Mehmet Pashë Deralla, krijuesi i Ushtrisë Shqiptare

, Mehmet Pashë Deralla, krijuesi i Ushtrisë Shqiptare
Me rastin e 175-vjetorit të lindjes së Ministrit të parë të Luftës dhe krijuesit të Ushtrisë së parë Shqiptare, Mehmet Pashë Deralla, Muzeu Historik Kombëtar, Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike Tetovë dhe Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë organizuan ekspozitën me foto dhe dokumente të paekspozuara më parë rreth jetës së tij publike dhe private.

Me rastin e këtij përvjetori u bë edhe promovimi i librit, kushtuar këtij personaliteti të mbrojtjes dhe shpalljes së Pavarësisë Shqiptare. Ishin të pranishëm në organizimin e këtij aktiviteti personalitete të shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ceremoninë e hapjes së ekspozitës e përshëndetën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, kryetari i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoninë, Xhavat Prespa, kuratori i ekspozitës Arsim Sinani, si edhe pasardhës të Mehmet Pashë Derallës. Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë ceremoninë e përshëndeti zv.ministri, Petro Koçi, i cili ndër të tjera tha se: “Është një nder i veçantë për mua që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të marrë pjesë në këtë konferencë shkencore kushtuar kësaj figure të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese, siç është Mehmet Pashë Dëralla. Zgjedhja e Mehmet Pashë Derallës në krye të Ministrisë së Luftës, sot Ministria e Mbrojtjes, nuk ishte një rastësi, por një domosdoshmëri”. Sipas tij, ai ishte një personalitet i padiskutueshëm në fushën e vet, një personazh me vlerë si një nga protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Ministria e Luftës e drejtuar prej tij mori përsipër barrën e madhe historike, misionin e ruajtjes së pavarësisë së vendit dhe të mbrojtjes së qeverisë së parë shqiptare duke mos pasur asnjë strukturë të mirëfilltë ushtarake. Kuptohet që Ministria e Luftës të asaj kohe është shumë larg përfytyrimit që ne kemi sot për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, por në ato kushte ishte më e mira që mund të bëhej”.

“Jam krenar të pohoj sot se, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura vazhdojnë të përçojnë vlerat më të mira të traditës sonë patriotike, të atyre vlerave që mundësuan formimin e shtetit shqiptar”, përfundoi zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi. Promovimi i studimit është faza përmbyllëse e lartësimit të figurës së gjeneralit Mehmet Pashë Deralla e ardhur nga një punë e madhe kërkimore dhe disa vjeçare nga personalitete në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Studimi është një përmbledhje kumtesash nga konferenca “102 vjet shtet shqiptar dhe më pas. Çështja shqiptare dhe familja Deralla”, të mbajtura në Tetovë në vitin 2014.

Por, përveç saj ky botim përmban edhe punime shkencore, dokumente arkivore të pa ekspozuar më parë për publikun. Pra, studimi përbëhet nga 32 punime shkencore, 12 fjalime dhe dokumente arkivore.

Gjatë promovimit të këtij botimi referuan Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili ndër të tjera tha se: “Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i rëndësishëm i memories kombëtare është i privilegjuar të organizojë promovimin e librit “Mehmet Pashë Deralla në 175-vjetorin e lindjes (1843-2018)”.

Ky promovim zhvillohet në vazhdën e aktiviteteve që kemi ndërmarrë në kuadër të 550-vjetorit të vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilat janë tri nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Botimi del si numër special i revistës shkencore ndërkombëtare ‘Diskutime’, e cila tashmë ka fituar një popullaritet të madh në qerthullin mbarëshqiptar.

Në këtë botim janë përmbledhur aktet e konferencës shkencore ‘102 vjet shtet shqiptar e më pastaj. Çështja shqiptare dhe Derallajt’, që është mbajtur 5 vjet më parë në Tetovë. Referuesit e kumtesave hedhin dritë me fakte të reja mbi figurën e shquar të Gjeneral Mehmet Pashë Derallës, i cili ka hyrë në histori si ministri i parë i Luftës së Shtetit Shqiptar.

Mehmet Pashë Deralla ka hyrë në memorien historike të shqiptarëve si gjenerali shtatlartë që qëndronte në ballkon në krah të Ismail Qemalit në përvjetorin e parë të ngritjes së flamurit më 1913″. “Ndër referuesit e shumtë që kanë dhënë kontributin e tyre për të ndriçuar këtë figurë të ndritur të kombit shqiptar mund të përmendim: Arsim Sinani, Afrim Krasniqi, Bujar Dugolli, Darling Ismail Vlora, Ruki Kondaj, Ibrahim Gashi, Romeo Gurakuqi, Zaho Golemi, Ermir Nika, Qerim Lita, Proletar Hasani, Bernard Zotaj, Asllan Zemani, Ilir Zylfiu, Haxhi Ademi, Ndriçim Mehmeti, Skënder Lutfiu, Berat Murina, Man Poga, Kastriot Veselaj, Izet Abdyli etj”, përfundoi drejtori Koçi. Rreth kronologjisë jetësore të Mehmet Pashë Derallës foli Prof. Zaho Golemi. Gjithashtu, përshëndetën aktivitetin edhe Kryetari i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoninë, Xhavat Prespa, dhe z. Martin Berishaj. E mbylli aktivitetin Arsim Sinani, kryetar i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike Tetovë, i cili falënderoi drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, për organizimin e këtij aktiviteti si edhe bëri një prolog për Derallajt.

Në fund të këtij aktiviteti, me një ceremoni të veçantë nga burrat e Gradecit, Muzeut Historik Kombëtar ju dhurua flamuri i familjes së Derallajve, si edhe një dosje më burime arkivore nga Stambolli mbi Mehmet Pashë Derallën./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button