Ekstremistët në PE vendosin në pikëpyetje objektivitetin e raportit të KE për Shqipërinë

Ekstremistët në Parlamentin Europian vënë në pikëpyetje objektivitetin e raportit të Komisionit Europian, sidomos në pjesën ku flitet për përpjekjet dhe luftën e autoriteteve shqiptare kundër krimit të organizuar.

Shqetësimi i radhës në PE është ngritur nga francezi Thierry Mariani, eurodeputet i dalë nga “Fronti Kombëtar”, partia e Marine Le Pen.

Mariani i referohet aksionit të fundit të ndërmarrë nga Interpol, ku sipas njoftimit u shkatërrua një grup kriminal shqiptar i quajtur “Kompania Bello”, përgjegjës për trafikimin e të paktën katër tonëve kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.

Në shqetësimin eurodeputetit francez, të siguruar nga Gazeta “Si”, ai kujton se aksioni u shtri nga Ekuadori deri në Dubai. Kjo shtrirje gjeografike, sipas tij, tregon fuqinë e krimit të organizuar shqiptar, që sipas Marianit bazat i ka në Shqipëri.

“Sipas Europolit, udhëheqësi i Kompania Bello, një 40-vjeçar shqiptar me bazë në Ekuador ka organizuar trafikimin e sasive gjigante kokaine nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri, për ta shpërndarë atë”, deklaron eurodeputeti francez.

Duke cituar raportin e KE-së, Thierry Mariani ironizon me pjesën ku Komisioni thotë se “Shqipëria ka treguar një vullnet të fortë në luftën kundër prodhimit dhe trafikut të lëndëve narkotike dhe vendosmëri të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“A është ende Komisioni i kënaqur me përpjekjet e bëra nga Shqipëria”, ironizon në fund të letrës drejtuar Komisionit Europian, eurodeputeti francez, Thierry Mariani.

Back to top button