loading...

Kështu nga 25 tetori i vitit 1920 e deri në të njëjtën datë të vitit pasardhës, Bajram Currit i lindte e drejta të udhëtonte në shtetet që sanksiononte dokumenti, për të cilin ai ka paguar 10 franga ari.
Kjo pasaportë mjaft interesante gjendet në Arkivin e Shtetit së bashku me dokumente të tjera që i përkasin dosjes së Bajram Currit dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.Një tjetër pasaportë e tij, por që i përket vitit 1924 është publikuar me herët nga i riu Veton Mullatahiri./ Ekskluzive Tirana Today/ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button