Kur Kryeministri dhe Presidenti bien dakord për kufirin e tyre

Nga Alfred Peza/
Çështja e dhënies së autorizmit nga Presidenti për plotfuqishmërinë e nisjes së negociatave nga ministri i Jashtëm dhe ekipi i tij me negociatorët grekë, për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve tona, përveç debateve të shumta, duket se prodhoi edhe diçka tjetër. Ajo shërbeu si një mundësi që Edi Rama dhe Ilir Meta të rivendosin në balancë raportet e tyre institucionale, të çakorduara pas prishjes së koalicionit qeverisës mes PS dhe LSI. Një balancë e re pas një periudhe tranzitore që u desh për të stabilizuar raportet, nga ato mes Kryeminitrit dhe Kryetarit të Parlamentit dikur, në ato mes shefit te ekzekutivit dhe kreut të shtetit sot.
Përgjatë debatit disa javor që ka shoqëruar procesin e dhënies së autorizimit nga z. Meta, është vënë re një komunikimi nervoz, përmes sjelljesh, veprimesh dhe deklaratash publike refraktare mes Presidentit të Republikës dhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Kjo ndoshta edhe për shkak se njëra palë kërkonte më shumë autoritet në këtë proces shumë të rëndësishëm për karrierën e një politikani, ndërsa pala tjetër më shumë operativitet në trajtimin e çështjes. I vetmi që qëndroi konstant dhe “i ftohtë” në këtë histori ishte Kryeministri, pavarësisht se edhe Bushati përfaqësonte veç të tjerash qeverinë.
Pasi u shkëmbyen dy cikle kërkesash dhe kundërkesash për formën dhe përmbajtjen e kësaj procedure Kushtetuese dhe ligjore mes Presidentit dhe shefit të diplomacisë, pak ditë më parë Edi Rama shkoi vetë në zyrën e Ilir Metës. I pyetur në një emision televiziv për këtë, Kryeministri u shpreh:
“Unë e kam thënë dhe mund ta përsëris pa asnjë hezitim që Presidenti i Republikës ka bërë nga fillimi deri në fund, gjënë e duhur. Ka kërkuar sqarimet e nevojshme, ka qenë i arsyeshëm me procesin dhe e ka ndihmuar konsolidimin e një procesi që duke pasur edhe filtrin e Presidentit të Republikës në dhënien e autorizimit bëhet solid dhe na jep një pozicion solid në negociata. Pavarësisht se është zgjatur pak e vërteta është se unë e falënderoj Ilir Metën për rolin që ka luajtur deri tani në këtë proces. I kemi ezauruar të gjitha hapat për negociata. Pres që Presidenti të japë autorizimin”.
Tani që është përcaktuar qartë kufiri i ri mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, do të jetë ndoshta më kollaj që të caktohet më në fund, edhe kufiri mes Tiranës dhe Athinës.

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Loading...

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button