Fotot e rralla- Momentet kur iu dorëzua princ Wiedit kurora e Shqipërisë dhe pritja që shqiptarët i organizuan në Durrës në mars të 1914!

Wilhelm Wied qeverisi në Shqipëri nga periudha 7 mars 1914 deri me 3 shtator 1914, si përzgjedhje e Fuqive të Mëdha. Për t’i dorëzuar kurorën, një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esat Toptani do të udhëtonte në New Wied ku u organizua edhe një ceremoni e posaçme. E kjo ceremoni është mbuluar mediatikisht edhe nga “L’illustrazione Italiana”, një nga revistat javore më të njohura të Italisë. Në numrin e datës 1 mars 1914, revista ka publikuar fotot e ceremonisë së 21 shkurtit ku delegacioni shqiptar po futet në kështjellë për të kryer ceremoninë. Fotot tregojnë kështjellën e princ Wiedit, Esat Pashën që në një karrocë që po udhëton drejt kështjellës dhe harkun me stemë shqiptare.
“Në fillim të marsit në brigjet përballë Adriatikut do të përmbushet një ngjarje historike. Shqipëria e pavarur dhe e lirë, sikursa tha Esat Pasha në kështjellën e New Wied, do të jetë më në fund një shtet i organizuar dhe modern, që do t’ia besojë fatin e saj një princi, një sovrani të shumëdëshiruar, princit Wilhelm Wied” shkruhet në reportazhin e revistës që paralajmëron se për ceremoninë e ardhshme që do të zhvillohej në Shqipëri, kishte një të dërguar të posaçëm; Aldo Molinarin.
Gjatë kësaj ceremonie do të kishte jo pak diskutime, për faktin se në momentin e dorëzimit të kurorës, kreu i delegacionit shqiptar do t’i drejtohet Wiedit si “Mbret” dhe jo si Princ.
Para se të vinte në Shqipëri, Wiedi zhvilloi një seri takimesh diplomatike. Më pas, ai u nis nga Trieste me 5 mars 1914 mbi anijen austro-hungareze “Taurus”, i shoqëruar nga një flotë anijesh ndërkombëtare që përbëhej nga anije të Francës, Anglisë dhe Italisë.

Pritja në Durrës
Një mbulim më të zgjeruar mediatik do t’i kushtonte revista italiane ardhjes së princit në Durrës. Në fotot e publikuara nga revista italiane shfaqen momente nga pritja e mbërritjes së anijes në Durrës, mbërritja e princit, fjalimi i tij, turma e njerëzve etj.
“Sovrani hyn në mbretërinë e tij, në Durrës, mes entuziazmit të popullit shqiptar” shkruan revista. “Vullneti im do të hyjë direkt në organizimin e shtetit, por vendi do të ketë përfaqësuesit e tij, një senat, gjysma e të cilit do të zgjidhet nga unë e gjysma nga populli” citon revista të ketë thënë në fjalimin e tij Wiedi.
Ndërkohë, revista ka bërë një profil të kryeministrit të përzgjedhur.
“Është emëruar kryeministri Turhan Pasha, një shtetar musliman i njohur, ish ambasador turk në Romë, Peterburg, me shpirt reformator, e si mbreti i ri, me qëllime të mira” evidentohet në reportazhin italian.
Wiedi do të formonte qeverinë e re me 17 mars ndërsa Durrësi do të ishte kryeqytet i vendit.
Ai u largua nga shqipëria me 3 shtator 1914, vetëm 6 muaj nga marrja e detyrës./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Loading...

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button